Fjala e kreut të LSI-së, z. Ilir Meta në Konventën Kombëtare të Lëvizjes Socialiste për Integrim

img-33Të dashur delegatë dhe delegate të Konventës Kombëtare Zgjedhore të Lëvizjes Socialiste për Integrim ! Edhe një herë mirë se erdhët në Kuvendin tonë. Të nderuar përfaqësues të partive politike parlamentare të Shqipërisë, të dashur vëllezër, përfaqësues të partive mbarëshqiptare që na nderoni sot këtu nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës. Motra dhe vëllezër, anëtarë, simpatizantë dhe votues të Lëvizjes Socialiste për Integrim kudo që jeni dhe që na ndiqni, dua sot t’ju shpreh një mirënjohje të veçantë dhe të thellë të gjithë juve për kontributin e pakursyer që keni dhënë ndër vite. Dua t’ju shpreh mirënjohje për sakrificat nëpër të cilat kemi kaluar së bashku, për kauzat parimore që kemi mbështetur dhe çuar përpara, për rritjen dhe konsolidimin garë pas gare të LSI-së dhe shndërrimin e saj në njërën ndër tre forcat kryesore politike të vendit. Sot një falënderim i veçantë dhe i përzemërt u shkon sidomos të gjithë themeluesve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të atyre që në 6 shtator të 2004, guxuan dhe besuan tek ky projekt i përbashkët dhe i suksesshëm.

Dua të falënderoj sot të gjithë ata që ndër vite iu bashkuan LSI-së, e sidomos anëtarët më të rinj që i kemi takuar edhe ditët e fundit së bashku kudo, sepse bashkimi i tyre na bën më të fortë, bashkimi i tyre na bën më përfaqësues, na bën më të gatshëm për të fituar sfida të afërme. Kam gjithashtu nderin që të jem sot përpara jush si kryetar i sapo rizgjedhur, i një force politike që respekton garën brenda vetes, që vlerëson  kontributin e gjithsecilit për fuqizimin dhe modernizimin e kësaj partie. Falënderoj të gjithë ata që më votuan dhe më ribesuan drejtimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, të kësaj familje të madhe dhe të pashoqe, të rinjsh dhe të rejash, grash dhe burrash kurajozë, të cilët me përkushtimin ndaj vendit dhe të ardhmes së tij 8 vjet më parë nisën një rrugë të gjatë dhe të vështirë për të kontribuar pa u kursyer për ndërtimin  e një Shqipërie evropiane. Dua të shpreh një falënderim të veçantë edhe për të gjithë ata, shokë edhe shoqe, anëtarë të LSI-së, të cilët mbështetën në garën për kreun e LSI-së kolegun tonë të nderuar, Luan Rama, i cili me të drejtë e ka cilësuar këtë garë si një garë që na bashkon rreth një vizioni dhe qëllimi për të dalë më të fortë dhe fitues në sfidat e të ardhmes sepse Shqipëria ka nevojë të ecë më shpejt përpara, sepse Shqipëria jonë e dashur ka nevojë për një tjetër ritëm më të lartë, atë të Shqipërisë së vërtetë evropiane.

Ndaj ne kemi treguar dhe do të tregojmë gjithmonë se gara nuk na ndan, por na bashkon më tepër. Kjo garë demokratike tregoi qartë se LSI është një parti e hapur ndaj debatit, ndaj kritikave dhe ndaj mendimeve alternative. Unë kam besuar tek demokracia, tek gara, tek konkurrenca që ditën që iu bashkova lëvizjes studentore të dhjetorit ‘90  ndaj dhe angazhohem edhe sot këtu që së bashku me ju ta zhvillojmë më tej këtë model demokratik, në mënyrë dinamike dhe të përhershme sepse vetëm kështu do të ecim më shpejt të gjithë përpara, vetëm kështu do të vazhdojmë të frymëzojmë të rinjtë sepse LSI është në radhë të parë partia e të rinjve. Pjesëmarrja e tyre aktive, masive dhe cilësore është burimi kryesor i energjisë pozitive që LSI rrezaton në të gjithë jetën politike dhe shoqërore të vendit. Shqipëria duhet të ecë më shpejt, duhet të ecë me ritmin e 18-20 vjeçarëve, të atyre që kanë lindur pas ’90, të atyre që shohin vetëm përpara. Ky është angazhimi i kësaj Konvente dhe i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Të dashur miq, dua të përshëndes nga ky podium dhe të përgëzoj si një model demokracie dhe fuqie politike, dhe shoqërore Lëvizjen Rinore për Integrim dhe Lëvizjen e Gruas për Integrim. LRI dhe LGI me Konventat e tyre i paraprinë kësaj Konvente. Ato realizuan një proces të shkëlqyer riorganizimi dhe konkurrimi duke zgjedhur edhe drejtuesit e rinj. Ndaj dhe me këtë rast, unë dua të siguroj edhe Klajdën, edhe Endritin dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tyre se do të kemi një bashkëpunim të fuqishëm dhe një përpjekje të jashtëzakonshme për të integruar të gjitha çështjet që shqetësojnë LRI dhe LGI-në, në mënyrë që ne t’i japim një perspektivë edhe më të mirë të rinjve shqiptarë. Ne t’i japim një mbrojtje  dhe një përfaqësim edhe më të drejtë gruas shqiptare.

