Edmond Panariti: Insistojmë të respektohet sugjerimi I FMN-së për pezullimin urgjentisht të kontratave koncensionare

Fjala në Kuvend e deputetit të LSI-së, Edmond Panariti

Në fakt thelbi I diskutimit tim nuk ka të bëjë dhe as nuk do të merret me korrigjimin e një gabimi të cilësuar material në shtesën e kontratës koncensionar të Porto-Romanos. Unë mendoj që kjo nuk duhet të kishte ardhur fare sot në parlament, për arsye se ju, besoj e dini kush është qëndrimi I Fondit Monetar Ndërkombëtar, tashmë I shpallur, në raport me kontratat koncensionare. Dhe kjo është një kontratë koncensionare, që lipset ti ishte nënshtruar pikërisht sugjerimit dhe rekomandimit që ka ardhur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, I cili shprehet hapur që në këtë drejtim, lidhja e kontratave koncensionare pa fizibilitet do të disbalancojë financat publike, do të rrisë borxhin dhe do të kompromentojë ekonominë kombëtare. Pa llogaritur faktin, që në përgjegjësi këto projekte të tipit koncensionar synojnë të anashkalojnë dhe procedurat normale të prokurimit publik, duke u bërë dhe shkak për korrupsion të hapur. Mungesa e transparencës në kontrata të tilla koncensionare është një faktor tjetër që e bën të domosdoshme rishikimin në tërësi të kontratave, sidomos të respektohet, dhe për këtë ne insistojmë fuqimisht, rekomandimi I ardhur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, që të pezullohen urgjentisht kontratat e reja koncensionare. Unë e kam ndjekur me shumë kujdes prononcimin e zotit Rajnke, që është dhe shefi I zyrës së FMN-së në Tiranë, dhe po e citoj atë. Ai shprehet: Kemi deklaruar që kuadri institucional për menaxhimin e koncensioneve mbetet I papërshtatshëm dhe kjo kërkon kohë. Këshillojmë qeverinë të pezulloj dhënien e koncensioneve të reja. Ndër të tjera thotë: koncensionet jepen pa një analizë të qartë mes kostove që paguajnë qytetarët dhe përfitimet që ato sjellin. Pra mendoj që FMN ka një arsye që shqetësohet për inefektivitetin, për abuzivizmin nga kontratat koncesionare. Thjesht ne kërkojmë që të respektohet ky sugjerim, ky rekomandim, I bërë publik nga FMN. Prandaj ishte e panevojshme të kalonim sot në këtë rend dite korrektimin e kësaj kontrate koncensionare, kur dhe kjo sikurse dhe shumë kontrata të tjera koncensionare, duhet ti nënshtrohet një procesi thelbësor rishikimi në raport me rekomandimet e ardhura nga FMN. Dhe në këtë pikëpamja ne nuk e shikojmë si oportune si grup parlamentar që të jemi pjesë e këtij votimi.

/ In News / By Elisa Piperi / Comments Off on Edmond Panariti: Insistojmë të respektohet sugjerimi I FMN-së për pezullimin urgjentisht të kontratave koncensionare