Gjosha: Shqipëria në udhëkryq! Po vendoset në pikëpyetje perspektiva europiane

Deklarata për mediat e Klajda Gjoshës nga selia e LSI-së

Jam sot në një komunikim të drejtpërdrejtë mbi një nga çështjet më prioritare që ka të bëjë me të ardhmen e qytetarëve shqiptarë në BE.

Shqipëria nuk është ndodhur kurrë në një udhëkryq të tillë më parë, ku të vendoset në pikëpyetje perspektiva europiane e saj, si dhe një nga të drejtat kryesore të qytetarëve tanë, si udhëtimi pa viza drejt Bashkimit Europian. E drejtë kjo e fituar disa vite më parë, pas sakrificës së madhe të radhëve të gjata nëpër ambasada, për të pasur mundësinë e lëvizjes së lirë, të takimit me të afërmit dhe njerëzit e tyre, si dhe faktit që çdo qytetar i këtij vendi meriton të trajtohet me dinjitet në cilindo nga vendet e BE-së.

Diskutimi i djeshëm në Parlamentin holandez për rikthimin e vizave për qytetarët shqiptarë, është një fakt alarmues për të gjithë ne, precedent që mund të shkojë në linjë zinxhir dhe mund të kthehet në një temë diskutimi edhe për parlamentet e tjera evropiane, para vendimit për negociatat në qershor.

Situata e rëndë kriminale, grupet e krimit të organizuar, trafiku i drogës, kriminaliteti që ka pushtuar ekonominë shqiptare, numri i lartë i azilkërkuesve, janë kthyer në çështjet kryesore të diskutimit për sa i përket Shqipërisë. E kam paralajmëruar qeverinë shqiptare që pas mbledhjes së këshillit të qershorit të shkuar të 2018, se fakti që vendet evropiane i kërkojnë Komisionit Europian një raport të saktë mbi numrin e azilkërkuesve, do të thotë që Shqipëria rrezikon rivendosjen e mekanizmit të rikthimit të vizave.

I kërkoj sot qeverisë shqiptare, që cilido të jetë ky raport që ata do të dorëzojnë pranë Komisionit Europian, sa është numri i azilkërkuesve shqiptar. Sa është numri i azilkërkuesve për vitin që shkoi? Cilat janë masat e marra për parandalimin e këtij fenomeni? A ka një analizë qeveria shqiptare të shkaqeve që detyrojnë shqiptarët të lënë vendin e tyre? A ka ministri i jashtëm dhe ministri i brendshëm një axhendë konkrete për të parandaluar vazhdimësinë e këtij precedenti që po ndodh në vendet anëtare në mënyrë që kjo më pas fatkeqësisht të mund të shuajë ëndrrën e qytetarëve shqiptar për një të ardhme europiane. Axhenda integruese e Shqipërisë duhet të jetë mbi çdo axhendë partiake. Nuk janë mandatet e opozitës, nuk janë protestat e opozitës ato që pengojnë çeljen e negociatave të Shqipërisë. Por është pikërisht arroganca qeverisëse, krimi i shtuar, i cili ka filluar të destabilizojë dhe vendet europiane.

Është ky diskutim që bëhet sot pra në Parlamentet Europiane për korrupsionin në nivelet më të larta. Për korrupsionin që ka pushtuar sot administratën shqiptare, të gjithë qeverinë shqiptare, përfshirë këtu edhe ekonominë në vend. Kushtet e paplotësuara, keqqeverisja me të cilën gjithsecili nga ne përballet sot, janë pikërisht këto që janë bërë pengesa më e madhe e çeljes së negociatave për Shqipërinë, dhe fatkeqësisht të rikthimit të diskutimit për rikthimin e vizave për qytetarët shqiptarë.

Rezoluta, e cila është diskutuar dje pikërisht në Kuvendin e Shqipërisë, mbi integrimin, nuk mund të jetë dhe nuk duhet të jetë në asnjë moment thjesht një rezolutë për të bërë elozhe kundrejt Partisë Socialiste. Nuk mund të jetë  një rezolutë e cila është jo realiste. Në fakt ajo duhet të kthehej në një platformë që do të rikthente dialogun politik në vend dhe çuarjen përpara të axhendës evropiane për Shqipërinë dhe shqiptarët.

E rikujtoj Kryeministrin se arroganca e tij është ajo çka po pengon çdo ditë çeljen e negociatave të këtij vendi dhe të ardhmen evropiane të qytetarëve shqiptarë. Faleminderit.

/ In News / By Elisa Piperi / Comments Off on Gjosha: Shqipëria në udhëkryq! Po vendoset në pikëpyetje perspektiva europiane