Kërpaçi: Të rinjtë nuk i ndal dot askush që të protestojnë për një jetë më të mirë, për punësim të mirë paguar dhe për një arsim cilësor e pa taksa!

Deklarata për media e ish-deputetes së LSI-së, Floida Kërpaçi

Qytetarë e qytetare,

Gjendem sot para jush, për të denoncuar veprimet e turpshme të qeverisë në ikje, që në dëshpërim të thellë po përdor shtetin për të kërcënuar të rinjtë pjesëmarrës në protesta për te drejtat e tyre.

Menjëherë pas protestës së djeshme, të rinj janë ndaluar nga oficerë policie të paidentifikuar si dhe me sjellje rrugaçërore drejtuar të rinjve.

Po denoncoj para jush sjelljen rrugaçërore që policia ka drejtuar ndaj të rinjve protestues duke i pyetur pse kanë dalë në protestë, kur do të jetë protesta e radhës  dhe a do të jenë ata pjesëmarrës ne protestën e radhës, duke ushtruar presion e dhunë psikologjike për ti frenuar që ata të marrin pjesë në protestë.

Po i drejtohem ministrit të brendshëm dhe drejtorit të përgjithshëm të policisë

Ç’punë ka policia e shtetit të ushtrojë presion mbi  të rinjtë dhe ti pyesë duke i intimiduar a do të jenë  pjesëmarrës në protestën e radhës së opozitës?

Asnjë intimidim apo presion i policisë duke filluar nga provokatorët e futur në protestë e të demaskuar publikisht e deri tek rrëmbimi i të rinjve nuk e ndal dot zemërimin e dhjetëra mijëra qytetarëve të rinj e të reja, burra e gra në protestë.

Të rinjve edhe u kanë vrarë shpresën, edhe i kane lënë mes 4 rrugëve pa mundësi arsimi, pa mundësi punësimi të mirë paguar por edhe nuk i lejojnë të protestojnë për problemet e tyre dhe te familjeve të  tyre.

Policia e bërë njësh me krimin, rrëmben të rinjtë, familjarët tek Unaza e Re, fermerët që derdhin qumështin, por nuk ndal hajdutët e qeverisë që bëjnë korrupsion dhe që blejnë vota.

Kjo qeveri e kalbur i ka ditët e numëruara.

I bëjmë të qartë policisë që i kemi identifikuar të gjithë ata që rrëmbyen dhe sjelljet e tyre rrugaçërore drejtuar të rinjve dhe pa diskutim që do të përballen me ne përpara drejtësisë.

Ashtu si ne, i bëj thirrje të sinqertë edhe faktorit ndërkombëtar të shohë nga afër rastet e dhunimit të të drejtave themelore të njeriut nga ana e qeverisë që helmon popullin e t’i qëndrojë pranë qytetarëve që po vuajnë dhunën e pushtetit që është i gatshëm për çdo mjet në mbrojtje të pushtetit.

Të rinjtë nuk i ndal dot askush që të protestojnë për një jetë më të mirë, për punësim të mirë paguar dhe për një arsim cilësor e pa taksa.

Aksioni opozitar është i pandalshëm për ta bërë Shqipërinë, shtëpinë e shqiptarëve.

/ In News / By Elisa Piperi / Comments Off on Kërpaçi: Të rinjtë nuk i ndal dot askush që të protestojnë për një jetë më të mirë, për punësim të mirë paguar dhe për një arsim cilësor e pa taksa!