“Anti-Shpifja”, Luan Rama: Qeveria, gjeneratori më i madh i shpifjeve!

Zëvendëskryetari i LSI-së Luan Rama në një dalje publike për mediat ka sulmuar qeverinë në lidhje me paketën ‘Anti-shpifje’, që presidenti Ilir Meta e kthehu për rishqyrtim sërish në Kuvend. Nga selia e LSI-së, Rama tha se reagimeve të ndërkombëtarëve që kanë dalë kundër kësaj pakete është dhe Komisioni Europian.

Teksa ka risjellë në vëmendje pjesë nga reagimi i KE-së, Luan Rama pohoi se ky institucion i jep të drejtë presidentit Meta. Po ashtu Luan Rama sulmoi ashpër Kuvendin, ndërsa shtoi se sot vendi është pa një të tillë.

Deklarata për mediat e Zëvendëskryetarit të LSI, Luan Rama

Mirëdita të gjithëve!

Në labirintin e dhjetëra e dhjetëra problemeve, shqetësime nga më të rënda, në fakt që përballon shoqëria shqiptarë, jam sot në këtë konferencë për t’u ndalur tek njëri prej tyre. Tek një problem ka krijuar një kosto të madhe, jo vetëm për imazhin e Shqipërisë, por dhe për raportin e bashkëveprimit të Shqipërisë në mënyrë të veçantë me komunitetin e medias dhe me organizmat që mbrojnë të drejtët e gazetarëve, lirinë e shprehjes dhe të shtypit. Por edhe me organizmat ndërkombëtarë duke filluar që nga Komisioni Europian, Këshilli i Europës, OSBE e shumë të tjera.

Pra më konkretisht e kam për atë që është quajtur si paketa “anti-shpifje”. Një nismë që komprometon rëndë rolin, angazhimet dhe përgjegjësitë e qeverisë shqiptare dhe mazhorancës së saj në raport me këtë të drejtë kushtetuese. Me këtë të drejtë kushtetuese të lirisë së shprehjes dhe të lirisë mediatike.

Në fakt përkeqësimi progresiv i lirisë së medias dhe kufizimi i lirisë së shprehjes është bërë një shqetësim dhe problem shumë të madh të shoqërisë shqiptare aq sa jo vetëm në renditjen që bëjnë organizmat ndërkombëtarë, Shqipëria ka humbur shumë vende, por çfarë është më e rënda, realiteti i sotëm është shumë më keq, është shumë më i rëndë nga çfarë ka qenë ky realitet edhe në fillimet e medias së lirë dhe të shtypit të lirë gjithashtu.

Jam sot këtu për të sjellë në vëmendjen tuaj reagimin më të fundit të Komisionit Europian, artikuluar dje prej zëdhënëses së tij, i cili i bën thirrje, i bën apel qeverisë shqiptare, mazhornacës, Kuvendit që ta shfrytëzojë të drejtën kushtetuese të Presidentit të Republikës, i cili e ka kthyer për rishqyrtim ligjin të ashtuquajtur paketë “anti-shpifje” në Kuvend si një mundësi për të hequr dorë nga marrëzia, nga aventura e cënimit, e dhunimit dhe e kufizimit të lirisë së shprehjes dhe të lirisë së shtypit.

Më konkretisht zëdhënësja e Komisionit Europian shprehet: “Ne e kemi bërë të qartë, pra Komisioni Europian se Bashkimi Europian mbështet rekomandimet e Këshillit të Europës në rastin e ligjit të medias në Shqipëri. Ne pranojmë se shqetësimet dhe rekomandimet përkatëse janë sërish të vlefshme dhe ato duhen adresuar sërish faktin që Presidenti i Shqipërisë ka kthyer ligjin në parlament, e shohim si një mundësi për ti pranuar ato. Ne shpresojmë që kj të realizohet.”

