Haxhinasto: Reforma zgjedhore, ti kthejë sovranitetin sovranit

Fjala në Kuvend e deputetit të LSI-së, Edmond Haxhinasto

Problematika e madhe që po kalon vendi në fakt i bëri shumë nga kolegët e nderuar që të injorojnë trajtimin e një çështjeje të rëndësishme zhvillimore siç është peshkimi që është pjesë e ekonomisë së detit. Sado modest të duket projektligji i sotëm, ai është shumë i rëndësishëm në kuadër të politikave zhvillimore dhe patjetër që meriton më shumë vëmendje, diskutim dhe kontribut konstruktiv. Ne jemi një vend bregdetar, kemi afërsisht 400 km. Kontributi që jep peshkimi në PPB është akoma i vogël krahasuar me potencialin e tij. Ekonomia e detit përgjithësisht është e pazhvilluar krahasuar edhe me fqinjët tanë. Flota e peshkimit tonë është një relike. Mbrojtja e faunës detare dhe detyrime të tjera përsa i takon qëndrueshmërisë së saj janë në nivele të papërfillshme. Dhe patjetër në këtë ekonomi janë të angazhuara me qindra familje. Pra, fatkeqësisht një çështje e rëndësishme zhvillimore ngelet përsëri si garniturë e diskursit politik.

Në fakt nënvizova me seriozitet një thirrje të disa kolegëve më përpara të cilët kërkuan që ti kthehemi diskutimit konkret, zhvillimor. Do isha i pari që do ta mbështesja. Por, sigurisht që konstruktiviteti dhe bipartizanizmi, pra dypalshmëria është një rrugë me dy korsi. Para së gjithash konstruktiviteti bazohet tek legjitimiteti, ligjshmëria dhe ajo fillon tek zgjedhjet. Askush nuk duhet të dyshojë që perceptimi i të gjithëve ne në sallë, të gjithë përfaqësuesve të nderuar, është shumë e qartë përsa i takon asaj që ndodhi në zgjedhjet e fundit. E dimë se si u transformua vota, e dimë se çfarë tha edhe OSBE/ODIHR-i: 20 për qind tha ka ndryshuar krah. Dhe patjetër e konfirmoi edhe Zëri i Amerikës kur foli për fakte konkrete shit-blerje votash.

Pra, konstruktiviteti dhe bipartizanizmi përveçse legjitimitet është edhe çështje respekti. Respekt do të thotë që të paktën të merren seriozisht me ato probleme madhore që ekzistojnë edhe në këtë krah (opozitar) të politikës. Prej muajsh, mos them vitesh, ekzistojnë propozime shumë konstruktive përsa i takon çështjeve madhore që kalojnë dhe agravohen çdo ditë. Keni propozimin e LSI për koncesionet, i cili akoma nuk është diskutuar dhe koncesionet vazhdojnë dhe krijojnë ato probleme të jashtëzakonshme për ekonominë e vendit. Po kështu propozime konstruktive keni pasur për të zgjidhur kërkesat e studentëve. Ndërkohë që akti normativ merret me pagesa faturash dhe detyrime të papaguara dhe nuk merret me një çështje madhore siç është arsimimi i studentëve dhe zgjidhja e problematikës së tyre.

Po kështu duhet një angazhim i të dy krahëve për të rritur efeciencën e këtij institucioni këtu. A e keni bërë ndonjëherë ndonjë vlerësim se sa kohë harxhohet, sa energji politike harxhohet për çështje zhvillimore që prekin që prekin të gjithë shqiptarët dhe sa kohë harxhohet diskurs retorik të pavlerë politik? Mendoj se nga një vlerësim paraprak, përqindja do të jetë e dhimbshme. Pra, në këto kushte ne e kemi bërë konstruktivitetin dhe bipartizanizmin një viktimë të mirëfilltë të politikës. Mendoj se kjo nuk është rruga e duhur për të ecur përpara. Kemi dëgjuar që negociatat janë hapur, por në fakt negociatat nuk janë hapur dhe nuk ka gjasa të hapen në qoftë se nuk do të ketë këtë mungesë në konstruktivitetin e realizimit të reformave. Nuk mund të ketë plotësim të detyrimeve të BE-së, në qoftë se nuk çohet përpara me mision të përbashkët axhenda evropiane e vendit.

