1.1. Lëvizja Socialiste për Integrim është një parti politike. Ajo është një bashkim vullnetar i shtetasve shqiptarë mbi bazën e ideve, të bindjeve, të pikëpamjeve dhe interesave të përbashkëta politike, të cilët synojnë të ndikojnë në jetën e vendit nëpërmjet pjesëmarrjes në zgjedhjet dhe përfaqësimit të popullit në organet e zgjedhura të pushtetit. 1.2. Emri i plotë i partisë është Lëvizja Socialiste për Integrim dhe inicialet e saj janë L.S.I., të cilat përdoren në simbolin, flamurin, vulën dhe në të gjithë dokumentat zyrtare të partisë. II. SELIA
2.1. Selia e L.S.I. - së është në Tirane. III. SIMBOLI 3.1. Simboli i Lëvizjes Socialiste për Integrim është i përbërë nga inicalet L.S.I.. mbi të cilat është vendosur një trëndafil i kompozuar nga lulja dhe kërcelli me dy gjethe të vendosura në të dy anët e tij. Simboli vendoset në stemën, vulën dhe flamurin e L.S.I. – së. IV. VULA 4.1. Lëvizja Socialiste për Integrim ka vulën e saj e cila është në formë rrethore me simbolin e L.S.I. – së në qendër. Rreth simbolit shkruhet me gërma kapitale forumi i L.S.I. – së i cili e përdor.
V. DOKUMENTAT BAZË 5.1. Dokumentat bazë mbi të cilat bazohet funksionimi i LSI-së janë Programi dhe Statuti i saj. 5.2. Programi dhe Statuti janë dokumenta të hapura për ndryshime dhe përmirësime që zhvillimet i bëjnë të nevojshme.
VI. PARIMET KRYESORE
6.1. L.S.I. është krijuar, organizuar e funksionon mbi bazën e disa parimeve të saj kryesore që janë: a. një anëtar një votë dhe organizimi vertikal nga baza në qendër; b. liria e shprehjes e çdo anëtari për cdo problem që ka të bëjë me performancën e LSI-së, e të zgjedhurve të saj, dokumentat dhe zbatimin e tyre, si dhe çështje të tjera me interes; c. pacënueshmëria e personalitetit dhe dinjitetit të anëtarit nga çdo anëtar, funksionar i zgjedhur ose i emëruar, forum apo vendim i cilido forumi të L.S.I. – së; d. demokracia e bredëshme dhe njohja e garantimi i përfaqësimit në forumet e L.S.I. – së i fraksioneve; e. kolegjaliteti dhe transparenca në vendimmarrje dhe në drejtimin e çdo strukture të L.S.I. –së; f. shtrirja e përfaqësimit dhe vlerësimi i gjithësecilit në bazë të kontributeve.
VII. ANËTARËSIMI
7.1. Anëtar i L.S.I. – së mund të jetë çdo shtetas shqiptar, pa dallim rrace, kombësie, seksi, bindje fetare, gjëndje ekonomike dhe përkatësie shoqërore, i cili: a. ka mbushur moshën 18 vjeç; b. nuk është anëtar i një force tjetër politike; c. nuk ështe i dënuar me vendim të formës së prerë nga organet e drejtësisë për vepra penale që parashikojnë burgim; d. pranon me vullnet të lirë statutin dhe programin e LSI-së dhe kontribuon në zbatimin e tij; 7.2. Anëtarësimi në LSI bëhet individualisht, mbi vullnetin lirë të cdo shtetasi shqiptar që shpreh me shkrim kërkesën e tij për anëtarësim në Organizatën e L.S.I. - së pranë Qendrës së Votimit në territorin e së cilës ai ka vendbanimin e qëndrueshëm dhe ushtron të drejtën e zgjedhjes. 7.3. Vendimin për pranimin në L.S.I. të kërkuesit e merr Komiteti Drejtues pranë Njësisë Vendore përkatëse, pasi ka shqyrtuar më parë kërkesën dhe rekomandimin e Organizatës së L.S.I. - së pranë Qendrës së Votimit. Dokumenti i anëtarësimit në L.S.I. lëshohet nga Kryetari i Njësisë Vendore. 7.4. Shtetasi shqiptar që jeton jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë që ka dëshirën dhe plotëson kushtet për t’u anëtarësuar në L.S.I., duhet të paraqesë një kërkesë me shkrim Kryesisë të LSI-së, e cilat do të marrë vendimin përkatës. 7.5. Anëtarëve të L.S.I. – së që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë ju garantohet përfaqësimi në Konventën Kombëtare të L.S.I. – së. Mënyra e përfaqësimit në Konventën Kombëtare dhe e zhvillimit të jetës politike përcaktohet me vendim të Komitetit Drejtues Kombëtar. 7.6. Anëtari i LSI-së, i cili për arsye personale është i detyruar të largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë, mund të ruajë anëtarësinë duke njoftuar me shkrim Organizatën e L.S.I. - së pranë Qendrës së Votimit përkatëse për adresën e tij të re, si dhe të shprehë angazhimin për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga ky statut. 7.7. Anëtari i LSI-së ka për detyrë: a. të bëjë pjesë në një organizatë të LSI-së; b. të paguajë rregullisht kuotizacionin e anëtarësisë; c. të marrë pjesë në zgjedhjet në L.S.I. duke votuar për kandidatin që dëshiron, si dhe në zgjedhjet për pushtetin vendor e të përgjithshme duke votuar për kandidatët e L.S.I. – së apo për kandidatët që ajo mbështet; d. të mos kandidojë si i pavarur apo nën siglën e një force tjetër politike, në zgjedhjet për pushtetin vendor, të përgjithshme apo për pozicione publike ku një nga kriteret e përzgjedhjes së kandidaturave, është ai i përfaqësimit politik; e. të regjistrohet për të votuar vetëm pranë Organizatës së L.S.I. - së pranë Qendrës së Votimit në territorin e të cilës ka vendbanimin e qëndrueshëm të tij; f. të respektojë disiplinën e partisë dhe të kontribuojë në forcimin e kohezionit të saj; g. të pranojë vendimet e shumicës e të respektojë mendimin ndryshe; h. të punojë për rritjen e ndikimit të L.S.I. – së në komunitetin përkatës; i. të përpiqet të shtojë rradhët e L.S.I. – së; j. të mos përfshihet në aktivitete apo sjellje të cilat janë kompromentuese për L.S.I. - në dhe cënojne imazhin e saj; 7.8. Anëtari i LSI-së ka të drejtë: a. të marrë pjesë dhe të japë kontributin e tij në hartimin dhe zbatimin e qëndrimeve dhe politikave të LSI-së, programit dhe statutit të saj; b. të zgjedhë dhe të zgjidhet në forumet drejtuese të LSI-së. Në rastet e zgjedhjeve për në forumet e nivelit qëndror të L.S.I. - së kjo e drejtë kufizohet për anëtarët që kanë lidhje familjare të shkallës së parë; c. të informohet për aktivitetin e strukturave të LSI-së dhe të shprehë qëndrimin e tij mbi to; d. të propozojë dhe të propozohet si kandidat i LSI-së për zgjedhjet e pushtetit vendor ato të përgjithshme si dhe në të gjithë organizmat ku kërkohet përfaqësim i L.S.I. - së; e. të jetë i barabartë me të gjithë anëtarët e tjerë të L.S.I. – së, pavarësisht nga funksionet që ai mbulon në L.S.I. apo gjetkë, gjendja ekonomike, përkatësia shoqërore; f. të largohet nga L.S.I. kur të dëshirojë duke bërë një njoftim me shkrim në Organizatën e L.S.I. – së pranë Qendrës së Votimit në të cilën ai bën pjesë, pa qenë i detyruar të japë shpjegime.
