Kryemadhi studentëve: Mos ndaloni asnjë sekondë. Të çlirojmë Shqipërinë nga kjo kapje kriminale. Vetëm ju mund ta ndryshoni këtë realitet

Fjala e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi në takimin me Komitetin Drejtues të LRI-së Vlorë

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi inkurajoi nga qyteti i Vlorës të gjithë studentët që të mos ndalojnë në asnjë moment në protestat për plotësimin e 8 kërkesave të tyre, të cilat i quajti kërkesa të ligjshme dhe minimale. Kryemadhi, e cila zhvilloi një takim me Komitetin Drejtues të LRI-së së Vlorës, theksoi se revolta e studentëve buron për shkak të gjendjes shumë të vështirë dhe të mjerueshme ekonomike që kryeministri Rama ka zhytur me qindra dhe me mijëra familje shqiptare. ” Por ndjesia dhe urrejtja më e madhe për qeverinë është në momentin kur shikon që prindërit e tu vuajnë, sepse nuk mund të të plotësojnë dot ty kushtet më minimale. Urrejtja më e madhe për qeverinë, është kur ti shikon që prindërit e tu sakrifikojnë çdo gjë pafundësisht dhe nuk arrijnë dot të ngrejnë kurrizin nga puna dhe nga lodhja, sepse sakrifikojnë çdo gjë për të shkolluar fëmijët e tyre. Gjithë ajo urrejtje që shikoje në rrugët e Tiranës, që shikoje gjithë atë cinizëm dhe mllef që kishin studentët e Vlorës me kryeministrin e tyre, me deputetin e tyre, vinte si rezultat i këtij mjerimi dhe i kësaj skamje që shikojnë studentët në familjet e tyre”, tha Kryetarja e LSI-së, e cila theksoi se protesta e studentëve ka vlera historike. “Ajo që mendojmë ne dhe që është shumë e rëndësishme është që sensibilizimi i gjithë shoqërisë shqiptare është shumë e rëndësishme për ditën e nesërme. Jo vetëm ditën e nesërme, por edhe në ditët e tjera në vazhdim. Sepse protesta e studentëve ka një vlerë të jashtëzakonshme, jo vetëm për studentët, për të realizuar kërkesat e tyre, por ka edhe një vlerë historike, sepse studentët kanë kuptuar dhe sidomos rinia shqiptare ka kuptuar që kur je i bashkuar, kur ke një qëllim të mirë, të gjitha mundësitë për ta realizuar atë janë të mundshme”, tha Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Fjala e plotë e Monika Kryemadhit

Në fakt Blerimi foli më shumë seç mund të them unë, sepse fjala e Blerimit është fjala e çdo studenti. Jo vetëm në Vlorë, por në të gjithë Shqipërinë. Ne sapo vijmë nga Elbasani, po të njëjtën gjë bëmë dhe në Elbasan. Dje ishim në Fier me studentë të Fierit, që studiojnë në Tiranë apo dhe në universitete të tjera. Takimin e sotshëm e kemi më shumë në kuadrin e organizimit dhe të rakordimit të gjithë lëvizjeve tona. Jo vetëm si forum rinie, por duke harruar flamurin politik dhe duke u përfshirë në protestat që janë të studentëve. 8 kërkesat, ato që tha dhe Blerimi, janë 8 kërkesat më minimale. Më e pakta që mund të bëjë kushdo. 8 kërkesat nuk janë as luks. 8 kërkesat nuk janë as abuzim. 8 kërkesat nuk janë as përkëdheli, as po themi një gjë e tepërt. 8 kërkesat janë më minimalja.

