Kandidatët e LSI: Nuk e pranojmë mandatin e turpit. Ky Parlament kriminal

Kandidati për deputet i LSI në Qarkun Lezhë në zgjedhjet e 2017, Petrit Gjoni tha në protestë se refuzonte mandatin e turpit, ndërsa theksoi se tashmë kryeministri Rama e ka marrë rrugën e ikjes. “Dua të them diçka me përgjegjësi të madhe. Unë jetoj në Lezhë, rri me lezhjanë, me banorë që jetojnë në qytet apo në fshatra. Nuk ka familje lezhjane, përfshirë edhe familjet e socialistëve, që të mos kenë ndjerë helmin e Edi Ramës në këtë periudhë që po udhëheq Shqipërinë. E dyta, ca miq socialistë më pyetën këto ditë sikur të bjerë radha për t’u bërë deputete a futesh? Kurrë mandatin e turpit thashë nuk e pranoj. Dua t’i bëj thirrje vëllezërve dhe motrave tanë që po tentojnë të futen si nga LSI-sa apo PD-ja në atë Parlament. Për një gjë të jeni të sigurt” Partia Socialiste do t’iu nëpërkëmbë gjithë kohës që do të jeni aty. Rama ik, del nga shpirti demokrat, nga shpirti i qytetarëve që duan liri. Rama e ka marrë rrugën e ikjes. Ju ftoj të brohorasim të gjithë së bashku Rama ik!”, tha Petrit Gjoni.

 

Petrika Mele: Ky Parlament simbol i eksodit masiv të të rinjve nga Shqipëria

Kandidati për deputet i LSI-së në Qarkun e Korçës, Petrika Mele tha në protestë se me përgjegjësi të plotë ka refuzuar mandatin e deputetit, pasi nuk mund të bëhet pjesë e një parlamenti ilegjitim, i cili është kthyer dhe në simbolin e eksodit masive të të rinjve nga Shqipëria. “Unë jam Petrika Mele, kandidat për deputeti LSI në vitin 2017 për Bashkinë e Korçës. Me vetë përgjegjësinë dhe vetëdije të plotë e refuzova mandatin sepse ai është një Parlament ilegjitim, i kapur nga bandat, droga dhe krimi i organizuar. Rama IK. Ai Parlament është simbol i eksodit masiv të të rinjve të qytetit tim dhe të gjithë Shqipërisë. Është simbol I varfërisë së tejskajshme me të cilën përballen sot qytetarët e Shqipërisë.  Ne kemi marrë përsipër një mision shumë të madh. Misionin historik të prindërve tanë për ta kthyer Shqipërisë si gjithë Europa. Por me Ramën, Europë nuk ka”, tha Petrika Mele.

Edmond Stojku: Do të vazhdojmë deri në rrëzimin e këtij sistemi monist

Kandidati për deputet i LSI-së në Qarkun e Tiranës, Edmond Stojku tha se protestat e mëdha do të vazhdojnë deri në rrëzimin e sistemit monist që ëshët instaluar sot në Shqipëri. “ Jam këtu sot, kam qenë në çdo protestë dhe do vazhdoj të jem deri në ditën e rrëzimit të këtij sistemi monist që është instaluar sot. Ne sot këtu nuk jemi vetëm për proceset politike të cilat janë shumë të rëndësishme për këtë vend, por jemi këtu sot për të sjellë lirinë dhe demokracinë e vërtetë. Jemi këtu sot për ta bërë Shqipërinë si e gjithë Europa dhe për ta bërë Shqipërinë shtëpinë tonë, që të kthehen të gjithë shqiptarët, ashtu si në të gjithë botën moderne. Ju falënderoj të gjithëve që jeni këtu. Rama ik!”, tha Stojku.

Sara Lleshi: Përse të pranoj një mandat, kur të rinjtë po largohen masivisht nga Shqipëria

Kandidatja për deputete e LSI në Qarkun Tiranë, Sara Lleshi tha se nuk mund të pranonte mandatin e deputetes, përsa kohë që të rinjtë po largohen nga Shqipëria.  “Unë e kam refuzuar mandatin tim. E çfarë më duhet mua mandati kur të gjithë bashkëmoshatarët e mi po largohet të gjithë çdo ditë nga Shqipëria. Por sot, të gjithë neve të rinjtë, që duam të jetojmë ne Shqipëri, jemi më të vendosur se kurrë, ta bëjmë Shqipërinë , shtëpinë tonë. Shqipërinë,  që ne duam”, tha Sara Lleshi.