VIII. MASAT DISIPLINORE
8.1. Cdo anëtar që vepron në kundërshtim me parashikimet e Statutit, Programit dhe vendimet e forumeve të L.S.I. – së i nënshtrohet marrjes së masave disiplinore. 8.2. Masat disiplinore janë: a.këshillimi; b. pezullimi i anëtarësisë; 8.3. Procedurën për dhënien e masës disiplinore anëtarit të L.S.I. – së e fillon forumi i cili ka konstatuar shkeljen. 8.4. Kërkësa për dhënien e masës disiplinore në rastin e anëtarit të thjeshtë të L.S.I. – së dhe kryetarit të Organizatës së L.S.I. - së pranë Qendrës së Votimit, i drejtohet Komitetit Drejtues të Njësië Vendore, ndërsa përsa i përket rastit të funksionarit të L.S.I. - së të zgjedhur apo emëruar nga forumet, kërkesa i drejtohet forumit i cili e ka zgjedhur. Për funksionarët e L.S.I. – së të zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga anëtarësia kërkesa i drejtohet Konventës Kombëtare 8.5. Kërkesa duhet të përmbajë një përshkrim të hollësishëm mbi shkeljen e konstatuar si dhe masën disiplinore të propozuar. 8.6. Marrja e vendimeve dhe ankimimi i tyre bëhet në përputhje me parashikimet e këtij statuti dhe të vendimeve të Konventës Kombëtare. 8.7. Rregulla të hollësishme për dhënien e masave disiplinore përcaktohen nga Konventa Kombëtare.
IX. ORGANIZIMI I L.S.I.
9.1. L.S.I. është një parti politike me karakter elektoral me organizim vertikal nga baza në qendër, e cila në themel të organizimit të saj ka parimin një anëtar një vote. 9.2. L.S.I. e ushtron aktivitetin e saj në të gjithë territorin e vendit dhe është organizuar në dy nivele: në nivelin vendor dhe nivelin qëndror. 9.3. L.S.I. në nivel vendor ka këtë organizim: Organizata pranë Qendrës së Votimit (O.Q.V) Komiteti Drejtues pranë Njësisë Vendore (K.D.Nj.V.) Konferenca e Rrethit (K.RR.) 9.4. Në nivel qëndror L.S.I. ka këtë organizim:
- Konventa Kombëtare (K.K)
- Komiteti Drejtues Kombëtar (K.D.K.)
- Kryesia
- Kryetari
- Zëvendëskryetari
- Nënkryetarët
- Sekretari i Përgjithshëm
X. ORGANIZIMI I L.S.I. – së NË NIVEL VENDOR Organizata e L.S.I. – së pranë Qendrës së Votimit 10.1. Njësia bazë e organizimit të L.S.I. – së është Organizata pranë Qendrës së Votimit. 10.2. Organizata e L.S.I. - së pranë Qendrës së Votimit formohet nga të paktën 10 anëtarë të L.S.I. Në rastet kur nuk mund të arrihet ky numër, me miratimin e Komitetit Drejtues të Njësisë Vendore, anëtarët e L.S.I. – së e zhvillojnë jetën e tyre politike, në një nga Organizatat e L.S.I. - së pranë Qendrës së Votimit fqinjë. 10.3. Organizata e L.S.I. - së pranë Qendrës së Votimit i zhvillon mbledhjet e saj të paktën 4 herë në vit. Mbledhja e Organizatës i L.S.I. - së pranë Qendrës së Votimit thirret nga kryetari ose nga 1/3 e anëtarësisë. 10.4. Gjatë periudhës së fushatave për zgjedhjet në parti, pushtet vendor apo zgjedhje të përgjithshme, Organizata e L.S.I. - së pranë Qendrës së Votimit konsiderohet e mbledhur në menyrë permanente. 10.5. Organizata e L.S.I. - së pranë Qendrës së Votimit gjatë ushtrimit të aktivitetit të saj politik: a. propogandon politikën dhe qëndrimet e L.S.I. – së, në përputhje me Programin, Statutin dhe vendimet e forumeve drejtuese të L.S.I – së; b. propozon kandidatët e saj për në Komitetin Drejtues të Njësisë Vendore; c. punon për shtimin e rradhëve të L.S.I. – së; d. organizon dhe administron fushatat elektorale për zgjedhjet në L.S.I., për pushtetin vendor apo të përgjithshme, në përputhje me kompetencat që i jepen në këtë drejtim nga Statuti dhe vendimet e forumeve të L.S.I. – së; e. përpiqet të zgjerojë ndikimin e L.S.I. – së në shtresat e ndryshme të popullsisë në njësinë territoriale për të cilën ajo përgjigjet; f. mban lidhje me organizatat politike, të shoqërisë civile, të cdo grupimi tjetër shoqëror apo individë, në përputhje me parimet dhe normat e Programit dhe të Statutit të L.S.I. – së; g. respekton mendimin e çdo shtetasi, anëtar apo jo i L.S.I. – së. Kryetari i Organizatës së L.S.I. – së pranë Qendrës së Votimit 10.6. Për mbarëvajtjen e punëve të përditshme, zgjidhet Kryetari i Organizatës së L.S.I. - së pranë Qendrës së Votimit. Kryetari zgjidhet për një periudhë kater vjecar, nëpërmjet një procesi votimi nga anëtarësia e Organizatës së L.S.I. - së pranë Qendrës së Votimit, në prani të Kryetarit të Njësië Vendore ose një prej anëtarëve të Komitetit Drejtues të Njësisë Vendore. 