Kryemadhi: Rama po çon për skrap Shqipërinë, po çon për skrap të rinjtë shqiptarë që po ikin të punojnë si skllevër rrugëve të Europës.

Intervista e Kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi për emisionin “Të Paekspozuarit” në News 24

Znj.Kryemadhi cili është komenti juaj në lidhje me deklaratat e Kryeministrit Rama, i cili tha se do ta çojë opozitën për skrap? 
E para njëherë, do të kisha dëshirë që z. Rama të mos e çonte Shqipërinë për skrap. Hallin e opozitës të mos e ketë, se opozitën nuk e voton ai, por e votojnë qytetarët dhe i japin të drejtën nëse duhet të jenë në Parlament apo jo. Problemi më i madh që kemi ne sot, është se ky zotëri po e çon për skrap Shqipërinë, po çon për skrap të rinjtë shqiptarë që po ikin të punojnë si skllevër rrugëve të Europës. Po shkatërron burimet natyrore të Shqipërisë duke i dhënë me koncesione. Po shkatërron çdo element njerëzor, qoftë në ekonomi, qoftë në siguri, qoftë në politikë, qoftë në drejtësi. Pra ku ka vënë dorën ai është si më qenë shejtani që djeg dhe zhurit çdo gjë. Për sa i përket dëshirave të Edi Ramës, sigurisht që dëshirat e tij janë mjaft perverse dhe këtë e ka treguar edhe rrethi i tij shoqëror. Normal që edhe fjalët të dalin nga goja e tij, nuk është se kemi ndonjë gjë të re. Është bërë shumë demode me fjalë të përsëritura. Është bërë një njeri që nuk krijon më asnjë lloj interesi dhe aq më shumë një Kryeministër që mund të ngjalli shpresën apo dëshirën për të ecur përpara për të bërë diçka të re.
Znj. Kryemadhi, protestat tuaja javore duken që kanë një tkurrje. Aq e dukshme është kjo saqë me zor prisni që të dalin studentët përsëri kur ata i kishit në dhjetor. Keni një përgjigje?
E para, unë nuk do ta shikoja si tkurrje, sepse nuk ka më rëndësi se sa veta janë. Edhe sikur një njeri i vetëm të dali të protestojë nuk ka asgjë të keqe. E dyta, sigurisht që gazetarëve dhe mediave iu interesojnë që protestat të jenë të dhunshme, sepse normal duan të mbushin boshllëkun që krijohet nga propaganda dhe makineria e propagandës, sikur Shqipëria po jeton si një vend skandinav, me një begati shumë të madhe. Meqenëse qenka protesta e opozitës, ju duhet të jeni shumë të kënaqur që keni antimitingjet e z. Rama. Ju e patë antimitingun e tij të 16 shkurtit në Vlorë, ishin me “miliona” shqiptarë të sheshi Nënë Tereza me 6700 karrige edhe atë të administratës. Por ka një problem tjetër që ajo që shqetëson më shumë është fakti që unë sapo kam zbritur sot nga Malësitë e Dibrës, kam qenë në Kala të Dodës, kur përveç varfërisë që tashmë është bërë normale dhe në mes të Tiranës, ajo që kam parë unë është që atje në 27 fshatra unë gjeta vetëm një të ri që ishte 30 vjeç, i cili nuk mund të ikte dot jashtë vendit për shkak se kishte espuls dhe duhet të plotësonte atë afatin e shkeljes së rregullave të Shengenit. Të gjithë ishin larguar. Ishte dhe një djalë 14 vjeç e gjysmë, i cili kishte një nënë të paralizuar por që do largohej në verë për të punuar në restorant në Itali. Janë larguar të gjithë. Ka një tjetër problem, pasi sipas projeksioneve të popullsisë Shqipëria rrezikon që në vitin 2031 të jetë 2 milion e 600 mijë. Pra nga ’92-shi ne jemi pakësuar 1 milion e 400 mijë shqiptarë, që duhet të shtoheshim në fakt, por jemi pakësuar. Pra, problematika nuk është thjesht për të prodhuar politikë, por problematika më e madhe është çfarë do bëjmë për të shpëtuar nga situata në të cilën ndodhemi ne. Nga ana tjetër është një varfëri e madhe me njerëzit për t’u futur në politikë, për t’u bërë pjesë e saj dhe kjo vjen si rezultat edhe i mungesës së hapësirave jo nga partitë politike, por si pasojë e mungesës së dëshirës që njerëzit të merren me politikë. Në fakt, të rinjtë ose njerëzit që janë të shkolluar nuk duan të merren me politikë sepse sapo të hysh në politikë direkt bëhesh pis.
Qarkullojnë zëra se njerëzit tuaj jo vetëm ju por edhe Partisë Demokratike i futni vetë në opozitën e re. Është një akuzë e rëndë që ndoshta ka një të vërtetë brenda. Ju nuk e keni konstatuar këtë gjë?