Gentian Çala: Ky është një parlament kriminal. Ka tradhtuar aspiratat e shqiptarëve

Kandidati për deputet i LSI-së në Qarkun Korçë Gentian Çala tha se Parlamenti aktual është një parlament kriminal dhe që ka tradhtuar aspiratat e shqiptarëve. “ Një mik amerikan më thoshte para shumë vitesh në Kosovë se për aq kohë sa të jetë natë, yjet do vazhdojnë të shihen. Ne jemi këtu dhe shohim njëri tjetrin sepse mes nesh është natë. Është natë për aq kohë sa njerëzit ikin nga Shqipëria, është natë për aq kohë sa njerëzit janë më të varfër. Është natë për aq kohë sa kemi një Parlament kriminal. Dhe sot përveç se kriminal, ai është dhe me tradhtar. Tradhtar të aspiratave tuaja. Prandaj ne do duhet ta vazhdojmë të gjithë këtë sipërmarrje, për të mirën e familjeve tona dhe të shqiptarëve. Dhe nuk mund të rri pa përmendur këtu edhe Kosovën. Ju keni dëgjuar për pazaret që po bëhen rreth saj dhe duke thënë këtu Rama ik ne mbrojmë dhe interesat kombëtare”, tha Gentian Çala.

Ana Azizaj: Nuk mund të pranoj kurrë të jem pjesë e zyrës së PS-së së quajtur Parlament

Kandidatja për deputete e LSI në qarkun Tiranë, Ana Azizaj tha se refuzonte të bëhej pjesë e një parlamenti, që ëshët kthyer në një zyrë të Partisë Socialiste. “ Nuk mund të pranoj kurrë të jem pjesë e zyrës së PS-së së quajtur Parlamenti shqiptar. Nuk mund të pranoj kurrë e asaj zyre që është aty me lekët e drogës që ka mbushur Shqipërinë. 400 mijë të rinj shqiptarë janë larguar. Ne nuk largohemi. Kemi vendosur të ndërtojmë të ardhmen në Shqipëri. Shqipëria është shtëpia jonë. Rinia foli, sovrani sot vendosi: Rama ik!”, tha Ana Azizaj.

Klevi Pojana: Refuzoj të bëhem pjesë e Parlamentit të krimit dhe të drogës!

Kandidati e LSI-së në Qarkun e Tiranës në zgjedhjet e vitit 2017, Klevi Pojana, i cili ka refuzuar mandatin e deputetit tha në protestë se refuzon të bëhet pjesë e Parlamentit të krimit dhe të drogës. Pojana theksoi se ky parlament nuk përfaqëson shqiptarët.

“Hajde të gjithë bashkë, Rama ik, Rama ik! Shumë, shumë, shumë, shumë njerëz të lirë, shumë zemra të lira! Sot, koiçidon data 5 mars, në 5 marsin e 1998 u sulmua Prekazi i Adem Jasharit, u sulmua me gaz lotsjellës siç sulmon ky njerëzit, popullin e tij! Por ne jemi këtu për ti thënë gjithë secilit se nga gjaku i dëshmorëve ne motivohemi për të pasur Shqipërinë e lirë! Ja them sot Edi Ramës, unë jam nipi i një gjyshi socialist, djali i një babai që ishte në shesh për të hedhur bustin e Enver Hoxhës dhe djali, biri i Shqipërisë që kurrë nuk do të shitet për lekët e drogës për të marrë atë mandat! Ai parlament sot është më i shëmtuar se kurrë. Ai është Parlamenti i krimit dhe i drogës, Parlamenti që nuk përfaqëson më shqiptarët. Jemi të gjithë bashkë sot këtu, ti japim dorën Lulzim Bashës, ti japim dorën opozitës shqiptare, ti japim besën opozitës shqiptare se ne kurrë nuk do të bëjmë pazare për të ardhmen e vendit, për të ardhmen e rinisë shqiptare. Të gjithë bashkë, ne do ja dalim, do ja dalim që të ndërtojmë Shqipërinë e ëndrrave të gjithë shqiptarëve, të ndërtojmë Shqipërinë si shtëpinë e të gjithë shqiptarëve. Ky zotëria këtu dikur premtonte 300 mijë vende pune, por largoi 500 mijë shqiptarë, 500 mijë të rinj për ti larguar rrugëve të Europës, ky njeriu këtu që fshihet pas njerëzve me kostum, që flasin herë anglisht dhe herë shqip nuk mund të fshehi dot se ka mbushur rrugët e Europës me drogën e tij dhe të bandave të tij. Ky njeriu këtu që fshihet dhe trembet nga ne, që trembet nga qytetarët e lirë të këtij vendi, nuk mund të fshehë dot para europianëve që ka mbushur azilet me azilkërkues shqiptarë. Kjo është e vërteta dhe këtë të vërtetë nuk mund ta fshehë dot askush. Unë dua të them dhe diçka të fundit, dikush e ka thënë edhe më parë por dua ta përsëris. Pranvera vjen çdo vit, por rinia vetëm njëherë. Prandaj i bëj thirrje të gjithë të rinjve të këtij vendi të mos bëjnë kompromis për të ardhmen e tyre, të mos bëjnë kompromis për Shqipërinë. Rama ik!”, tha Klevi Pojana.

