Klajda Gjosha: Deklaratat e shfrenuara nacionaliste fshehin mospërmbushjen e detyrave

Intervista e deputetes së LSI-së, për rubrikën ‘Opinion’ në ‘News 24’

E nisim me komentin tuaj mbi miratimin nga Parlamenti Evropian, të raportit për Shqipërinë, raport pozitiv, aq pozitiv ishte dhe qasja drejt çeljes së negociatave përkundër mesazheve të ashpra, le të themi, që dërgoi Kryeministri Rama ndaj Brukselit. Si e patë këtë?

Është një raport që paraqitet për herë të tretë përpara Parlamentit Evropian, pra nuk është një risi. Pra, le të themi Parlamenti Evropian ka qenë gjithnjë një mbështetës i procesit të integrimit të Shqipërisë, por edhe të gjithë Rajonit, apo Ballkanit Perëndimor dhe është për t`i përgëzuar dhe falënderuar të gjithë përfaqësuesit e Parlamentit Evropian, sepse ata janë një zë i fuqishëm i shtyrjes së këtij procesi për të gjithë ne, ashtu sikundër është edhe Komisioni Evropian. Problemi për në asnjëherë nuk ka qenë Parlamenti apo Komisioni, por ka qenë Këshilli. Pra, akt që ka të bëjë shumë herë me një veprim më të thelluar dhe analizuar që bëhet pikërisht nga liderët e 28 vendeve anëtare, aty ku diskutohet realisht ecuria e Shqipërisë dhe ku preken shumë çështje, shumë herë më të thelluara sesa ç’mund të diskutohet në një raport të përgjithshëm në Parlamentin Evropian. Megjithatë, është një hap patjetër dhe unë e kam thënë gjithnjë që për ne negociatat janë jetike, sepse në një vend ku mungon kultura e mirëqeverisjes dhe ku shpeshherë liderët marrin disi pamje autokratike, të gjithëve u pëlqen që të shkojnë drejt këtij drejtimi, negociatat janë i vetmi moment ku mund ta drejtojnë Shqipërinë në atë kornizën e rregullave dhe standardeve, të cilat sot ne, fatkeqësisht, nuk i kemi. Pavarësisht mesazhit pozitiv që jep Parlamenti Evropian, nuk është se Shqipëria ka ndriçuar në të 5 prioritetet, apo në të gjithë kriteret që kërkohen nga vetë Bashkimi Evropian. Sot kemi shumë diskutime, si për çështjet e krimit të organizuar, çështjet e korrupsionit, Reforma në Drejtësi, e cila deri-diku është e penguar, për mos të thënë që sistemi momentalisht është në një kolaps total dhe këtu ka shumë çështje për t’u diskutuar. Mungesa e Gjykatës Kushtetuese e kështu me radhë, duke qenë e duke e bërë Shqipërinë një vend unik le të themi pa një Gjykatë Kushtetuese dhe pa një Gjykatë të Lartë. Dhe ka pyetje të mëdha. Megjithatë, unë sërish e përgëzoj dhe uroj që në të gjitha etapat, pse jo ne të marrim një përgjigje pozitive, pavarësisht se unë e kam parë gjithmonë me skepticizëm, duke parë jo vetëm situatën e brendshme të Shqipërisë, duke analizuar së brendshmi, por duke parë dhe realitetin se çfarë do të ndodhë me vetë Bashkimin Evropian vitin që vjen, me zgjedhjet që ata kanë. Do të kemi një ndryshim të lidershipit, le të themi, apo të drejtimit të vetë presidencës evropiane dhe të zgjedhjeve në Parlamentin Evropian.

Ndalemi pak tek apeli që është bërë nga raportuesi për Shqipërinë, Knut Fleckeinstein. Sigurisht dhe ai vlerësoi dhe atë që ndodhi me miratimin e raportit për Shqipërinë, por ndërkohë tha se Shqipëria duhet të ecë përpara. Duhet të jetë bashkë politika që t`i kryejë këto reformat e domosdoshme, një prej të cilave është Reforma në Drejtësi, por edhe Zgjedhorja, nuk është më pak e rëndësishme. Do kemi një parlament konstruktiv tha Fleckeinstein, në mënyrë që të çelen negociatat në 2019-n…