10.7. Kryetari i Organizatës së L.S.I. - së pranë Qendrës së Votimit: a. organizon veprimtarinë e L.S.I. – së në territorin administrativ të qendrës së votimit; b. thërret mbledhjet e Organizatës së L.S.I. - së pranë Qendrës së Votimit; c. njofton me shkrim Komitetin Drejtues të Zonës Zgjedhore për çdo mbledhje apo aktivitet të Organizatës pranë Qendrës së Votimit; d. nënshkruan të gjithë vendimet e marra nga Organizata e L.S.I. – së pranë Qendrës së Votimit; e. harton e administron listën e anëtarëve të L.S.I. – së pranë qendrës së votimit përkatëse; f. harton listën e përkrahësve të L.S.I. – së pranë qendrës së votimit përkatëse; g. drejton fushatat zgjedhore të L.S.I. – së në nivel qendre votimi, në rastet e zgjedhjeve te përgjithshme, vendore apo forumet e L.S.I. - së; Komiteti Drejtues i L.S.I. në Njësinë Vendore 10.8. Drejtimi politik dhe organizativ i L.S.I. – së në Njësinë Vendore realizohet nëpërmjet Komitetit Drejtues të Njësisë Vendore. 10.9. Komiteti Drejtues i Njësisë Vendore përbëhet nga një numër tek anëtarësh, që miratohet me udhëzim të vecantë të Kryesisë Qëndrore të LSI-së. 10.10. Anëtarët e Komiteteve Drejtuese të Njësive Vendore Zgjidhen nga anëtarsia nëpërmjet votimi të listave të kandidatëve. Listat e Kandidatëve hartohen sipas këtij parimi: a. Për Bashkitë një Kandidat për cdo 10 anëtarë b. Për Komunat një Kandidat për cdo 5 anëtarë
10.11. Lëvizja e të Rinjve për Integrim dhe Lëvizja e Gruas për Integrim, në mënyrë të vecuar, propozojnë kandidatët e tyre për në Komitetin Drejtues të Zonës Zgjedhore, të cilët do të jenë nga 20% e totalit të kandidatëve. Kjo përqindje reflektohet detyrimisht edhe në përbërjen e Komitetit Drejtues të Njësisë Vendore. 10.12. Rregulla të hollësishme për kushtet, mënyrat e kandidimit, të zhvillimit të zgjedhjeve dhe të përfaqësimit në strukturat e L.S.I. – së, miratohen nga Konventa Kombëtare. 10.13. Komiteti Drejtues i Njësisë Vendore mblidhet jo më rrallë se një herë në tre muaj me kerkesë të kryetarit ose 1/3 e anëtarëve. 10.14. Komiteti Drejtues i Njësisë Vendore gjatë ushtrimit të aktivitetit të tij politik: a. organizon dhe kontrollon punën e Organizatave të L.S.I. - së pranë Qendrës së Votimit të L.S.I. – së në territorin administrativ të Njësisë Vendore; b. krijon dhe administron regjistrin e anëtarësisë dhe të strukturave të L.S.I. – së në nivelNjësie Vendore; c. propozon kandidaturat për deputetë, në organet e qeverisjes vendore apo në cdo organizatë tjetër ku kërkohet përfaqësimi politik i L.S.I. – së, në territorin administrativ të saj. Kur territori i organit të qeverisjes vendore ndahet në më shumë së një zonë zgjedhore, secili Komitet Drejtues i njësië Vendore jep kandidaturën e tij; d. zgjedh përfaqësuesit e tij në Konventën Kombëtare; e. kontrollon dhe administron proçesin e mbledhjes së kuotizacioneve; f. koordinon punën e L.S.I. - së në të gjitha fushat, politike, ekonomike, shoqërore duke bashkëpunuar jo vetëm me Organizatat e L.S.I. - së pranë Qendrave të Votimit dhe anëtarët e L.S.I – së, por edhe me organizatat partnere, të shoqërisë civile, të cdo grupimi tjetër shoqëror, përkrahës të L.S.I. - së apo individë, në përputhje me parimet dhe normat e Programit dhe të Statutit të L.S.I. – së; g. miraton pranimet, këshillimet apo pezullimet nga L.S.I. – ja, pasi shqyrton kërkesat e shtetasve apo anëtarëve si dhe kërkesat për masa disiplinore e rekomandimet përkatëse të Organizatave të L.S.I. - së pranë Qendrave të Votimit apo forumeve të tjera të L.S.I. - së; h. organizon dhe administron fushatat elektorale për zgjedhjet në parti, për pushtetin vendor apo të përgjithshme, në zonën zgjedhore përkatëse, në përputhje me kompetencat që i jepen në këtë drejtim nga Statuti dhe vendimet e forumeve të L.S.I. – së; i. raporton në mënyrë periodike në Kryesinë e L.S.I. – së në Rreth për aktivitetin e L.S.I. – së në territorin administrativ të zonës zgjedhore përkatëse. Kryetari i L.S.I. – së në Njësinë Vendore 10.15. L.S.I. në nivel Njësie Vendore drejtohet nga Kryetari i L.S.I. - së në Njësinë Vendore, i cili zgjidhet nëpërmjet votimit të drejtpërdrejtë nga anëtarësia e L.S.I. – së e Njësisë Vendore për një periudhë katër vjecar 10.16. Kryetari i L.S.I. - së në Njësinë Vendore: a. drejton veprimtarinë e L.S.I. – së në territorin administrativ të Njësisë Vendore përkatëse; b. thërret dhe drejton mbledhjet e Komitetit Drejtues të Njësisë Vendore; c. nënshkruan të gjithë vendimet e marra nga Komiteti Drejtues i Njësisë Vendore; d. drejton fushatat zgjedhore të L.S.I. – së në nivel Njësie Vendore, në rastet e zgjedhjeve të përgjithshme, vendore apo forumet e L.S.I. - së; e. lëshon dokumentin e anëtarësimit në L.S.I. Konferenca e L.S.I. – së në Rreth 10.17. Drejtimi politik dhe organizativ i L.S.I. – së në nivel rrethi realizohet nëpërmjet Konferencës së Rrethit. 