Braimllari: Dëmshpërblim me çmimin e tregut dhe dënime për ata që dhunuan banorët

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari me anë të një interviste për televizionin Ora News ka reaguar në lidhje me aksionin e ditës së sotme në Unazën e Re, ku janë shembur 33 objekte nga IKMT. Braimllari ka theksuar se banorët e Unazës së Re kanë qenë në të drejtën e tyre, për të mbrojtur pronën të cilën ditën e sotme ua rrëmbyen mes terrorit dhe dhunës. Ai dënon ashpër dhunën e ushtruar ndaj banorëve, duke u shprehur se ka qenë e paprecedentë dhe e pafalshme.

“Ka qenë e paprecedentë sesi IKMT apo dhe institucione të tjera sot vepruan te Unaza e Re. Është e pafalshme dhuna e ushtruar nga ana e policisë, ku banorë të Unazës janë dhunuar fizikisht. Së bashku me z.Vasili kemi vizituar sot në Spitalin e Traumës, banorë të cilët u dhunuan nga policia. Një 80 vjeçar i quajtur  z.Çerciz ishte goditur në nofull, i ishin thyer dhëmbët nga goditja e forcave speciale për t’i shembur shtëpinë. Sot Edi Rama vulosi përdorimin e policisë së shtetit dhe institucioneve shtetërore për llogari personale.  Banorët mbrojnë pronën e tyre. Sot nuk bëhet fjalë për qytetarë të cilët po dalin në protestë. Sot bëhet fjalë për banorë të cilët duan të mbrojnë pronën e tyre. Nuk janë ato banorë kundër projektit të Unazës së Re, nuk kanë dalë ndonjëherë kundër zhvillimit të zonës. Ata kanë dëshiruar që në fillim dialog me qeverinë për të  vazhduar më tej projektin por nuk ka pasur veshë nga qeveria ti dëgjojë.”-tha Braimllari

Njëherazi ish-deputeti i LSI-së, u shpreh se opozita ka qenë krah banorëve të Unazës së Re prej një viti, duke i mbështetur dhe duke ndërmarrë një angazhim serioz kundrejt tyre.Braimllari theksoi se opozita i ka premtuar banorëve, se do ti dëmshpërblejë ata për çdo centimetër të pronës së tyre.

“Ne si opozitë kemi marrë një angazhim serioz. I kemi  qëndruar në krah banorëve të Unazës së Re. Unë personalisht por dhe z.Balliu dhe deputetë të tjerë të LSI, kemi më shumë se një vit që rendim sa në një komisariat në tjetrin për ti qëndruar pranë banorëve të Unazës së Re dhe të jeni të bindur që ne jemi njësh me ata banorë. Opozita e bashkuar, i ka premtuar banorëve dhe ia ka bërë publike që ne do të dëmshpërblejmë çdo centimetër të  pronës së atyre banorëve me çmimin e tregut dhe do të çojmë prapa hekurave të gjithë ata të cilët sot jo vetëm dhunuan qytetarët por kanë vënë në zbatim një projekt korruptiv.”- tha ndër të tjera Braimllari.