Pra çfarë do të thotë? Do të thotë që atë 220 mijë lekëshin e Blerimit që i takon me ligj dhe me të drejtë të Zotit, jo vetëm që duhet ta paguajë, por s’ka pse Blerimi të harxhojë para për të marrë vërtetimet, certifikatat e për ti noterizuar, por shteti duhet t’i ketë në sistem. Sepse s’ka nevojë shteti që të marrë certifikatë familjare Blerimi, kur në gjendjen civile të tij qëndron që është vetëm me mamanë. S’ka nevojë që të marri certifikatë dhe vërtetim që është i papunë Blerimi, sepse dihet shumë mirë që Blerimi nuk është në punë. Pra ideja është që të harxhojë Blerimi 440 mijë lekë, për të marrë një bursë 220 mijë lekë. Dhe aq më keq më pas për të vazhduar në kalvarin e gjatë të vuajtjeve që janë korrupsioni, miqësia, konflikti i interesit e shumë e shumë gjëra të tjera.

Megjithatë, Zoti të dhëntë Blerim ty fuqi dhe ne bashkë me ty për t’i çuar kërkesat e studentëve deri në fund dhe unë jam e bindur që ne do ti çojmë deri në fund. Më shumë jam e bindur për te forca dhe fuqia e studentëve dhe e gjimnazistëve, se sa te dëshira apo angazhimi i klasës politike.

Ajo që mendojmë ne dhe që është shumë e rëndësishme është që sensibilizimi i gjithë shoqërisë shqiptare është shumë e rëndësishme për ditën e nesërme. Jo vetëm ditën e nesërme, por edhe në ditët e tjera në vazhdim. Sepse protesta e studentëve ka një vlerë të jashtëzakonshme, jo vetëm për studentët, për të realizuar kërkesat e tyre, por ka edhe një vlerë historike, sepse studentët kanë kuptuar dhe sidomos rinia shqiptare ka kuptuar që kur je i bashkuar, kur ke një qëllim të mirë, të gjitha mundësitë për ta realizuar atë janë të mundshme.

Protesta e ka treguar këtë gjë, ka treguar suportin që kanë nga gjithë qytetarët, ka treguar suportin që ka nga mediat, edhe pse një pjesë e tyre janë peng i dëshirave, i kërkesave apo edhe nazeve të kryeministrit, kanë bërë të pamundurën për ta fshehur protestën e studentëve, por kur ajo ka qenë prezente dhe e jashtëzakonshme, ka qenë e pamundur për ta fshehur.

