Kryemadhi në Opinion: Edi Rama është i rrëzuar. Ne të vendosur përkrah qytetarëve.

Pjesë nga intervista e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi në ‘Opinion’

 Ditën e sotme keni zhvilluar një takim me përfaqësues të Ambasadës Amerikane. Çfarë po bëni?

Mund të them që kemi vendosur për të qenë qytetarë të lirë, për të mos qenë fasadë e një institucioni të kapur dhe ajo ç’ka mund të jetë shumë interesante është beteja e një shumice të shqiptarëve përballë kapjes së shtetit…

Si e llogarisni shumicën ju znj. Kryemadhi?

Në fakt kemi disa kute matëse, janë dy gjëra të ndryshme. Si të dojë Rama apo edhe institucionet e tjera, në daç në numra matematikorë porsa i përket numrit të votave apo pozicionimeve politike të partive. Në bazë të votave të 2017, z. Rama ka vetëm 48% të votave, ku këtu përfshihen edhe votat e Avdylajve që ka blerë në Durrës, edhe votat e Habiljave që ka blerë në Vlorë e Tiranë, edhe votat e Barjave në Shkodër, edhe votat e Ndokajve në Lezhë, e kështu me radhë.

Rama po bën ironi nëpër Shqipëri, duke i kujtuar LSI-së blerjen e votave. Sipas tij, nëna e blerjeve të votave në Shqipëri është LSI-ja…

Ka një problem shumë të madh. Nuk ka asnjë raport të OSBE Odhir, sipas z. Rama, sepse kjo është edhe oratoria apo monologu që ai i shpërndan institucioneve ndërkombëtare, nuk ka asnjë raport ku akuzohet LSI për blerjen e votave. Përkundrazi, ka një raport të OSBE ODIHR, ku është një paragraf me denoncime nga LSI dhe PD për shit-blerjen e votës. Është edhe një gjë tjetër që mund të them. Ka dhe një vendim gjykate të përpara disa ditësh, ku drejtori i OSSHE-së në Vorë, është dënuar për dy vjet heqje lirie për shkak të blerjes së votës nga PS-ja. Nuk ka asnjë denoncim të PS-së ndaj LSI-së, as të ndonjë partie tjetër demokratike ndaj LSI-së për shitblerjen e votave.

Rama i referohet një rasti kur mediat ju kanë kapur me një zarf në Lezhë që qarkullonte dorë më dorë znj. Kryemadhi…

Kjo është qesharake, sepse kam dhe foto të Fadil Nasufit ku në një familje romësh, kishte vendosur 10 mijë lekëshin te filxhani i kafesë. Për këtë gjë, zoti Rama mund të çojë për ndjekje penale z. Viktor Tusha, meqenëse unë nuk e di se si mund të blihen votat te kandidati i LSI-së, që ishte rrahur nga PS-ja.

Rama është shprehur dhe e ripërsëriti edhe në një intervistë të djeshme me “Porta a Porta” në Itali, që janë zgjedhjet e para ato të 2017, ku KQZ-ja ka certifikuar 7 me 0 rezultatin dhe ku Kolegji Zgjedhor, sipas atij, nuk ka gjykuar asnjë çështje…

Mos të harrojmë që për herë të parë në historinë jo vetëm të Shqipërisë, por mund të them edhe në Europë, që Prokuroria shqiptare certifikon në përgjime zyrtare përdorimin e bandave të krimit të organizuar për blerjen e votave të partisë që është në pushtet.

Duhet t’ia kërkoni Prokurorisë…

Po flasim për një prokurori që nuk e dimë se ku është, një Prokurori e cila ka dy vite që ka mbajtur peng Dosjen 339, e cila bëhet prezente nga institucionet mediatike ndërkombëtare. Për Dosjen 184, për shitblerjen e votës në Bashkinë e Dibrës. Atëherë mund të themi disa gjëra të cilat janë shumë të rëndësishme. E para kemi një kapje të të gjitha institucioneve, kemi një shkatërrim të sistemit të drejtësisë.