Kjo thirrje dhe ky apel është më se i drejtë. Dëgjohet si nga opozita ashtu edhe nga mazhoranca. Problemi është tek politika e brendshme, tek mënyra se si trajtohet opozita shpeshherë në këtë vend dhe pse nuk ndodhet sot opozita në Parlament. Unë shpeshherë e kam thënë që nuk është një bojkot i Parlamentit, është një marrëdhënie totalisht e kushtëzuar, sepse po të analizojmë iniciativat që ne kemi pasur në 1 vit e gjysmë si opozitë janë shumë herë më të shumta se ato që ka sjellë mazhoranca në Kuvendin e Shqipërisë. Ne kemi propozuar dy amendamente për zgjidhjen e ngërçit të reformës në drejtësi dhe askush nuk denjon të paktën t’i sjellë në komision për diskutim. Opozita ka bërë draftin e saj për Reformën Zgjedhore dhe askush nuk ka denjuar të dëgjojë për këto propozime konkrete dhe më pas shohim që mazhoranca del në një konferencë të jashtëzakonshme, propagandën që ne jemi mësuar ta shohim gjithmonë që: ne e kemi gati, hajdeni votojeni. Në një vend demokratik nuk funksionon kështu. Institucionet duhet të jenë ato që duhet të jenë funksionale dhe këtu fillon A-ja e demokracisë dhe A-ja e respektit që në fakt mazhoranca duhet të ketë ndaj opozitës, pavarësisht votave që ajo i ka dhe që i përdor shpeshherë edhe me arrogancë në këtë institucion. Reformat patjetër që duan dy palë, ashtu sikurse edhe Reforma Zgjedhore. Le të mos harrojmë që Reforma Zgjedhore ka mbi pesë vite tashmë që pret, sepse rekomandimet e OSBE-ODIHR-it vazhdojnë të mbeten diku në sirtarë dhe askush nuk denjon që t’i shohë e të vazhdojë më tej për t’i miratuar. Problemi me reformën në drejtësi absolutisht nuk qëndron tek opozita, pasi opozita i ka dhënë votën e saj, i ka miratuar si ndryshimet kushtetuese ashtu edhe 7 ligjet, të paktën pjesa e LSI-së. Tashmë është një vullnet i mazhorancës apo edhe i vetë institucioneve të pavarura të sistemit të drejtësisë, të cilat duhet të vazhdojnë me implementimin e kësaj reforme. Dhe besoj që këtë thirrje e kanë bërë edhe ndërkombëtarët dhe jo vetëm opozita. Sepse është shumë e kollajtë të thuhet që është faji i opozitës, por nuk është kështu.

Po për Reformën Zgjedhore faji i kujt është?

Përsa i përket Reformës Zgjedhore deri diku komisioni Ad-Hoc ka punuar. Opozita ka sjellë alternativën e saj. Në fund të fundit, të paktën kërkesa që LSI ka bërë është se nuk ka rëndësi sistemi, mazhoritar, proporcional, si të duan ta bëjnë sistemin. Çështja është si do të zgjidhim ne shitblerjen e votës dhe ky është thelbi ku ne duhet të përqendrohemi tek kjo reformë. Dhe e keni parë besoj që askush nuk diskuton për këtë çështje. Të gjithë flasin se si do të zgjidhim komisionet, sa partiakë do të jenë këto komisione, sepse gjithsecili ka ato interesat e votave të partive që përfaqësojnë, por askush nuk diskuton për thelbin e çështjes që është shitblerja e votës. Dhe ne duhet të jemi aty pikërisht për të diskutuar këtë mekanizëm. Duke qenë se opozita nuk është dëgjuar, ndaj edhe ka pasur një ngërç të dialogut mes palëve, por duke pasur parasysh edhe gjithë arrogancën që përdor qeveria.

Por duhet pasur parasysh edhe fakti që ju nuk jeni në Parlament znj. Gjosha, ju mund ta quani marrëdhënie të kushtëzuar apo sido që ta quani, por fakti është që ju nuk jeni aty dhe bota shikon në Shqipëri një parlament gjysmak…

Ne mund ta shkojmë për ta votuar nëse bihet dakord për një reformë zgjedhore, e cila në radhë të parë mbron votën e qytetarit dhe i jep atij të drejtën të votojë i lirë. Por nëse diskutojmë për një reformë që mbështet njërën apo tjetrën parti, unë besoj që askush nga ne nuk do e donte një reformë të tillë.

Qershori i vitit të ardhshëm do të na gjejë edhe ne në një moment zgjedhor dhe shanset janë që brenda vendit nuk do të ketë ulje tonesh. Evropa do të jetë në zgjedhjet për Parlamentin Evropian gjithashtu, kështu që shkojmë në një situatë krejtësisht të paqartë, si së brendshmi ashtu edhe së jashtmi përsa i përket procesit të çeljes së negociatave. Në një situatë të tillë, a ka një farë të drejte kryeministri Rama që t’i luajë të gjitha gurët që ka në dorë?