Demaskimin më të madh kryeministrit ia bënë studentët e Vlorës. Ai demaskim ishte jo vetëm i domosdoshëm, por i dha dinjitet studentëve, përveçse i dha dinjitet, i dha edhe forcë. Nuk kam për ta harruar atë studentin vlonjat, kur kryeministri i tha, paske blerë IPhone dhe ai i tha, mirë unë shumë mirë IPhone, po ti vilën tënde në Surrel? Se nganjëherë ne politikanët bëhemi cinikë, bëhemi të poshtër dhe harrojmë që edhe ne origjinën nga populli e kemi, pavarësisht se politika apo karrigia të jep pushtet. Por siç ta jep pushtetin karrigia ashtu edhe ta merr. Dhe harrojmë që të gjithë jemi këtu ku jemi për shkak të suportit edhe për shkak të angazhimeve që na kanë dhënë qytetarët, mbështetësit, militantët e partive por dhe votuesit. Asnjëri nga ne nuk e meriton atë çfarë kemi, por më e pakta që mund të bëjmë për ta merituar atë çfarë kemi, është që të punojmë dhe t’u shërbejmë të tjerëve që janë më të dobët se ne, që janë më të varfër se ne, që kanë më pak mundësi se ne që jemi në politikë apo se ata që janë drejtorë, ministra, pedagogë, rektorë, etj. Kështu që unë dua t’u përgëzoj jashtëzakonisht shumë për angazhimin e gjithë studentëve që janë anëtarë të LSI dhe kanë qenë pjesë e protestës. Por nëpërmjet jush dua të përgëzoj dhe të gjithë ata studentë të tjerë, pavarësisht se të kujt partie politike janë, apo pa parti politike. Sepse pjesa më e madhe e tyre nuk duan t’ia dinë për parti politike. Ashtu sikurse secili nga ne në një moment që është në një hall shumë të madh, nuk do t’ia dijë për partitë politike. Dhe unë mendoj që sot Shqipëria është në një hall shumë të madh, që duhet t’i harrojë partitë politike dhe duhet t’i kthehet identitetit të saj. Sepse sot në Shqipëri, diskutohet çështja e identitetit kombëtar, diskutohet çështja e integritetit të institucioneve të shtetit shqiptar, diskutohet mbi të gjitha e ardhmja, jo vetëm e popullit shqiptar por mbi të gjitha e ardhmja e rinisë shqiptare. Ne sot në fakt jemi në një moment që duhet të ndajmë shapin nga sheqeri. Po e themi kështu në gjuhë popullore sepse sot nuk ka më kohë për të menduar, nuk ka më kohë për programe për alternativa. Sot ka vetëm një qëllim. Qëllimi është që të heqim këtë të keqe kaq të madhe, i cili ka uzurpuar shtetin dhe ka grabitur. Besoj keni dëgjuar të gjithë për tenderin e Unazën e Re. Sesi 18 milionë euro, Damian Gjiknuri, se është dhe deputet i Vlorës, me një firmë i ka çuar në një offshore, të cilat zhduken përnjëherë. Po kjo firmë offshore, një muaj më parë se të merrte tenderin e Unazës, ka marrë 12 milionë euro të tjera. Ju bën 30 milionë euro. Natën e fundit të vitit, ka firmosur 58 milionë euro për Tec-in e Vlorës, koncension. Që jam e bindur që nuk ka për të ndodhur asgjë për Tec-in e Vlorës por përkundrazi, do të vidhen nja 58 milionë euro. Dhe të gjitha këto bashkë bëjnë më shumë se çdo angazhim, ose çdo përfshirje apo zgjidhje e problemeve të studentëve. Pra pika e parë e 8 kërkesave të studentëve, mjaftojnë 70 milionë euro për ta zgjidhur. Edi Rama vetëm me dy firma, e ka pasur të mundshme për ta eliminuar dhe për të zgjidhur pikën e parë. Dhe më pas për tu futur te kushtet, tek konviktet dhe te shumë gjëra të tjera, të cilat nuk po mbledhin paratë në kohë dhe në vite që janë marrë, por vetëm me një koncension të një rruge që ka dhënë Edi Rama, apo vetëm me koncensionin e laboratorëve. Se nuk e dini dhe nuk e dinë shqiptarët. 10 orë para se të ndryshonte qeverinë me 28 dhjetor, Ministrja e Shëndetësisë ka firmosur koncesionin e laboratorëve spitalore. Pra çfarë do të thotë? Do të thotë që kur ti shtrohesh në spitalin shtetëror, ti nuk do ti bësh më analizat falas në spital, por ti do të shkosh te spitali shtetëror që është falas, por analizat do ti bësh te laboratori privat që është dhënë me koncesion. Po mirë more zotërinj, të gjithë këta njerëz që punojnë dhe paguajnë sigurimet shëndetësore, ku shkojnë këto para?

Pra çdo ditë e më shumë, ne dëgjojmë vetëm mënyrën se si Edi Rama vjedh dhe fut dorën në xhepin e qytetarëve. Ne kemi parë studentët që janë ngritur. Pse u ngritën studentët? U ngritën sepse nuk duronin dot më. Shikonin varfëri, shikonin fukarallëkun në shtëpitë e tyre.

Ne e dimë shumë mirë, unë kam qenë vetë studente, nga mëngjesi deri në darkë rrinim rrugëve dhe për të fjetur shkonim në shtëpi. Hotel, sepse gjithë kohës jemi në lëvizje me shoqërinë, nëpër shkolla, nëpër kafe, nëpër takime. Por ndjesia dhe urrejtja më e madhe për qeverinë është në momentin kur shikon që prindërit e tu vuajnë, sepse nuk mund të të plotësojnë dot ty kushtet më minimale. Urrejtja më e madhe për qeverinë, është kur ti shikon që prindërit e tu sakrifikojnë çdo gjë pafundësisht dhe nuk arrijnë dot të ngrejnë kurrizin nga puna dhe nga lodhja, sepse sakrifikojnë çdo gjë për të shkolluar fëmijët e tyre.

