Intervista/ Monika Kryemadhi: Unaza e re, dëshmia e tmerrshme e një korrupsioni shkatërrimtar

Do ta nis bisedën nga fokusi i fundit që keni pasur ju si opozitë, e cila që prej një muaji është vendosur e gjitha në mbështetje të banorëve të Astirit, të cilëve plani urbanistik i ri i Tiranës, një vepër e re infrastrukturore lë pa banesë rreth 400 familje, ju po shpenzoni shumë kohë si opozitë, shumë energji, kohë televizive po ashtu pa fund, por njerëzit nuk ju mbështesin, shoh vetëm dhjetëra veta. A mendoni se keni zgjedhur një kauzë të padrejtë për të protestuar?

E para, unë mendoj që duhet të korrigjojmë diçka në thënien tuaj, ajo nuk është plani urbanistik i Tiranës, është një projekt i Unazës së Re, është një projekt i bërë që në kohën e Adil Çarçanit, e qeverisë komuniste, që është një unazë rreth 17 km nga TEG-u tek Shqiponja, që përshkon rrethin e dytë, unaza vogël, unaza e madhe, që shkon nga Shqiponja dhe lidhet me Bulevardin e Ri, i cili ka kaluar midis stacionit të trenit nga bulevardi i ri të themi që ka shkuar drejt bregut të lumit dhe të bashkohet me Teg-un, tek pika ku ka nisur edhe segmenti i parë i Unazës së Re.

Ky është projekti dhe siç është i ndërtuar me 4 korsi në një anë dhe 4 korsi në anën tjetër, me kalime dhe mbikalime për zona të caktuara. Dhe e gjithë kjo është një projekt që në vlerën e tij totale është 100 milionë euro, por ndryshimet ekonomike, financiare, zhvlerësimi apo forcimi i lekut kanë sjellë që nga 100 milionë mund të shkojë 120 apo 140 milionë euro, ose mund të shkojë 80, pra mund të zbresë. Ky është një diskutim që vjen më vonë, përsa i përket protestës, që ju thoni se e shikoni opozitën të mbyllur, por opozita nuk është angazhuar në këtë protestë, ne mbështesim banorët. Protesta është e banorëve.

Gjithsesi është i vetmi aksion i dukshëm që po bën aktualisht gjatë këtij muaji opozita…

Jo, nuk është vetëm ky aksioni i dukshëm. Aksionet e opozitës janë të ndryshme në drejtime të ndryshme sepse ka edhe disa aksione të tjera që do vijnë hap pas hapi. Janë aksione të cilat kanë filluar me Vettingun në politikë, më Vettingun e koncesioneve të investimeve dhe parave apo pastrimin e parave, propozimin që ka bërë opozita e bashkuar.

Kemi filluar me analizën e buxhetit dhe më pas janë edhe disa hapa të tjera të cilat do vijnë hap pas hapi por sigurisht që të gjitha partitë e frontit opozitar kanë angazhimet e tyre politike brenda partisë, ku edhe Partia Demokratike do ta finalizojë me po themi me konventën apo kongresin e tyre të strukturave të Partisë Demokratike. Ndërsa, struktura opozitare, se ju shikoni deputetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, por edhe të Partisë Demokratike që janë instaluar. Është marrëdhënia e këtyre deputetëve, zoti Braimllari, Floida Kërpaçi apo Kejdi Mehmetaj, janë deputetë të Tiranës, në të cilën LSI-a ka marrë vota të konsiderueshme në zonën e Kombinatit dhe e kanë për detyrë të jenë atje në çdo moment me banorët dhe qytetarët e asaj zone.

Pa mbështetjen e kauzës së drejtë?

Sigurisht me mbështetjen e tyre. Sigurisht, përderisa ata banorë janë aty. Unë do t`ju tregoj një rast shumë të çuditshëm. E para njëherë, në asnjë vend të botës nuk ndodh që t`i çosh 7 ditë para banorëve letrën që ju duhet të ikni nga shtëpia në mes të dimrit. Nuk ka bërë vaki. Edhe lojërave të fatit të paktën qeveria i dha 2 vite e gjysmë. Dhe kur miratoi ligjin tha që hyn në fuqi në janar. Ka dy vite e gjysmë që ka dhënë kohën për të filluar për tu asimiluar, për tu organizuar, për të gjetur mundësi dhe burime të tjera për të ngritur biznesin e tyre. Ndërkohë që banorëve iu dha vetëm 7 ditë për tu larguar. Nga ana tjetër, ka një mungesë serioziteti dhe arrogancë ka. Këto banorë, të cilët prej 27 vitesh jetojnë në atë zonë, automatikisht në momentin që këta banorë jetojnë në atë zonë, kanë paguar taksat, kanë paguar dritat dhe ujin. Ti si shtet ia ke lidhur dritat dhe ujin për hir të së vërtetës qoftë energji elektrike, qoftë uji i pijshëm janë institucione shtetërore, të cilat ti si shtet në momentin që ke lidhur kontratat me këta banorë, do të thotë që i ke njohur.