Nuk është hera e pare…

Ka ndodhur në 97, ku u vranë 3000 shqiptarë dhe prandaj kemi ardhur sot në këtë moment u opozita shqiptare, për të mos vendosur shqiptarët përballë luftës dhe konfliktit social por dhe të armatosur, mori një vendim ekstrem i cili e ndan dhe distancon konfiliktin social dhe fizik midis njerëzve, të cilët do të përballen nesër pasnesër me ata të cilët janë kapur.

Kemi zgjedhjet e 2001, kur bashkëshorti juaj ka qenë Kryeministër kur u ndërruan 18 zona me vendim të Gjykatës Kushtetuese që merrte vendime në mënyrë arbitrare. Janë bërë masakra elektorale shumë të mëdha sesa përgjimi i katër vetave…

E para duhet të rregulloni gjuhën, nuk mund të thoni bashkëshorti juaj, sepse a qenë Kryeministër, mund të thoni ish-Kryetari i LSI-së ose përfaqësuesi i PS. Por di tu them diçka, nuk është kjo që thoni ju. Zgjedhjet e 2001 kanë të bëjnë me dushkun e cila nuk krijonte mazhorancë, për krijimin e qeverisë, nuk i jepte të drejtën PS për të zgjedhur Presidentin që duhej me 84 vota.

Janë ndërruar mandate me vendim të Gjykatës Kushtetuese…

Këtë nuk mund ta them, kjo është një Gjykatë Kushtetuese, unë pranoj çdo vendim të Gjykatës Kushtetuse por krijojeni sepse kemi 2 vjet pa Gjykatë Kushtetuese. Çojeni dhe ju dhe ta vërtetojë Gjykata Kushtetuese dhe unë po ta pranoj që votat e Avdylajve nuk e kanë tjetërsuar votën e shqiptarëve. Pra ka dy vjet që ne nuk kemi asnjë sistem gjyqësor që ti jape opozitës të drejtën, apo ti thotë që e ke gabim apo ke të drejtë. Mos të harrojmë që Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë Xhorxh Bushit përballë Algorit dhe pse Algori pretendoi që ishin vjedhur votat në Florida. Dhe ne jemi sot këtu nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese. Nuk është përgjegjësia jonë sepse ne si LSI, i kemi bërë të qarta qëndrimet tona, kemi dhënë votat tona, por për të kapur dhe për të mos krijuar një Gjykatë Kushtetuese, e cila nuk do ta lejonte opozitën për tu ankimuar për të gjitha vendimet e paligjshme, qoftë për ligjin e Teatrit, qoftë për ligjin e dividentit, qoftë për projektet nga më të ndryshmet që vijnë në Parlament në mënyrë të parregullt dhe na sjellin sot këtu ku jemi.

Opozita mori një vendim që u duk shumë radikal dhe që nuk ka ndodhur në këto vite. Keni qenë dakord që në fillim apo ishte PD që tërhoqi LSI?

Jo. Mund të themi që ideja e djegies së mandateve ka filluar dhe është artikuluar për here të pare nga z.Berisha. Më pas është mbajtur si ritëm nga analistët dhe nga mediat, por ne kemi pasur shumë debate midis LSI dhe PD, për djegien e mandateve dhe erdhëm në momentin që ramë dakord të gjitha palët bashkë mbasi ne konsumuam çdo element institucional. Sepse historia e djegies së mandateve ka filluar diku nga nëntori-dhjetori i 2017, pra dy tre muaj pas kësaj që kur vinte zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm në mënyrë flagrante shkelja e ligjit pra me 69 vota. Kemi pasur vështirësi shumë të mëdha dhe një lojë jo të ndershme nga të dyja palët. Mbasi ezauruam çdo institucion, mbasi tentuam për të kthyer Parlamentin në një institucion funksional, ku më pas nuk ngeli më gjë tjetër veçse arroganca dhe shkelja flagrante e Kushtetutës dhe e rregullores së Parlamentit. Nuk kishte më gjë tjetër sepse qëndrimi i deputetëve të opozitës në Parlament do të na bënte bashkëfajtorë në kapjen e shtetit.

