Klajda Gjosha: Ndryshimi i ministrave asnjë lloj risie. Problemi është te ndryshimi i filozofisë qeverisëse dhe te kryeministri

Intervista e deputetes së LSI-së, Klajda Gjosha për emisionin 7pa5

 

Në aspektin personal, po dhe në aspektin politik dhe të Shqipërisë, sepse është një vit shumë i rëndësishëm në fakt për vendin tonë. I dyti vit kur ne presim përgjigje pozitive dhe shpresat janë shumë të mëdha në fakt. Duket se kemi gjasa për të marrë një përgjigje pozitive në qershor?

Është i treti vit në fakt që ne presim. Sepse rekomandimi i parë për çeljen e negociatave ka qenë në dhjetor të vitit 2016. Ndaj dhe kanë kaluar gati 3 vite në këtë pritje të gjatë. Është e pandershme kundrejt qytetarëve shqiptarë. Sepse ju e dini mirë që është një aspiratë e tyre. Është një punë e palodhur nga ana e tyre pavarësisht gjithë problemeve politike në të cilat ndodhet vendi. Dhe unë uroj që 2019 të jetë një vit i mbarë për ta edhe për procesin e integrimit evropian, pavarësisht se pikëpyetjet e mia janë të pafundme, sidomos në këtë situatë politike ku dialogu politik mbi të gjitha nuk ekziston. Ku reformat po ecin me ritme jashtëzakonisht të ngadalta pa pasur rezultate konkrete për të bindur minimumi ato vende anëtare të cilat janë deri diku skeptike për arritjet që ka pasur Shqipëria dhe për mënyrën sesi po qeveriset vendi. Lëvizjet e shumta, shkrirja e Ministrisë së Integrimit, mungesa e kapaciteteve njerëzore, janë një sërë çështjesh të cilat në të vërtetë e vendosin Shqipërinë në një pozicion jo shumë komod për çeljen e negociatave.

Por edhe ndryshimi i ministrit së fundmi…

E vetmja çështje e cila mund të favorizojë Shqipërinë është fakti që Maqedonia ka ecur dhe ka bërë një punë të jashtëzakonshme në këtë proces. Por kjo nuk dihet sesi do të ndodhë, sepse vitin tjetër ka zgjedhjet edhe vetë Bashkimi Europian. Ndaj dhe ne do të shohim politikat që ata do të ndjekin. Do të shohim se çfarë mendojnë ata për zgjerimin, pra cilët do të jenë prioritetet e tyre për vitet e ardhshme. Sepse varet shumë pikërisht nga kartat që ata do të luajnë në zgjedhjet e ardhshme.

Mendoni se kemi arritur ne në këto muaj që të bindim skeptikët, apo kemi shtuar akoma dhe më shumë numrin e skeptikëve nëse Shqipëria e meriton për t’u bërë pjesë e familjes, apo për t’iu hapur drita jeshile për t’u bërë pjesë?

Unë mendoj se në këto muaj të fundit, ku Shqipëria duhet të kishte luajtur një rol shumë aktiv, sidomos me vendet anëtare kryesore. Pra në marrëdhëniet bilaterale me ta në shkëmbimin e eksperiencave, por edhe të  tregimit të saj përkundrejt rezultateve që ne mund të kishim arritur, mendoj që në politikën e jashtme ne kemi bërë disa hapa pas. Dhe kemi ulur ritmin e komunikimit me partnerët tanë.

Kjo edhe mund ta penalizojë Shqipërinë.. po të shohim në gjithë muajt e fundit nuk kemi pasur një politikë të jashtme aktive. Unë nuk kam parë të paktën një kryeministër që të vizitojë kryeqytetet kryesore të Europës, për të kërkuar me ngulm çeljen e negociatave të Shqipërisë. Kjo ka munguar.  Besoj ju e kujtoni edhe për statusin e vendit kandidat, apo për liberalizimin e vizave, është pjesë e detyrave kryesore. Është pjesë e koordinimit të punës. Pra është një proces paralel të kryesh reformat dhe të kesh zhvillimin tënd brenda në Shqipëri dhe nga ana tjetër të njohësh vendet anëtare, të komunikosh me ta dhe t’i tregosh apo të japësh një imazh tjetër të Shqipërisë në mënyrë që t’i tregosh atyre se ti meriton të kalosh në etapën tjetër që është pikërisht çelja e negociatave. Kjo ka munguar.

Ndryshimet në qeveri,  Ministrin e Ri të Jashtëm të propozuar nga kryeministri Rama. Si e shikoni znj. Gjosha?

