Deklarata për shtyp e Zv.Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Petrit Vasili

Vasili: Arrestimi i Haradinaj, nuk ndihmon aspak dialogun politik mes Kosovës dhe Serbisë

Vasili: Veprim i gabuar në kohën e gabuar

 Vasili: Lirimi i menjëhershëm i Ramush Haradinajt do të ishte dhe mbetet zgjidhja e vetme

 Vasili: Marrje masash juridiko-ligjore në nivel evropian për ndalimin një herë e përgjithmonë të praktikave të tilla

 Vasili: Mbështesim dhe e nxisim çdo lloj përpjekje dhe çdo lloj praktike që do ta realizonte lirimin e menjëhershëm të z. Hradinaj

 Vasili: Situata e motit, komentet negative një praktikë e cila shkon kundër interesave të qytetarëve

Vasili: Epidemia e gripit, nuk ka vend për politizim

Një nga arsyet kryesore të komunikimit me ju në këtë fillim viti ka qenë çështja tepër delikate dhe e rëndësishme e arrestimit të z. Ramush Haradinaj, kryetari i AAK-së dhe ish-kryeministri i Kosovës, një ngjarje sigurisht të cilën e kemi ndjekur hap pas hapi dhe me shqetësim të madh.

Në funksion pikërisht të kësaj çështjeje, Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta, ka komunikuar me familjen e z. Haradinaj, ka komunikuar gjithashtu me ambasadorin tonë në Francë, ka komunikuar dhe me mjaft faktorë të tjerë, në Kosovë dhe jashtë Kosovës. Gjithashtu siç është në dijeninë tuaj, Ministri i Drejtësisë, z. Manjani, i është drejtuar me një letër zyrtare Ministrit të Drejtësisë së Francës ku kërkon dekujarimin, moskryerjen e procedurave të ekstradimit të z. Haradinaj, pasi në vlerësimin tërësor të kësaj çështjeje, bëhet fjalë për një veprim absurd dhe një veprim i cili nuk ka ndihmuar dhe nuk ndihmon aspak dialogun politik mes Kosovës dhe Serbisë dhe njëkohësisht krijimin e një klime të re komunikimi, pozitive dhe bashkëpunuese.

Thënë me një fjalë të vetme, kjo ka qenë një veprim i gabuar në kohën e gabuar. Fitimi i momentit të humbur do të ishte një dhe vetëm një, lirimi i menjëhershëm i z. Haradinaj, dhe sqarimi në tërësinë e vet të këtyre procedurave të fosilizuara, të vjetra që qëndrojnë në analet e policive evropiane, duke ndaluar një herë dhe përgjithmonë, praktikat e ndalimeve të tilla edhe të paligjshme por edhe provokative, të cilat shkojnë kundër frymës të cilën të gjithë faktorët po përpiqen të ndërtojnë mes Kosovës dhe Serbisë, por gjithsesi duke i përdorur ato edhe si një frymë të re komunikimi në rajon.

Pra, në një vlerësim tërësor, e tërë kjo ngjarje ishte besoj një zhvillim negativ i cili në qendër pati për fat të keq një person, i cili ka demonstruar raportin më luajal, më të drejtpërdrejtë, më të hapur e të guximshëm, si z. Haradinaj, i cili është përballur me Gjykatën Evropiane të Hagës në dy raste të caktuara, dhe çështja e tij ka fituar. Pra, ka qenë nga ata njerëz që ka respektuar dhe është përballur me drejtësinë dhe nuk i ka bërë bisht asaj asnjëherë.

Ndaj në konkluzionin tonë, lirimi i menjëhershëm i tij do të ishte dhe mbetet zgjidhja e vetme, dhe njëkohësisht analizimi i kësaj situate, i kësaj ngjarje, dhe mospërsëritja e saj dhe marrja e masave të karakterit juridiko-ligjor në nivel evropian për ndalimin një herë e përgjithmonë të praktikave të tilla.

