Kryemadhi: Sot është koha ti japim fund shtetit të qeverisë dhe për qeverinë, dhe të ndërtojmë shtetin e qytetarëve dhe për qytetarët

Fjala e plotë e Kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi gjatë takimit me qytetarët në Shkodër

Duke qenë se ne jemi në një lëvizje  të madhe në të gjithë Shqipërinë, sepse nuk do të ndalemi vetëm me protestat e mëdha, por do të shkojmë në çdo rreth të Shqipërisë, në çdo fshat të Shqipërisë, për tu takuar me njerëzit, për të biseduar me ta, për ti sqaruar, për të qarë hallet, sepse jo të gjithë shqiptarët sot kanë mundësi për të ardhur në Tiranë dhe për të protestuar. Sepse jo të gjithë e kanë mundësinë për të paguar biletat e transportit, jo të gjithë i kanë mundësitë për të lëvizur. Kështu që ne, përveç protestave të mëdha që do të bëjmë në Tiranë, do të dalim në çdo qytet të Shqipërisë dhe do të takohemi me qytetarët. Do të takohemi me ta për të biseduar dhe për të diskutuar për hallet dhe shqetësimet e tyre. Sepse ne tashmë nuk jemi më deputetë, nuk jemi më deputet të një Parlamenti fasadë. Njerëzit ndjejnë neveri për deputetët, për shkak të luftës politike, për shkak të tranzicionit të stërgjatur politik që Shqipëria ka kaluar në këto 27 vjet. Sot deputetët e opozitës që ishin deputet në Parlament, me djegien e mandateve, atë që tha edhe Goni, u bëmë qytetarë si ju. U bëmë qytetarë si ju për të njëjtat probleme, për të qarë të njëjtat halle dhe për të treguar që ka dy lloj politikanësh. Ka një lloj politikani që lidhet me karrigen dhe është gati ta çojë në humnerë vendin e tij, vetëm e vetëm për të mos e lëshuar karrigen. Ka edhe disa politikanë të tjerë, të cilët për të larë kusuret, e tyre së të kaluarës, që bën një kryeministër i cili mban peng vendin, djegin mandatet dhe bëhen njësh me popullin për të thënë që ne do të jemi të gjithë bashkë për ta përmbysur njëherë e përgjithmonë këtë klikë. Ne që merremi me politikë, flasim për kapjen e shtetit, flasim për mungesën e Gjykatës Kushtetuese, flasim për mungesën e Gjykatës së Lartë, flasim për polici të kapur nga krimi, flasim për një administratë që nuk ekziston, por 90% e shqiptarëve diskutojnë për kafshatën e bukës. 90% e shqiptarëve nuk arrijnë të ushqejnë dot fëmijët e tyre. 90% e shqiptarëve nuk arrijnë dot të mbajnë prindërit e tyre. 90% e shqiptarëve nuk kanë mundësi të paguajnë faturën e energjisë elektrike. 90% e shqiptarëve nuk kanë mundësi të paguajnë faturën e ujit. 90% e shqiptarëve duan të ikin një orë e me përparë nga Shqipëria dhe për të mos e kthyer më kokën pas. Përse ndodh kjo? Kjo ndodh, sepse qeveria e cila është e vetmja në këmbë sot, sepse i gjithë sistemi ka rënë, do të mendojë vetëm për pesë veta, të cilët paratë e shqiptarëve i merr dhe i fut në xhepat e tyre. Në fakt ne sot përballemi me deklaratat nga më të ndryshmet, me fyerjet nga më të ndryshmet, por ne kemi marrë vendimin tonë. Kemi marrë vendimin tonë për të qenë të gjithë si ju, për të qenë qytetar të thjesht dhe të përballemi me sfidat tona, me sfidat për ta bërë Shqipërinë një vend europian. Aspirojnë shqiptarët për të qenë anëtarë të Bashkimit Europian, aspirojnë shqiptarët për të qenë europian edhe pse janë në mes të Europës, por kemi 30vjet që vazhdojmë të jemi në tranzicion, kemi 30 vjet që vuajmë tranzicionin, vuajmë varfërinë, vuajmë emigrimin, vuajmë pasigurinë, vuajmë mungesën e shtetit dhe tashmë sot është momenti i fundit. Sot është momenti i fundit, o do të ndërtohet një sistem ku ka balancim të pushteteve, ku gjykata është e pavarur nga politika, ku prokuroria është e pavarur nga politika, ku arsimi është i pavarur nga politika dhe i mëson fëmijët njëlloj, pavarësisht bindjeve politike që kanë prindërit e tyre, ku shëndetësia është e barabartë për të gjithë qytetarët, pavarësisht nëse je i varfër apo i pasur, pavarësisht nëse e njeh mjekun apo nuk e njeh mjekun, ku çdo gjë është e drejtë dhe e barabartë për të gjithë qytetarët. Sot ne ndihemi të zemëruar, ndihemi të mërzitur, por ndihemi edhe të revoltuar për mënyrën e pabarabartë, sesi qeveria drejton ndaj popullit të saj. Sot ne ndihemi jashtëzakonisht të lodhur nga ky tranzicion. Nuk mund të vazhdojë më Shqipëria me tranzicion. Nuk mund të vazhdojë më Shqipëria me një qeverisje, e cila kërkon të zgjasë agoninë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Vetëm në 3 vitet e fundit më shumë se 400 mijë shqiptarë janë larguar nga Shqipëria dhe nuk duan të kthehen. Shqipëria po mban vendim e parë në Europë për azilkërkuesit. Shqipëria çdo ditë dhe më shuam varfërohet. Shqipëria çdo ditë e më shumë nuk ka shanse dhe mundësi për t’ua krijuar ato të rinjve shqiptarë. Fëmijët e shqiptarëve që nga mosha 7 vjeç duan të ikin nga Shqipëria dhe të mos kthehen më. Dhe jo është fatkeqësia më e madhe. Kjo është fatkeqësia më e madhe, se pse ne duam që Shqipërinë ta bëjmë shtëpinë e shqiptarëve. Sepse nëse ne nuk e kthejmë Shqipërinë në shtëpinë e shqiptarëve, Shqipëria nuk do të ekzistojë më. Dhe të mos ekzistimi i Shqipërisë do të jetë fatkeqësi e madhe kombëtare, jo vetëm për shqiptarët, por do të jetë një mallkim për klasën politike që po i detyron shqiptarët të largohen nga Shqipëria.

