Erisa Xhixho: Vendimi i KLGJ, dështim i radhës i reformës në drejtësi

Nënkryetarja e LSI-së, Erisa Xhixho shprehet se vendimi i sotëm i Këshillit të Lartë Gjyqësor për çështjen “Dvorani” është një turp i drejtësisë së re.

Në një postim në Facebook, Xhixho shprehet se “detyra e vetme që kishin sot anëtarët e KLGJ ishte të zbatonin nenin 136 të Kushtetutës i cili sanksionon se “ Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë kanë një mandat 9 vjeçar, pa te drejtë riemërimi”.

Duke u ndalur në kërkesën për dhënie mendimi nga ekspertët e EURALIUS apo OPTAD, Xhixho shprehet se KLGJ duhet të kishte kërkuar mendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Reagimi i plotë i Erisa Xhixhos në Facebook:

“Vendimi i sotëm i KLGJ dështim i radhës i reformës në drejtësi.

Vendimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë sot ishte mesazhi më i keq për qytetarët që besonin ende tek institucionet e reja të drejtësisë tek pavarësia e profesionalizmi .

Detyra e vetme që kishin sot anëtarët e KLGJ ishte të zbatonin nenin 136 të Kushtetutës i cili sanksionon se “ Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë kanë një mandat 9 vjeçar, pa te drejtë riemërimi”

Për çfarë arsye kërkohet asistenca e EURALIUS apo OPTAD kur Kushtetuta e Shqipërisë flet qartë dhe nuk lë hapësirë për asnjë interpretim?

Edhe nëse do kërkohej një interpretim kjo mund t’i kërkohej Gjykatës Kushtetuese, prandaj ne ndërtuam drejtësinë e re.

Kjo ndodh pasi KLGj nuk ka pavarësi profesionale nga Rilindja për një vendimmarrje e kjo u pa mjaft qartë. Turp i madh , kjo shmangie vendimarrje e qëllimshme dhe aspak e arsyetuar ligjërisht për gjyqtarin Ardian Dvorani që i ka mbaruar mandati që në 2014 dhe rri në detyrë në mënyrë antikushtetuese kur tashmë prej marsit 2020 kemi 3 anëtarë të rinj nga juristet më të spikatur pjesë të Gjykatës së Lartë”.

/ In News / By Admin / Comments Off on Erisa Xhixho: Vendimi i KLGJ, dështim i radhës i reformës në drejtësi