Znj. Kryemadhi ju e dini që në Parlament kanë ndodhur gjëra shumë të rënda. Është qëlluar edhe me armë. Azem Hajdari është plagosur në sallën e Parlamentit. Ka pasur grushte, përplasje. A e justifikon thjesht faktin që ju nuk e quani funksional parlamentin dorëzimin e mandateve?

Së pari, personat që kanë bërë vepra të tilla janë dënuar. Ndërsa disa të tjerë kanë kaluar një proces gjyqësor, ka pasur përjashtime nga grupet parlamentare, pra ka pasur disa reagime. Por më thoni çfarë reagimi ka pasur nga parlamenti ku jo vetëm që nuk zbatohet rregullorja, jo vetëm që nuk i jepet e drejta fjalës së opozitës.

Megjithatë a e përligj kjo dorëzimin e mandateve znj. Kryemadhi?

Po unë fjalën kam. Kur ti më heq të drejtën e fjalës me forcën e kartonit, kur ti përjashton anëtarin e delegacionit të opozitës, në rastin konkret Klajda Gjoshën, sepse përveçse nuk arrin dot të përballesh në argument në institucionet e Brukselit, gjen të vetmen mënyrë për të përjashtuar përfaqësuesin e LSI-së. Kur nuk më jep të drejtën të përfaqësohem në institucionet ndërkombëtare, kur nuk më jep të drejtën të shprehem, kur nuk më jep të drejtën të ushtroj atë pak autoritet si opozitë, cili është qëndrimi ynë? Për të thënë ty që ekziston parlamenti dhe ai është legjitim…?

Ku do shkoni me këtë vendim? Ndërkombëtarët i keni kundër…

Dua të bëj një sqarim. Procesi i integrimit evropian të Shqipërisë tashmë nuk është më në dorë të Komisionit Evropian, është në dorë të Parlamenteve të vendeve anëtare të BE-së, sepse KE ia ka dhënë tre herë mundësinë Shqipërisë për hapjen e negociatave, por kanë qenë disa shtete që kanë dalë kundër.

Por ne i kemi hapur negociatat…

Po sipas Edi Ramës dhe Knut Fleckenstein ne i kemi hapur negociatat, jemi anëtarë me të drejta të plota të BE-së.

Fleckenstein ju ka bërë të mos pengoni integrimin e vendit…

Së pari në takimin që ne patëm aty kishte hall a kishte a nuk kishte program Partia Demokratike për zgjedhjet. Dhe e dyta, kur u hap çështja e dosjes 339, u çua nga tavolina dhe iku, doli.

Përse?

Nuk e di, di të them që edhe kur përmenda bandat e trafikut të drogës, po përsëri ajo mesa duket e irritoi më shumë se ç’duket. Të mos harrojmë që është eurodeputet nga Hamburgu dhe ndoshta ka qenë ndonjë premtim i z. Rama që gjithë kontingjenti i z. Rama që punon dhe jeton në Hamburg t’i shërbejë z. Fleckenstein me vota.

E keni analizë, hamendje apo keni informacione?

Kam përshtypjen që kështu funksionon.

Një tjetër deputet tha që ju ishit shprehur që ne e kemi marrë vendimin, nëse nuk e kuptoni është problemi juaj, jo yni…

Ne kemi marrë vendimin për të luftuar krimin e organizuar. Stabiliteti i krimit të organizuar në Shqipëri destabilizon Evropën. Ne e kemi marrë vendimin tonë, nëse ju nuk e kuptoni që destabiliteti i krimit të organizuar krijon paqe për shqiptarët, është problemi i tyre.

Ku do shkoni më tej? Cilat janë hapat e ardhshëm?

Këtu është çështje qëndresë dhe vendosje në parime. Ajo që dua të them dhe që e ndan përfundimisht këtë opozitë nga kapja e këtij pushteti është pozicioni në kornizën e drejtë të saj për të krijuar një shtet, jo një lider të fortë. Për të krijuar një sistem të fortë që shërben pa dallime ndaj qytetarëve. Ne jemi të vendosur në krah me qytetarët.

Si do ta rrëzoni ju Edi Ramën?