Gjithë ajo urrejtje që shikoje në rrugët e Tiranës, që shikoje gjithë atë cinizëm dhe mllef që kishin studentët e Vlorës me kryeministrin e tyre, me deputetin e tyre, vinte si rezultat i këtij mjerimi dhe i kësaj skamje që shikojnë studentët në familjet e tyre. Jemi shkaktarë ne të politikës? Po jemi shkaktarë dhe jemi fajtorë, e kjo duhet të na ndërgjegjësojë të dalim të takohemi me njerëzit, të marrim përsipër gabimet tona, të marrim përsipër fajet tona, por duhet të marrim përsipër edhe përgjegjësitë për ta ndryshuar këtë realitet dhe për ta ndryshuar këtë dhimbje varfërie që ka pllakosur në Shqipëri.

Unë mund të flas pafundësisht, por të jeni të bindur që do të jetë shumë e vështirë për të folur dhe për të përmendur të gjitha problematikat që kanë sot, jo vetëm studentët, por të gjithë shqiptarët dhe kjo ka ardhur si rezultat i kapjes së institucioneve, sepse ne po të kishim institucione të pavarura, po të kishim institucione me integritet, ne do të kishim komplet një jetë tjetër dhe një situatë tjetër.

Kapja e sistemit të shtetit nga krimi i organizuar, ka sjellë që ne të mos të zhvillohemi, mos të ketë barazi, por të kemi dy standard, jo një standard. Kemi standardin që të jesh bandit, që të jesh kriminel, të jesh trafikant dhe të hapen të gjithë rrugët, të gjithë dyert e shtetit dhe standardin tjetër që je popull i thjeshtë dhe duhet të paguash çdo haraç. Jo vetëm faturën dhe taksat e shtetit që vijnë çdo ditë duke u ngritur, por duhet të paguash dhe gjobat për xhepat e taksidarëve të Edi Ramës. Po të shikoni nga Banka e Shqipërisë, kemi një rezultat që thotë, 112 milionë dollarë, nuk janë numëruar, si pa dashje. Nuk janë 112 qindarka, por 112 milionë dollarë. Që do të thotë që shteti shqiptar, nuk e di kush i ka futur apo kush i ka nxjerrë nga bankat shqiptare. Tu bëj një pyetje, kush nga ju ka biznes. Sa biznese janë gjobitur në verë këtu në Vlorë për një kupon tatimor të një shisheje ujë apo të një ekspresi? Sa milion gjoba u janë vendosur bizneseve në Vlorë, për një kupon të pa lëshuar në tavolinë?

Ndërsa Kryeministri ynë, nuk di ku ka 112 milionë euro. Kush është përgjegjës për këto? Apo janë paratë e familjarëve të vetë, të cilët kanë dalë nga xhepat e shqiptarëve dhe kanë dalë nga Shqipëria për tu investuar nëpër shtete të tjera dhe për të kaluar nëpër offshore, të cilat sot janë në emrin e familjarëve të tij.

Pra ky njeri që thotë që do të hapë 300 mijë vende të reja pune, ju e dini shumë mirë që të gjithë investimet që janë bërë në Vlorë, sa kompani nga Vlora janë ato që i kanë ndërtuar?. Zero. Të gjitha i kanë sjellë kompani të cilat nuk kanë historik fare në ndërtim, por janë kompani të cilat pastrojnë paratë e drogës nëpërmjet infrastrukturës së Vlorës. Sa vlonjatë janë punësuar në këto projekte të mëdha, që Kryeministri thotë po i bëjmë për Vlorën? Asnjë vlonjat. Por vetëm vlonjatët e shkretë i hipin avionit, anijeve dhe ikin emigrantë. Ka dhe nga ata që nuk kthehen më se nuk dihen ku janë.

Sa gra dhe vajza janë mbyllur nëpër shtëpia, sepse nuk kanë se ku të punojnë? Edhe nëse kanë një diplomë në sirtarin e tyre qoftë kjo për ekonomi, qoftë kjo për mësuesi, qoftë kjo për infermieri, etj. Themi që janë hapur 300 mijë vende pune, por rritja ekonomike është 4%. Për ata që janë studentë të Ekonomikut, që të hapësh 300 mijë vende të reja pune do të thotë që ta kesh minimumi rritjen ekonomike, mbi 10%.