Por, natyrisht, një falënderim i jashtëzakonshëm i shkon sot Filloretës dhe Erisës për kontributin që ato kanë dhënë, që në krijimin e LSI-së, që në krijimin e LGI-së dhe të LRI-së, të cilat kanë sakrifikuar për të formësuar këto organizata që premtojnë shumë për të ardhmen sot. Të gjithë së bashku në këtë mënyrë, do të ecim më shpejt drejt një LSI-je më të fortë që ndihmon për një shoqëri më kohezive dhe më solidare, drejt një qeverisjeje që përqendrohet tek mirëqenia e çdo qytetari, e sidomos të atyre që janë më në nevojë, drejt një ekonomie tregu me rregulla të qarta loje dhe me mundësi të barabarta për të gjithë, por që synon  një shpërndarje më të drejtë dhe më gjithëpërfshirëse të mirëqenies, për të gjitha shtresat e shoqërisë dhe që vendos rritjen ekonomike në radhë të parë në funksion të rritjes së mirëqenies së qytetarit. Parimet dhe filozofia jonë politike integruese, progresiste kanë nevojë dhe ofrojnë hapësirën për kontributin e të gjithëve, të gjitha shtresave të shoqërisë, të çdo kategorie sociale e grupmoshe, harmonizimi dhe integrimi i të gjithë këtyre vlerave dhe kontributeve e bëjnë LSI-në më të fortë dhe alternativën e saj më të besueshme dhe më përfaqësuese sepse sot shqiptarët kanë nevojë për më shumë cilësi dhe përkushtim në përfaqësimin e tyre. Të dashur delegatë, të nderuar të ftuar. Tre vjet më parë pas zgjedhjeve të vitit 2009, morëm një vendim shumë të vështirë në atë kohë, hodhëm një hap shumë të guximshëm dhe vizionar, i cili qëndroi kohës, vendosëm të thyejmë një tabu në emër të stabilitetit dhe integrimit të vendit, ç’tensionuam politikën dhe kontribuuam për të zgjeruar konsensusin politik për çështje madhore të vendit dhe këtë do të vazhdojmë ta bëjmë pa u lodhur dhe me durim, dhe me forcë edhe në të ardhmen. Sot tre vjet pas krijimit të koalicionit qeverisës për integrim qytetarët shqiptarë lëvizin lirisht dhe pa viza në hapësirën Shengen, duke shembur një mur ndarës, historik, njerëzor, kulturor dhe ekonomik, dhe askush më mirë se shqiptarët nuk i ka respektuar detyrimet që sjell ky hap madhor.

