Klajda Gjosha: Ne kemi detyrimin t’i kthejmë Shqipërinë shqiptarëve dhe rinisë së saj!

Fjala e Kryetares së LGI-së, Klajda Gjosha në Konventën Kombëtare të LSI-së

Përshëndetje të gjithë anëtarëve të LSI-së që kanë ardhur nga e gjithë Shqipëria. Edhe pse në një kohë të ftohtë ju keni mbushur një nga sallat më të mëdha në Shqipëri, pallatin e sporteve dhe unë ju falënderoj me zemër  që jeni këtu sot.  Ne kemi përpara një sfidë të jashtëzakonshme. Në muajt në vijim Shqipëria do të përballet me zgjedhjet lokale. Por mbi të gjitha do të përballet me një prioritet kombëtar që është pikërisht çelja e negociatave. Dhe LSI ka një detyrë të jashtëzakonshme për ta çuar këtë përpara. E treta dhe që është shumë herë më e rëndësishme, muajt në vijim janë vendimtarë. Ne kemi një detyrë dhe një borxh të madh: duhet t’i  kthejmë Shqipërinë shqiptarëve. Duhet t’i kthejmë Shqipërinë rinisë shqiptare dhe ky do të jetë misioni ynë.

Për këtë arsye ne kemi përgatitur një projekt rezolutë, e cila nuk ka vetëm konstatime të situatës në vend, por ka dhe zotime të gjithë punës sonë që do të bëjmë në muajt në vijim. Dhe unë pa humbur kohë do ua bëj ato të ditura. Në fund të kësaj Konvente, kjo projekt rezolutë do të kërkojë votë besimin tuaj, në mënyrë që të gjithë së bashku ta çojmë Shqipërinë përpara një sfide evropiane, që është për të gjithë ne.

LSI ka ndjekur me vëmendje të gjitha zhvillimet politiko sociale në vend. Dhe duke qenë se Shqipëria ndodhet përpara një sfide madhore si ajo e çeljes së bisedimeve për anëtarësim në qershorin e viteve 2019. Duke qenë se prioriteti kryesor është vazhdimësia e Reformës në Drejtësi, më transparencë dhe gjithë përfshirje, nën frymën konsensuale të 21-22 korrikut të vitit 2016. Duke qenë se dialogu politik është i minuar dhe duke pasur nevojën e jashtëzakonshme për bashkëpunim dhe konstruktivitet, ne kemi nevojë urgjente të kryejmë një luftë të pa kompromis, kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Duke qenë se konstatojmë me shqetësim largimin masiv të të rinjve shqiptarë, si pasojë e humbjes së shpresës dhe mungesës së aksesit në arsim dhe punësim, duke mos e parë më Shqipërinë si shtëpinë e tyre. Duke qenë se situata e vështirë ekonomike në Shqipëri ka mbërthyer çdo familje shqiptare, dhe kjo vërehet edhe në revoltën popullore të shprehur në protestat e njëpasnjëshme që kanë mbërthyer të gjithë vendin. Duke qenë se klima e biznesit në vend është e rënduar nga politika e taksave të larta, gjobave dhe monopoleve, duke bërë të pamundur mbijetesën e biznesit të vogël dhe të mesëm, por dhe duke krijuar një ambient të papërshtatshëm për investimet e huaja.

Duke qenë se Reforma Zgjedhore dhe gjetja e një mekanizmi efikas për parandalimin  e shitblerjes së votës, është jetik për funksionimin e demokracisë dhe legjitimitetin e institucioneve në vend  dhe duke qenë se Shqipëria do të shkojë drejt zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, LSI zotohet së bashku me ju se do të japë të gjithë kontributin e saj që Shqipëria të mos mbetet pas në rrugëtimin e saj evropian dhe që qershori të jetë muaji i çeljes së negociatave dhe për anëtarësim. Ne jemi të bindur se kjo është e vetmja rrugë që vendi të kuadratohet dhe të funksionojë brenda kornizës së ligjeve dhe rregullave si çdo vend tjetër demokratik. Ne kemi qenë dhe mbetemi promotorët dhe mbështetësit më serioz të reformës në drejtësi. Ndaj dhe nuk do të lejojmë kapjen e reformës dhe deformimin e ndryshimeve kushtetuese, konsensuale të korrikut 2016.

Krijimi i shtetit të së drejtës është një kusht, jo vetëm për procesin e integrimit evropian por edhe për një jetë me dinjitet për çdo qytetar shqiptar. Do të jemi konstruktiv në çdo çështje me ndjeshmëri të lartë nga qytetarët. Si dhe çdo iniciativë ligjore që do të përafronte Shqipërinë me BE, do të kishte mbështetjen tonë.

Prioriteti ynë madhor është të bëjmë Shqipërinë vendin ku shqiptarët ndihen si në shtëpinë e tyre sërish dhe të frenojmë në mënyrë emergjente largimin  të rinjve shqiptar nga vendi i tyre. Mbështetje të politikave fiskale që ulin taksat ne funksion të hapjes së më shumë vende pune. Ne do të mbështesim çdo reformë zgjedhore, që i jep zgjidhje fenomenit të shitblerjes së votës dhe që garanton votën e lirë të qytetarëve shqiptarë.

Lëvizja Socialiste për Integrim po reformohet së brendshmi duke mësuar nga gabimet  e saj. Në zgjedhjet e ardhshme ne do të implementojmë një proces Vettingu të kandidatëve tanë. Në mënyrë që secili nga kandidatët të plotësojë standardet e larta ku edhe të firmosë një premtim publik për të emëruar vetëm njerëz të kualifikuar në administratën publike. Duke qëndruar larg përkatësive politike. Kjo është projekt rezoluta të cilën ne ja paraqesim sot konventës kombëtare dhe unë duke iu uruar shumë suksese kam kënaqësi të veçantë të ftoj këtu përpara jush një njeri që ju e njihni, e doni e respektoni dhe e mbështesni, bashkëthemeluesen e LSI, atë që po lufton në ditët më të vështira të këtij vendi, mbi të gjitha për ta bërë Shqipërinë shtëpinë tonë, ftoj para jush Monika Kryemadhin, Kryetaren e LSI.

 

/ In News / By Elisa Piperi / Comments Off on Klajda Gjosha: Ne kemi detyrimin t’i kthejmë Shqipërinë shqiptarëve dhe rinisë së saj!