Pra, apeli është i qartë. Mesazhi është i drejtë për drejtë dhe kuvendi i Shqipërisë, përkatësisht ai palo kuvend që është turpi i Shqipërisë, që është shëmbëlltyra më diskrete e Shqipërisë 100 vjet pas fillimit të parlamentarizmit të Shqipërisë pa parlament dhe pa parlamentarizëm. Pra, ky palo kuvend ka të paktën një mundësi që ta shpëtojë imazhin e vendit. Të ja heq këtë problem që po i krijon aventura e qeverisë dhe të reflektojë edhe në përputhje të këtij mesazhi që vjen nga Komisioni Europian për të realizuar ndryshimet që propozohen me aktin ligjor të kthimit të paketës anti shpifje në Kuvend. Natyrisht duke cituar sërish zv. e Komisionit Europian, ajo thotë që absolutisht që ne e mbështesim këtë. Ne mbështesim disa rekomandime të Këshillit të Europës jo vetëm për promovimin e vetë rregullimit, por ne e mbështesim qëllimin për ta kufizuar rregullimin e vetëm për servisët e mediave audio-vizive online, trajnimin gjygjësor të pavarur të ankesave lidhur me mediat, forcimin për transparencën e pronësisë se mediave në vend. Pra, çështja shtrohet që rekomandimet që vijnë nga organizmat ndërkombëtare, dua të kujtojë këtu se përveç rekomandimit të fundit të zv. së Komisionit Europian dhe rekomandimeve të bëra nga Këshilli i Europës, kemi edhe qëndrimin e para disa ditëve të përfaqësuesit të OSBE-së për lirin e medias. I cili gjithashtu bënë apel për të reflektuar pas kthimit të ligjit në Kuvend nga ana e Presidentit të Republikës dhe për të reflektuar në mënyrë që Shqipëria të mos vazhdoj e të tregohet me gisht si vendi i cënimit, i dhunimit dhe i kompromentimit të lirisë së shprehjes dhe të lirisë së medias.

 

Natyrisht unë e kuptoj dhe të gjithë ne e kuptojmë që kryeministri i pari dhe qeveria e tij, e pas tyre edhe mazhoranca e tyre, janë në linjën e sjelljeve të tyre të vazhdueshme të dhunimit, të fyerjes, të poshtërimit, të kufizimit të lirisë të shprehjes, të lirisë së shtypit, të lirisë mediatike, sepse në fakt ata nuk e kanë problemin te antishpifja, pasi gjeneratori më i madh i shpifjes është vetë qeveria shqiptare. Gjeneratori më i madh i shpifjes janë vetë instrumentet mediatikë të komanduar, të korruptuara, të blera dhe që përdoren në mënyrën më abuzive, e deri në përdhunim nga ana e kryeministrit dhe qeverisë.

Ne jemi në vigjilje të një mundësie tjetër që Shqipëria të marrë çeljen e negociatave me BE-në. Në këtë kontekst, çdo hap, çdo veprim që bie ndesh me parimet e lirisë së shtypit dhe të lirisë mediatike, çdo veprim që i bie ndesh rrugës së Shqipërisë për çeljen e negociatave dhe anëtarësimit në BE, në fakt është dëshmia më e mirë se cila është në të vërtetë qeveria, se cili është në të vërtetë kryeministri, i cili paradoksalisht duke qenë edhe presidenti i radhës i OSBE-së nga njëra anë, nga ana tjetër shfaqet si njëri prej shkelësve më të mëdhenj të parimeve të lirisë, të mbrojtjes të lirisë dhe sigurisë, të parimeve të mbrojtjes së lirisë së shprehjes dhe shtypit që mbron me aq konsistencë vetë OSBE-ja.

Pra kjo hipokrizi, kjo pafytyrësi duhet të marrë fund dhe Kuvendi i Shqipërisë, të paktën në këtë rast le të mendojë vetëm njëherë të vetme dhe ti bëjë nder Shqipërisë duke ia hequr barrën e turpit të një vendi ku shteti, ku qeveria kufizon, cënon dhe kriminalizon lirinë mediatike, lirinë e shprehjes si një e drejtë themelore e kushtetuese që mbrohet jo vetëm nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, por edhe nga të gjithë konventat ku Shqipëria është palë dhe si palë nënshkruese është e detyruar ti zbatojë, sepse në të kundërt penalitetet nuk do ti vuajë vetëm qeveria shqiptare, por kostoja e tyre si edhe deri më sot, do të rëndojë mbi interesat e vendit dhe mbi qytetarët shqiptarë.

Faleminderit!

/ In News / By Admin / Comments Off on “Anti-Shpifja”, Luan Rama: Qeveria, gjeneratori më i madh i shpifjeve!