Sot kushdo lëviz lirisht në vendet e Bashkimit Europian për të takuar të afërmit e tij, për të vizituar vende që vetëm i kishin imagjinuar më parë dhe secili ndjehet pjesë e pandarë e një realiteti evropian dhe ky është edhe një kontribut madhor i forcës sonë politike. Sot institucionet janë më të qëndrueshme, ligjet janë më të mira dhe më gjithëpërfshirëse dhe aty është edhe kontributi ynë i përbashkët. Sot Shqipëria është më afër se asnjëherë tjetër për të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian, një arritje historike që hap derën e anëtarësimit tonë dhe ky është kontribut madhor i të gjithë shqiptarëve, por edhe i LSI-së, i gjithë përfaqësuesve të saj në administratë dhe qeverisje, i ekspertëve dhe i specialistëve tanë. Gjatë tre viteve ne jemi përpjekur të kontribuojmë për një qeverisje të qëndrueshme sidomos në kushtet e një krize të jashtëzakonshme ekonomike dhe financiare në të cilën ndodhet Europa dhe fqinjët tanë, dhe partnerët tanë kryesorë ekonomikë dhe tregtarë. Gjatë kësaj kohe jo vetëm që janë mbrojtur në tërësi vendet e punës, por janë krijuar edhe vende të reja, mjaft projekte të rëndësishme në infrastrukturë rrugore, ujësjellës dhe energjetikë janë realizuar dhe po realizohen. Prodhimi bujqësor vendas është rritur. Eksportet made in Albania gjithashtu. Është ulur si kurrë më parë vdeshkmëria foshnjore dhe ajo e nënave. Spitalet e mjaft qyteteve janë ndërtuar e modernizuar, dhe aparaturat e sofistikuara si rezonanca dhe skanera që më parë ekzistonin vetëm në Tiranë, sot ekzistojnë edhe në shumë qendra të tjera anembanë vendit, duke afruar shërbimet pranë qytetarëve. Janë ulur dhe kontrolluar çmimet e barnave, pjesëmarrja jonë në qeveri ka kontribuar për të forcuar qëndrueshmërinë ekonomike dhe financiare të vendit në këtë kohë krize mjaft të thellë. Me këtë nuk dua në asnjë rast, të mohoj, të zbus apo të zbukuroj realitetin, i cili ende për shumë qytetarë është tepër i vështirë. Por, dua të evidentoj se angazhimi i LSI-së ka qenë dhe mbetet për një qeverisje të qëndrueshme sepse pa stabilitet  nuk ka progres nuk ka mirëqenie. Vlerësimin tonë më të mirë për vendimin që morëm në qershor të vitit 2009 e dhanë votuesit tanë në zgjedhjet e 8 majit të vitit 2011. Rritja e konsiderueshme e përkrahjes për Lëvizjen Socialiste për Integrim tregoi qartë se qytetarët shqiptarë vendosën të vlerësojnë hapin tonë të jashtëzakonshëm, emancipues, modernizues për politikën shqiptare, të marrë në korrik të vitit 2009. Me këtë rast, dua t’ju uroj suksese të gjithë të zgjedhurve tanë, 23 kryetarëve të bashkive dhe të komunave që nga Viktori në Lezhë që u rizgjodh në mënyrë mjaft të suksesshme, Roshi në Starovë e të gjithë të tjerët anembanë Shqipërisë.

Njëkohësisht, do të doja të uroja edhe kryetarin e ri të qarkut të Beratit, sepse me fitoren e tij në qarkun e Beratit, ne kemi hapur rrugën për të fituar qarqe të tjera në të ardhmen. Pavarësisht arritjeve dhe kontributeve ne mendojmë se duhet bërë shumë më tepër për të ecur më shpejt përpara. Sot ka një mundësi për reflektim, për klasën politike që ta shohë politikën dhe qeverisjen si një detyrim ndaj qytetarit dhe jo si një platformë për konfliktet bajate që vetëm sjellin kriza të reja, për qeverisjen që duhet të fokusohet më tepër në politikat ekonomike, që nxisin punësimin dhe zbusin problemet sociale dhe jo në retorika konfliktuale, dhe mbi të gjitha për shoqërinë tonë që të shmangë reflektimin e konfliktit politik që vjen nga lidershipi dhe të ruajë kohezionin social. Ajo që na motivon fuqishëm në këtë sfidë të rëndësishme është pa dyshim axhenda jonë evropiane, është anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ne duam një ritëm të ri të avancimit të kësaj axhende. Sot tre vite më pas, jemi më pranë se kurrë  vendimit të marrjes së statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Por, na duhet vetëm të votojmë dy ligje dhe një rregullore, që janë të standardeve evropiane dhe që presin në sirtarët e Kuvendit për muaj dhe për javë të tëra. Është një situatë absurde e prodhuar nga politika e konfliktit dhe krijimit të mureve ndarës. Është koha të rrëzojmë mure dhe të ndërtojmë ura. Ne themi që “gur, gur bëhet mur” por, “gur, gur bëhet edhe urë”. Ndaj të ndërtojmë ura bashkëpunimi dhe mirëkuptimi sepse kështu është më mirë për të gjithë  dhe në radhë të parë për vendin dhe për qytetarët tanë. Është e domosdoshme që kryeaxhendë e gjithë forcave politike të jetë jo vetëm në program por edhe në veprime konkrete integrimi europian i vendit, duke ndërmarrë hapa konkrete sikurse është edhe votimi me konsensus i këtyre tre akteve që mezi priten nga të gjithë. Sepse aspiratat e popullit e sidomos të rinisë shqiptare për integrim e për progres duhet të prevalojnë mbi pasionet dhe interesat e ngushta partiake të ditës. Ndaj ne i ftojmë të gjithë forcat politike, të majta e të djathta, që të ndajnë qartazi interesin partiak dhe politikës së ditës, nga interesi madhor i çdo shqiptari, integrimin në Bashkimin Europian. Ndaj ne sot i themi ‘mjaft’ papërgjegjshmërisë politike, sepse Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur. Sfida jonë e madhe është Europa. Europa në institucione, Europa në sundimin e ligjit, Europa në zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm, Europa e përkujdesjes sociale.