Pra, në çdo gjykatë të botës që këta individë të paraqiten për 27 vite që kanë paguar dritat, ujin, taksë gjelbërimi , taksë pastrimi, shkolle, çerdhe, televizioni, taksë e saj, taksë e kësaj, taksë e tyre, taksë ndriçimi rruge, pra automatikisht ti si shtet i ke njohur këta banorë dhe i ke legalizuar. Janë disa vendime të Këshillit të Evropës qoftë për një lagje të Stambollit që ishte për të njëjtën histori dhe gjykata e Strasburgut ka thënë kush është mbi 10 vjet që shteti e ka lejuar që ndërtimi pa leje të ekzistojë, atëherë automatikisht ai është e njohur. Pra është një vepër e parashkruar po e quajmë. Ndërkohë ka pasur edhe disa vendime të tjera të Strasburgut dhe nga ana tjetër kemi disa banesa që janë të legalizuara e shumë të tjera që kanë paguar nga dy apo tre herë shpenzimet e tyre përsa i përket procesit të legalizimit.

Pra, është një godinë ku jetojnë tre vëllezër, të cilët e kanë ndërtuar këtë godinë në të njëjtën kohë, pra është si një pallat me tre shkallë. Dy në anë të kanë legalizuar dhe ky që është në mes nuk e ka legalizuar. Tani më fal por si do t’ia prishësh shtëpinë ti atyre, sepse po prishe atë në mes i bie të prishësh edhe dy të tjerat. Pra, këtu tregon që ka një shkallë korrupsioni përsa i përket procesit të legalizimit. Megjithatë sot deputetët e LSI-së i kanë dërguar një letër ministrit të Transporteve, Drejtorit të Përgjithshëm të ARRSH-së dhe Drejtorit të ALUZNI-t për të na dhënë një informacion se sa godina prek ky projekt, pastaj hymë në shkallën tjetër, sepse përkrahja jonë ndaj këtyre njerëzve, pasi këto njerëz që i kanë paguar me qindra milion lekë taksa shtetit shqiptar, ti ke detyrën më të paktën t’ua njohësh dhe t’u kthesh paratë mbrapsht.

Për shumë veta kjo që ju po thoni mund të duket si populizëm. Gjithë klasa politike shqiptare për mvi 20 vite resht është futur në garë kush do ishte më bujar, më domethënës për gjithë këtë shtresë që ka zaptuar, që ka shkelur ligji. A ka ndikuar kjo tek të tjerët që as nuk kanë zaptuar, pra që janë qytetarë normalë të një vendi jonormal.

Problemi është që asnjëri nuk ka qenë bujar. Unë mendoj që nuk ka njeri më të pazaptuar sepse edhe në qoftë se nuk i kanë zaptuar tokën, mos u bëni merak se ua ka zaptuar shpirtin Edi Rama, i cili po jua merr frymën me taksa e me gjithçka tjetër. Dua të them diçka, ajo tokë aty për të cilën ne po flasim, pasi unë kam qenë edhe vetë banore e asaj zone. Është një tokë që ka qenë e ndërmarrjes së Gjergj Dimitrov dhe Perim Patatja dhe aty nuk ka pasur pronar toke.

Lëre se ç’thonë. E gjitha është e ndarë me 7501-n, sepse ka qenë në Komunën Farkë. Është qendra 1881 me fraksion 1-2-3, këtë pjesë e kam kaluar unë me vendim qeverie, kam qenë deputete e kësaj zone, që atëherë nga tokë bujqësore e kemi kthyer në truall. Se në fakt duhet të kthehemi prapa, toka akoma nuk ishte kthyer në truall dhe banorët dolën dhe protestuan dhe atëherë janë dëmshpërblyer ose u është krijuar e drejta e spostimit të banesave, edhe kur është zgjeruar Unaza e Re, edhe kur janë bërë trotuaret apo janë mbjellë rrapat e kështu me radhë.

/ In News / By Elisa Piperi / Comments Off on Intervista/ Monika Kryemadhi: Unaza e re, dëshmia e tmerrshme e një korrupsioni shkatërrimtar