10.18. Konferenca e Rrethit përbëhet nga Kryetarët e komiteteve të L.S.I. – së në Njësitë Vendore dhe anëtarët e Komiteteve Drejtuese të LSI-së ne Njësitë Vendore. 10.19. Konferenca e Rrethit mblidhet të paktën dy herë në vit në bazë të një programi vjetor të miratuar nga Kryesia e L.S.I. - së. Ajo thirret me vendim të Kryesisë së L.S.I. – së në Rreth ose me kërkesën e 1/3 të anëtarëve të saj. 10.20. Pranë Konferencave të L.S.I. – së në Rreth, në bazë të mundësive financiare ngrihen struktura politiko – organizative. 10.21. Konferenca e L.S.I. – së në Rreth, gjatë ushtrimit të aktivitetit të saj: a. koordinon punën e L.S.I. - së në të gjitha fushat, politike, ekonomike, shoqërore duke bashkëpunuar jo vetëm me Komitetet Drejtuese në Njësitë Vendore, Organizatat e L.S.I. – së pranë Qendrave të Votimit dhe anëtarët e L.S.I – së, por edhe me organizatat partnere, të shoqërisë civile, të cdo gupimi tjetër shoqëror në rreth, në përputhje me parimet e normat e Programit dhe të Statutit të L.S.I. – së; b. koordinon fushatat elektorale për zgjedhjet në L.S.I., për pushtetin vendor apo të përgjithshme, në rrethin përkatës, në përputhje me kompetencat që i jepen në këtë drejtim nga Statuti dhe vendimet e forumeve të L.S.I. – së; c. zgjedh Kryetarin, Nënkryetarët dhe Sekretarin e L.S.I. – së në rreth; d. zgjedh Financierin e L.S.I. – së në Rreth; e. propozon në Komitetin Drejtues Kombëtar kandidaturat e L.S.I. – së për në organet e qeverisjes vendore apo në çdo organizatë tjetër ku kërkohet përfaqësimi politik i L.S.I. – së, në territorin administrativ të saj dhe që nuk janë kompetencë e ndonjë forumi tjetër të L.S.I. – së, propozon edhe kandidatura për Deputet në Kuvëndin e Shqipërisë. Kryesia e L.S.I. – së në Rreth 10.22. kryesia e LSI-së në Rreth përbëhet nga Kryetarët e Komiteteve të LSI të Njësive Vendore që janë anëtarë të saj pa votim dhe anëtarët që zgjedhin me votim të fshehtë nga Konferenca e Rrethit. Numri I anëtarve të Kryesisë së Rrethit përcaktohet nga Kryesia qëndrore e LSI-së. Kryesia e rrethit në mbledhjen e saj të parë zgjedh me votim të fshehtë Nënkryetarët dhe Sekretarët. 10.23. Kryesia e L.S.I. – së në Rreth, mblidhet të paktën një herë në muaj. Ajo thirret nga Kryetari ose nga 1/3 e anëtarëve të Kryesisë të L.S.I. – së në Rreth. 10.24. Kryesia e L.S.I. – së në Rreth: a. organizon, koordinon dhe drejton veprimtarinë e përgjithshme të L.S.I. – së në territorin e rrethit përkatës; b. organizon, koordinon dhe drejton fushatat elektorale për zgjedhjet në L.S.I., për pushtetin vendor apo të përgjithshme, në rrethin përkatës, në përputhje me kompetencat që i jepen në këtë drejtim nga Statuti dhe vendimet e forumeve të L.S.I. – së; c. përfaqëson L.S.I. – në, në marrëdhënie me organizatat partnere, partitë e tjera, organizatat politike, të shoqërisë civile, të çdo gupimi tjetër shoqëror, në përputhje me parimet dhe normat e Statutit dhe të Programit të L.S.I. – së, në territorin e rrethit përkatës; d. miraton ndarjen e mjeteve materiale e financiare të L.S.I. – së në rrethin përkatës; e. thërret mbledhjen e Konferencës së L.S.I. – së në Rreth; f. krijon dhe administron regjistrin e anëtarësisë dhe të strukturave të L.S.I. – së në nivel rrethi; g. kontrollon mbledhjen e kuotizacioneve dhe përdorimin e fondeve nga strukturat e L.S.I. - së në rrethin përkatës. h. raporton në mënyrë periodike në Kryesinë e L.S.I. – së për aktivitetin e L.S.I. – së në territorin administrativ të rrethit përkatës. Kryetari i L.S.I. – së në Rreth 10.25. Kryetari i Rrethit do të zgjidhet nga Konferenca e Rrethit për një periudhë katër vjecare me votim te fshehtë dhe kandidatura alternative. 10.27. Kryetari i L.S.I. në Rreth: a. drejton veprimtarinë e L.S.I. – së në territorin administrativ të rrethit përkatës; b. thërret dhe drejton mbledhjet e Kryesisë së Rrethit; c. nënshkruan të gjithë vendimet e marra nga Kryesia e Rrethit; d. drejton fushatat zgjedhore të L.S.I. – së në nivel rrethi, në rastet e zgjedhjeve të përgjithshme, vendore apo forumet e L.S.I. - së; Struktura e L.S.I. – së në Rrethin e Tiranës 10.28. struktura e LSI-së në teritorin e Bashkisë Tiranë do të funksionojë në bazë të Komitetit Drejtues në nivel Njësish bashkiake dhe Konferencës së LSI Tiranë. Konferenca e Bashkisë Tiranë përbëhet nga Kryetarët dhe Komiteti Drejtues të Njësive Bashkiake. Numri I Kryesisë së Bashkisë Tiranë vendoset me vendim të KDK-së. XI. ORGANIZIMI I L.S.I. – së NË NIVEL QËNDROR