LSI ka një vizion të plotë për zhvillimin ekonomik e social të vendit që ne do ta diskutojmë edhe sot edhe nesër në Kuvendin tonë. Unë mbetem i vendosur në bindjen se zhvillimi i qëndrueshëm i vendit dhe përmirësimi i qeverisjes nuk mund të përmbushen pa një reformim të thellë të shtetit ligjor dhe të kulturës së zbatimit të ligjit, duke filluar nga zyrtari më i lartë dhe duke vazhduar tek qytetari që jeton në cepin më të largët e të thellë të vendit. Forcimi i kulturës së ligjit ka para së gjithash synim të mbrojë qytetarin, ta bëjë atë të ndihet i sigurt në jetën e përditshme. Forcimi i kulturës së ligjit do të thotë që askush të mos guxojë të tjetërsojë të drejtën e tjetrit, që kurrkush të mos guxojë të ngrejë dorën kundër gruas në familje e kudo, pasi penalizmi për këdo që mendon se burrëria tregohet me dhunë ndaj gruas do të forcohet si asnjëherë tjetër. Ne do të ecim më shpejt në forcimin e sundimit të ligjit. Kjo do thotë edhe luftë e hapur ndaj korrupsionit, jo vetëm si ves e sëmundje sociale por si një pengesë e rëndë dhe kosto e madhe e zhvillimit të vendit dhe sipërmarrjes së lirë. Ndaj dhe sot gjej rastin të përshëndes konsensusin që u arrit më së fundmi për kufizimin e imunitetit të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë nga Kuvendi i Shqipërisë. Për LSI-në barazia para ligjit ka qenë dhe do të jetë një themel i shtetit ligjor. Motra e vëllezër. Motivimi më i madh për të gjithë ne për të ecur më shpejt përpara është rinia dhe duhet ta dini se kur flas për rininë ndihem shumë krenar për Lëvizjen Rinore për Integrim, sepse LSI është parti e të rinjve. Mjafton të hidhni një sy sallës sot. Mjafton të shikoni kudo anëtarët dhe mbështetësit tanë. Dhe kudo do të shikoni të rinj e të reja. Dhe LSI është një forcë politike që gjeneron energji pozitive falë tyre, sepse të rinjtë shohin vetëm përpara, sepse të rinjtë duan të shkojnë vetëm përpara dhe duan të shkojnë më shpejt. Kjo është arsye që LRI është çdo ditë në aksion, është çdo ditë në veprim, çdo ditë duke punuar për të përfaqësuar sa më mirë rininë shqiptare. Çdo ditë duke u përpjekur për të përmirësuar çdo aspekt dhe çdo fushë të jetës për bashkëmoshatarët e tyre në të gjithë Shqipërinë. Të rinjtë janë drejtues të LSI-së, të rinjtë në LSI janë vendimmarrës, në bashki dhe komuna dhe në institucione. Sepse të rinjtë e Shqipërisë duan të jenë plotësisht të barabartë me bashkëmoshatarët e tyre europianë. Kjo na obligon që të punojmë edhe me fuqishëm që Shqipëria të ecë më shpejt me ritmin e tyre në rrugën e integrimit të plotë në Bashkimin Europian. Kjo do të thotë një arsim më cilësor, më bashkëkohor, një arsim që jep profesione e jo vetëm diploma. Të rinjtë do të jenë prioritet në të gjitha politikat tona të punësimit. Sepse punësimi është një e mirë publike dhe si e tillë do të qëndrojë në boshtin e të gjitha politikave tona ekonomike.

