Caka: Skandaloze minimizimi i ngjarjes së Kavajës nga ana e qeverisë

Fjala e deputetes së LSI-së, Silva Caka në Kuvend

Sot edhe gjatë gjithë kohës do duhej të flisja për vjedhjen masive të votave nga eksponentë të Rilindjes, sepse aty është gjeneza e kësaj Qeverie hajdute dhe hipokrite. Kam shumë për të folur, për të thënë e për të denoncuar për të disatën herë, me emra dhe fakte konkrete, sepse përfaqësoj një qark, ku blerja e votës, deputetëve të Rilindjes në atë qark, iu ka kushtuar më shumë se 5 milionë Euro, por do ta rezervoj fjalën për një seancë tjetër, sepse sot dua të flas për atë ngjarje që ka tronditur çdo familje shqiptare, çdo prind fëmije dhe madje çdo fëmijë që e kupton, aq sa mundet, ngjarjen e Kavajës.

 

Është një ngjarje që trondit themelet jo vetëm të shtetit, se nuk e di a kemi më shtet, por të të gjithë shoqërisë dhe na bën të kuptojmë se në ç’gjendje ndodhen fëmijët tanë, sa pasiguri ekziston në institucionet arsimore e policore të kësaj qeverie, çfarë tallje masive i bëhet rastit nga ministra të këtij kabineti.

 

Jemi përballë një qëndrimi zyrtar, nga një ministre e kësaj qeverie, e cila tenton të minimizojë impaktin e ngjarjes, duke deklaruar se ngjarje të tilla ndodhin në të gjithë botën, madje shërbejnë edhe si subjekt për filma.

 

Unë, e dashur Elisa, ti gjithashtu, Jorida, Klajda, Olta, Rudina e të tjera në këtë sallë, jemi të reja në moshë dhe jemi bërë nëna këto 5 vitet e fundit dhe ty, si nënë e një vajze, do të të drejtoj disa pyetje:

Ti Elisa, si nënë, mbi të gjitha si nënë e një vajze, si ndihesh realisht karshi kësaj ngjarjeje? Kur shkon në darkë në shtëpi, zhvishesh nga kostumi i ministres, i deputetes dhe vendos vajzën tënde në gjumë, a e mendon ndonjëherë se si do flisje nëse kjo ngjarje do t’i ndodhte vajzës tënde? A të ngushëllon ty si nënë, fakti që një ministre del dhe thotë që këto ngjarje ndodhin kudo në botë dhe madje bëhen edhe filma?

 

Nuk e di për ty, por mua si nënë e 2 djemve, se as djemtë nuk përjashtohen nga ngjarje të tilla, më zien gjaku ndër vena nëse mendoj se diçka e tillë i ndodh fëmijës tim; madje me shumë sinqeritet do të të pranoj se nuk kam guxuar t’i lexoj të gjitha detajet e ngjarjes, se mendoj se do të çmendesha, kur ta ktheja thikën nga vetja.

 

Mendohu mirë e dashur Elisë dhe ktheji një përgjigje si grua, si nënë asaj familje atje, mos merr përsipër t’u lexosh çudirat anti-familje të Edi Ramës!

 

Ju na kërkoni të mos bëjmë politikë me këtë ngjarje; po çfarë duhet të bëjmë ne? Si përfaqësues të këtij populli, çfarë duhet të bëjmë ne? Të rrimë dhe të shikojmë se si ju talleni me këtë ngjarje? Të rrimë dhe të shikojmë se si drejtoreshat e emëruara nga kjo buratinia këtu, fshehin ngjarjen? Të rrimë të shikojmë se si drejtoresha me sjellje rrugaçesh të emëruara nga buratinia e arsimit, na bëjnë moral dhe na tregojnë se fajin e ka nëna dhe vajza vetë??? Apo të rrimë dhe të shikojmë se si policët e këtij ordinancës pa identitet, tallen me vajzën, me nënën e saj dhe nuk e referojnë ngjarjen, sepse baballarët e atyre djemve i kanë shokë???