Konventa Kombëtare e L.S.I.- së 11.1. Konventa Kombëtare është forumi më i lartë vendimarrës i L.S.I. – së. 11.2. Konventa Kombëtare përbëhet nga:
Anëtarët e Kryesisë Anëtarët e KDK-së Përfaqësuesit e LSI në Kuvëndin e Shqipërisë. Kryetarët e LSI në Rrethe Përfaqësues nga cdo rreth në bazë të kritereve të përcaktuara nga Konventa Kombëtare ku në cdo rast jo më pak se 20% të anëtarve të Konventës do të jenë përfaqësues të Lëvizjes Rinore për Integrim dhe jo më pak se 20 % e anëtarve të Konventës do të jenë gra . Drejtuesit e KD-ve të Njësive Vendore Përfaqësues në emigracion Drejtues nga Pushteti Vendor të zgjedhur nga LSI. 11.3. Konventa Kombëtare e Zakonshme thirret të paktën një herë në vit me vendim të Komitetit Drejtues Kombëtar ose me kërkesë të 1/3 të anëtarëve të Konventës Kombëtare. 11.4. Mbledhja e Konventës Kombëtare, vendi i mbajtjes, kohëzgjatja dhe rendi i ditës, njoftohet të paktën një muaj përpara mbajtjes së saj. 11.5. Konventa Kombëtare drejtohet nga Kryesia e Konventës, e cila zgjidhet nga anëtarët e Konventës Kombëtare mbi bazën e propozimit të Grupit Organizator. 11.6. Konventa Kombëtare i zhvillon punimet në bazë të rregullores së saj e cila hartohet nga Komiteti Drejtues Kombëtar dhe miratohet nga Konventa Kombëtare. 11.7. Konventa Kombëtare e Zakonshme: a. miraton Programin dhe Statutin ose ndryshimet në to; b. cakton numrin e anëtarëve të Komitetit Drejtues Kombëtar; c. zgjedh anëtarët e Komitetit Drejtues Kombëtar; d. miraton kriteret që duhet të plotësojë një anëtar për t’u zgjedhur në forumet e L.S.I. – së; e. miraton kriteret që duhet të plotësojnë përfaqësuesit e L.S.I. – së në qeveri apo çdo organizëm tjetër ku kërkohet përfaqësim i L.S.I. – së; f. miraton proçedurat e zhvillimit të zgjedhjeve në të gjitha nivelet dhe forumet e L.S.I. – së; g. miraton kriteret e pjesmarrjes së përfaqësuesve të zgjedhur nga Konferencat e Rretheve për në Konventën Kombëtare. h. miraton masën e kuotizacionit; i. zgjedh anëtarët e Këshillit Ankimor; j. miraton rregulla mbi proçedurat e ankimimit të vendimeve të forumeve të L.S.I. - së, llojet e vendimeve, mënyrën e marrjes së vendimeve, kuorumet e nevojshme për vendimmarrje në Këshillin Ankimor; k. rikonfirmon ose jo mandatin e drejtuesve të L.S.I. – së që janë emërtesë e saj në rastet e një procedure rikonfirmimi mandati; l. miraton rregulla mbi kushtet, mënyrat e kandidimit, të zhvillimit të zgjedhjeve dhe të përfaqësimit në strukturat e L.S.I. – së; m. miraton rregullat mbi mënyrën e legalizimit si dhe të përfaqësimit të fraksioneve në forumet e L.S.I. – së. n. zgjedh Zëvendëskryetarin. 11.8. Konventa Kombëtare e Jashtëzakonshme thirret me kërkesën e 2/3 të anëtarëve të Konventës Kombëtare ose me kërkesën e të paktën gjysmës së anëtarësisë vetëm për çështje urgjente të rëndësishme. 11.9. Konventa Kombëtare Elektorale: a. miraton Programin Elektoral të L.S.I. – së dhe në rastin e zgjedhjeve të përgjithshme edhe kandidatin e L.S.I. – së për kryeministër; b. miraton kandidaturat për deputetë në rastin e zgjedhjeve të përgjithshme; c. miraton kandidaturat për Kryetar të L.S.I. – së. 11.10. Mbledhjet e Konventës Kombëtare thirren me vendim të Komitetit Drejtues Kombëtar. Vendi i mbajtjes, kohëzgjatja dhe rendi i ditës, njoftohet të paktën një muaj përpara mbajtjes së saj. 11.10/1 Konferenca Kombëtare e të Zgjedhurve Lokalë. Konferenca mblidhet jo më rrallë se një herë në dy vjet. Mbledhjet e Konferencës Kombëtare të të Zgjedhurve Lokalë, thirren me vendim të Komitetit Drejtues Kombëtar, që përcakton dhe rregullat e përfaqësimit në të. Komiteti Drejtues Kombëtar i L.S.I. - së 11.11. Drejtimi politik dhe organizativ i L.S.I. – së në nivel kombëtar midis dy Konferencave Kombëtare realizohet nëpërmjet Komitetit Drejtues Kombëtar. 11.12. Anëtarët e Komitetit Drejtues Kombëtar zgjidhen nga Konventa Kombëtare për një periudhë katër vjeçare, nëpërmjet një proçedure konkurimi me kandidatura alternative. Numri i anëtarëve të Komitetit Drejtues Kombëtar caktohet me vendim të Konventës Kombëtare. Në mbledhjet e Komitetit Drejtues Kombëtar marrin pjesë por pa të drejtë vote edhe Kryetarët e L.S.I. – së në Rreth të cilët nuk janë zgjedhur anëtarë të Komitetit Drejtues Kombëtar. 11.12/1 në rast se mandati I Anëtarit të KDK-së ndërpritet përpara kohe zëvëndësimi I vëndit vacant bëhet nga KDK me propozim të Kryesisë së LSI-së. 11.13. Në kandidaturat e paraqitura duhet të përfshihen edhe përfaqësuesit e Lëvizjes së të Rinjve për Integrim dhe Lëvizjes së Gruas për Integrim, në mënyrë proporcionale e të veçuar për secilën nga këto dy organizata partnere me nga 20% secila prej tyre. Kjo përqindje reflektohet detyrimisht edhe në përbërjen e Komitetit Drejtues Kombëtar. 