Tregu i punës, rritja e standardit të tij është një kërkesë e domosdoshme e kohës, e Europës, e ecjes më shpejt drejt saj. Kjo është një kërkesë e zhvillimit. Përpara disa javësh po bisedoja me një anëtar të LSI-së, i cili është zdrukthëtar dhe merret me biznesin e mobilieve, që quhet Beni dhe që besoj se është këtu sot në këtë sallë. Kur e pyeta sesi po i ecën biznesi në këto kohë të vështira, ai çuditërisht më tha se nuk vuan nga kërkesat por nga mungesa e punëtorëve të trajnuar, sepse çdo gjë më tha e bëj vetë, matjet i bëj vetë, disenjimet i bëj vetë, kallëpet i bëj vetë, montimet i bëj vetë sepse e kam shumë të vështirë që këto t’ua delegoj punëtorëve apo të rinjve, të cilët nuk janë të kualifikuar. Nëse do të kisha mundësi, – tha, – të gjeja disa punëtorë të kualifikuar që t’u delegoja këto detyra, do të kisha mundësi të harxhoja më shumë kohë për të gjetur më shumë klientë, do të kisha mundësi që të rrisja biznesin tim, prodhimin tim dhe në këtë mënyrë të rriste fitimet e tij. Ndaj, kualifikimi profesional është një prioritet sepse jo vetëm krijon mundësi punësimi, por ai ka në logjikën e tij ekonomike rritjen dhe suksesin. Ndaj të rinjtë tanë duhen të kenë më shumë mundësi të trajnimit profesional dhe të formimit në zanate dhe degë konkrete për ti pajisur ata me aftësitë dhe kapacitetet e nevojshme sepse vetëm kështu mund ti përgjigjemi kërkesave të tregut dhe të krijojmë vende të reja dhe të qëndrueshme pune. Ndaj LSI do të përqendrojë angazhimin e saj për të rritur trajnimin profesional të të rinjve, për të krijuar mundësi punësimi real në tregun e ri të punës duke synuar që raporti i arsimit të përgjithshëm me atë profesional të shkojë 60 me 40 për qind brenda legjislaturës së ardhshme. Të dashur miq, ashtu si rinia, një pasuri e patjetërsueshme e ecjes sonë më shpejt përpara janë gratë. LSI-ja është e fortë sepse ne kemi kaq shumë gra dhe vajza të mrekullueshme në mesin tonë.

Ato i shtojnë vlerave tona qëndresën, përkushtimin, përkujdesjen e solidaritetin. Janë gratë që mbajnë sot Shqipërinë sepse ato nuk shkojnë të lenë lekët e familjes në bixhoz. Përkundrazi, kursejnë çdo qindarkë për të mirëedukuar fëmijët e tyre, për të mbajtur fëmijët e tyre. Ndaj edhe pozita e tyre duhet forcuar më shumë në shoqërinë tonë. Ne kemi bërë mjaft në këtë drejtim por është koha që të bëjmë më shumë. Ndaj dhe nesër, unë do ti propozoj kësaj konvente që në ndryshimin statutor ne ti japim fund përfaqësimit qoftë edhe bazuar në një përqindje shumë të lartë siç ka qenë deri tani, 30 për qind të grave dhe vajzave në forumet tona. Ka ardhur koha që të ndërmarrim një hap të rëndësishëm, një hap revolucionarizues në këtë aspekt. Ka ardhur koha të vendosim një barazi të plotë në forumet tona 50 për qind me 50 për qind dhe brenda katër viteve të ardhshme deri në konventën tjetër, ne duhet të kemi 50 për qind me 50 për qind të delegatëve të konventës së ardhshme. Dhe duhet të bëjmë çdo gjë që kjo shtrirje të jetë në përfaqësimin tonë në të gjitha nivelet, jo vetëm brenda partisë, jo vetëm në qeverisjen vendore por edhe në qeverisjen qendrore dhe në institucione, edhe në Parlament. Duhet të punojmë më shumë të gjithë së bashku. Duhet të punojmë që të ecim më shpejt dhe duhet të ecim më shpejt duke u dhënë vendin e merituar grave dhe vajzave shqiptare. Të