Floida Kërpaçi: Shqipëria duhet të kthehet në shtet social, qeveria të garantojë ndihmën ekonomike për të gjitha familjet në nevojë.

 

Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Floida Kërpaçi, në fjalën e saj gjatë bashkëbisedimit me studentët e Shkencave Sociale për ndihmën ekonomike, ka deklaruar se problemi nis pikërisht te transparenca. Sipas saj, ky është një ndër problemet më madhore të skemës së re të ndihmës ekonomike. Kërpaçi thekson se nuk ka shtet social. Nuk iu jepet shanse të barabarta familjeve në nevojë për të përfituar ndihmën ekonomike, thekson ajo. “Sot për të pasur ndihmën ekonomike, për të përfituar diku ti duhet të jesh ai që merresh me drogë, ai që ke lidhje me shtetin, ai që je një biznesmen i fuqishëm dhe që ke lekë që të përfitosh. Kjo është alternativa, ndërkohë që për të varfrin, për të papunin, për dikë që kalon nga zyra në zyrë, nga dosja në dosje dera është e mbyllur dhe ky është fakt”, deklaroi Kërpaçi. 

Fjala e plotë e deputetes  LSI 
Përshëndetje të gjithëve, dua t’u falënderoj të gjithëve për këtë qasje që po i bëni sot problemit, i cili nuk është problemi i një familje, por është problemi i shoqërisë. Mënyra se si po e trajtojmë sot dhe alternativa që ju na sillni sot në këtë aktivitet do të thotë shumë për këto familje, për shoqërinë, pikërisht për të gjetur një zgjidhje dhe për të gjetur së bashku se ku qëndron problemi. Ashtu siç ju e prekët, problemi nis nga transparenca. Në momentin që nuk ka transparencë që në momentin se si aplikohet pa diskutim që bën të pamundur që të kesh gjithë informacionin e duhur që është një e drejtë e çdo familje për të aplikuar dhe për të përfituar ndihmën ekonomike. Ky është një nga problemet më madhore të skemës së re të ndihmës ekonomike. Për të vazhduar pastaj me sistemin e pikëzimit, që asnjë nga familjet e dala, por edhe ato që janë pjesë e ndihmës ekonomike nuk kanë informacion. Pra nuk dihet se çfarë të dhënash po hedhin, ku po shkojnë këto të dhëna dhe a do të jenë ata fatlumët që do t’i bjerë për të fituar. Flasim për një shtet që e quan veten të majtë, por politika që ai ndjek nuk është absolutisht e majtë, sepse po dalin nga skema e ndihmës ekonomike 20.000 familje dhe kjo nuk është çështje politike. Nuk është çështje të qenit i majtë apo i djathtë, ka të bëjë me familjen me ndihmën me dorën që ti i shtrin asaj familje për ta ndihmuar. Sot gjithsecili prej nesh që është këtu, ndoshta nuk e ka këtë problem por çfarë do të ndodh nëse në të ardhmen ky problem rikthehet te ne. Nuk mund të heshtim, sepse ajo ndihmë ekonomike për një familje është buka e gojës, ndihma që merr nga shteti. Dhe shteti e ka detyrë të garantojë dhe të bëjë politikën e duhur për të stimuluar dhe për të qenë pranë këtyre familjeve.  
Pyetja që shtrohet sot është a kemi ne një shtet social? Ju sot këtu jeni student të Shkencave Sociale dhe padyshim që vetvetiu përgjigjja është që jo. Sot nuk kemi një shtet social, sepse nuk është një shtet  që i jep shanse të barabarta të gjitha familjeve në nevojë për të pasur ndihmën ekonomike. Pra sot për të pasur ndihmën ekonomike, për të përfituar diku, ti duhet të jesh ai që merresh me drogë, ai që ke lidhje me shtetin, ai që je një biznesmen i fuqishëm dhe që ke lekë që të përfitosh. Kjo është alternativa, ndërkohë që për të varfrin, për të papunin, për dikë që kalon nga zyra në zyrë, nga dosja në dosje dera është e mbyllur dhe ky është fakt. Nuk është kjo ajo që duam dhe prandaj alternativa që sollët ju sot tregon një vizion të ri se si të rinjtë dhe profesionistët e rinj e mendojnë për të pasur një shtet social për t’u përfshirë të gjithë grupet në skemën e ndihmës ekonomike, Por është shumë e lehtë për t’u thënë që po ka abuzivitet, po do t’i nxjerrim, por kjo është ndihma që jep shteti? Nuk është kjo. Problemi më madhor është riintegrimi i këtyre grupeve, ku do të punësohen. Sot secili prej jush endet me moton kërkojmë të rinj me eksperiencë pune. Më thoni cili nga ju ka pasur shansin për të punuar dhe për të pasur eksperiencë. Asnjë, sepse shanset janë zero. 