11.14. Komiteti Drejtues Kombëtar: a. organizon dhe drejton punën e L.S.I. – së; b. në rast fitore të zgjedhjeve miraton programin e qeverisë; c. cakton numrin a anëtarëve të Kryesisë së L.S.I. – së; d. zgjedh Nnënkryetarët, Sekretarin e Përgjithshëm dhe anëtarët e Kryesisë së L.S.I. – së; e. zgjedh Kryetarin e Komitetit Drejtues Kombëtar të L.S.I. - së; f. miraton kandidaturat e L.S.I. – së për në organet e qeverisjes vendore apo në organizatat e tjera ku kërkohet përfaqësimi i L.S.I. – së; g. me kërkesë të Kryesisë së L.S.I. - së diskuton dhe miraton programe reformash në fusha të caktuara; h. miraton strukturën administrative të L.S.I. – së; i. vendos thirrjen e Konventës Kombëtare si dhe emëron Grupin Organizator të saj; j. miraton rregullore dhe udhëzime mbi mënyrën dhe praktikën e organizmit, funksionimit dhe dokumentimit të aktivitetit të L.S.I. – së; k. krijon komisione të përhershme apo të përkohshme pune me anëtarë apo simpatizantë të L.S.I. – së për të zgjidhur probleme të natyrave të ndryshme; l. miraton vendodhjen e selive të Komiteteve Drejtuese të L.S.I. – së në Zonat Zgjedhore; m. miraton rregulla mbi mënyrën e përfaqësimit në Konventën Kombëtare dhe e zhvillimit të jetës politike të anëtarëve të L.S.I. – së që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë; n. miraton rregullat e përdorimit të vulës të L.S.I. - së; o. zgjedh Financierin e L.S.I. – së; p. miraton rregulla mbi aktivitetin financiar dhe ekonomik të L.S.I. – së; q. miraton rregulla mbi mënyrën e organizimit dhe funksionimit të strukturave të L.S.I. – së në Komuna dhe Bashki si dhe në Rrethin e Tiranës. r. në rast mosfunksionimi, thyerjesh të rënda disiplinore, apo rezultatesh të dobëta në zgjedhjet e përgjithshme ose vendore, vendos riorganizimin pjesor ose të plotë të strukturës lokale të LSI -së. s. Komiteti Drejtues Kombëtar ka të drejtë të kooptojë në periudhën ndërmjet dy Konventave deri në 5% të numrit të anëtarve të KDK-së. 11.15. Komiteti Drejtues Kombëtar e zhvillon veprimtarinë e tij në bazë të rregullores së tij që hartohet nga Kryesia dhe miratohet nga Komiteti Drejtues Kombëtar. 11.16. Mbledhjet e Komitetit Drejtues Kombëtar thirret me vendim të Kryesisë. Vendi i mbajtjes, kohëzgjatja dhe rendi i ditës, njoftohet të paktën 10 ditë përpara mbajtjes së saj. 11.17. Mbledhjet e Komitetit Drejtues Kombëtar drejtohen nga Kryetari i tij i cili zgjidhet nga rradhët e anëtarëve të të Komitetit Drejtues Kombëtar dhe është anëtar i Kryesisë së L.S.I. - së. a. Kryetari I KDK-së ndjek veprimtarinë e Komisioneve të përhershme politike që funksionojnë në LSI dhe informon periodikisht Kryesinë dhe KDK-në. b. Kryetari I Komitetit Drejtues Kombëtar bashkëpunon me Kryetarin e Grupit Parlamentar për qëndrimet e Komisioneve Politike të Përhershme të për probleme legjislative si dhe për formulimin e qëndrimeve të LSI-së sipas fushave të ndryshme në Parlament. Kryesia e L.S.I. - së 11.18. Kryesia e L.S.I. - së përbëhet nga një numër tek anëtarësh, duke përfshirë Kryetarin, Zëvendëskryetarin, Nënkryetarët, Kryetarin e Komitetit Drejtues Kombëtar, Sekretarin e Përgjithshëm, Kryetarin e Lëvizjes së të Rinjve për Integrim, Kryetaren e Lëvizjes së Gruas për Integrim dhe anëtarët. 11.19. Anëtarët e Kryesisë zgjidhen nga rradhët e anëtarëve të Komitetit Drejtues Kombëtar për një periudhë katër vjeçare nëpërmjet konkurimit me kandidatura alternative. 11.20. Kryesia e L.S.I. – së mblidhet jo më rrallë së një herë në muaj. 11.21. Mbledhjet e Kryesisë thirren nga Kryetari ose nga 1/3 e anëtarëve të saj. Kryesia e L.S.I. – së e zhvillon aktivitetin e saj mbi bazën e rregullores përkatëse e cila miratohet nga Komiteti Drejtues Kombëtar. 11.22. Kryesia e L.S.I. – së: a. organizon punën dhe veprimtarinë e përgjithshme të L.S.I. – së; b. përpunon e miraton qëndrimet politike të L.S.I. – së; c. miraton aleancat politike si dhe emrat e përfaqësuesve të L.S.I. – së në qeveri apo cdo organizem tjetër ku kërkohet përfaqësim politik i L.S.I. – së; d. përfaqëson L.S.I. – në, në marrëdhënie me organizatat partnere, partitë e tjera, organizatat politike, të shoqërisë civile, të çdo gupimi tjetër shoqëror, në përputhje me parimet dhe normat e Statutit dhe të Programit të L.S.I. – së; e. miraton buxhetin vjetor të L.S.I. – së; f. kontrollon dhe përgjigjet për veprimtarinë ekonomike dhe financiare të L.S.I. – së; g. nxjerr rregullore e udhëzime në përputhje me kompetencat që i