Klevi Pojana: Rinia mundet, të luftojmë për të fituar Shqipërinë e standardeve evropiane

Nënkryetari i LRI, Klevi Pojana në fjalën e tij të mbajtur në takimin me strukturat e LRI theksoi se ka ardhur momenti që t`i lihet fasada ‘Rilindjes’ së dalë boje dhe të nisë nga të rinjtë modeli i ndryshimit.

Pojana gjithashtu tha se të rinjtë sot duhet të flasin dhe të luftojnë për të fituar Shqipërinë e standardeve evropiane.

Fjala e plotë e  Nënkryetarit të LRI, Klevi Pojana në takimin me strukturat e LRI

“E duam Shqipërinë si gjithë Europa!” – ishin thirrjet e 8 dhjetori të vitit 1990, thirrje që shënuan fillimin e fundit të regjimit diktatorial në Shqipëri.

Këto thirrje nisën nga të rinjtë e atyre viteve, nga një brez i artë studentësh që sfiduan çdo limit dhe sollën në Shqipëri demokracinë.

28 vite më pas, rinia shqiptare endet rrugëve të Evropës dhe Shqipëria është ende larg ëndrrës së të qenurit si Europa ku duam të integrohemi.

Sot po u drejtohem ju anëtarë të Lëvizjes Rinore për Integrim, por nëpërmjet jush dhe çdo të riu në Shqipëri, gjendemi në një situatë tejet kritike për vendin.

Situatë që ka ngritur pikëpyetje të mëdha për të ardhmen.

Sipas sondazheve më të fundit 79% e të rinjve shqiptarë nga mosha 15 në 29 vjeç duan të largohen përgjithmonë nga vendi.

Kjo është norma më e lartë në botë dhe me diferencë të theksuar me vendet e tjera.

Është e tmerrshme të thuhet por vendi ynë lë pas dhe ato vende që gjenden ne lufte.

Varfëria, papunësia, një sistem i kapur i drejtësie, shkatërrimi i sistemit arsimor publik,  kriminaliteti, kriza ekonomike, korrupsioni i konçensioneve e PPP-ve, mungesa e sigurisë në çdo fushë ka vrarë tek shqiptarët shpresën se ky vend mund ti ofrojë një të nesërme pozitive.

Por pavarësisht të gjithave, Shqipëria është vendi ynë, vendi i të parëve tanë dhe padiskutim duhet të jetë vendi ku dhe pasardhësit tanë do të ndërtojnë jetën e tyre.

Shqipëria është e të gjithëve ne së bashku, shumë më shumë se e një grupi njerëzish që sot e drejtojnë atë.

Shqipëria i përket të ardhmes dhe e ardhmja i përket padiskutim rinisë.

Të dashur miq, ne kemi zgjedhur të jemi pjesë e një forumi rinor dhe e politikës aktive çka na obligon të ofrojmë alternativë konkurruese dhe jo thjeshte propagandë boshe.

Le t’ia lëmë fasadën ‘Rilindjes’ së dalë boje dhe le të nis nga ne modeli i ndryshimit.

Le të jemi ne iniciatorët për më shumë politika pozitive për rininë dhe vendin tonë.

Le ti shohim sfidat tona në sy dhe të besojmë fort se duke u mbështetur tek Zoti, kombi, familja dhe vlerat tona më të mira kombëtare ne mund të ndërtojmë një të nesërme më të mire.

Ne duhet të motivojmë të rinjtë anembanë vendit, në çdo gjimnaz, universitet, lagje, fshat e qytet se askund më shumë se në Shqipëri nuk vlen të ndërtohet e ardhmja jonë.

Çdo ditë e më shumë bindem se çdo brezi i takon të fitojë luftën e tij.

Gjyshërit tanë fituan luftën për çlirim, prindërit tanë fituan luftën për liri e demokraci, na takon ne të luftojmë për të fituar Shqipërinë e standardeve evropianë.

Rinia mundet, Rinia është shpresa e një kombi, prandaj na takon të jemi sot më të vendosur se kurrë për kauzën tonë.

Ju faleminderit.

/ In News / By Elisa Piperi / Comments Off on Klevi Pojana: Rinia mundet, të luftojmë për të fituar Shqipërinë e standardeve evropiane