Krijimi i SPAK, Petrit Vasili: Shqiptarët presin rezultate, jo ekzaltime servile

Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili ka reaguar mëngjesin e sotëm në lidhje me krijimin e SPAK-ut, vetëm ditën e djeshme.

Vasili ka shkruar se për shqiptarët është i rëndësishëm rezultati.

POSTIMI:

SPAK, “kremtimet” si për Arta Markun, po rezultatet?

Përshëndetjet në 360 gradë majtas e djathtas për ngritjen e SPAK si dhe ekzaltimet gati-gati folklorike për të, janë vërtet një tepri artificiale, e cila u duhet kursyer shqiptarëve.

Them u duhen kursyer shqiptarëve, pasi festa të tilla hipokrite dhe zhurmëmëdha, shqiptarët kanë parë mjaft në këto vite, ndërkohë që rezultatet janë thelluar të jenë shumë e më shumë negative.

Ekzaltim qesharak kombëtar e ndërkombetar pamë të hidhej pa kursim kur u zgjodh klonimi antikushtetues i Arta Markut si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme.

Ekzaltim kur u zgjodh KLP dhe KLGJ me kandidatë të kontestuar edhe nga vetë ONM e nderkombetarëve duartrokitës për integritetin e ulët dhe të papajtueshëm me ligjin dhe me institucionet e reja që do krijohen.

Ekzaltim sot për SPAK të ngritur në thyerje të Kushtetutës me 2 vjet e ca vonesë dhe pa numrin kushtetues me 10 anëtarë.

Po si mundet të pranohet ekzaltimi për një institucion si SPAK, që lind me shkelje kushtetuese e ligjore për të cilat s’ka as fajtorë dhe as të ndëshkuar.

Rezultatet janë prova ku dërmohen ekzaltimet artificiale.

Ekzaltimi dhe duartrokitja e zgjedhjes antikushtetuese e të turpshme të Arta Markut me 69 vota dhe qëndrimi i saj për plot dy vite i siguroi paprekshmëri absolute maxhorancës, por Shqipërisë i kushtoi shumë rëndë sepse Shqipëria është sot e treta në botë për korrupsionin, që mori revan prej pandeshkueshmërisë absolute të qeverisë dhe korrupsionit të saj të evidentuar shumë fort në të gjitha raportet ndërkombëtare, të cilat vetëm prokuroria me Arta Markun nuk i lexonin.

Kapja e drejtësisë dhe puçi i Gjykatës Kushtetuese për rrembimin e anëtarit të saj duke i rrëmbyer kompetencën e emërimit edhe Presidentit si dhe degradimi i zgjedhjes së anëtarëve të Kushtetueses në një emërim të detyruar për shkak të skualifikimit te orkestruar të shumë kandidatëve për të mbetur aq kandidatë sa ishin vendet vakante janë fakte tronditëse.

Sot askujt nuk i duhen ekzaltimet dizastroze alla Arta Marku, që çuan Shqipërinë të tretën në botë për korrupsion, që lejuan vjedhjen e Teatrit Kombëtar, skandalin e Unazës së Re ku korrupsioni arriti gjër në Amerikë e ku të gjithë paditë ndaj Kryeministrit u mbyllën rrufeshëm për faje që ai i pranonte edhe vete siç qe rasti kur i bëri thirrje policisë në zgjedhje që të bënte fushatë për partinë socialiste.

Deri më tash prova e rezultateve ka qenë një sfide terësisht e humbur dhe kapja e drejtësisë nga qeveria një fakt i pakundërshtueshëm.

Ndaj ekzaltimet servile si një film i parë dhe i stërparë nuk i duhen kujt.

Rezultatet nuk duken gjëkund. Rezultatet janë kriteri i eficencës. Rezultatet presin shqiptarët.

Të shohim rezultatet, ato flasin vetë, pastaj mbase…mund të fillojnë edhe ekzaltimet, që gjithsesi janë dhe mbeten pa asnjë vlerë për një shtet të së drejtës i cili është përditë përballë provës së integritetit në betejën me krimin e organizuar dhe korrupsionin, beteja që i ka humbur që të dyja për të keqen e shqiptarëve dhe për të mirën e qeverisë.

/ In News / By Admin / Comments Off on Krijimi i SPAK, Petrit Vasili: Shqiptarët presin rezultate, jo ekzaltime servile