Mund të flasim pafundësisht. Mund të flasim pafundësisht dhe hallet e problemet e shqiptarëve nuk kanë  të mbaruar. Ka ardhur koha që t’i japim fund stabilitetit të krimit të organizuar. Këtij stabiliteti që ka korruptuar dhe kapur brez pas brezi politikën, drejtësinë, ekonominë. Këtij stabiliteti i cili po i merr shpirtin çdo ditë e më shumë shqiptarëve dhe po i varfëron. Ka ardhur koha ta destabilizojmë krimin e organizuar, që të krijojmë stabilitet për të ardhmen e shqiptarëve dhe për fëmijët e tyre. Edhe në kohën e Enver Hoxhës, ju shkodranët e dini më mirë se kushdo tjetër, edhe në kohën e komunizmit Shqipëria krijonte stabilitet në Rajon. Por ama shqiptarët ishin në diktaturë. Shqiptarët internoheshin, pushkatoheshin dhe burgoseshin. Pse? Për hir të stabilitetit të Rajonit. E pra ne nuk duam stabilitet për diktatorët, për diktatorët e krimit sot. Ne duam stabilitet për shqiptarët dhe për fëmijët e shqiptarëve. Ne duam të ardhme për shqiptarët dhe për fëmijët e tyre. Ne duam një të ardhme të ndritur, një të ardhme të begatë, ku shqiptarët të jenë të barabartë përpara drejtësisë. Ku shqiptarët të kenë shëndetësi dhe arsim të barabartë, pavarësisht se nga vijnë dhe çfarë janë.

Megjithatë, unë do doja që të flisnim pafundësisht për problemet e shqiptarëve. Do doja që të flisnim pafundësisht për hallet e grave shqiptare, që çdo ditë e më shumë problematikat e tyre shtohen. Sepse xhepi i shqiptarëve po varfërohet. Edhe pse rrogat janë të njëjta, po rriten çmimet. Rriten çmimet çdo ditë e më shumë. Rritet kostoja e jetesës çdo ditë e më shumë dhe nuk rriten asnjëherë të ardhurat e shqiptarëve. Në 5-6 vitet e fundit ajo çfarë të bën përshtypje është që pagat e shqiptarëve nuk janë rritur. Por përkundrazi, janë zhvlerësuar sepse janë rritur çmimet. Është rritur çmimi i bukës, është rritur çmimi i miellit, është rritur çmimi i qumështit, është rritur çmimi i vajit, janë rritur çmimet e ushqimeve të shportës. Dhe në fund të ditës rritja e çmimeve çfarë do të thotë? Varfëri më shumë për shqiptarët, që të kenë më pak ushqim në tryezat e tyre. Të kenë më pak mundësi për fëmijët e tyre, jo vetëm për t’i shkolluar, por edhe për t’i krijuar mundësi sepse nuk po flasim më për ushqime e mundësi të tjera.