Ne e urojmë, mbështesim dhe e nxisim çdo lloj përpjekje dhe çdo lloj praktike që do ta realizonte lirimin e menjëhershëm të z. Hradinaj, dhe do të vazhdojmë ta ndjekim po me të njëjtin shqetësim minutë pas minute këtë ngjarje.

 

Pyetje nga gazetarët

 

  1. Vasili keni një koment për situatën e motit dhe epidemisë së gripit që është shfaqur këtë periudhë?

Besoj janë të dyja çështje të mëdha. Situata me të cilën po përballet vendi nga pikëpamja klimaterike është një situatë e jashtëzakonshme për kontekstin klimaterik të vendit dhe që ka përballur qytetarët, por edhe infrastrukturën dhe shërbimet me problematika të rëndësishme. I tërë mobilizimi i agjencive shtetërore është i plotë dhe total dhe të gjitha ato kanë mbështetjen e plotë, jo vetëm tonën si politikë, por edhe të qytetarëve.

Besoj që situata kërkon ndjekje minutë pas minute, pasi një situatë e rëndë e tillë mund të improvizoj ngjarje në çdo minutë në çdo sekondë. Pra çdo minutë është e vlefshme dhe e rëndësishme për t’u vlerësuar me masat e karakterit organizativ. Kërkohet gjithashtu një bashkëpunim tërësor i plotë, pa asnjë paragjykim politik dhe me strukturat e pushtetit vendor, të cilat kanë edhe ato një rol të rëndësishëm në këtë çështje duke evituar edhe politizimet, por besojë edhe komentet negative pa asnjë vend.

Duke pasur një eksperiencë të drejtë për drejtë, edhe personale në përballim të emergjencave të caktuara civile të përmasave të mëdha, sikurse edhe kjo e sotmja, do të thosha që komentet negative apo përfitimet mbi fatkeqësitë natyrore të këtij karakteri madhor siç janë këto, janë një praktikë jo vetëm e dëmshme, është një praktikë pavend dhe një praktikë e cila shkon kundër interesave të qytetarëve.

Ka vetëm një linjë sjelljeje, të gjithë së bashku të përballojmë sa më mirë dhe pa asnjë pasojë në radhë të parë të jetëve njerëzore këtë situatë shumë të komplikuar e të rënduar, jo tipike për vendin tonë mesdhetar, dhe sigurisht pas përballimit të saj ka gjithmonë vend për analiza dhe për gjëra, të cilat mund t’i konsiderojmë se si mund të bëheshin më mirë apo jo më mirë, por sot jemi dhe duhet të jemi të gjithë bashkë.

Dallimet politike bëhet të parëndësishme në këtë rast, bëhen zero, sepse interesi madhor i qytetarëve, shërbimeve, të jetës së tyre, janë ato që mbizotërojnë mbi gjithçka.

Gjithashtu do të bëja në respekt të pyetjes tuaj disa konsiderata lidhur me epideminë e gripit. Besoj është një moment kur karakteri epidemik është i qartë. Pra, kemi numra dhe shifra që flasin për një gjë të tillë. Jemi përpara një epidemie.

Së pari, përballimi i saj, është detyrë e Ministrisë së Shëndetësisë, pasi prin procesin, por secili në momentin e epidemive ka ç’të bëjë dhe ka ç’të ndihmojë. Ka një rol të veçantë shkollat, pavarësisht se infrastruktura shkollore nuk funksionon, pasi është mbyllur. Duhet ta dini që epidemia edhe kohëzgjatjen e saj e ka edhe më të gjatë se sa periudha e mbylljes së shkollave. Kjo mbyllje ka të bëjë me këtë që quhet periudha e pikut të epidemisë, por duhet të vazhdojë ndjekja. Kanë të bëjnë të gjitha mjetet e komunikimit publik, ka të bëjë vëmendja e të gjithë qytetarëve, të cilët duhet të jenë shumë të vëmendshëm dhe të respektojnë të gjithë këshillat që dëgjojnë.