Por ai gënjen, se ai nuk ka bërë aritmetikë dhe është normale. Thotë që do të ulë TVSH-në e energjisë elektrike me 6%.

Asnjë qindarkë nuk është ulur, përkundrazi është rritur energjia elektrike. Mund të themi që është rritur dhe mbifaturimi. Ka një skandal tjetër që do t’i shpërthejë shumë shpejt Edi Ramës. Shikoni të gjithë sahatët tuaj matës nëpër shtëpia, ju mund të harxhoni 100 kë/h, por faturisti ju faturon 150. 50% më shumë. Pse? Sepse i duhen para për t’ia marrë shqiptarëve dhe hallexhinjve, në mënyrë të tillë që të bëjë tendera për t’i futur në xhepin e tij. Ashtu siç është tenderi prej 12 milionë eurosh, që ia ka dhënë një offshori për të bërë një investim që nuk është bërë dhe nuk do të bëhet kurrë.

Sa nga ne e dinë shumë mirë që shkojmë nëpër dyqane dhe marrim ushqime, në qoftë se deri dje blinim 2 bukë, sot njerëzit kanë filluar marrin 1 bukë e gjysëm, kur buka në Shqipëri është elementi kryesor i ushqimit. Pra do të thotë që jemi populli më i varfër. Në Afrikë konsiderohet lufta kundër urisë që të kesh mbi 2 dollarë ushqim. Ne kemi 1 dollarë e gjysëm. Pra ne jemi më të uritur se në Afrikë. Kjo është Shqipëria sot. Dhe kjo erdhi për shkak të një sekti kriminal, i cili me votat tona, me përkrahjen tonë, solli në Shqipëri edhe mbolli jo vetëm varfërinë, por edhe shpërnguljen në masë të shqiptarëve.

Deri dje ishin gjyqtarët dhe prokurorët shkaktarët e korrupsionit, të varfërisë. Shumë mirë, filluan Vettingun, kë donin e hoqën, kë donin e kaluan, i bënte listat Edi Rama me stafin e tij në zyrën e tij. Sot tashmë ka filluar Vettingun me pedagogët. Më pas do të vazhdojë me Vetting tjetër e kështu më radhë. Po mirë kush është përgjegjës për këtë situatë? Mos u çudisni se deri dje kishim përgjegjës prokurorët dhe gjyqtarët. Pastaj ishte Saliu, pastaj ishte Luli, pastaj ishte Monika, tani do të dali që fajtor është populli. Tani do të dali që shkaktar i varfërisë është ai studenti që i tha ti je shkaktari i varfërisë se ke një Iphone në dorë. Ndërsa ky që ka vilën në Surrel nuk është fajtor që nuk e deklaron.

Pastaj i tha asaj vajzës tjetër që ti je fajtorja se ti je ngelëse. Ajo me mesatare 9,6. Pastaj doli që fajtor është pedagogu që të ka vënë notat ty. Pastaj do dali që pse s’kanë punë e bukë shqiptarët, e kanë fajin vetë shqiptarët se janë dembela. Punë ka, por nuk ka profesionistë tha. Prapë fajtorë janë shqiptarët. Fajtor vetëm Edi Rama nuk është në gjithë këtë varfëri dhe në gjithë papunësi të madhe që ka zaptuar dhe ka rrëmbyer Shqipërinë.