dashur delegatë, të dashur miq. LSI-në e pret një e ardhme plot sfida dhe punë sepse ne nuk kënaqemi me arritjet tona. Sepse duam të ecim më shpejt. Ne duam të bëjmë më shumë për të avancuar Shqipërinë më shpejt përpara. Ndaj nga kjo tribunë dhe me mbështetjen tuaj, i bëj një apel të sinqertë dhe të fortë gjithë klasës politike. Në 100-vjetorin e pavarësisë, ajo çka vlen më shumë mbi interesat partiake apo individuale është përgjegjësia dhe përgjegjshmëria historike dhe atdhetare e cilitdo nga ne. Duhet të ecim më shpejt dhe të mos shpërdorojmë kohën e çmuar dhe shanset që na janë dhënë. Të marrim të gjithë shembull nga Hashim Thaci, i cili duke u takuar me kryeministrin e sotëm të Serbisë, theu një tabu dhe tregoi një vizion të madh në emër të një të ardhmeje evropiane për shqiptarët e Kosovës dhe gjithë qytetarët e saj. Por edhe për një të ardhme europiane për të gjithë rajonin tonë. Duhet të gjithë të ngrihemi mbi të kaluarën në emër të kësaj të ardhmeje. Të ngrihemi mbi të shkuarën jo duke mohuar apo harruar atë. Sepse historia nuk mund të zhbëhet e as të tjetërsohet. Sepse gjaku i dëshmorëve dhe i martirëve të lirisë vigjilon dhe na udhëheq për të sotmen dhe të ardhmen tonë. Por mbi dhimbjet, sakrificat dhe mësimet e historisë të shohim dhe të ecim me guxim përpara për një të ardhme më të mirë të popullit dhe të kombit tonë, të cilin 100-vjetori i pavarësisë e gjen në pozitat më të mira dhe më të forta historike si shtet dhe si komb si asnjëherë tjetër. Sot Shqipëria, dikur Korea e Veriut të Europës, është anëtare e denjë e NATO-s dhe kontribuon për paqen dhe sigurinë në botë. Jep një kontribut të çmuar kundër terrorizmit, kësaj të keqeje të madhe që kërcënon paqen sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë njerëzimit. Sot, Shqipëria është më pranë se kurrë marrjes së statusit të vendit kandidat.

Kosova është e pavarur dhe tashmë e përfshirë në proceset integruese evropiane. Dhe ne shpresojmë që shumë shpejt qytetarët e saj të udhëtojnë pa viza në hapësirën Shengen. Sot shqiptarët e Maqedonisë janë një faktor më i rëndësishëm se asnjëherë tjetër dhe po punojnë dhe po përpiqen për të fituar gjithë ato të drejta, të cilat i kanë arritur me sakrifica të jashtëzakonshme dhe që e meritojnë sepse zbatimi i plotë i marrëveshjes së Ohrit dhe avancimi i të drejtave të shqiptarëve të Maqedonisë është vetë avancimi evropian i Maqedonisë. Vizita pas pak ditësh e sekretares së shtetit, Hillari Klinton në Prishtinë dhe në Tiranë do të konfirmojë edhe njëherë marrëdhënien e veçantë, aleancën mes shqiptarëve dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për forcimin e faqes dhe të stabilitetit në rajonin tonë si një kusht për prosperitetin e gjithë popujve dhe qytetarëve të këtij rajoni. Por pavarësisht nga i gjithë ky progres, për të drejtat e shqiptarëve ka ende shumë për të bërë. Ka në Maqedoni, ka në Mal të Zi, ka në Preshevë. Sepse vetë demokracia është një sistem që kërkon dhe nxit përmirësim të vazhdueshëm përmes dialogut, tolerancës reciproke, angazhimit gjithëpërfshirës për të bërë më mirë gjëra që deri dje janë bërë keq, si edhe për të ndërtuar procese të cilat deri dje kanë munguar. Ky shans dhe ky realitet i ri historik nuk duhet dhe nuk mund të humbet nën trysninë e ekstremistëve që kërkojnë të fitojnë vota duke