Më e rëndësishmja nga të gjitha, dhe këtu do të ndalesha pak, është që e gjithë infrastruktura mjekësore të jetë në gatishmëri të plotë, dhe në fakt është vënë në gatishmëri, por qytetarët duhet ta përdorin atë në të gjithë gjerësinë e vet. Thënë më thjeshtë, shumë probleme të cilat zgjidhen në qendrat shëndetësore, nuk duhet të orientohen as nga mjekët, por as edhe nga qytetarët vetë, t’i marrin shërbimet në spitalet e vendit.

Arsyeja është shumë e thjeshtë, dhe këtë po ua shpjegoj si politikan, por si mjek: fluksi në spitalet tona do të ulte cilësinë e shërbimit për çdo të sëmurë qoftë ky fëmijë, i rritur, apo i moshuar. Çlirimi nga këto kërkesa të tepërta, pra ato probleme që mund dhe duhet të zgjidhen në qendrat shëndetësore të zgjidhen atje dhe vetëm urgjencat madhore të transferohen në spital, kjo do të ishte një ndihmë e ndërsjelltë që i japim njëri-tjetrit për të marrë maksimumin nga shërbimi shëndetësor. Qindra vetë para derës së një spitali, ndërkohë që 70 % e tyre mund të trajtohen në qendrat shëndetësore, është një dëm që i sjellim njëri-tjetrit dhe në uljen e cilësisë së shërbimit. Qendrat janë të hapura, siç është bërë publike funksionojnë nga mëngjesi deri në orën 20:00 të darkës, pra kanë mundësi edhe profesionale dhe teknike të përballojnë një pjesë të madhe të urgjencës mjekësore, që lidhet me gripin dhe pjesa tjetër, vetëm ajo, mund dhe duhet t’i drejtohet spitalit në mënyrë pra që të marrim shërbimin më të mirë.

Duhet vlerësuar dhe çdo lloj procesi tjetër që ka të bëjë me barnat, pse jo dhe me vaksinat, që sigurisht duhet të aplikohen me nxitim të jashtëzakonshëm. Edhe aplikimi i tyre pak kohë më parë mbase do të kishte qene edhe më pozitiv, megjithatë në çdo kohë që të aplikohen do të kishte vetëm efekte pozitive. Por dua të them që në tërësinë e vet, përballimi i gripit është vlerësimi i çdo këshille, sugjerimi që vjen nga organet shëndetësore. Askush nuk mund të bëjë mjekun e vetes, por të marrë ato këshilla pasi eliminohen shumë komplikacione të cilat mund të rëndojnë shëndetin në të ardhmen dhe pasojat mund të jenë afatgjata.

Megjithatë, edhe në këtë çështje do të ndalesha përsëri, nuk ka vend për politizim. Asnjë epidemi në të gjithë kohërat kur është shfaqur, në kohët moderne por edhe në të kaluarën, nuk ka pasur vend për të ndarë opinionet apo kritikat në planin politik. Kjo çështje ka vetëm një zgjidhje, përballim me efikasitet i epidemisë, mbrojtja më shumë e jetës dhe përsëri edhe në këtë rast, analizat se ku duhet të vepronim më shpejt, ku duhet të vepronim më mirë, janë analiza që vijnë pas vetëm pas kalimit të këtij momenti kritik. Tani solidariteti i të gjithëve me njëri-tjetrin duhet të jetë i padiskutueshëm dhe kushdo që do të mendonte se do të fitonte një kapital më shumë, duke bërë një kritikë më shumë, do të bënte që të humbasin vëmendjen e njerëzve, jetë njerëzish në vend që t’i fitonim ato. Kështu që ky lloj konstruktiviteti në këto lloj ditësh të vështira besoj që është mbreti i lëvizjes pozitive që u duhet shqiptarëve dhe vendit në këto momente, kur ai përballet me dy emergjenca: një emergjencë madhore natyrore, por edhe një tjetër emergjencë brenda emergjencës siç është ajo e karakterit shëndetësor.

/ In News / By LSI / Comments Off on Deklarata për shtyp e Zv.Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Petrit Vasili