Fatkeqësisht gurët luhen atëherë kur nuk i ke plotësuar detyrat e shtëpisë dhe kur nuk shkon dot në Bruksel me fakte konkrete, atëherë fillon e luhet kjo karta e nacionalizmit të shfrenuar siç e dëgjuam edhe në komunikimin e kryeministrit në Pejë, ku përveç faktit që hidhen ide të bashkimit kombëtar e kështu me radhë, patjetër që ka edhe një lloj presioni që i vendoset vetë BE-së për ti treguar që nëse ti nuk na pranon kështu siç jemi, ne kemi edhe karta e alternativa të tjera për të luajtur, gjë që nuk është e vërtetë. Shqiptarët e kanë një aspiratë dhe unë besoj që të gjithë biem dakord që është perspektiva evropiane. Po përtej kësaj, ne duhet të mësojmë të respektojmë një shtet të pavarur që është Kosova. Ka 10 vjet që Kosova është shtet i pavarur dhe për sa kohë ne vazhdojmë t`i kërkojmë dhe Serbisë dhe vendeve të tjera që ta njohin Kosovën, besoj që Shqipëria të paktën duhet të ketë një rol rigoroz të heshtjeve dhe duhet të respektojë pavarësinë e Kosovës dhe mënyrën se si vetë Kosova është sot një shtet i pavarur, e institucionet e saj dhe në rrugëtimin e saj në vetë perspektivën evropiane që ajo ka. Më vjen keq se në vend që këto dy shtete të fokusohen tek integrimi ekonomik, bashkëpunimi ekonomik, forcimi i tregjeve, ku këtu duhet të fillojë. Kjo është pjesa. Duam të themi bashkime dhe ndryshime kufijsh, këto janë teza, të cilat, fatkeqësisht, hidhen në momente kur liderët gjenden në vështirësi, apo kur duan të tërheqin vëmendje për çështje të caktuara dhe për të larguar realisht vëmendjen nga ato çështje konkrete, me të cilat sot ndeshet vendi. Po të lexojmë ne vetë raportin e Parlamentit Evropian, apo që është miratuar sot në Parlamentin Evropian, pavarësisht të gjithë konotacionit pozitiv në të cilën ne e vendosim, sepse ata janë pro çeljes së negociatave. Po ta analizojmë ka probleme konkrete për azilkërkuesit. Një numër të madh azilkërkuesish që Shqipëria ka pikërisht në vendet më kryesore të BE, që janë Franca e Gjermania. Mos të harrojmë që Franca ka pasur një zë të fortë në takimin e fundit të Këshillit për këtë çështje. Kemi një çështje që është jashtëzakonisht shumë e ngritur prej vitesh, por që sot është më reale se kurrë, që është çështja e pronës. Është e drejtë themelore e njeriut. Ajo që kemi parë tek Unaza e Re ka të bëjë pak edhe në atë raport pra është e kuadratuar edhe në raportin e miratuar nga Parlamenti Evropian, ku thuhet se duhet zgjidhur njëherë e mirë. Çfarë do të thotë të zgjidhesh njëherë e mirë? Ti je i detyruar t`ia njohësh pronën çdo qytetari, për sa kohë ti ke lejuar që ai të ndërtojë në atë vend të caktuar dhe nuk e ke ndaluar atë. Për sa kohë ti i ke marrë taksën këtij individi për 28 vite, ia ke njohur pronën automatikisht, ndaj dhe duhet ta respektosh. Nëse do të ndërtosh dhe ta zhvillosh vendin është e drejta e çdokujt që duhet ta bëjë, por ama duke respektuar individin dhe qytetarin. Po të shikojmë, është pikërisht kjo çështje edhe në raportin e Parlamentit Evropian të miratuar sot. Për të mos shkuar pastaj te çështjet, që opozita i ka ngritur me forcë, siç janë çështjet e krimit të organizuar. Janë çështje madhore, të cilat nuk cenojnë vetëm Shqipërinë brenda saj, por cenojnë rajonin dhe sigurinë evropiane. Të gjitha këto përbëjnë thelbin e asaj çka duhet të merret Kryeministri Rama dhe shteti shqiptar dhe jo të sjellë ide nacionaliste të bashkimit kombëtar për të bërë presion kundrejt Evropës. Unë nuk jam me këtë, kam qenë ministre Integrimi prej katër vitesh, të gjitha kartat mund të luhen, por Shqipëria nuk ka qenë kurrë në këtë lloj pozicioni për të luajtur këto karta, por duhet patjetër të forcojë shtetin e së drejtës, institucionet, demokracinë. Kjo është ajo, në fund të fundit, për të cilin lufton dhe shpreson çdo shqiptar të ketë në vendin e tij në mënyrë që të mos largohet diku tjetër, për të gjetur një jetë më të mirë.

