Kardinali shqiptar, Dom Ernest Troshani, mban një fjalë përshëndetëse në Seancë Plenare

Kardinali shqiptar, Dom Ernest Troshani, ishte i ftuar në Seancë Plenare për të mbajtur një fjalë përshëndetëse.

Në nisje të seancës, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, teksa i uroi mirëseardhjen Kardinalit Troshani, u shpreh se më 21 shtator 2014 gjatë vizitës së tij në Shqipëri Ati i Shenjtë, Papa Françesku, u kushtoi jo vetëm një çast të posaçëm dëgjimi vuajtjeve të Dom Troshanit, por edhe përlotje dhe një përqafim të përzemërt papnor që mbeti i skalitur në mendjen e të gjithëve.

“Dy vjet më vonë, pikërisht më 19 nëntor të këtij viti, nga Sheshi Papal i Romës, në lutjen e engjëllit të Tënzot, Papa Françesku shpalli kardinalët e rinj, mes të cilëve edhe shqiptarin Dom Ernest Troshani. Ky akt i rëndësishëm, lumturimi i martirëve të Kishës Katolike Shqiptare dhe shenjtërimi i Nënë Terezës, janë mesazhe për të cilat të gjithë shqiptarët kudo në botë i janë mirënjohës Atit të Shenjtë, Papa Françeskut. Ato janë shenja inkurajimi për të ecur drejt udhës së atyre vlerave shpirtërore njerëzore, fetare e kulturore, kishtare e kombëtare, për të cilat flijuan jetën shumë shqiptarë, njëkohësisht përbëjnë një çast fatlum, sepse Shqipëria dhe shqiptarët sot më shumë se asnjëherë tjetër mund t’i tregojnë mbarë botës sesa të rëndësishme janë toleranca, respekti i ndërsjellë dhe bashkëjetesa e besimeve fetaren në një vend. Ato dëshmojnë sesa të fuqishme, të qëndrueshme dhe të natyrshme janë lidhjet e kësaj marrëdhënieje të veçantë mes shqiptarëve”, – tha z. Meta, duke theksuar se ashtu si çdo herë tjetër, së bashku përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve fetare ndodhen bashkë për të qenë dëshmitarë të kësaj ngjarjeje të veçantë, jo vetëm për Kuvendin e Shqipërisë.

“‘Nuk është titull që më jepet vetëm mua, por është një titull për të gjithë shqiptarët. Kardinalët në botë janë të rrallë, aq më pak që Shqipëria është një vend i vogël, por Papa ka një simpati të madhe për këtë popull’, shprehet Kardinali shqiptar, Ernest Troshani, i cili në fshatin Barbullush të Shkodrës me modestinë dhe përkushtimin e tij qëndron çdo ditë pranë njerëzve në nevojë, lutet për ta dhe i ndihmon, sa mundet, në zgjidhjen e problemeve të tyre”, – vijoi z. Meta.

Kryetari i Kuvendit nënvizoi se dëshmia e jetës së krishterë të Kardinalit shqiptar është dëshmia e një të riu trim 35-vjeçar, i cili më 24 dhjetor 1963, në vitet më të vështira të diktaturës komuniste në Shqipëri, heroikisht guxoi të ngrinte një meshë në kujtim të presidentit të vrarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon Kenedi.

“Ky veprim, simbol i besimit, i paqes, i respektit dhe i lirisë u ndëshkua ashpër me dënimin me vdekje dhe më pas me 25 vjet burgim të Dom Troshanit. Dëshmia e viteve të gjata të vuajtjeve, të persekutimit, të torturës, por edhe të qëndresës së tij martire në burgjet e komunizmit është dëshmi e kalvarit të gjatë të kombit shqiptar dhe të gjithë përfaqësuesve të besimeve fetare, të cilët mes sakrificave dhe vështirësive mundën të ruanin jo vetëm forcën e besimit, por edhe dashurinë për kombin dhe vlerat e tij në vitet më të vështira”, – shtoi z. Ilir Meta.

Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit u shpreh se Kardinali Ernest Troshani është dëshmitari i fundit i gjallë i gjeneratës së klerikëve shqiptarë, që i persekutuan mizorisht dhe u dënuan vetëm se shpirtin dhe veprën e tyre i kishin të lidhura me lirinë e besimit dhe të ndërgjegjes. “Ai është, gjithashtu, simboli i rezistencës dhe i përkushtimit të pashembullt ndaj vlerave dhe idealeve kombëtare në një kohë kur mbi Shqipëri peshonin retë e zeza të diktaturës”, – tha ndër të tjera z. Meta, ndërsa ftoi Kardinalin shqiptar Dom Ernest Troshani të mbajë fjalën e rastit.

Fjala e plotë e Kardinalit shqiptar, Ernest Troshani

 Të nderuem Deputetë,

 i nderuem z. Kryetar,

 të nderuem Ministra,

 i nderuem z. Kryeminister,

 i nderuem trupi diplomatik

 të nderuem të ftuem,

Asht nji nder i veçantë sot për mue me folë prej kësaj foltoreje, dhe me ju drejtue ju, përfaqësuesve të popullit shqiptar.