Edi Rama mund të mendojë që ne nuk e rrëzojmë dot. Ai do të përballet me qytetarët. Ajo që bëri opozitën të marrë një vendim kaq ekstrem ishte që përballja e një të sëmuri, i cili kërkon të marrë me vete çdokënd tjetër që mund të jetë më mirë se ai, kërkonte një vendim ekstrem. Ke dhe dorëheqjen e Fatmir Xhafës, ke dhe dorëheqjen e Saimir Tahirit, i vetmi njeri që nuk dorëhiqet përballë drejtësisë është Edi Rama.

Dhe si do ta rrëzoni ju Ramën zonja Kryemadhi? Mendon se është i qetë. Po krijon një Parlament edhe nga listat tuaja dhe nga të PD-së dhe nga listat e partive të tjera.

Le ta bëjë dhe Parlamentin me 148 deputetë. Këtu nuk është më puna ke numri i deputetëve, por është ke çështja në parime. Vendosja në parime është ajo që të jep të drejtën. Unë po ju them diçka zoti Fevziu, vetëm 2 vitet e fundit pas vitit 2017-ës, e dini ju sa është largimi i shqiptarëve nga Shqipëria

Diku tek 300 000 – 400 000.

Jo është 270 000 sepse 480 000 është që nga 2016. Pra janë 270 000 shqiptarë dhe janë mosha më aktive. Por këta nuk janë njerëz që po lëvizin si qytetarë të lirë nëpër Europë. Këta janë njerëz që po ikin, po shesin të gjitha pronat e tyre dhe po iki nga Shqipëria për të mos u kthyer më.

Dhe mjekët italian po ikin në Gjermani dhe Britani sepse paguajnë më shumë.

Më falni por po i shesin pronat mjekët italian? Po i lëshojnë pasaportat italiane mjekët italian? Jo. Ndërsa këtu shqiptarët po shesin pronat, mjekët italian po ikin po punojnë më kontrata pune në Gjermani apo dhe në Angli, ndërsa shqiptarët nuk po ikin me kontrata pune, shqiptarët po ikin si azilkërkues me tenda në xhunglat e Europës duke qëndruar me fëmijë me katandi sepse nuk ka shans tjetër. Tani këtu faji i opozitës është apo është faji i këtij njeriu që është? Për mua problemi kryesor është Edi Rama.

Fakti që ju qani për shqiptarët që ikin nuk e rrëzon Edi Ramën.

Nuk është ajo, por mund t’i organizosh shqiptarët shumë mirë për ta rrëzuar Edi Ramën. Edi Rama nuk rrëzohet duke bërë ne protesta paqësore. Ne po sensibilizojmë opinionin publik dhe po e sensibilizojmë dhe zotin Rama.

Pra jeni të bindur që nuk mund ta rrëzoni Ramën me protesta?

Ne e menaxhojmë në mënyrën më stoike urrejtjen e qytetarëve ndaj Edi Ramës dhe klikës së tij.

Ju jeni e sigurt që ka urrejtje zonja Kryemadhi?

Ka urrejtje dhe neveri.

Po në qoftë se Rama organizon militantët e tij dhe kthehet në një përplasje civile?

Unë jam e gatshme të tërhiqem totalisht nëse Zoti Rama mbledh njerëzit që mblodhi opozita në 16 shkurt në bulevard.

Jeni e gatshme të ikni nëse Rama arrin të mbledhë të njëjtët qytetarë?

Po unë iki nga politika. Edi Rama nuk i mbledh dot dhe unë prapë me gjithë infrastrukturën që zoti Rama mund t’ia krijojë qytetarëve të tij për t’i sjellë dhe suportuesve të tij. A e dini ju se dje kanë qenë të gjitha rrugët e Tiranës dhe nuk hynte dot njeri në Tiranë? Dhe dje në protestë ka qenë Tirana. Edi Ramën nuk e tmerrojnë 10 000 apo 20 000 qytetarë që vijnë nga Shqipëria, Edi Ramën e tmerron dalja e qytetarëve të Tiranës në rrugë. Thotë Rama në disa intervista që ka disa qytetarë që nuk më duan mua, fshati nuk më do. Ku ka fshat? Me thoni ku ka fshat sot? Protesta te studentëve Rama i quajti protestat e Monikës nëse e mbani mend dhe pastaj doli që nuk është e Monikës, por doli që ishte protestë studentore. Rama e quan që është protestë e pallatit në qoftë se janë 100 000 qytetarë në rrugë. Po le t’i mbledhë dhe Edi Rama 100 000 qytetarë se vetëm administratë publike ka 160 000.

