Zhvillimi

Zhvillimi i Qendrueshëm e i Gjelbër i Vendit

Për LSI Shqipëria Evropiane është Shqipëria e një zhvillimi të qendrueshëm dhe të gjelbër.

Shqipëria Evropiane është Shqipëria me një Ekonomi të qendrueshme me sektorët e saj të avantazhit konkurues.

Punësimi i plotë dhe cilesor mbetet objektivi ynë madhor. Rritja ekonomike do të synojë para së gjithash punësim të plotë, shërbime publike cilësore dhe shpërndarje më të drejtë e më sasiore të të mirave të krijuara. Politikat nxitëse për biznesin, veçanërisht agrobiznesin si sektori me potencialin më të madh për punësim, dhe do të kenë si rezultat përfundimtar rritjen e punësimit.

Nxitja fiskale për krijimin e vendeve të punës do të përfshijë ulje taksash për të ardhurat nga kapitali dhe puna, veçanërisht në zonat më të varfra, ku incentivat do të përqëndrohen. Industria fason do të vazhdojë të mbështetet duke inkurajuar prodhimin e lëndëve të para në vend dhe mbylljen e ciklit të prodhimit si dhe duke mbështetur krijimin e brandeve shqiptare.

Vendi ka nevojë të përmirësojë modelin e rritjes ekonomike për një zhvillim më të prioritarizuar të ekonomisë, bazuar në një miks të degëve me potencial zhvillimor që garantojnë punësim, që fokusohet në rritjen e prodhimit vendas dhe rritjen e produktivitetit, që synojnë të sigurojnë rendiment ekonomik dhe kohezion shoqëror që ecin së bashku.
Do të orientojmë investimet private në sektorët me “vlerë të shtuar të lartë” në energjetikë, ku me rëndësi vitale është përfundimi i projektit TAP, sektori minerar (përpunimi e pasurimi), në turizëm (miks midis turizmit të detit e rërës, turizmit malor, kulturor e agroturizmit), në bujqesi (agropërpunimi), nëpërmjet thithjes së investitoreve të huaj, të cilët do të mbështeten me një sistem të ri informacioni e shërbimi deri në nivelin vendor ku do të realizohet investimi. Me rëndësi themelore është tërheqja e investitorëve të huaj nëpërmjet ofrimit të projekteve konkrete të gatshme në sektorët strategjikë.
Do të zbatohen më gjerësisht modelet e Partnershipit Publiko-Privat (PPP), ku sektori privat ndërmerr përgjegjësi më të mëdha dhe garanton shërbime më cilësore në degët strategjike të ekonomisë. Do të krijojmë në sistemin financiar sektorin jo-bankar, tregjet e kapitaleve. Me rëndësi të madhe është krijimi i një Banke Publike, angazhimi i kursimeve të publikut, veçanërisht për investime në sektorë të tillë si energjia, minierat, turizmi e bujqësia.

Përmirësimi i standarteve të cilësisë dhe sigurisë ushqimore, zhvillimi dhe funksionimi i sistemit kombëtar të cilësisë dhe menaxhimit të integruar të produkteve bujqësore bazë dhe atyre të përpunuara me synim krijimin e markave kombëtare të cilësise, rritja e numrit të krerëve dhe zhvillimi i sektorit të peshkimit, janë prioritetet kryesore në sektorin e bujqësisë. Në sektorin e bujqësisë do të gërshetohet ndihma shtetërore për imputet me atë për njësi prodhimi, duke u përqëndruar në incentivimin e industrisë përpunuese.

Shqipëria Evropiane është Shqipëria e gjelbër, që e vendos mjedisin si faktor të rëndësishëm të zhvillimit, veçanërisht të degëve me potencial të madh rritjeje si bujqësia e turizmi. Mjedisi është një pasuri kombëtare trashëgimia e pastër e të cilit është detyrim ndaj brezit të ri dhe që angazhon përpjekje kombëtare për ruajtjen e tij.

Themelor për zhvillimin e qëndrueshëm të gjelbër të Shqipërisë është menaxhimi dhe kontrolli i territorit, që do të garantojë një shfrytëzim të balancuar e rigoroz të tij.