Nuk kam bërë asnjë analizë për Ministrin e Jashtëm t’iu them të vërtetën. Jo vetëm për Ministrin e Jashtëm, por për asnjë nga ministrat. Sepse unë e njoh mënyrën sesi funksionon qeveria Rama, apo qeveria e drejtuar nga kryeministri Rama. Ai është një individ i cili kërkon t’i bëjë të gjitha. Pra është vetë kryeministër, është vetë ministër, është vetë drejtor, shef sektori, specialist. Ndaj dhe sado të ndryshojmë ne ministrat nuk ndryshon filozofia e kësaj qeverie. Sepse filozofia është vetë Edi Rama. Ndaj dhe nga momenti që ne nuk kemi ndryshuar kokën nuk ndryshon asgjë.   Pra nuk ndryshon asgjë. Nuk sjell absolutisht asnjë lloj risie, përveç se disa emra të panjohur që thjesht tashmë janë hedhur në treg për diskutim, por që nuk përbëjnë asnjë lloj zhvillimi për vendin tonë.

Po për z. Cakaj zotimet kanë qenë të shumta nga mediat greke, deri tek zërat e shumtë brenda Shqipërisë. Dhe sot ishin të mbushur titujt kryesorë të gazetave…

Për mua nuk ka rëndësi fare emri i Ministrit të Jashtëm. Për mua është e rëndësishme që Ministria e Jashtme të jetë e konsoliduar me burimet e saj njerëzore, në filozofinë e saj, në prioritetet që ajo ka, në mënyrën sesi duhet të rritet imazhi i Shqipërisë në botë. Dhe besoj që përderisa nuk është bërë në këto 6 vite të drejtimit të Edi Ramës unë nuk pres asnjë lloj ndryshimi me ndryshimin e ministrave.

Znj. Gjosha ju përmendët pak më parë zgjedhjet të cilat janë në Parlamentin Europian dhe që janë shumë të rëndësishme, sepse varet çfarë fryme do të ketë nga Parlamenti i ri që do të dalë aty. Por Shqipëria është në një proces tjetër të rëndësishme këtë vit , që janë zgjedhjet vendore. Pritet që fryma që do të shoqërojë këto zgjedhje të ketë një lloj ndikimi, apo ky është një proces tjetër?  Apo janë detaje të cilat në shumatoren e madhe ndikojnë?

Zgjedhjet kanë qenë gjithnjë një kriter për procesin e integrimit evropian. Kanë qenë gjithnjë të vëzhguara, ku mbahet shënim i gjithë procesi, standardet mbi të cilat ato zhvillohen, vota e lirë apo jo e qytetarëve, që është ende një diskutim shumë i madh, sepse ne ende diskutojmë për një reformë zgjedhore që nuk është kryer dhe që ka qenë një prioritet i madh.

Herën e fundit për habitë time, por edhe të gjithë atyre që e njohin procesin e integrimit evropian, zgjedhjet ishin një kusht. Duke pasur parasysh sesi u zhvilluan zgjedhjet e 2017 ato u kthyen në një kusht për çeljen e negociatave. Ndaj dhe unë mendoj që edhe mënyra sesi do të zhvillohen këto zgjedhje vendore do të ndikojë shumë në rezultatin që do të ketë Shqipëria për çeljen e negociatave. Ndoshta rezultati që do të ketë Shqipëria do të merret një javë para zgjedhjeve, por të mos harrojmë që të gjitha kushtet e ngritura deri atëherë për zhvillimin e zgjedhjeve besoj që do të jenë mjaftueshëm për të kuptuar nëse vërtetë ne kemi krijuar kushtet e duhura që shqiptarët të votojnë të lirë për kandidatët e tyre.

Fushata elektorale, një KQZ  e përgjysmuar, domethënë të gjitha….

Patjetër të gjitha. Ka një sërë kriteresh të vendosura nga OSBE/ODIHR që qëndrojnë në tavolinat e politikanëve, apo në komisionet adhoc të posaçme, të ngritura për reformën zgjedhore prej shumë vitesh, për më shumë se 5 vitesh tashmë.

Po Reforma në Drejtësi? Që ka qenë një nga kushtet kryesore që Shqipëria ka pasur. Jemi duke bërë hapa para për të ngritur arkitekturën e Reformës në Drejtësi, por a presin ndërkombëtartë nga ne atë që na është tërhequr gjithmonë vërejtja, pandëshkueshmëri në emra konkretë?

