Kryemadhi: Salianji dhe Olldashi u dënuan pasi denoncuan trafikantët e ulur në karriget e qeverisë

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, në një postim në facebook ka komentuar vendimin e dhënë sot nga Gjykata ndaj ish-deputetit Ervin Salianji dhe gazetarit Jetmir Olldashi, Kryemadhi shkruan ndër të tjera se ata janë fajtorë pasi treguan se si trafikantët qeverisin dhe bëjnë ligjin në Shqipëri, të ulur në karriget e qeverisë.

Postimi:

‘Drejtësia e kapur goditi në emër të eksponentëve të krimit të organizuar për hakmarrje, Ervin Salianjin dhe Jetmir Olldashin.

Ata janë “fajtorë”, sepse nxorën të vërtetat në sytë e të gjithë shqiptarëve, treguan qartë se trafikantët qeverisin dhe bëjnë ligjin në Shqipëri, të ulur këmbëkryq edhe në karriget e qeverisë.

Këto dënime nuk trembin dhe nuk dekurajojnë askënd. Ato tregojnë se pushteti është në grahmat e fundit dhe beteja për të rivendosur shtetin e së drejtës dhe largimin e trafikantëve nga pushteti është beteja e të gjithë shqiptarëve, të cilët nuk mund të pranojnë kurrsesi që në Shqipëri të qeverisë krimi i organizuar dhe grabitqarët e koncesioneve miliardere.
Ne do vazhdojmë të demaskojmë deri në fund kriminalizimin e qeverisjes dhe grabitjen shtetërore monstruoze të parave të shqiptarëve. Nuk do të ketë as gjykatë të korruptuar e prokurori të kapur që të na ndalë në rrugën tonë.

Prokurorët dhe gjykatësit e këtij gjyqi farsë që u vu në shërbim të qeverisë së trafikantëve janë sot nën akuzë nga shqiptarët për këtë përdorim të drejtësisë në funksion të së keqes dhe në funksion të mbulimit të aferave kriminale.

Dënimi i Salianjit dhe i Olldashit si dhe miratimi i të ashtu quajturës paketa “Anti-shpifje”, është luftë e humbur e Edi Ramës për të fshehur të vërteta, të cilat tashmë të gjithë shqiptarët i njohin dhe për të cilat do t’i japin atij shumë shpejt dënimin e merituar.’

/ In News / By Admin / Comments Off on Kryemadhi: Salianji dhe Olldashi u dënuan pasi denoncuan trafikantët e ulur në karriget e qeverisë