Kryemadhi: Ata përfaqësojnë krimin dhe drogën. Ne përfaqësojmë familjet shqiptare

Fjala e plotë e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi në protestë

Ata  përfaqësojnë, mostrat e krimit të organizuar, shërbëtorët e trafikut të drogës, deri te argatët e tradhtarëve, të antishqiptarëve që ndodhen aty në Parlament. Ata sot më shumë se kurrë kanë frikë. Ata mendojnë se ne do lodhemi, por nuk kanë bërë një llogari. Sot këtu asnjeri nga ne, nuk përfaqëson parti politike. Sot secili nga ne përfaqëson një familje shqiptare, dy prindër, atë shqiptar që i dhimbset fëmija, shtëpia dhe vendi i tij. Sot ne jemi këtu dhe do të jemi gjithmonë sa herë shushunjat të mblidhen në seanca ne do të jemi këtu. Nuk do të lodhemi asnjëherë. Sot dua t’iu them diçka. Rama ka dështuar. Dështoi me politikat e tij. Rama dështoi me vendet e reja të punës, kur i degdisi shqiptarët si emigrantë rrugëve të Europës. Dështoi me taksat e larta. Rama dështoi me Policinë. Dhe turp më të madh nuk ka kur policia pranon vetë që ka shkelur ligjin dhe ka dhunuar qytetarët e saj. Kurrë nuk ka bërë vaki ajo që ka ndodhur në protesta e opozitës. Të helmosh motrat dhe vëllezërit e tu ka dy arsye: një ose je kriminel dhe vrasës, tjetra ose je i çmendur dhe ke hakmarrje për të tjerët. Ky njeri i ka të dyja. Ky njeri ka një problem shumë të madh, nuk e do vendin e tij dhe i urren qytetarët e tij. Ne nuk e urrejmë Edi Ramën. Në na dhimbset Edi Rama. Na dhimbset ai dhe familjarët e tij, të cilët i kanë ngelur në dorë.

Por ne nuk mund të lejojmë Edi Ramën dhe argatët e krimit të organizuar, që të varfërojnë shqiptarët dhe ti detyrojnë ata të largohen nga Shqipëria. Ne nuk do të lejojmë, kërrkënd që t’i vjedhi shqiptarët. Ka më shumë se 3 muaj që banorët e unazës së re kanë denoncuar një falsifikim, kanë denoncuar një vjedhje si ajo qe ka bërë DH Albania, e cila vodhi 18milion euro për të prishur shtëpitë tona dhe 12 milion të tjera. Kam dëshirë të dëgjojmë prokurorin shqiptare ku është me falsifikuesin e firmës së sekretarit  të shteteve të bashkuara të Amerikës. Çfarë po bënë prokuroria me Damian Gjiknurin? Çfarë po bënë prokuroria me Arben Ahmetajn që bilbilos sot në Kuvend si nuse e bukur me paratë që ka vjedhur nga buxheti i shqiptarëve! Çfarë po bën prokuroria me dosjen 339 që nuk frikëson vetëm Edi Ramën dhe shërbëtorët e tij por frikëson edhe ndonjë tjetër të hyjë në Parlament nga votat e bandave të Hamburgut! Frikëson edhe dikë tjetër, që trafiku i drogës nuk blen vetëm votat për Edi Ramën dhe Vangjush Dakon në 2017-ën por merr peng institucione, merr peng shtetin, merr peng prokurorinë. Pse frikësohet Edi Rama dhe shërbëtorët e tij me dosjen 184?! A po blen vota për të futur mandate në emër të partive të tjera në Parlament. Edi Rama dhe të gjithë patericave të drogës, jo me paratë e drogës, por edhe të gjithë buxhetin e shtetit të përdorësh he të gjithë institucionet, antidrogën dhe antikrimin, mos guxo të mendosh se mund ta marrësh peng këtë popull, mos guxo se je më i fortë se populli, Edi Rama  si trim që është nuk është në Parlament, i ka hypur avionit dhe ka ikur, por po lë viktimat e radhës të përplasen me qytetarët, po lë shërbëtorët apo të kapurit peng që të përballen me qytetarët.

Edi Rama ka frikë të përballet me opozitën. Edi Rama ka frikë të përballet me të vërtetën. Edi Rama ka frikë të shikojë veten e tij në pasqyrë, sepse do të shikojë bishën që ka brenda vetes së tij. Prandaj po u bëj thirrje. Ne do të jemi çdo seancë parlamentare këtu. Nuk do të ndalemi. Do të vijmë çdo seancë. Do të shkojmë kudo që shkojnë këta,. Edhe po të mbyllen te pallati i Perandorit, siç u mbyllën 60 vjet më parë.

Tani kam dhe një thirrje për vëllezërit tanë policë. Ne e dimë shumë mirë që ju mezi ushqeni fëmijët tuaj, mezi paguani dritat dhe ujin. Veprimin që keni bërë, që keni goditur ndaj gazetarëve, ndaj kameramanëve të cilët nuk janë protestues, por paraqesin atë që ndodh këtu, është i gabuar. Mos kujtoni që njerëzit frikësohen me gaz lotsjellës. As plumbat nuk kanë për t’i ndaluar qytetarët. Ashtu siç nuk i ndaluan në 90’, siç nuk i ndaluan në 97, ashtu nuk kanë për ti ndaluar edhe tani në 2019. Sepse e drejta është me ne, është me qytetarët, është me të rinjtë dhe të rejat, që duan të ndërtojnë shtëpinë e tyre në Shqipëri. Dhe një fjali të fundit kam,Zoti ju ruajtë ju, Zoti i ruajtë Shqiptarët, Zoti e bekoftë Shqipërinë!

 

/ In News / By Admin / Comments Off on Kryemadhi: Ata përfaqësojnë krimin dhe drogën. Ne përfaqësojmë familjet shqiptare