Është një propagandë e madhe kur ne flasim për Reformën në Drejtësi. Unë kam qenë një ndër ato partizane le ta quaj veten, ku me të vërtetë kam dashur që të kryhej një reformë në drejtësi. Por një drejtësi që do t’u shërbente qytetarëve shqiptarë dhe të ishte e barabartë për këdo. Pra nuk do të vendoste politikanin në një stad më të lartë dhe qytetarin diku më ulët apo më thjehstë për ta gjykuar. Unë besoj që gjatë gjithë këtyre viteve ne kemi devijuar nga ajo çka kemi quajtur reformë konsensuale në drejtësi, apo ajo çka u miratua me 140 vota, në Kuvendin e Shqipërisë. Sepse gjithmonë ka një mani që ata të cilët janë në pushtet, duan që te gjitha pushtetet ti kenë në një dorë, ti kontrollojnë. Ne deri diku e quajmë normale, por në fakt nuk është normale.

Në një vend demokratik ku ne duam të jetojmë dhe ku duam që ti ndajmë pushtetet dhe të kemi institucione të pavarura. Ndaj dhe ka devijuar në shumë aspekte, ka devijuar në procesin e  Vettingut, në mënyrën  e dyfishtë të standardeve të përdorura. Për mënyrën sesi janë analizuar kandidatët, sesi kanë kaluar në këtë sitë. Zgjedhja e KLP e KLGJ, e të gjitha institucioneve të reja që kërkojnë të ngrihen. SPAK-u dhe BKH janë dy nga institucionet më kryesore të Reformës në Drejtësi sepse kanë të bëjnë pikërisht dhe me nivelet e larta, pra me gjykimin e asaj shtrese të shoqërisë që deri tashmë ka qenë deri diku imune apo e mbrojtur nga drejtësia. Unë uroj që Reforma në Drejtësi të sjellë rezultatet e saj, pavarësisht se kam dyshimet e mia që përsa kohë politikanët ta kapin atë, gjithmonë do të jetë një reformë me pikëpyetje të mëdha dhe një reformë e cila nuk do ti shërbejë qytetarëve shqiptarë siç duhet.

Klima politike, është një element shumë i rëndësishëm që ndërkombëtarët të na checkojnë në fund. Cila do të jetë marrëdhënia që do të ketë LSI me Parlamentin në këtë vit të ri?

Ne u bëmë pjesë e Parlamentit,le të themi zyrtarisht në dhjetor. Kemi qenë pjesë e dy seancave kryesore ku është diskutuar dhe Vettingu në politikë, që ka qenë një nga kushtet e opozitës he për fat të keq nuk u votua, u hodh poshtë nga mazhoranca. Do të vazhdojmë të jemi pjesë e Parlamentit. Patjetër që mund të ndodhë që herë herë opozita të ketë marrëdhënie të kushtëzuar, kjo dhe për ta vendosur qeverinë apo mazhorancën , përballë një lloj kërkese llogarie le të themi, apo përgjigje që duhet ti japë opozitës dhe jo ta shpërfilli atë, nëpërmjet kartonëve shpeshherë arrogant që  ngrihen në Kuvendin e Shqipërisë. Pra duhet të jetë një marrëdhënie e cila duhet të ndryshojë. Por kjo marrëdhënie nuk mund të ndryshojë nga opozita. Ndryshon nga qeveria, është gjithmonë ajo e cila duhet të shtrijë dorën për bashkëpunim dhe për dialog drejt opozitës. Kjo nuk ka ndodhur dhe ne kemi parë gjithmonë  e më shumë, një klimë jashtëzakonisht të ashpërsuar. Madje aq të ashpërsuar sa nuk ka ndodhur kurrë në këto 28 vite që politika shqiptare të jetë kaq shumë e polarizuar saç ka qenë në këto muajt e fundit.

Muajt që do të vijnë do të jenë jashtëzakonisht shumë intensiv, sepse patjetër ne shkojmë drejt zgjedhjeve, drejt kandidaturave tona për të gjitha bashkitë e vendit. Dhe është shumë e rëndësishme që këto kandidatura të jenë të denja për qytetarët, për ata të cilët do të votojnë dhe do të besojnë pikërisht personazhet të cilët do të drejtojnë  bashkitë.

Do të jeni me Partinë Demokratike, do të jetë një koalicion i madh opozitar në këto zgjedhje dhe a jemi ne fazë diskutim emrash?

