Fjala e mbajtur në Kuvend nga Zv.Kryetari i LSI dhe kryetar i Grupit Parlamentar “E majta për integrim”

Fjala e mbajtur në Kuvend nga Zv.Kryetari i LSI dhe kryetar i Grupit Parlamentar “E majta për integrim” z.Pëllumb Xhufi për kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të deputetit të LSI z.Nikollaq Neranxi Xhufi: Kemi të bëjmë me një rast presioni të hapur politik që bëhet ndaj Neranxit për atë çfarë ai përfaqëson si individ dhe kundër forcës politike që ai përfaqëson dhe nuk besoj që të jetë vetëm mazhoranca në këtë histori…

Të nderuar kolegë deputetë! Pak minuta përpara se të fillonte seanca në një ambjent ngjitur me sallën e Parlamentit u mblodh Këshilli i Imuniteteve dhe Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Tiranës për heqjen e imunitetit të deputetit tonë Nikollaq Neranxit. Në kushte të tjera ne do të admironim vërtet këtë kërkesë të bërë me shumë shpejtësi nga Prokuroria por rasti absolutisht nuk është i tillë. Për të sqaruar kolegët dua të them se bëhet fjalë për shkelje doganore për një faturë e cila nuk mban as firmën e zotit Neranxi për një faturë që ka një shumë prej 15-20 mijë euro. Nuk ka rëndësi shuma dhe nuk e thashë këtë për të minimizuar problemin. Çështja është që problemi nuk ekziton absolutisht dhe zoti Neraxi të gjithë e dimë nisur nga një moment i caktuar e kanë ndjekur fatkeqësitë në këtë parlament. Dihet që në moment të caktuar tregoi një integritet të rrallë në këtë parlament duke u larguar nga Partia Agrare Ambientaliste në momentin kur ajo u bashkua me mazhorancën. Që në atë kohë gjithmonë na kujtohet sesi zoti Neranxi në mënyrë të dukshme këtu por ne dimë dhe fakte të tjera i janë bërë presione të vazhdueshme i janë bërë kërcënime nga mazhoranca i janë bërë kërcënime të hapura nga ministri i Financave pikërisht për ta shkatërruar atë dhe për të shkatërruar biznesin e familjes së tij. Arsyeja dihet sepse zoti Neranxi me një kurajo që e karakterizon dhe që nuk na karakterizon ne shumë të tjerëve ka denoncuar fakte korruptive të kësaj qeverie.
Dua ta mbyll këtë çështje në aspektin ligjor edhe sikur ky fakt të ekzistonte realisht unë dua të kujtoj që ka qenë kjo mazhorancë që pikërisht në shtator të vitit të kaluar kaloi ligjin 9886 lidhur me aminstinë fiskale që falte të gjitha detyrimet fiskale doganore të parealizuara. Gjithsesi tashmë këtu kemi të bëjmë me një rast presioni të hapur politik që bëhet ndaj personit Neranxi për atë çfarë ai që përfaqëson si individ dhe kundër forcës politike që ai përfaqëson dhe nuk besoj që të jetë vetëm mazhoranca në këtë histori.
Dua të theksoj dhe një aspekt tjetër që ka karakterizuar zotin Neranxi. Zoti Neranxi ka denoncuar me shumë forcë si askush në këtë parlament dhe jashtë tij afera në të cilat është përfshirë kryebashkiaku i Himarës zoti Bollano. Do të thoni ju ç’hyn këtu kryebashkiaku karagjoz i Himarës. Hyn sepse zoti Neranxi ka denoncuar pikërisht implikimet që ky njeri ka në afera të tmerrshme korruptive me njerëz të lartë në qeveri. Natyrisht dikush ose shumëkush në qeveri nuk do të pranonte t’ia falte.
Dhe të vijmë te problemi i prokurorisë. Ne si forcë politike kemi qenë në krah aq sa na lejohet për të bërë presionin e duhur politik për të shprehur solidaritetin për të inkurajuar prokurorinë në ndjekjen e shumë çështjeve të cilat ajo ka ose ka pasur deri tani në dorë. Për fat të keq nuk ka ndodhur dhe ka ndodhur një gjë e çuditshme sidomos nga momenti kur kaloi dhe ligji për prokurorinë të cilin vetë kryeprokurorja e përgjithshme e denoncoi si një ligj i cili e vë prokurorinë nën kontrollin e ekzekutivit. Janë fjalë që ajo ka thënë. Që nga ai moment prokuroria ka humbur shumë nga kurajoja që e ka karakterizuar ta paktën deri para dy-tre muajsh. Dhe për të cituar një apo dy shembuj përmend ato që kanë ndodhur këto ditët e fundit. Ajo dosja e famshme e korrupsionit dhe abuzimeve me rrugën Durrës-Kukës u gjet të dorëzohet me shumë vonesë në një ditë feste. Dhe çështja tjetër shpërthyese ajo e Gërdecit u kthye nga Gjykata e Lartë sepse kishte disa gabime banale të cilat sigurisht prokurorë sado të aftë apo të paaftë nuk mund t’i bëjmë.
Pra këtu kemi të bëjmë me një proces i cili kthehet përsëri në vëmendjen e opinionit dhe në vëmendjen tonë sepse çfarë do të ndodhë? Do të ndodhë që procesohet për korrupsion kundër një personi që është deputeti Nikollaq Neranxi i cili më fort se kushdo ka denoncuar pikërisht korrupsionin në këtë parlament ndërkohë që lihen nuk goditen ata segmente ata individë të korruptuar të cilët të tillë janë dëshmuar gjatë vitit të fundit.
0x323030392d30332d3139 FJALIME

/ In Archived Articles / By LSI / Comments Off on Fjala e mbajtur në Kuvend nga Zv.Kryetari i LSI dhe kryetar i Grupit Parlamentar “E majta për integrim”