Ilir Meta: “Ne si LSI nuk jemi me këtë e me atë. Ne jemi këtu për t’i dhënë fund politikës bardh e zi në Shqipëri”

Kryetari i LSI-se, zoti Ilir Meta, tha në mbledhjen e Këshillit Drejtues Kombëtar të partisë, se asgjë reale nuk ka lëvizur ende në drejtim të dialogut dhe të zgjidhjes.”Opozita nuk është regjistruar në zgjedhje dhe çdo ditë që ecim përpara pa një dialog dhe pa një klimë konstruktive na çon drejt një konflikti dhe drejt një krize, efektet e së cilës askush nuk mund t’i parashikojë,” tha ai duke theksuar se është detyra e të gjithëve, e politikanëve në radhë të parë që t’i parandalojnë.

“LSI-ja ka bërë dhe do të bëjë më të mirën për dialog, për zgjidhje dhe për zgjedhje plotësisht të ndershme dhe të lira dhe të standardeve europiane,” nënvizoi zoti Meta, duke vënë në dukje se situata nuk duhet parë si çështje force, por si çështje tolerance dhe largpamësie.
“Sepse nuk kemi vetëm çështjen e zgjedhjeve, legjitimitetin e parlamentit të ardhshëm, legjitimitetin e qeverisë së ardhshme dhe institucioneve të ardhshme të drejtësisë, por kemi çështjen e presidentit, që na ka qëlluar si rrallëherë të jetë në këtë moment kritik të zgjedhjeve. Por kemi edhe një problem tjetër që shumë institucioneve të drejtësisë të deritanishme po u vjen fundi,” vuri në dukje ai.

Zoti Meta theksoi gjithashtu se nuk ka arsye të përsëriten gabimet e bëra më parë në Shqipëri, as me zgjedhjet, as me demokracinë edhe as me opozitën.

“Unë jam Kryetari i Parlamentit të të gjithëve dhe do të përpiqem aq sa jam. Kuptohet që edhe i LSI jam edhe i këtij koalicioni jam. Edi Rama nuk është Kryeministër vetëm i PS-së, as vetëm i këtij koalicioni. Është Kryeministër i Shqipërisë dhe ka detyrim kushtetues të garantojë dhe të ofrojë besim për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk duhet të ftojë vetëm formalisht për dialog, por duhet të jetë edhe i përmbajtur në mënyrë që të mos japi shkak palës tjetër për të vazhduar, për të përshkallëzuar dhe ajo një retorikë të papranueshme, duke folur dhe për arrestime dhe për gjëra të tjera. Ne si LSI nuk jemi me këtë e me atë. Ne jemi këtu për t’i dhënë fund politikës bardh e zi në Shqipëri,” theksoi ai.

/ In News / By Hajdi Lamce / Comments Off on Ilir Meta: “Ne si LSI nuk jemi me këtë e me atë. Ne jemi këtu për t’i dhënë fund politikës bardh e zi në Shqipëri”