jepen me këtë statut apo me vendim të Konvetës Kombëtare apo Komitetit Drejtues Kombëtar. h. miraton listën e të ngarkuarve për patronazhin politik, të cilët ndjekin në mënyrë të vazhdueshme veprimtarinë politiko-organizative të strukturave të LSI-së në Njësitë Vendore. Në vlerësim të ecurisë së funksionimit të strukturave të LSI-së në Njësitë Vendore që mbulojnë ata informojnë vazhdimisht Kryesinë e LSI-së dhe I propozojnë asaj edhe masat konkrete deri në riorganizimin pjesor apo tërësor të strukturave të LSI të Njësive Vendore. i. miraton numrin e anëtarve të Komiteteve Drejtuese të LSI-së të Njësive Vendore. k. miraton listën e kandidatëve për Kryetarë të LSI-së të Njësive Vendore si dhe të rretheve, që do ti nënshtrohen më pas procesit të votimit në strukturat përkatëse. l. zgjedh sekretarët. Kryetari i L.S.I. - së 11.23. Kryetari është drejtuesi kryesor politik i L.S.I. – së. 11.24. Kryetari zgjidhet një herë në 4 vjet nëpërmjet votimit nga anëtarësia. 11.25. Kryetari i L.S.I. – së nuk mund të zgjidhet në funksion më shumë se dy mandate rradhazi. 11.26. Kandidatëve për Kryetar të L.S.I. – së u krijohen kushte të barabarta infrastrukturore, financiare dhe aksesi në shtypin apo publikimet e L.S.I. së. 11.27. Procedura e përzgjedhjes së kandidaturave për kryetar, mënyra e paraqitjes së programeve nga kandidatët, mënyra e zhvillimit të fushatës elektorale për zgjedhjen e kryetarit të L.S.I. – së, miratohet me vendim të Konventës Kombëtare. 11.28. Kryetari i L.S.I. – së: a. drejton dhe koordinon veprimtarinë e përditshme të L.S.I. – së; b. thërret dhe drejton mbledhjen e Kryesisë; c. koordinon punën e Kryesisë; d. emëron nëpunësit e L.S.I. – së. 11.28/a. Zëvendëskryetari në mungesë dhe me porosi, zëvendëson Kryetarin. Me vendim të Kryetarit apo të forumeve përkatëse të L.S.I.- së, Zëvendëskryetarit i caktohen edhe detyra të tjera. 11.28/b. Zëvendëskryetari zgjidhet nga Konventa Kombëtare e Zakonshme, nëpërmjet një proçedure votimi të fshehtë. Nënkryetarët e L.S.I. – së: 11.29. Nënkryetarët e L.S.I. – së zgjidhen nga Komiteti Drejtues Kombëtar për një periudhë katër vjeçare, nëpërmjet konkurimit me kandidatura alternative. Në vendimin e tij Komiteti Drejtues Kombëtar përcakton edhe detyrat e kompetencat e nënkryetarëve. Sekretari i Përgjithshëm i L.S.I. - së 11.30. Sekretari i Përgjithshëm i L.S.I. - së zgjidhet nga Komiteti Drejtues Kombëtar për një periudhë katër vjeçare, nëpërmjet konkurimit me kandidatura alternative. 11.31. Sekretari i Përgjithshëm: a. organizon nga ana administrative mbledhjen e Kryesisë, Komitetit Drejtues Kombëtar dhe të Konventës Kombëtare; b. drejton proçesin e zbardhjes së vendimeve të Kryesisë, Komitetit Drejtues Kombëtar dhe Konventës Kombëtare; c. mbikqyr veprimtarinë e strukturave politiko – administrative të L.S.I. - së. XII. MARRJA E VENDIMEVE
12.1. Në forumet e L.S.I. - së vendimet merren vetëm pas debatit e këmbimit të lirë të mendimeve. 12.2. Vendimet në forumet e L.S.I. - së merren me konsensus dhe në mungesë të konsensusit me votim të hapur. 12.3. Vendimet që kanë të bëjnë me individët, me normat e Statutit dhe të Programit, apo kur kërkohet nga 1/3 e anëtarëve të forumit të L.S.I. – së që merr vendimin, bëhen gjithnjë nëpërmjet një proçesi të votimit të fshehtë. 12.4. Vendimi i miratuar nga shumica e pjësmarrësve në votim është i detyrueshëm për t’u zbatuar nga të gjithë ata të cilëve ky vendim iu drejtohet. 12.5. Vendimet e forumeve publikohen në organet e shtypit të L.S.I. – së apo në buletinet e saj periodike informative.
XIII. ANKIMIMI I VENDIMEVE
13.1. Vendimet që merren nga forumet e L.S.I. – së mund të ankimohen në Këshillin Ankimor. 13.2. Anëtarët e Këshillit Ankimor zgjidhen nga Konventa Kombëtare nëpërmjet një proçedure konkurimi me kandidatura alternative, për një periudhë katër vjeçare. Mandati i anëtarëve të Këshillit Ankimor mbaron vetëm me konstituimin e Këshillit Ankimor pasardhës. 13.3. Anëtarët e Këshillit Ankimor nuk mund të zgjidhen në asnjë forum drejtues të L.S.I. – së. 13.4. Të drejtën e ankimimit të vendimeve të marra nga forumet e L.S.I. – së e kanë të gjithë anëtarët apo forumet e saj. Në Këshillin Ankimor nuk mund të ankimohen vetëm vendimet e Konventës Kombëtare. 13.5. Vendimet e Këshillit Ankimor janë të detyrueshme për zbatim. 13.6. Rregulla të hollësishme për proçedurat e ankimimit të vendimeve të forumeve të L.S.I. - së, llojet e vendimeve, mënyrën e marrjes së vendimeve, kuorumet e nevojshme për vendimmarrje në Këshillin Ankimor, vendosen me vendim të Konventës Kombëtare.