Mendoj se ajo që po ndodh edhe në qeverisje, është që të fiksojmë, të rikuperojmë, të riparojmë me masa të shpejta problemet që na dalin para brenda ditës. Mungon një vizion i qartë, mungon një strategji e qartë, mungon një angazhim dhe përgjegjshmëri e qartë për të zgjidhur problemet e mëdha që ka vendi. Ja një shembull konkret: U ul pragu i TVSH-së dhe cili është produkti? Sot po lexoja në revistën Monitor që është ulur mbledhja e TVSH-së. Po kështu për aktin normativ që ju thashë: nga 3.9 miliardë që ishte paketa, vetëm 450 milionë shkojnë për studentët. Pse vazhdohet me këtë arrogancë dhe me këtë mospërfillje ndaj problemeve të mëdha? Nuk mund ti bëjë një parti e vetme reformat madhore të jashtëzakonshme që ka vendi. Nuk bëhet Reforma në Arsim nga një parti e vetme. Është bërë përpjekja në të kaluarën dhe nuk ka pasur sukses. Kjo është një reformë kombëtare, ashtu siç është procesi i integrimit është një reformë kombëtare, edhe reforma në arsim është një reformë kombëtare. Duhet të qëndrojnë si reforma për shumë e shumë vite, shumë më gjatë se çdo legjistraturë apo çdo dy-tre legjistratura që mund të ketë një forcë e caktuar politike. Po kështu kemi një koncept të gabuar për performancën ekonomike. Mos bini pre dhe viktimë e shifrave, por shikoni se si impaktojnë këto shifra, si përkthehen këto shifra, (që ju deklaroni këtu me krenari), në përmirësimin e jetës së njerëzve, si ndikojnë këto shifra në rritjen e besimit të qytetarëve. Rritja e besimit të rinisë është sfida më e madhe kombëtare që kemi dhe deri më sot fatkeqësisht nuk është dalë që kjo të ndryshojë, të rritet besimi i qytetarëve, mos të lenë vendin. Që rinia ta shikojë veten të lidhur me vendin dhe jo në emigracion.

Besoj se një sfidë tjetër që është kombëtare dhe duhet të dalë përtej secilit individ është çështja e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Fatkeqësisht dhe këtë herë pritet, është e parashikueshme, është e mendueshme sesi do të jetë fati i reformës zgjedhore edhe sesi do të jetë fati i produkteve që do të japë ky Parlament për reformën zgjedhore. Do të vazhdojë kështu sepse e dimë që edhe në të kaluarën gjithmonë me urgjencë është bërë në minutat e fundit ndonjë riparim përkatës, ndonjë riparim jo shumë thelbësor, jo shumë fondamental me qëllim që sovraniteti t’i kthehet qytetarëve. Kështu, ka vazhduar e njëjta problematikë, që edhe është përkeqësuar fatkeqësisht, ashtu si u deklarua edhe nga institucionet, nga OSBE/ODIHR për zgjedhjet e fundit. Pra, kjo na bën të mendojmë që nuk ka interes kjo mazhorancë, nuk ka një interes për një reformë të mirëfilltë, nuk ka interes për t’ia dhënë sovranitetin qytetarëve, për t’u zgjedhur në mënyrë të ndershme, për të mos zgjedhë njerëz të lidhur me krimin, për të mos zgjedhur njerëz pa integritet dhe pa kapacitete. Për të pasur mundēsine pastaj për të diskutuar edhe për peshkimin dhe për reformat zhvillimore. Dhe unë e kuptoj këtë gjë. Ky është një objektiv, me qëllim që konkurrimi politik të jetë një konkurrim i sharjes, i konfliktit, polarizimit dhe mos të jetë ai debati qoftë edhe konstruktiv për të diskutuar politikat zhvillimore për ta çuar vendin përpara, për t’i dhënë shpresë këtij vendi dhe patjetër për të rritur mirëqenien e njerëzve.

Mendoj se kemi arritur në fundin e politikës. Politika ka humbur misionin e saj. Misioni i politikës është t’i shërbejë njerëzve dhe kthimi i këtij misioni bëhet vetëm me një mënyrë: mënyra e vetme është t’ia kthejmë sovranit të drejtën për të zgjedhur dhe patjetër nëse kjo nuk bëhet institucionalisht, do të jetë sovrani vetë që do ta kërkojë këtë të drejtë të tij që nuk ia mohon dot askush. Faleminderit!