dështuar proceset integruese  për të risjellë përsëri konfliktin dhe gjakderdhjen në Ballkan. Jam i bindur se shqiptarët kudo ku janë do të vazhdojnë të kontribuojnë edhe më me forcë, edhe me më besim në favor të këtyre proceseve integruese sepse asnjë komb tjetër në Ballkan nuk ka fituar më shumë sesa shqiptarët nga proceset integruese në këtë 22 vite. Por natyrisht që ne duhet të ecim më shpejt për Shqipërinë, për Kosovën dhe për të gjithë shqiptarët kudo ku ata jetojnë dhe kontribuojnë. Ndaj ne jemi një Lëvizje Socialiste për Integrim , sepse jemi një forcë për integrimin kombëtar dhe për integrimin evropian. Sepse LSI është themeluar, beson dhe kontribuon për një kauzë të madhe mbarëkombëtare, për shqiptarët e integruar mes vetes dhe të integruar në Europë. Ndaj dhe ne kurrë nuk do të lodhemi dhe reshtur së ecuri më shpejt për ta bërë këtë ëndërr të madhe një realitet gjithnjë e më të prekshëm. Në 20 vite jetë politike kam marrë pjesë në mijëra takime e manifestime, në shumë samite konferenca dhe kongrese. Por dua t’iu them me sinqeritetin më të madh, se nuk kam ndjerë  kurrë emocion më të madh dhe të papërshkueshëm dhe të papërsëritshëm sesa pritja e mrekullueshme e vëllazërore e shqiptarëve të Luginës së Preshevës përpara dy vitesh. Unë dua ti falënderoj sot të gjithë shqiptarët e Preshevës, të Bujanovcit dhe të Medvegjës.

Të gjithë atyre që kanë përjetuar në të kaluarën një gjenocid dhe një izolim të pashembullt, se kjo histori është e mbyllur dhe se ne jemi bashkë me ta për të fituar të gjitha të drejtat që ata meritojnë për të qenë qytetarë europianë në tokën e të parëve të tyre, për arsimimin e  tyre, për integrimin e tyre, për respektimin e trashëgimisë së tyre historike, kulturore, kombëtare, sepse ajo është edhe trashëgimia jonë e përbashkët. Të dashur motra dhe vëllezër, zgjidhja e drejtë e çështjes çame ka qenë pjesë e programit tonë politik që në ditën e parë të themelimit. Komuniteti çam është një komunitet i cili jo vetëm përjetoi një gjenocid të paparë dhe të padëgjuar të asaj periudhe të errët,  por ky komunitet për 50 vite nuk u integrua, nuk u vlerësua përkundrazi u margjinalizua në mënyrë të padrejtë. Ky është një komunitet mjaft i respektuar dhe me kontribute të çmuara në të gjitha fushat. Ky është një komunitet i cili po shkëlqen çdo ditë e më shumë në të gjitha fushat. Ky është një komunitet që ka vlera dhe kontribute të mëdha. Ky është një komunitet i cili me të drejtë kërkon një zgjidhje të drejtë të çështjes çame. Kërkon një zgjidhje e cila jo vetëm mbyll një plagë të së kaluarës por kërkon edhe një zgjidhje që bazohet në konventat ndërkombëtare dhe europiane, kërkon një zgjidhje në frymën europiane. Ndaj dhe ne do të vazhdojmë të angazhohemi për këtë çështje duke bashkëpunuar ngushtë me këtë komunitet dhe me forcën politike që përfaqëson, PDIU-në, e cila ka bërë një punë të çmuar për ta bërë të njohur këtë çështje në Strasburg dhe Bruksel, në Uashington dhe Nju Jork, sepse zgjidhja e kësaj çështje i forcon dhe i betonon marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë. Shqipëria është një shembull i shkëlqyer i respektimit të të drejtave të minoritet grek dhe të pakicave, është një shembull i shkëlqyer i harmonisë mes besimeve të ndryshme fetare, është një shembull për kohezionin midis  gjeneratave.

