Kryemadhi: Përballja jonë vetëm me Sektin Kriminal të Rilindjes, i cili është kthyer në rrezik për rajonin dhe Europën

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi gjatë takimit të zhvilluar me anëtarët e Komitetit Drejtues Kombëtar të LRI-së, u ndal në zhvillimet e fundit politike.

Ajo theksoi se sot opozita është përballë një grusht njerëzish, të cilët nuk përfaqësojnë ideologji politike, por përfaqësojnë ideologjinë kriminale.

Kryemadhi tha se nuk ka një përplasje me Europën dhe me ndërkombëtarët, por se sipas saj:

“Përplasja jonë ka të bëjë me këtë sekt kriminal, ka të bëjë me këtë krim të organizuar, që ka kapur ekonominë shqiptare, ka kapur drejtësinë shqiptare, ka kapur shtetin, qeverinë, institucionet shqiptare”. Kryetarja e LSI-së theksoi se ky sekt kriminal pasi ka ndërtuar kështjellën mbrojtëse në Shqipëri, po kthehet edhe në rrezik për rajonin, por edhe për Ballkanin. “ Sot jemi përballë një grushti njerëzish, të cilët nuk përfaqësojnë ideologji politike, por përkundrazi përfaqësojnë ideologji kriminale, përfaqësojnë grupe të caktuara kriminale, përfaqësojnë trafikun e drogës, përfaqësojnë trafikun e drogës, përfaqësojnë krimin e organizuar, i cili pak nga pak ka ndërtuar kështjellën e tij mbrojtëse në Shqipëri, në mënyrë të tillë për të shtrirë falangat e tij në të gjithë rajonin, por edhe në të gjithë Europën.

Në fakt përplasja jonë nuk ka të bëjë as me Europën, as me ndërkombëtarët dhe as me njeri tjetër. Përplasja jonë ka të bëjë me këtë sekt kriminal, ka të bëjë me këtë krim të organizuar, që ka kapur ekonominë shqiptare, ka kapur drejtësinë shqiptare, ka kapur shtetin, qeverinë, institucionet shqiptare”, tha Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi. Kryetarja e LSI-së theksoi se çdo ditë e më shumë po rritet neveria ndaj këtij grupi kriminal që ka kapur shtetin. Ajo tha se protestat do të vazhdojnë, dhe se njerëzit nuk do dalin në protesta për partitë politike, por për hallet dhe shqetësimet e tyre. “Ajo që të bën përshtypje është që neveria është jashtëzakonisht e madhe për këtë grup njerëzish të cilët kanë kapur shtetin. Neveri e cila pak nga pak po kthehet në urrejtje, pak nga pak do të kthehet edhe në një përplasje sociale.  Mos mendoni që nesër apo pasnesër apo edhe në një të ardhme njerëzit do të tolerojnë që të vendosë dikush për fatet e tyre, apo për të ardhmen e tyre. Shqiptarët janë një popull i vogël, janë një popull i varfër, por për tu nënshtruar e kanë pasur të vështirë për tu nënshtruar. Edhe kur kanë ulur kokën, sepse nuk kanë qenë bashkë, sot më shumë se kurrë shqiptarët janë bashkë. Pa dallim bindjesh politike apo përkatësie fetare, por janë bashkuar të gjithë bashkë dhe nuk kanë dalë as për një parti politike apo për një tjetër. Kanë dalë për ekonominë e tyre, të familjeve të tyre, kanë dalë për fëmijët e tyre”, tha Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.

/ In News / By Admin / Comments Off on Kryemadhi: Përballja jonë vetëm me Sektin Kriminal të Rilindjes, i cili është kthyer në rrezik për rajonin dhe Europën