Dhe këtu kalojmë te problemi tjetër i të rinjve që emigrojnë dhe largohen nga vendi për këto probleme sociale që ka vendi ynë. Politika është demagogji, por mënyra se si ju e sollët sot ishte ndryshe përtej parimit politik. Ju treguat realitetin. Secili prej nesh ka një të afërm, një familjar, edhe të rinj që familja e tyre ka dalë nga skema e ndihmës ekonomike. Duke i hedhur këto propozime, ne si deputetë të parlamentit, si LSI, si anëtar të Komisionit të Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë do të lobojmë fort dhe do të ngremë zërin për të çuar paketën tuaj të propozimeve për ndihmën ekonomike se si e mendoni ju dhe se si shteti duhet t’i qaset këtij problemi. Nuk mundet thjesht të themi që po dolën 20.000 familje nga skema e ndihmës ekonomike dhe problemi është te familja. Ky është problemi i shoqërisë se çfarë do të ndodhi në momentin që këto familje dalin nga skema e ndihmës ekonomike. Do të shkojnë drejt zgjedhjeve negative të sjelljeve në shoqëri. 
Duke qenë se ekonomia është shumë e rënduar papunësia është  nivele alarmante. Këtu rriten edhe sjelljet e tjera, kriminaliteti, droga, vjedhjet, pra fillojnë problemet në shoqëri, të cilat janë pasoja po përsëri për shtetin, por edhe për shoqërinë. Prandaj problemi i skemës së ndihmës ekonomike është një problem për të gjithë shoqërinë. Dhe pa diskutim që gjithsecili prej nesh është i ndjeshëm, por duhet të kuptojmë që politikat që shteti vë në zbatim nuk duhet të jenë të ftohta. Duhet të jenë politika me zemër, që i shërbejnë familjes dhe nuk përjashtojnë asnjë familje, por krijojnë shanse të barabarta për çdo familje, për të kandiduar, për të fituar dhe për t’i dhënë zgjidhje reale problemit, situatës ekonomike që ata kanë me familjen. Kështu qe me propozimet tuaja me përpjekjen tonë, por edhe me ardhjen tuaj në grupin parlamentar, si grupe interesi për të ngritur zërin dhe për të thënë që po të rinjtë kanë ide, ne jemi profesionistët e rinj, ne kemi një ide dhe hajde shohim se si mund ta rregullojmë, duke ndjekur këtë lloj modeli që ndoqëm sot duhet të vazhdojmë ta ngremë me gjithë grupimet e tjera të të rinjve për të diskutuar për problemet thelbësore të shoqërisë dhe se si ne do të ngremë politika konkrete për të përmirësuar situatën reale në Shqipëri. Ne kemi ligje shumë të mira të shkruara, por jemi shumë mbrapa me zbatimin e tyre. Jo që na intereson ne është se si zbatohet, si ndikon te jeta jonë e përditshme. Në fund të ditës familja ime e merr ndihmën ekonomike? Kjo është pyetja që i lind gjithsecilit prej nesh dhe kjo është lufta që duhet të bëjmë. Është një problem që kërkon reagim sot ashtu siç ju reaguat, për nesër. Ju falënderoj dhe njëherë dhe do doja ta vazhdonim këtë sfidë të madhe që kemi për të bërë, për të kërkuar një shtet që jep shanse të barabarta të gjithë qytetarëve. Edhe më fort duke reaguar me çdolloj forme demokratike që ne kemi mundësi.

/ In News / By Elisa Piperi / Comments Off on Floida Kërpaçi: Shqipëria duhet të kthehet në shtet social, qeveria të garantojë ndihmën ekonomike për të gjitha familjet në nevojë.