Kandidatja e LSI-së në Qarkun e Fierit në zgjedhjet e vitit 2017, Erisa Xhixho e cila ka refuzuar mandatin e deputetes gjatë fjalës së saj në protestë tha se parlamenti i vërtet është mes njerëzve dhe jo Parlamenti ilegjitim, i votave të blera me votat e drogës.

“Unë quhem Erisa Xhixho dhe jam një njeri i lirë sot në vendin tim dhe si një njeri i lirë kam zgjedhur të jem pjesë e këtij Parlamenti sepse ky është parlamenti i vërtetë i njerëzve të lirë dhe jo si ai atje një parlament ilegjitim, Parlament i votave të vjedhura, një parlament që ka prodhuar një qeveri të oligarkëve dhe një qeveri të bandave që absolutisht, ka sjellur një vuajtje çdo ditë të qytetarëve të mi sepse Edi Rama sot është vetëm ndërsa ne jemi shumë në këtë shesh dhe në të gjithë Shqipërinë. Sot taksat tona rriten çdo ditë e më shumë, ndërkohë të oligarkëve pakësohen. Këtu mbyllen bizneset, papunësia është në rritje dhe çdo gjë ka shkuar si mos më keq. Unë mendoj që ka vetëm një zgjidhje për njerëzit e lirisë: dhe ajo është që Rama të ikë. Sepse ne do të ndërtojmë shtëpinë tonë në Shqipëri. Unë nuk do të largohem nga Shqipëria në asnjë mënyrë dhe as ju. Unë do të ndërtoj të ardhmen time dhe të fëmijëve të mi këtu në Shqipëri.

Nuk do të lejoj që familja ime ashtu sikundër përjetoi largimin e motrës sime vite më parë të përjetojë largime të tjera. Prandaj jam këtu dhe do të jem këtu deri në ditën e fundit që ky kryeministër do të largohet njëherë e mirë. Unë isha në listat e LSI-së, shumë dinjitozë në Qarkun e Fierit. U përballëm me blerje votash, me një demotivim në masë të njerëzve të mirë që duan të merren me politikë. Dhe kjo ishte dhimbja më e madhe që përjetova, jo humbja. Sot na erdhi një mundësi që të djegim mandatet dhe të tregojmë me forcën e karakterit që jemi për një Shqipëri ndryshe, për një Shqipëri që mendon për njerëzit. Sepse votat e LSI-së ishin një shans për të gjithë, janë vota gjaku dhe votat e mijëra të rinjve dhe grave. Ata nuk përfaqësojnë votat e LSI-së, ata përfaqësojnë votat e tradhtisë absolutisht.

Ta kenë të qartë që z.Rama mund të blejë me paratë e drogës dhe të bandave edhe deputetë sot, që nuk përfaqësojnë asgjë, mund të blejë dhe njerëz, por unë ka vendosur të jem një njeri I lirë sot bashkë me ju dhe liria ime nuk ka çmim sepse unë dua të ndërtoj të ardhmen time në vendin tim prandaj zgjedhja e vetme z.Rama, po jua them live, nga një njeri që ka studiuar jashtë, nga një pedagoge, nga një njeri me familje të thjeshtë, ti duhet të largohesh. Rama Ik, për ti dhënë shansin Shqipërisë për të ecur në rrugën e integrimit, për të pasur një shtet të pavarur, një shtet ligjor, për të pasur një shtet funksional, për të pasur një Shqipëri si gjithë Europa. Miqtë e mi beteja jonë është e vështirë por është e drejtë, ndaj ne do të fitojmë, se bashku me ju dhe gjithë njerëzit e lirë të këtij vendi. Sepse unë besoj te liria ime dhe te ndërgjegjia ime. Askush nuk mund të më blejë as mua as popullin shqiptar. Kjo është beteja për liri,për një kauzë të madhe. Ata nuk përfaqësojnë askënd, ata janë vetëm. Edi Rama është vetëm. Ndaj ai do iki një orë e më parë sepse ne jemi për një Shqipëri, shtëpia jonë”, tha Erisa Xhixho.

/ In News / By Elisa Piperi / Comments Off on Kandidatët e LSI: Nuk e pranojmë mandatin e turpit. Ky Parlament kriminal