Kryemadhi: 13 Prilli protesta e të gjithë shqiptarëve që duan ti japin fund tranzicionit 30-vjeçar

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në një deklaratë për mediat nga selia e LSI-së theksoi se protesta e ardhshme e 13 prillit do të jetë protesta e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Kryemadhi tha se do të jetë protesta për ti dhënë fund tranzicionit 30 vjeçar, sistemit të krimit të organizuar dhe sistemit të njerëzve të kapur për të ndërtuar sistemin e vlerave

“Demagogjia dhe propaganda boshe për të lyer fasadat e godinave të kalbura ka mbaruar.Prandaj dhe 13 Prilli do të jetë protesta e të gjithë qytetarëve. Do të jetë protesta e bizneseve të vogla, të cilët po falimentojnë çdo ditë. Do të jetë protesta e shtresës së mesme, e cila po largohet çdo ditë. Do të jetë protesta e pensionistëve, ku pensionet e tyre nuk dalin as për të paguar dritat dhe ujin, e jo më për të paguar ilaçet. Sepse po nuk pagove dritat dhe ujin përfundon në birucat e krimit të organizuar. Ndërsa kriminelët shëtisin në mes të Tiranës si zot të këtij vendi. Do të jetë protesta e studentëve, kërkesat e të cilëve jo vetëm që nuk u realizuan, por shkuan më lart, i rritën tarifat e tyre. Do të jetë protesta e atyre pedagogëve apo dhe e atyre rektorëve të cilët Edi Rama i përdori për të shuar protestën e studentëve, për të kërcënuar studentët, për të kërcënuar pedagogë që përkrahën studentë dhe tashmë i çon në dyert e Prokurorisë për tu mbyllur karrierën e tyre me turp. Do të jetë protesta e atyre mjekëve dhe infermierëve, të cilët kanë filluar kurset e gjermanishtes për t’u larguar nga Shqipërisë, sepse nuk kanë më asnjë lloj garancie për profesionin e tyre dhe për sigurinë e jetës së tyre. Do të jetë protesta e mësuesve shqiptarë, të cilët ndihen më të rrezikuar se kushdo tjetër, që janë nën efektin e njerëzve të paaftë, mediokër të arsimit shqiptar që po e shkatërrojnë  çdo ditë e më shumë. Do të jetë protesta e të papunëve, të cilët po gjejnë mënyra të trafikut të njerëzve për t’u larguar nga Shqipëria dhe për t’i çuar në ilegalitet për të punuar në vendet e BE. Do të jetë protesta e atyre nënave të veshura me të zeza, të cilat nuk gjejnë sot akoma fëmijët e tyre që janë zhdukur nga droga dhe krimi i organizuar. Do të jetë protesta e të gjithë atyre prindërve, që duan të krijojnë një të ardhme të sigurt për fëmijët e tyre. Do të jetë protesta e fermerëve dhe e blegtorëve, të cilët po vazhdojnë dhe po mbajnë me sakrifica të papara fermat e tyre edhe pse shteti i shikon si armiq. Do të jetë protesta e te gjithëve, do të jetë protesta e shqiptarëve, do të jetë protesta e të gjithë atyre njerëzve, të cilët ndihen shqiptar e duan vendin e tyre dhe duan të mbyllin njëherë e përgjithmonë këtë tranzicion të hidhur dhe të dhimbshëm prej  30 vitesh.  Do të jetë protesta e të gjithë atyre që duan të bëjnë një pakt, një pakt kombëtar, një pakt të sinqertë, ku të shikojmë në sy njëri-tjetrin për të krijuar axhendën e ardhme të Shqipërisë, një axhendë të së ardhmes së shqiptarëve, një axhendë që garanton sigurinë, garanton lirinë, garanton të drejta të barabarta, garanton një sistem drejtësie të barabartë, garanton një shëndet publik për të gjithë shqiptarët të barabartë, garanton një arsim të barabartë, garanton çdo gjë që të gjithë të jenë të barabartë përballë shtetit. Do të jetë protestë, ku të gjithë ne së bashku t’i japim fund tranzicionit dhe të ndërtojmë sistemin e vlerave dhe të përmbysim sistemin e antivlerave. Të përmbysim sistemin e krimit të organizuar, të përmbysim sistemin e njerëzve të kapur.”-tha Kryetarja e LSI-së.

/ In News / By Elisa Piperi / Comments Off on Kryemadhi: 13 Prilli protesta e të gjithë shqiptarëve që duan ti japin fund tranzicionit 30-vjeçar