Kryemadhi: Sot Shqipëria më vonë se kurrë është vonë në procesin e integrimit

Prononcimi për mediat i Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi

Është takimi i dytë që bëjmë, e bëjmë të përvitshëm jo vetëm me ambasadorët e BE por edhe me përfaqësues të Ambasadës së SHBA, si dy institucione që janë partnerë strategjikë të Shqipërisë. Takimi I sotëm diskuton ndarjen e opinionit të LSI, me institucionet ndërkombëtare, qofshin këto të BE me të gjithë ambasadorët pjesëtarë dhe me SHBA  përsa i përket qëndrimit të LSI, për hapjen e negociatave dhe reformat me të cilat duhet të  ecim një orë e më përpara për të realizuar pritshmëritë e shqiptarëve.  Sot Shqipëria më shumë se kurrë është shumë vonë në procesin e integrimit europian dhe e ardhmja e Shqipërisë nuk ka asnjë drejtim tjetër. Ka vetëm një drejtim, integrimin europian dhe për të qenë pjesëtare në familjen e BE. Unë ju falenderoj që e keni ndjekur me shumë vëmendje këtë gjë dhe kjo do të thotë që ne politikanët duhet të jemi të vëmendshëm po aq sa ju mediat që na gjëmoni ne ku shkojmë dhe na ndiqni.

Znj. Kryemadhi, a ju shprehu Ambasadori i BE të njëjtin vlerësim siç i shprehu dje znj.Gjonaj se Reforma në Drejtësi po ecën ndërkohë që ju ndanit një tjetër mendim?

Ne ndamë opinione nga më të ndryshmet. Unë nuk jam e autorizuar për të shprehur absolutisht asgjë nga diskutimet që patëm ne atje. Por mund të them vetëm këtë gjë. Që reforma në drejtësi nuk mund të ketë dy standarde. Për bashkëshortin e Donika Prelës, nuk ka problem se nuk ka paguar tatimet e shtetit shqiptar ndërsa për një prokurore tjetër, duhet të sjellë vërtetimin që kushëriri i saj ka paguar apo jo tatimet në Itali për 25 mijë euro.

Znj. Kryemadhi, Gjermania i ka kërkuar opozitës që të ulet në tryezë për të miratuar Reformën Zgjedhore, si një nga kushtet e BE për hapjen e negociatave…

Ne nuk na e ka kërkuar këtë gjë. Ne dimë të themi që është shumë e rëndësishme që Shqipëria duhet të ecë përpara për integrimin europian, për hapjen e negociatave sepse kjo është gjëja më e rëndësishme. Opozita i ka realizuar të gjitha gjërat e veta, tashmë janë në dorë të mazhorancës dhe të Kryeministrisë.

Ishte  protesta e 16 shkurtit pjesë e tryezës së ambasadorëve?

Protesta e 16 shkurtit, nuk është vetëm pjesë e tryezës së ambasadorëve, sot protesta e 16 shkurtit është në tryezën e të gjithë shqiptarëve që duan të ndryshojnë këtë realitet të hidhur, sepse sot shqiptarët janë më të varfër, më të paarsimuar, shqiptarët sot nuk kanë shëndetësinë që meritojnë, shqiptarët sot nuk kanë shtetin që meritojnë, shqiptarët s’kanë sistemin që duhet ti mbrojë dhe t’u japë garanci për të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Me çfarë po e shantazhoni zonjën Gjonaj?

Ne nuk e shantazhojmë zonjën Etilda Gjonaj, por zonja Etilda Gjonaj nuk mund të marrë pozicionin e virgjëreshës kur i dimë të gjithë shumë mirë pozicionet e saj dhe të gjithë kapjen e saj. Nëse një qytetar shqiptar mund të harxhojë vite të tëra për të fituar gjyqin tu kthyer në vendin e punës, bashkëshorti i Etilda Gjonajt u kthye me një vendim gjyqi që u bë brenda një jave. Kështu që standardet janë të dyfishta. Ne kemi një reformë në drejtësi, për të cilën kemi votuar dhe që duhet të kemi një standard për të gjithë shqiptarët. Jo tjetër standard për burrin e Etildës dhe tjetër standard për qytetarët e thjeshtë.

Për protestat ndërkohë që Partia Demokratike ka kryer takimet po ju si forcë politike?

Ne kemi bërë takime me qytetarët, ndoshta nuk na keni ndjekur hap pas hapi, ne i kemi rënë 3 herë Shipërisë përsa i përket protestës, vazhdojmë të merremi me organizimin e saj. Unë nesër jam në Korçë. Pasnesër jam në Berat, kështu jemi gjatë gjithë kohës në lëvizje. Sigurisht me PD-në rakordohemi, kur e bën PD-ja takimin për të qenë live në televizion nuk e bën LSI-ja dhe anasjelltas. Kjo do të thotë që opozita është e koordinuar në detaje.

/ In News / By Elisa Piperi / Comments Off on Kryemadhi: Sot Shqipëria më vonë se kurrë është vonë në procesin e integrimit