 

Jo! Harrojeni se do mbyllim gojën; harrojeni se do intimidohemi e do stepemi nga fakti që ju na akuzoni se po bëjmë politikë me këtë ngjarje. Ne do bëjmë ç’të jetë e mundur, që të gjithë fajtorët, ata që vepruam, ata që nuk vepruan e ata që heshtën, të dalin përpara drejtësisë. Do duhet t’a bënit edhe ju, në mënyrë që të shmangim vetëgjyqësinë në ato familje, por ju nuk e bëni dot, se shteti ju ka rënë dhe prandaj do të flasim ne.

 

Ironia e fatit bëri që ngjarja të ndodhte në Kavajë, pikërisht në qytetin që ju ngriti në këmbë gra e burra, madje çatë e shqyet kancelaritë europiane, për t’i treguar gjithë botës se në Kavajë kishte ndodhur një makabritet, të cilin e kishit inskenuar ju, madje e inskenuat aq bukur, sapo do të ishte i denjë për një skenar filmi. Sepse kaq hipokritë jeni ju: filmin e ktheni në tragjedi dhe tragjedinë e vërtetë e trajtoni si film.

 

Ironia e fatit deshi që një ngjarje po aq tronditëse, që përfshinte një vajzë 16 vjeçare në fshatin Drenas në Kosovë, e shfrytëzuar seksualisht nga mësuesi i saj dhe nga polici, tek i cili kishte denoncuar rastin, të ndodhte në Kosovë. Diferenca është se në krye të asaj qeverie është një shqiptar i mirë dhe jo një antishqiptar.

Në krye të asaj qeverie është një shqiptar i mirë, që falenderon mediat për bërjen publike të ngjarjes; këtu kemi një anti-shqiptar, që bën kazan çdo media që shkruan mbi lajmin;

 

Në krye të asaj qeverie është një shqiptar i mirë, që nxit dhe urdhëron policinë të zbardhë ngjarjen, edhe pse në kosto përfshihet një koleg i tyre; këtu kemi një anti-shqiptar, që nxiton të nxjerrë ordinancën e tij pa identitet e të intimidojë e mallkojë deputetin që bëri publike ngjarjen;

Në krye të asaj qeverie është një shqiptar i mirë që merr përgjegjësi për ngjarjen; këtu kemi një anti-shqiptar, që tentoi për më shumë se një muaj ngjarjen;

Në krye të asaj qeverie është një shqiptar i mirë, që ngushëllon, jep mbështetjen e duhur dhe garanton familjarët për zbardhjen e ngjarjes; këtu kemi një anti-shqiptar, që i ngushëllon familjarët duke iu thënë se nuk iu ka ndodhur hataja, se ngjarje të tilla ndodhin në gjithë botën dhe madje bëhen edhe filma.

Unë kam dyshimet e mia nëse kjo sjellje është standard i shumëfishtë, është cinizëm apo është urrejtje për këtë popull? Mendoj se është kjo e fundit!

Në këtë sallë ka deputete nëna, që nuk janë bërë ende nëna, por janë motra e bija, ka baballarë, ka deputetë që kanë ardhur nga radhët e shoqërisë civile, ka Aleancë të Grave Deputete, madje ka edhe deputetë që kanë hartuar Kodin e të Miturve, por që ende nuk i kam parë të bëjnë një reagim lidhur me ngjarjen.

Të gjithëve ne na bashkon kjo sallë, mandati për të përfaqësuar këtë popull, madje na bashkon edhe kjo ngjarje edhe pse jo të gjithë jemi këtu si përfaqësues të popullit të Kavajës. Do duhej që të kishim të njëjtin qëndrim lidhur me çështjen, por për fat të keq po ndahemi në një pikë kritike: jemi ne, që tragjedisë i themi tragjedi, janë edhe këta që me veprim, apo edhe këta që me mosveprim apo heshtje, po e kthejnë tragjedinë në film. Në këto kushte, mua nuk më ngelet gjë tjetër për të thënë, përveçse Zoti dhe zemra e asaj nëne ju faltë, se unë në vend të saj, nuk e di a do ta bëja dot!

/ In News / By Elisa Piperi / Comments Off on Caka: Skandaloze minimizimi i ngjarjes së Kavajës nga ana e qeverisë