XIV. FRAKSIONET NË L.S.I.
14.1. L.S.I. – ja njeh dhe garanton përfaqësimin e fraksioneve në forumet e saj. 14.2. Rregulla të hollësishme mbi mënyrën e legalizimit dhe të përfaqësimit të fraksioneve në forumet e L.S.I. – së, përcaktohen nga Konventa Kombëtare.
XV. RIKONFIRMIMI I MANDATEVE
15.1. Të gjithë funksionarët e L.S.I. – së, të zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga anëtarësia apo të zgjedhur nga forumet, mund t’i nënshtrohen proçedurës së rikonfirmimit të mandatit. 15.2. Proçedura e rikonfirmimit të mandatit të funksionarit të L.S.I. – së të zgjedhur nga anëtarësia apo forumet e L.S.I. – së, fillon me kërkesën me shkrim të të paktën 1/3 të trupës zgjedhore të të zgjedhurit nga anëtarësia, ose 1/3 të anetarëve të forumit që ka bërë zgjedhjen. 15.3. Rikonfirmimi i mandatit në çdo rast zhvillohet me të njëjtën proçedurë të zgjedhjes të funksionarit të L.S.I. – së që i nënshtrohet rikonfirmimit të mandatit. 15.4. Rregulla të hollësishme mbi proçedurën e rikonfirmimit të mandatit miratohen nga Konventa Kombëtare.
XVI. BURIMET FINANCIARE E MATERIALE DHE PËRDORIMI I TYRE
16.1. Burimet financiare të L.S.I. – së janë: a. të ardhurat nga kuotizacionet; b. të ardhurat nga buxheti i shtetit në përputhje me legjislacionin për financimin e partive politike; c. ndihmat dhe dhuratat e anëtarëve e përkrahësve të L.S.I. – së; d. ndihmat dhe dhuratat e organizatave partnere; e. cdo e ardhur tjetër që nuk bie në kundështim me legjislacionin për financimin e partive politike. 16.2. Veprimtaria financiare dhe ekonomike e L.S.I. – së drejtohet nga Financieri i L.S.I. – së. 16.3. Financieri i L.S.I. – së zgjidhet nga Komiteti Drejtues Kombëtar për periudhë katër vjecare, nëpërmjet konkurimit me kandidatura alternative. 16.4. Aktiviteti financiar dhe ekonomik i L.S.I. – së mbikqyret në mënyrë të vazhdueshme nga Kryesia e cila miraton edhe buxhetin e L.S.I. – së për vitin pasardhës. 16.5. Një herë në vit, në mbledhjet e Komitetit Drejtues Kombëtar, Financieri paraqet një raport në lidhje me aktivitetin financiar dhe ekonomik të L.S.I. – së. 16.6. Rregulla të hollësishme mbi aktivitetin financiar dhe ekonomik të L.S.I. - së miratohen nga Komiteti Drejtues Kombëtar.
XVII. ORGANIZATAT PARTNERE
17.1. Lëvizja e të Rinjve për Integrim dhe Lëvizja e Gruas për Integrim janë organizatat partnere kryesore tek të cilat L.S.I. mbështetet dhe bashkëpunon. 17.2. Anëtarët e Lëvizjes së të Rinjve për Integrim dhe Lëvizjes së Gruas për Integrim, janë automatikisht anëtarë të L.S.I. – së nëse plotësojnë kriteret e vendosura nga ky statut. 17.3. Lëvizja e të Rinjve për Integrim dhe Lëvizja e Gruas për Integrim përfaqësohen në forumet e L.S.I. – së në përputhje me rregullat e vendosura nga ky statut dhe vendimet e forumeve përkatëse. Në çdo rast përfaqësimi i Lëvizjes së të Rinjve për Integrim do të jetë një përfaqësim i barabartë gjinor. Përfshirja në forumet e L.S.I. – së me kuota të caktuara, nuk pengon kandidimin dhe zgjedhjen e përfaqësuesve të këtyre dy organizatave, të rinjve e të rejave apo grave, në forumet e L.S.I. – së jashtë këtyre kuotave.
XVIII. MARRËDHËNIET ME ORGANIZATAT E TJERA POLITIKE DHE SHOQËRORE
18.1. L.S.I. bashkëpunon me sindikatat si dhe me organizatat politike e shoqërore që veprojnë në përputhje me legjislacionin shqiptar, kryesisht me ato organizata të cilat ashtu si L.S.I. shikojnë socialdemokracinë si modelin më të mirë për zhvillimin e vendit. 18.2. L.S.I. bashkëpunon me të gjitha ato organizata politike e shoqërore që synojnë një shoqëri demokratike e drejtësi shoqërore duke u bazuar tek debati konstruktiv dhe respektimi i pikëpamjeve. 18.3. L.S.I., duke respektuar pavarësinë dhe parimin e mosndërhyrjes, bashkëpunon më të gjitha partitë politike dhe organizatat politike apo të shoqerisë civile të shqiptarëve kudo qe janë, në interes të mbrojtjes dhe përmirësimit të të drejtave të shqiptarëve dhe zgjidhjes së çështjes kombëtare. 18.4. L.S.I. bashkëpunon me të gjitha organizatat politike në botë që synojnë një shoqëri demokratike. 18.5. L.S.I. duke pasur si alternativë të saj të zhvillimit të vendit socialdemokracinë, mban lidhje të ngushta me Partitë e Socialistëve Europiane dhe synon anëtarësimin në Internacionalen Socialiste.
FUND ARKIVA E LSI LIDHJE |