Por ne kemi vetëm një rrugë. E vetmja rrugë që na ka ngelur është ta përmbysim. Ta përmbysim këtë njeri për të shpëtuar edhe atë vetë në radhë të parë dhe familjen e tij. Sepse do marrë në qafë të gjithë sojin dhe sorollopin e vet. Do t’i marrë në qafë sepse do të vendosen dhe do bëhen si puna e karantinës. Do t’i fusin njerëzit nëpër karantinë vetëm e vetëm për të mos shpërndarë sëmundjen e makutërisë që ka ai njeri. Është bërë aq i pangopur, saqë do ta ketë të pamundur që të shpëtojë nga grykësia dhe pangopja që e ka zaptuar. Të vjedhësh sot shqiptarët do të thotë që ke humbur çdo lloj sensi dhe çdo lloj ndjenje humanizmi. Sot shqiptarët janë më të varfër se në vitet 90-të kur u përmbys regjimi. Sepse ishin të varfër financiarisht, ishin të varfër nëpër shtëpitë e tyre, por sot janë të varfër shpirtërisht sepse nuk kanë shpresë dhe nuk shikojnë një alternativë për ta ndryshuar këtë realitet. Dhe unë them, dhe jam e bindur që edhe ju vetë, se secili nga ju në këtë sallë ka për ta bërë më mirë se sa Edi Rama kryeministrin, secili. Nuk ka rëndësi kush do të jetë kryeministri i ardhshëm. Nuk ka rëndësi kush është alternativa. Çdo alternativë është e pranueshme për shqiptarët vetëm që të iki Edi Rama, sepse ky njeri ka marrë peng Partinë Socialiste. Dhe ju këtu në Vlorë e dini më mirë se unë, se janë socialistët ata që e ndjejnë më shumë nga të gjithë presionin që u bëhet atyre. Ka marrë peng Partinë Socialiste, ka marrë peng shqiptarët, por ne nuk do ta lëmë kurrë që ai njeri të marrë peng të ardhmen e rinisë shqiptare. Prandaj unë sot, ju bëj thirrje, e kam thënë në Fier dje, e thashë edhe në Elbasan sot, po ja u them juve, do e them prapë në Tiranë, nxirrni telefonat nga xhepi, njoftoni të gjithë miqtë tuaj, nesër të bashkohen në protestë me studentët në Vlorë, kush është në Tiranë në Tiranë, kush është në Elbasan në Elbasan, kush është në Korçë në Korçë, kush është në Gjirokastër në Gjirokastër, kush është në Shkodër në Shkodër. Të mos ndalojmë në asnjë sekondë. Lërini bindjet politike. Thërrisni shokun, komshiun, mikun. Nuk ka rëndësi i kujt partie je, je me parti apo nuk je me parti, je i krishterë apo je mysliman, je i pafe, je komunist apo je liberal, sot kemi vetëm një objektiv. Objektivi është që të çlirojmë Shqipërinë nga kjo kapje kriminale dhe vdekjeprurëse. Vetëm studentët dhe të rinjtë mund ta ndryshojnë këtë realitet. Ne si klasë politike mund të bëjmë sa të duam, por nuk kemi forcën dhe nuk shpërndajmë besimin dhe shpresën që shpërndani ju. E vetmja gjë që ne mund të bëjmë më mirë se ju, është që të jemi mbas jush, t’ju suportojmë ju, t’ju japim forcën, t’ju japim besimin. Sepse ju jeni e ardhmja e vendit. Për ne nuk ka nevojë Shqipëria. Shqipëria ka nevojë për ju, Shqipëria ka nevojë për djem dhe vajza të reja. Shqipëria ka nevojë për frymën e re, Shqipëria ka nevojë për besim dhe dashuri. Dashuria e të rinjve dhe e të rejave shqiptare mund ta shpëtojnë këtë vend. Nuk e shpëton këtë vend as batutat e Edi Ramës, as kostumet e Edi Ramës, as pikturat e Edi Ramës, as skulpturat e Edi Ramës, as fjalimet dhe as kërkimet shkencore të Monika Kryemadhit. Shqipërinë do ta shpëtoni vetëm ju. Prandaj unë ju uroj me dorë në zemër, Zoti ju ruajt ju, familjet tuaja. Ju dhëntë forcë, besim dhe bekime për çdo ëndërr dhe dëshirë tuajën.

/ In News / By Admin / Comments Off on Kryemadhi studentëve: Mos ndaloni asnjë sekondë. Të çlirojmë Shqipërinë nga kjo kapje kriminale. Vetëm ju mund ta ndryshoni këtë realitet