Si do ta rrëzoni Ramën?

Rama është i rrëzuar sepse mjafton të shikoni cili institucion sot punon.

S’punon, vazhdon ta shtyjë kështu.

Si do të ndodhë? Është i rrëzuar. Ne do të vazhdojmë të bëjmë sensibilizimin tonë publik. Protesta e 16 marsit do të jetë një imazh tjetër. Më pas do të ndodhë siç ka ndodhur për të gjithë diktatorët. Për të gjithë autokratët që kanë kapur shtetin. Do të ketë sensibilizim, por do të jetë shumë vonë. Do të jetë shumë vonë sepse dua t’iu kujtojë proces verbalin e gjyqit të Avni Rustemit në qoftë se e mbani mend në Paris kur tha Europa e dëgjoi Shqipërinë pasi u dëgjuan kërcitjet e pushkëve.

Kështu ka ndodhur gjithmonë.

Ne nuk duam të jetë kështu. Dhe kjo është një nga arsyet që opozita mori përgjegjësinë që qytetarët të mos shkojnë drejt përplasjes trup më trup me ta. Djegia e mandateve ishte një shfryrje ndaj kësaj gjëje për të vënë në sensibilizim dhe Parlamentin duke filluar nga zoti Ruçi që është Kryetari i Parlamentit dhe të gjitha institucionet e PS-së se nuk mund të marrë peng një individ dhe një grup i caktuar njerëzish PS-në, nuk mund të marrë peng Parlamentin dhe nuk mund të marrë peng qeverinë, nuk mund të marrin peng të gjithë institucionet dhe reformën në drejtësi një grup i caktuar njerëzish.

Si do ta rrëzoni Znj. Kryemadhi?

Këto janë hapa që do të vijnë hap pas hapi…

Çfarë hapash do të merrni?

Është protesta e 16 marsit, pas protestës së 16 marsit ka hapa të tjera…

Pretendoni se më 16 mars do të ketë më shumë qytetarë se sa me 16 shkurt?

Patjetër që do të ketë më shumë, të jeni të bindur.

Do të jetë sërish një protestë gjysmë shëtitje apo do të ketë tensione?

Edhe pse kërcënimet të cilat po bëhen hap pas hapi dhe çdo ditë duke kapur dhe duke uzurpuar çdo institucion shtetëror dhe duke kërcënuar qytetarët e thjeshtë, kjo nuk ka për ti ndalur qytetarët.

Çfarë do të ndodhi me protestën, do të jetë një protestë disaorëshe dhe do të kthehet sërish mbas?

Ajo është në diskutim e sipër sepse…

Pra ka disa skenarë në tavolinë?

Sigurisht që ka disa skenarë Z. Fevziu, ne kemi ardhur këtu në këtë moment ku jemi sot mbas një ezaurimi të të gjithë institucioneve, mbas një ndjekje hap pas hapi të konsultimeve, të përqasjes, të sjelljes…

A rrezikon znj. Kryemadhi të ndodhi e kundërta mos të rritet masa e protestuesve por të rritet masa e atyre që mërziten nga kjo situatë dhe kthehen në shtëpi? Duke i lënë më shumë fuqi Ramës?

E para, ajo çfarë unë dua të them Z. Fevziu, mos e harroni që kishim një protestë dy mujore të studentëve e cila ishte ne momente shumë më të vështira. Mos harroni që sot nuk janë akoma studentët studentët në shesh sepse plani për universitetin apo pakti për universitetin nuk ka realizuar asgjë, pra i ka mashtruar.

/ In News / By Elisa Piperi / Comments Off on Kryemadhi në Opinion: Edi Rama është i rrëzuar. Ne të vendosur përkrah qytetarëve.