Nuk është e vërtetë, por mund të them që ajo që ndodh faktikisht është që Parlamenti shqiptar dhe KQZ-ja po zvarrisin sa më shumë procesin e deputetëve dhe të zëvendësimit, sepse nuk i kanë dot të gjithë deputetët e opozitës dhe duan ta zvarrisin sa më shumë këtë proces për të zgjatur procesin e vakancave, sepse sa më shumë të zgjatet procesi i vakancave, aq më shumë ai zgjat mosdeklarimin që Parlamenti është ilegjitim. Të jeni të bindur zoti Rakipi që do të hyjnë 17 deputetë nga LSI-ja, se nga 140 deputet që ka pasur në listë 19 janë, sepse asnjëri nga ne nuk e ka menduar që do të jetë kjo situatë. Kjo vjen nga mungesa e përgjegjësisë nga partitë politike me listat e kandidatëve për deputetë. Por mos harroni dhe një gjë tjetër që jo të gjithë njerëzit kanë të njëjtin integritet, kanë të njëjtën po themi vendosmëri, jo të gjithë janë trima, ka edhe frikacakë, ka edhe njerëz që kërcënohen, ka edhe njerëz që janë të lirë, ka edhe njerëz që blihen, ka edhe njerëz që mund të kenë një të kaluar që i mban peng. Ata njerëz nuk i njohim më, nuk janë përfaqësues të LSI.
Por ndërkohë deputeti Lefter Koka nuk është larguar por është zyrtarisht anëtar i kryesisë së LSI dhe kryetar i partisë së Durrësit
Jo nuk është e vërtetë, unë mendoj që ju duhet ti ndiqni aktivitetet e LSI, ka një mbledhje ku kryetarja e LSI një javë pas vetëlargimit të zotit Koka ka ngritur grupin e punës dhe në krye te grupit të punës është zoti Nasip Naço për qarkun e Durrësit.
Është larguar nga detyra.
Ai është vetëlarguar sepse duhet të dini një gjë z. Rakipi se nga LSI-ja nuk përjashtohesh, por vetëpërjashtohesh. Të gjithë anëtarët, të cilët nuk kanë marrë pjesë në mbledhjet e strukturave të LSI-së për 6 muaj vetë përjashtohen. Pra ai është vetë përjashtuar sepse nuk ka marrë pjesë në asnjë mbledhje të Grupit Parlamentar, as në mbledhjet e Kryesisë dhe në momentin e deklaratës që doli kundër vendimit politik të LSI-së është larguar.
Çfarë do të bëni javën që vjen?
S’keni parë gjë akoma. Në fakt ka aksione pafund të opozitës, të cilët janë lënë në mënyrë të pavarur jo të opozitës, por të grupeve të interesit. Studentët në një anë, gratë dhe vajzat në një anë tjetër, bizneset në një anë tjetër.
Studentet do të rifillojnë protestat?
Jo studentët, por do të fillojnë pedagogët. Madje sot ka pasur protestë në UBT, asnjë media nuk e ka dhënë. Mos u merrni me Rektorët dhe pedagogët që kanë betejat dhe interesat e tyre personal. A e dini ju z.Rakipi që tek UBT-ja para 1 viti Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj bashkë me Dekanët e Universitetit Bujqësor dhe me Rektorin shkuan dhe mbollën pemë. Ndërsa sot atë lulishte e kanë rrethuar për ta betonizuar.
Do të bëhet ndërtim aty?
Di vetëm që lali Eri ka firmosur lejen. Pra dua të them që problematikat në Tiranë janë pafundësisht dhe nuk kanë të mbaruar vetëm në Tiranë. Doja t’ju thoja dhe diçka. Ju flisni shumë për politikën dhe opozitën në debatet tuaja, ku për hir të së vërtetës opozita ka një faj shumë të madh për situatën që është sot. Ka një faj shumë të madh, sepse kemi lejuar të instalohet ky sistem kriminal. Dhe në fakt djegia e mandateve ishte një veprim tashmë normal për njerëzit, se kudo që të shkosh, të mos e shikojmë nga ana politike e burokratëve të zyrave evropiane, por duhet ta shikojmë si një shpresë për ti dhënë shqiptarëve që opozita nuk është e kapur nga një kryeministër që është i kapur dhe i shërben krimit të organizuar. Dhe përsa i përket problemeve të mëdha që ka Shqipëria, dua tu them që merruni pak dhe me bujqësinë. Unë po shikoj shumë me bujqësinë dhe me blegtorët dhe dëgjoj se si vazhdojnë dhe tallen qeveritarët me ta. Dëgjoja sot ministrin e Bujqësisë z.Çuçi që thoshte do japim subvencion për blegtorët. A e dini ju sa është subvencioni për mijëra blegtorë në Shqipëri? Sa ç’është vlera që paguhet Vilma Nushi për punën e pabërë. E di çfarë do të thotë? Do të thotë që qeveria paguan Vilma Nushin për CHeck-up e famshëm për aq pacientë sa kanë bërë, dhe për pjesën tjetër që nuk e kanë bërë ja paguan si dëmshpërblim. Pra 3 milion euro, edhe pse nuk ka shpenzuar asnjë lekë konçensionari për CHeck-up, qeveria shqiptare i jep 3 milion euro, aq sa u jep qindra dhe mijëra fermerëve shqiptarë. Pra ky njeri, përveçse ka ikur nga mendtë e kokës, ky njeri është kthyer në një vampir që u pi gjakun njerëzve.

/ In News / By Elisa Piperi / Comments Off on Kryemadhi: Rama po çon për skrap Shqipërinë, po çon për skrap të rinjtë shqiptarë që po ikin të punojnë si skllevër rrugëve të Europës.