Këto janë virtyte të mëdha të popullit tonë. Këto janë vlera të mëdha europiane që Shqipëria i tregon çdo ditë. Nuk duhet të lejojmë që këto vlera të eklipsohen nga mungesa e bashkëpunimit politik brenda vendit. Politika jonë e jashtme me të drejtë vlerësohet si tepër pozitive, pikërisht sepse ajo ka në themel bashkëpunimin me vendet e tjera. Ndërsa politika jonë e brendshme shfaq si pengesë kryesore mungesën e bashkëpunimit i cili e pengon Shqipërinë që të ecë më shpejt përpara. Ne gjatë këtyre 8 viteve kemi treguar se duam dhe dimë të bashkëpunojmë, e kemi treguar këtë me Partinë Socialiste, po e tregojmë këtë me PD-në. E kemi treguar me PDIU-në, me PBDNJ dhe me gjithë forcat e tjera politike në vend, sepse ne besojmë fort që vetëm me bashkëpunim, vetëm duke lënë mënjanë konfliktet dhe ndasitë dhe duke u përqendruar te interesat e qytetarit do të arrijmë ta çojmë Shqipërinë më shpejt përpara, gjithnjë më afër standardeve politike, ekonomike, shoqërore, europiane. Nuk ka progres pa stabilitet. Nuk ka stabilitet pa bashkëpunim, ndaj LSI është e vendosur të ecë në rrugën e bashkëpunimit, për të ecur më shpejt përpara drejt një kohezioni më të madh shoqëror, drejt një mirëqenieje me të drejtë sociale, drejt një ekonomie tregu më të lirë dhe më gjithëpërfshirëse, drejt një tregu me mundësi për të gjithë, drejt një shteti më të fortë dhe të sundimit të ligjit, drejt një administrate më të pavarur dhe profesionale, drejt një arsimi më bashkëkohor dhe që ndihmon të rinjtë të integrohen në tregun e punës, drejt një ekonomie të fermerëve që përmbush jo vetëm kërkesat e tregut vendas por, dhe eksporton me cilësi jashtë.

Drejt një industrie që shfrytëzon në mënyrë efikase dhe rrit vlerën e pasurive tona nëntokësore kombëtare, drejt shërbimeve më cilësore, më të lira e më të aksesueshme për këdo dhe jo vetëm për ata kanë të ardhura të mjaftueshme për të paguar. Drejt një sistemi shëndetësor që garanton cilësi dhe përkujdesje të barabartë, drejt një sistemi plotësisht të integruar energjetik, drejt një qeverisje më efektive dhe drejt një Shqipërie europiane. Prandaj të gjithë së bashku duhet të ecim më shpejt. Këto janë sfidat e shoqërisë tonë dhe kërkesat e qytetarëve tanë, këto janë edhe sfidat tona të LSI-së, këto janë dhe temat e debatit të këtyre dy ditëve në kuvendin tonë. Aspirata europiane dhe përgjegjshmëria kombëtare për mirëqenien e familjeve shqiptare na obligojnë për sot dhe për brezat e ardhshëm. E së fundi nuk mund të rri pa u prononcuar për një pyetje që ju bëhet të gjithëve e që na bëhet të gjithëve, lidhur me pyetjen se çdo të bëjë LSI-ja në qershor të vitit 2013-të? Përgjigja jonë nga kjo konventë është pikërisht kjo: Se çdo të bëjë LSI-ja në qershor të vitit 2013, ky nuk do të jetë një vendim as i Ilir Metës, as i forumeve që do të zgjidhen këtu, por ky do të jetë një vendim që do të merret në kohën e duhur, pikërisht nga kjo konventë. Nga të gjithë ju delegatët e delegatet e kësaj konvente. Ndaj çdo spekulim që është bërë dhe bëhet kërkon vetëm të na marrë të gjithëve energjitë që sot duhet ti investojmë vetëm për një qëllim, për të plotësuar edhe tre kushtet e fundit, për të marrë statusin e vendit kandidat. LSI në 2013-ën dhe në çdo kohë do të marrë vendime që në radhë të parë ndihmojnë Shqipërinë, që ndihmojnë integrimin evropian të saj. Vendime që shprehin zërin dhe kërkesën jo vetëm të votuesve të saj por të gjithë qytetarëve shqiptarë. Ndaj sot është koha të plotësojmë detyrimet për marrjen e statusit të vendit kandidat. Sot është koha të bashkohemi edhe më fort rreth kauzës tonë kombëtare dhe ëndrrës sonë të përbashkët europiane në këtë 100 vjetor të pavarësisë. Rroftë Shqipëria evropiane. Rroftë rinia e mrekullueshme. Rroftë 100 vjetori i pavarësisë. Zoti e bekoftë atdheun dhe kombin tonë.

/ In News / By LSI / Comments Off on Fjala e kreut të LSI-së, z. Ilir Meta në Konventën Kombëtare të Lëvizjes Socialiste për Integrim