Ashtu siç asht nji nder i pashoq me përfaqësue dhe me folë në emën të Kishës katolike shqiptare.

Nuk kam ardhë këtu me ju mësue asgja të re, por kam ardhë ma së parit me falenderue atdheun e të gjithë popullin pse mbas nji rrebeshi prej gadi pesë dekadash që i shkaktoi vuejtje e mjerime Kishës katolike, ma në fund gjeti forcën e duhun shpirtnore me ua njohtë vlerat bijve e bijave të tija që për me ruejt lirinë e ndërgjegjes dhe lirinë e besimit nuk i ranë mohit Zotit dhe nuk e braktisën popullin e tij.

Jam i fundit dëshmitar i nji brezi klerikësh katolike që vuejtën dhe u persekutuen. Tue më ba kardinal, Papa Françesku nuk më nderoi veç mue, por nderoi gjithë Kishën katolike shqiptare e mundësisht gjithë popullin shqiptarë.

Ne, kemi punue me të gjitha forcat për ngritjen morale dhe kulturale të shqiptarëve, e edhe atëherë kur s’kemi pasë mjete tjera, kemi gjetë fjalë ngushëlluese dhe s’i kemi lanë vetëm ma të vogjlit dhe ma të vorfnit. I kemi shërbye këtij populli dhe kemi dëshmue me gjakun tonë se i përkasin atij dhe nuk ligshtohena edhe në orën ma të vështirë.

Ky popull ka nda kashatën e gojës me ne, na ka ndihmue aq sa ka mujtë dhe na ka qindrue afër.

Të dashtun vëllezën e motra,

Po ju them se ne si Kishë katolike do të jena si gjithmonë në parimin e bashkëpunimin me gjithë ato forca politike dhe shoqnore që kanë me punue për zhvillimin dhe përparimin e Shqipnisë demokratike dhe sovrane.

Do të mbështesim gjithmonë zhvillimin e kulturës së vërtetë dhe s’do të reshtim tue punue për me i përkit familjes së përbashkët europiane, vlerat ma të kullueta të së cilës kemi kontribue edhe ne me i formue ndër shekuj.

Jam këtu me ju kujtue përvujtnisht ju, përfaqësuesve të këtij populli:

– Kujtojuni orë e çast se jeni këtu me nji mision të naltë, prandaj mos i harroni nevojat e popullit, mos e leni mbas doret asnji çast popullin tuej, e mos lejoni që përplasjet tueja politike, edhe atëherë kur janë të arsyeshme, të kenë në qendër luftën për pushtet, por vetëm problemet e popullit shqiptar.

Jemi nji komb ku jetojnë vllaznisht besime të ndryshme fetare, të barabarta para ligjit e të gjitha me detyrën e shenjtë me i shërbye Zotit dhe idealeve tona kombtare. Nuk due me folë për tolerancë, por për vllaznim, që asht shumë ma tepër.

Ta kultivojmë pra vllazninë ndërfetare, besimi i vërtetë në Zotin dhe liria na ndihmojnë me gjallnue ma fort vlerat e solidaritetit dhe të ndihmës ndaj gjithë atyne që shoqnia i ka lanë mënjanë.

Krishti, tue marrë shëmbëlltyrën njerzore ka lindë në nji votër të vorfën prej Marisë dhe shpirtit shenjtë. Kujdesin ma të madh ai e ka pasë për të vobektit, për të sëmurët, për ata që vuejnë padrejtsisht dhe për ata që pendohen dhe duen me ndërrue rrjedhën e jetës së tyne.

Mos t’i lamë mbas doret të gjithë këta, pse shkalla e qytetnisë së nji kombi matet edhe prej kujdesit që ai tregon ndaj këtyne kategorive.

Për ju un kam vetëm nji porosi atnore: Krishti ka shtru parimin hyjnorë të pavdekësisë së shpirtit: Çfarë të vlen o njeri ? Po fitove edhe të gjitha pasurit e botës në qoftëse humb shpirtin. Pra të përpiqemi ti shërbejmë me të gjitha forcat shërbimit hyjnorë që të fitojmë lumturinë e parrizit.

Po hyjmë në vitin 2017 viti i triumfit të zemrës së papërlyer të Zojës së bekuar, nanës së Krishtit që na fton të lutemi për paqen, vëllazërim, dashuri e lumturi.

Ju të nderuar deputetë të përpiqeni që të gjithë së bashku, çdo njeri në Shqipëri duke shikuar në sytë tuaj të shohë begatinë, drejtësinë, bujarinë e bekimin hyjnorë.

– Qëndroni ma afër problemeve të popullit shqiptar, bani që politika të jetë shërbim dhe jo përfitim, e vetëm atëherë keni me pasë respektin e thellë të njerëzve të thjeshtë që kanë besue tek ju.Zoti e bekoftë Shqipninë dhe shqiptarët, Zoti bekoftë familjet tueja!

Kardinal Ernest Troshani

/ In News / By LSI / Comments Off on Kardinali shqiptar, Dom Ernest Troshani, mban një fjalë përshëndetëse në Seancë Plenare