Këto janë ende çështje që po diskutohen me grupeve të punës, të përbashkëta që ne kemi si brenda LSI, ashtu dhe PD apo dhe aleatët e saj. Ndaj dhe është pak herët për të diskutuar sesi do të shkojmë drejt zgjedhjeve. Emrat për kandidatët është shumë herët. Ju e dini shumë mirë sesi ndodh në Shqipëri. Që jemi drejt momenteve të fundit kur ne zgjedhim emrat, megjithatë për shumë Bashki në vend LSI do të ketë me patjetër kandidatët e saj. Kandidatë të cilët janë më të vërtetë profesionistë të mirë, njerëz të cilët dinë ti shërbejnë komunitetit. Dhe  besoj që kjo do të jetë risia dhe më e rëndësishmja.

I keni ndezur motorët e fushatës sepse ju shohim nëpër takime të shpeshta|

Ne jemi gjithmonë të ndezur në motorët e fushatës, ndoshta dhe si një parti që e njeh mirë terrenin. Dhe që ka pasur gjithmonë një marrëdhënie shumë të veçantë me qytetarin. Është detyrë e jona të qëndrojmë pranë tyre dhe kur nuk është fushatë. Aq më tepër kur është fushatë që patjetër pastaj kthehet në normalitet.

I mendoni protestat si opsion në 2019 apo ua keni lënë grupeve të interesit siç është rasti i studentëve?

Protestat i bëjnë mirë demokracisë. Të gjitha protestat dhe aty ku duket se nuk ka një dorë politike. Gjithnjë politika është pjesë e tyre, është me anëtarët e saj, është me qytetarët të cilët besojnë të një politikë më e mirë, nëpërmjet protestave, nëpërmjet ngritjes së zërit dhe kërkimit të të drejtave të tyre. Ndaj dhe unë mendoj që protestat i bëjnë mirë demokracisë, për një Shqipëri më të mirë. Siç tha dhe Kryeministri, i japin një shuplakë shumë të mirë Kryeministrit dhe qeverisë dhe duhet ta bëjnë atë të mendohet mirë sepse mesa duket imazhi i kësaj qeverie duket drejt rrënimit muajt e fundit.

Edhe një çështje të fundit doja të prekja përsa i përket reformës zgjedhore sepse sa herë përfundojmë një palë zgjedhje në Shqipëri, nxjerrim ato problematikat dhe themi duhet të ulemi sa më shpejt në tryezë dhe të bëjmë një reformë. Është çështje vullneti për të pasur zgjedhje të mira në Shqipëri dhe a shikoni vullnet mes palëve për zgjedhje të mira në Shqipëri?

Ne mund të bëjmë reforma të pafundme zgjedhore. Ne kemi ligje shumë të mira, mund ti ndryshojmë, ti përafrojmë me ato të BE, rrisim standardin nëpërmjet ligjeve, letrave pafund. Është një zakon shumë i mirë që ne kemi. Çështja në Shqipëri nuk qëndron këtu, qëndron te shitblerja e  votës e cila është një problematikë madhorë, që rrënon çdo reformë zgjedhorë, e cila mund të kryhet zyrtarisht, apo mund të votohet nga Kuvendi i Shqipërisë . Ndaj dhe këtu përgjegjësia kryesore bie mbi qeverinë dhe institucionet shqiptare. Nëse ne do të vazhdojmë të kemi mundësinë që qeveria apo Kryeministri të përdorë institucionet për të blerë votën, për të shantazhuar qytetarët, për ti marrë atyre votën në këmbim, apo për të ofruar vende pune në administratë, në mënyrë që të marrë votën e tyre, çfarëdolloj reforme që ne të bëjmë, normalisht ka rënë.

Mekanizmi i vetëm që ne duhet të gjejmë është pikërisht kontrolli që i duhet bërë shitblerjes së votës, kontrolli që i duhet bërë institucioneve kryesore që ruajnë votën e qytetareve shqiptar dhe mbi të gjitha është policia e shtetit. Sepse është një paradoks shumë i madh. Vetëm në zgjedhjet e kaluara ne kishim Kryeministrin i cili i bëri thirrje policisë shqiptare, të hedhë kapelet pas orarit të punës dhe të mbledhë vota. Kjo do të ishte e pafalshme. Në cilindo vend të Bashkimit Europian. Prandaj dhe unë them që duhet të ndryshojmë mendësinë, mentalitetin, mënyrën  sesi ne e para përfytyrojmë qytetarin kur shkon të votojë dhe respektin që ne duhet të kemi ndaj votës së tij. Që këtu duhet të fillojë. Por që të nis kjo duhet të kemi dhe një ndryshim të elitës politike e cila ndodhet sot.

/ In News / By Elisa Piperi / Comments Off on Klajda Gjosha: Ndryshimi i ministrave asnjë lloj risie. Problemi është te ndryshimi i filozofisë qeverisëse dhe te kryeministri