Konventa, Vasili: LSI, gati për ti dhënë përgjigjen e merituar Ramës

Kreu i Grupit Parlametar të LSI-së, Petrit Vasili i ftuar në Fax News, ka folur në lidhje me Konventën Kombëtare të Lëvizjes Socialiste për Integrim të zhvilluar ditën e sotme.

Vasili ka thënë se konventa ishte një nevojë emergjente për ti dhënë fund kësaj qeverie që e ka futur vendin në një krizë të thellë ekonomiko-shoqerirore, teksa ka shtuar se LSI është gati për ti dhënë përgjigjen e merituar.

 Sot është mbajtur Konventa Kombëtare e LSI-së, ju keni qenë i pranishëm dhe është projektuar edhe një projekt-rezolutë. Çfarë do të jetë në përmbajtje të kësaj rezolute. Ju si do ta komentonit?

E tërë konventa dhe i tërë demonstrimi politik dhe si përmbajtje dhe si performancë, por edhe dokument politik, ishin shprehje të raportit të LSI-së, si një nga partitë më të rëndësishme në vend, në një situatë kritike, në një situatë e cila nuk pret më dhe një situatë që precipiton në mënyrë të vazhdueshme nga çasti në çast.

Një situatë e tillë kërkon jo vetëm pjekuri dhe maturi politike, por kërkon edhe një mobilizim shumë të fortë politik të njerëzve dhe të inspirimit te këta, pikërisht jo vetëm të kritikës së fortë, por edhe të prespektivës dhe shpresës.

Mobilizim, sepse ju e kuptoni që vendi ka hyrë në një krizë politiko-shoqërore nga më të thellat, praktikisht nga një krizë që përjetohet në çdo nivel dhe në çdo shtresë të shoqërisë shqiptare. Sigurisht që është demonstruar qartë që është kaq e thellë. Ju e patë që Kryeministri ka larguar 9 ministra, praktikisht një qeveri e rënë. Ndërkohë është nga ato qeveritë e shpartalluara që rrinë si një njeri, të cilit i janë thyer të gjithë kockat e trupit dhe përpiqet që të rrijë në këmbë. Si të gjithë autoritarët që edhe largimin e kanë të pështirë, por edhe largimi është shumë i afërt dhe e tërë kjo situatë kërkonte një seriozitet maksimal, pasi kemi përgjegjësi të rëndësishme dhe të patjetërsueshme në ecurinë e mëtejshme të vendit.

Dihet shumë mirë që vendi nuk është pronë e një qeverie, qeveritë janë për ta administruar, kur administrojnë mirë janë të duartrokitura dhe të mirëpritura, kur administrojnë në mënyrën më të keqe të mundshme siç është kjo qeveri, e cila ku korrupsioni dhe kriminalizimi janë si asnjë herë në historinë e një qeveria shqiptare, është momenti që ato të largohen dhe patjetër, alternativa politike që është opozita duhet të jetë e gatshme, e mobilizuar. Qoftë mobilizim organizativ, politik, njerëzor dhe të alternativës.

Sot Konventa e LSI-së kishte të gjitha elementet që i duheshin këtij momenti ndryshimi të madh, pra nga një qeverisje që bie në ndërtimin e një alternative të re për vendin.

Meqë ju më pyetët për rezolutën, rezoluta ishte e ndarë në dy pjesë. Kishte kritikën e fortë të fenomeneve sigurisht më të spikatura që shënjojnë jetën e vendit dhe kishte angazhimet e mëdha politike të LSI-së për të marrë përgjegjësitë për sipër.

Shqiptarët kanë të qartë 2 gjëra, Lëvizja Socialiste për Integrim ka bërë skanerin objektiv të fenomeneve shumë të rënda, të cilat karakterizojnë vendin dhe është e gatshme që nëpërmjet objektivave të vëna në rezolutë të marrë përsipër dhe pikërisht në ato drejtime kryesore të çoje në zgjidhjet e afërta të situatës shumë të keqe ku është vendi.

Kjo është përmbledhja në fund të ditës, ndërsa i tërë thelbi dhe këtu do merrja pak nga koha juaj, i fjalës nga Kryetarja e LSI-së zonjës Monika Kryemadhi, po ta vini re ishte pikërisht një kritikë shumë e rreptë ndaj një qeverisje dhe një mazhorancës, e cila është përpjekur të godasë në zemër dhe familjen shqiptare dhe jo më kotë Kryemadhi si asnjë herë një lider shqiptar qëndroi fort në këto elemente thelbësore, të cilat shërbejnë nga pikëpamja sociale e shoqërore shoqërinë dhe njëherazi kumtoi një kushtrim shprese shumë të fortë dhe elementet e alternativës përkatëse.

Për herë të parë ju vutë re që zonja Kryemadhi bëri publike që mbi 26 premtime të qeverise janë tërësisht, jo vetëm të pa mbajtura, por të shformuara tërësisht, dhe ajo duke i listuar tregoi përgjegjshmërinë e lartë politike të një lidere, e cila kishte aftësinë të bënte skanerin e negativitetit dhe të jepte idenë e një shprese të re, e cila është aty përpara shqiptarëve dhe nuk ka pse të humbasë momentin për ta rrëmbyer shpresën të nxjerrë vendin drejt një perspektive të re.

/ In News / By Elisa Piperi / Comments Off on Konventa, Vasili: LSI, gati për ti dhënë përgjigjen e merituar Ramës