Kryemadhi në Kuçovë: Rruga e vetme e opozitës, përballja sy më sy me regjimin kriminal të Edi Ramës

Kryetarja e LSI-së Monika Kyemadhi takim me strukturat e LSI-së në qytetin e Kuçovës

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi zhvilloi një takim me strukturat e LSI-së në qytetin e Kuçovës. Gjatë fjalës së saj me anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së, Kryemadhi u ndal në gjendjen e vështirë në të cilin po përballen sot qytetarët shqiptarë. “Njerëzit e kuptojnë që situata është me të vërtetë shumë e rëndë, situatë e rëndë ekonomike, politike dhe situatë e rëndë e sigurisë.  Kjo vjen si rezultat i kapjes së shtetit nga krimi  ose thënë ndryshe si rezultat i licensimit të grupeve kriminale nga kryeministri”, tha Kryetarja e LSI-së, e cila argumentoi se kjo situatë vjen si rezultat i kapjes së shtetit nga krimi.

Kryetarja e LSI-së akuzoi kryeministrin se është vënë në funksion të bandave, duke shkelur ligjin, ndërkohë që politikën po e përdor si kamxhik mbi qytetarët e pambrojtur. “ Sot ne kemi një problem shumë të madh me ekonominë shqiptare. Kemi një ekonomi të monopolizuar në tre duar dhe kjo vjen si rezultat i lidhjes apo komunikimit të kryeministrit me një grup të caktuar. Ne nuk kemi nevojë për një politikë që punon dhe iu shërben bandave për të shkelur ligjin dhe për ti mbrojtur ata dhe një politikë që përdoret si kamxhik ndaj qytetarëve të cilët nuk kanë asnjë lloj përkrahje”, theksoi kryetarja  e LSI-së.

Kryemadhi tha se  shqiptarët po largohen nga vendi për shkak  të frikës dhe pasigurisë.

Mbajmë vendin e parë në Francë para sirianëve për azilkërkues. Ne nuk është se kemi një luftë këtu si ndodhi lufta në  Siri por në fakt luftë më të egër dhe më të poshtër sesa shpërngulja e shqiptarëve për shkak të frikës dhe të pasigurisë dhe të pamundësisë nuk ka. Sot shqiptarët nuk kanë shpresë”, theksoi Kryetarja e LSI.

Duke folur për pozicionimin e opozitës, Kryemadhi tha se tashmë opozita nuk mund të jetë alibia dhe fasada e kryeministrit Rama në parlament, por se rruga e saj e vetme është përballja sy më sy, me atë çka ajo e quajti regjim kriminal.

“ Tashmë ne si opozitë që të bëhemi alibi e Edi Ramës në parlament nuk ka më asnjë vlerë, që të jemi thjesht një mburojë që të themi ka demokraci, se ja opozita është në parlament,bën sikur flet, ne bëjmë sikur i dëgjojmë dhe ngremë forcën e kartonit dhe votojmë. Rruga e opozitës tashmë është vetëm një. Përballja  sy për sy me këtë regjim kriminal”, tha Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.

Ndërkaq në fjalën e tij në këtë takim, deputeti i LSI-së Nasip Naço u ndal te Reforma në Drejtësi, për të cilën akuzoi mazhorancën e cila tjetërsoi qëllimin final të kësaj Reforme, duke u mohuar shqiptarëve mundësinë për të qenë të gjithë të barabartë përpara ligjit. “Kjo reformë rrugës u tjetërsua dhe u anashkalua qëllimi i saj final për të patur një drejtësi për të gjithë. dhe të gjithë të jenë të barabartë përpara ligjit. Deputetët e Rilindjes mendojnë që të vënë gjithë se kush njeriun e vet për ta patur nesër nga proceset e mundshme që do të vijnë nga Byroja Kombëtare e Hetimit apo nga SPAK-u. Sepse mendojnë që duke kapur këtë institucion nesër të thonë po hajde për çdo gjë të ballafaqohemi në gjykatë”, tha deputeti i LSI-së, Nasip Naço.

/ In News / By Elisa Piperi / Comments Off on Kryemadhi në Kuçovë: Rruga e vetme e opozitës, përballja sy më sy me regjimin kriminal të Edi Ramës