Kur po vija rrugës për në Shkodër më shkruajnë disa fermerë nga Lushnja, të cilët ishin mjaft të irrituar për vendosjen e TVSH-së për qumështin.  Por ç’do të thotë kjo? Do të thotë që shqiptarëve në vend që t’u japin qumësht organik ju japin qumësht pluhur. Pse? Sepse këta janë që paguajnë taksidarët e Edi Ramës për të falimentuar baxhot e shqiptarëve dhe për të krijuar një netëork dhe sistem të sjelljes së qumështit pluhur nga Serbia apo nga vende të tjera, vetëm e vetëm për të pasuruar xhepat e njerëzve të Edi Ramës. Boll më me klientelizëm, boll më me kapje të ekonomisë. Boll më me oligarkët. Ka ardhur koha që shqiptarët t’i marrin fatet e tyre në dorë. Ka ardhur koha që të mendojmë për të krijuar ekonominë shqiptare. Një ekonomi të pastër e cila fillon në zinxhir, që nga fermeri në shtëpinë e tij dhe përfundon deri te hotelet që ofrojnë turizmin e mrekullueshëm. Nuk mund të vazhdojmë më, të ofrojmë turizëm, i cili zhvillohet me paratë e drogës dhe të krimit. Nuk mund të vazhdojmë më që të shkatërrojmë bujqësinë e shqiptarëve, ku 50% e shqiptarëve jetojnë me bujqësi, vetëm e vetëm  për të sjellë ushqime organike të modifikuara dhe që nuk garantojnë absolutisht edhe më minimalen në ushqimin e shqiptarëve. Nuk mund të vazhdojmë më me ilaçe të skaduara për të cilat i marrin në qafë shqiptarët. Nuk mund të  vazhdojmë më me një polici të korruptuar, e cila çdo ditë dhe më shumë në vend që të ndalojë kriminelin, ndalon hallexhiun i cili nuk paguan dot 5 mijë lekë të vjetra të energjisë elektrike. Ne jemi të qartë në rrugën tonë dhe jemi të vendosur. E dimë që djegia e mandateve tona ishte një vendim ekstrem, por di të them që çdo ditë e më shumë që takohem me qytetarët  nga Shkodra deri në Sarandë, na thonë bravo ju qoftë. Sepse iu dhamë njerëzve idenë që ne nuk mendojmë për veten tonë. E dimë që është një veprim ekstrem. Dhe për shumë ndërkombëtarë është e pakuptueshme. Por di të them që mungesa e shtetit dhe kapja e shtetit e detyroi opozitën shqiptare për të djegur mandatet. Ne deputetët e LSI e dimë shumë mirë që marrja e mandatit tonë këtu në Shkodër ka qenë shumë e vështirë dhe është mandat gjaku. Jo vetëm në Shkodër por kudo. Në Elbasan, në Lezhë, në Vlorë, në Dibër, në Tiranë. Kanë qenë mandate gjaku dhe ne e dimë shumë mirë sesa e vështirë ka qenë për ti mbajtur votat e LSI-së, për ti mbrojtur edhe për ti numëruar, por dimë të themi vetëm një gjë, që mandatet e LSI-së nuk janë mandatet as të Monikës, as të Agronit, as të Luanit dhe të as një tjetri. Mandatet e LSI-së janë mandatet e qytetarëve, janë mandatet e atyre njerëzve që besuan tek LSI-ja, që besuan tek vlerat e LSI-së, që besuan tek programi i LSI-së sepse LSI-ja ka treguar dhe do të tregojë se di t’i mbajë njerëzit, sepse ne dimë t’i mbajmë njerëzit, ne dimë t‘i mbrojmë njerëzit, ne dimë t’jua japim dorën njerëzve, ne ju japim njerëzve shansin për të ecur përpara, për tu zhvilluar, për tu rritur dhe për të krijuar jo vetëm emrin e tyre dhe identitetin e tyre, por për të ndihmuar edhe njerëz të tjerë. Prandaj unë ju ftoj të gjithëve kudo që jeni, mos ndaloni, sqarojini qytetarët, bisedoni me qytetarët, komunikoni me ta, me komshinjtë dhe familjarët tuaj. E dimë që është vështirë, e dimë që kërcënimet janë pafund, por dimë edhe një gjë tjetër, që rruga në të cilën ne do të ecim është një rrugë që na e ndriçon Zoti, sepse duke na e ndriçuar këtë rrugë Zoti, do të na fusë në rrugën e drejtë, rruga e drejtë është për të gjithë ata që ndërtojnë sistemin e vlerave dhe sistemi i vlerave fillon tek familja, tek familja që është gjëja më e shtrenjtë edhe kështu me radhë dhe ne besojmë tek familja dhe duke besuar tek familja, ne besojmë edhe tek Zoti. Zoti ju ruajttë ju, Zoti ju ruajttë familjet tuaja dhe Zoti e bekoftë Shqipërinë. Faleminderit.

/ In News / By Elisa Piperi / Comments Off on Kryemadhi: Sot është koha ti japim fund shtetit të qeverisë dhe për qeverinë, dhe të ndërtojmë shtetin e qytetarëve dhe për qytetarët