Çfarë karte duhet të luante Shqipëria tani për të përftuar në fund atë të gjithë synojnë?

Absolutisht duhet të luhej më rezultatet konkrete të pesë prioriteteve kyçe, dhe unë besoj se disa prej tyre dhe i përmenda pak më parë. Kjo do të ishte karta më e mirë.

Mirëpo, situata politike në vend është realisht kaotike, kështu që i bie që këto rezultate deri diku janë të paarritshme dhe se kush e ka fajin pastaj kjo mbetet për t’u diskutuar…

Unë ju siguroj që opozita ka vetëm fjalën dhe e falënderoj median, të cilat na japin mundësinë të shprehemi në mënyrë direkt për të përçuar mesazhin tonë te qytetarët shqiptarë. Ekzekutivi ka punën dhe ka rezultatet, prandaj ne kemi ministra, të cilët përgjigjen, edhe para palës evropiane pikërisht për këto çështje që ne po diskutojmë sot. Prandaj, është shumë e rëndësishme që në muajt në vijim qeveria të fokusohet pikërisht te këto rezultate dhe te çështjet që kanë të bëjnë me pesë prioritetet kyçe, por edhe me ekonominë. Mos harrojmë që procesi i integrimit nuk është vetëm proces politik, por është një proces ekonomik. Dhe mbi të gjitha ajo çfarë ka ngritur si çështje madhore Bashkimi Evropian është pikërisht PPP-të, fshehja e borxhit që qeveria e thotë që është 68 për qind, por që në fakt arrin në 80 për qind. Nëse do bëjmë një analizë të thellë të investimeve nëpërmjet PPP, kjo është e rëndë sepse, në fund të fundit, cila është dhurata që qeveria iu bën qytetarëve shqiptarë apo fëmijëve tanë. A e dini ju që një fëmijë që lind sot, lind me një borxh prej tremijë euro? Për çdo individ që sillet në jetë. Pra, e nis jetën me tremijë euro borxh kundrejt buxhetit të shtetit. Imagjinoni se sa do të rritet kjo shifër në vitet në vijim nëse do të vazhdojmë me këto ritme. Ndaj mendoj se ka shumë punë për të bërë dhe nuk besoj që është vetëm faji i opozitës. Patjetër që ne kemi detyrën tonë t’i ngremë çështjet, por edhe të jemi konstruktivë aty ku duhet. Por, që të jesh konstruktiv të duhet edhe pala tjetër për të ofruar dorën për të shkuar aty ku duhet.

A mund të parashikoni se çfarë do ndodhë në maj në zgjedhjet evropiane?

Është e vështirë, pasi shohim forca të djathta ekstreme që janë të rivitalizuara tashmë në disa nga vendet më kryesore të BE-së. Unë besoj që ato vazhdojnë ende të kenë një forcë të madhe, sidomos në Gjermani, që është një nga vendet më kryesore dhe vendimtare për sa i përket procesit të zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, sepse ka qenë lokomotivë e vendeve të tjera. Besoj që Parlamenti Evropian mund të ketë një lloj ndryshimi në numrat dhe në përbërjen e saj me forcat e djathta. Nuk besoj që do të jenë vendimmarrëse për proceset, e aq më tepër për vendin tonë dhe për vendet e rajonit. Megjithatë ato rrezikojnë të kenë zërin e tyre të fortë brenda Parlamentit Evropian. Unë nuk e imagjinoj dot një Evropë të Bashkuar pa Ballkanin brenda. Është një projekt i paplotë dhe gjithmonë do të sjellë rreziqe. Projekti duhet të jetë edhe konkret, dhe që të jesh i tillë do të thotë që këto vende që kanë probleme kaq të mëdha, siç është Shqipëria, duhet që procesi i reformave të vazhdojë duke qenë brenda Bashkimit Evropian. Besoj gjithmonë që ne kemi nevojë për një kontroll shumë më të fortë dhe e besoj fortë që procesi i negociatave do të jetë ai që mund ta vendosë Shqipërinë brenda në korniza.

/ In News / By Elisa Piperi / Comments Off on Klajda Gjosha: Deklaratat e shfrenuara nacionaliste fshehin mospërmbushjen e detyrave