Kryemadhi: Ngjarja e rëndë e Rinasit, tashmë është bërë një provë e qartë e dështimit të qeverisë

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në deklaratën e dhënë për mediat komentoi ngjarjen e rëndë të ndodhur në Aeroportin e Rinasit. Kryemadhi tha se kjo ngjarje katronditur jo vetëm qytetarët shqiptarët, ku tregon pasigurinë, por ka tronditur dhe sigurinë në të gjithë rajonin.

“Më lejoni që në emër të LSI-së të mbaj këtë qëndrim zyrtar përsa i përket situatës në vazhdim në vendin tonë. Ngjarja shumë e rëndë e Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit ka tronditur jo vetëm qytetarët shqiptarët, ku tregon pasigurinë, por ka tronditur dhe sigurinë në të gjithë rajonin. Sepse nëse një aeroport ndërkombëtar, i një vendi anëtar të NATO-s, mund të hyhet dhe mund të cenohet në mes të ditës nga bandat e krimit të organizuar është cenim i sigurisë kombëtare, por edhe cënim i sigurisë rajonale. Sot qytetarët shqiptarë ndihen të pasigurt, sepse Aeroporti Ndërkombëtarë i Rinasit, që duhet të jetë vendi i parametrave më të larta të sigurisë, paraqitet si një objekt i atakueshëm nga kriminelët sa herë që u duhet atyre për ta atakuar këtë institucion, por edhe sa herë që atyre u duhen para për tu bërë gati përpara zgjedhjeve të rradhës. Ndihen më shumë të pasigurtë qytetarët shqiptarë sepse kanë përballë një qeveri, e cila në vend që të marrë përgjegjësitë e saj që rëndojnë mbi të, fillon dhe justifikohet si gjithmonë. U ikën përgjegjësive të saj me një sjellje, cila jo vetëm nuk inkurajon qytetarët, por i dekurajon ata, në mënyrë të tillë duke u dhënë forcë, pushtet dhe mbështetje kriminelëve të cilët nuk ndihen aspak të rrezikuar nga forca e ligjit, por ndihen të mbështetur dhe të përkrahur nga qeveria dhe policia e saj, e cila sot “merr përsipër” për të mbrojtur qytetarët shqiptarë. Qytetarët e thjesht ndihen krejtësisht të pasigurt, sepse nuk shohin askënd që të jetë larguar nga detyra, apo të jetë hetuar, apo të jetë thirrur nga Prokuroria. Por përkundrazi qytetarët shqiptarë shohin që arrestohen nga Prokuroria, thirren nga Prokuroria ata të cilët luftojnë për të mbrojtur shtëpitë e tyre, të cilat i kanë ndërtuar me gjak, me djersë dhe kanë mbi 27 vjet që i paguajnë taksa shtetit shqiptar. Të gjithë vazhdojnë t’ja hedhin fajin njëri-tjetrit, nga ministri, nga drejtorët, nga policia, nga konçensionarët e kështu me rradhë, duke bërë deklarata boshe dhe duke bërë demagogjinë e rradhës. Një ngjarje e tillë e rëndë, që përsëritet vazhdimisht në këto vitet e fundit sa herë që kriminelët duan të hyjnë, të sulmojnë dhe të grabisin, tashmë është bërë një provë e qartë e dështimit të qeverisë. E dështimit të kësaj qeverie, që nuk përfaqëson qytetarët shqiptarë, nuk përfaqëson as Partinë Socialiste, por përfaqëson bandat, krimin e organizuar, trafikun e drogës. Kjo qeveri tashmë nuk është gjë tjetër veçse një provë e pandëshkueshmërisë së të gjithë këqijave të këtij vendi, duke filluar nga varfëria, nga korrupsioni, nga krimi i organizuar dhe nga kapja e shtetit në dorë të pesë vetëve, që në krye kanë kryeministrin e tyre Edi Rama. Shqiptarët nuk duan të dëgjojnë më, “po ndodh kështu si në të gjithë botën”, “bëhen dhe filma dhe në Hollivud me ngjarje të tilla”. Shqiptarët meritojnë siguri, shqiptarët meritojnë vëmendje, shqiptarët meritojnë punë, shqiptarët meritojnë që fëmijët e tyre të jetojnë në Shqipëri, të ndërtojnë të ardhmen e tyre dhe ta kenë Shqipërinë shtëpinë e tyre.”-tha Kryetarja e LSI-së

/ In News / By Elisa Piperi / Comments Off on Kryemadhi: Ngjarja e rëndë e Rinasit, tashmë është bërë një provë e qartë e dështimit të qeverisë