Kryemadhi takon Zëvendëskryetarin e Bashkisë së Guangzhou: Rritje të investimeve kineze në Shqipëri

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Znj. Monika Kryemadhi, në përfundim të vizitës së saj zyrtare në R. P të Kinës, vizitoi qytetin Guangzhou, i cili njihet si një nga qendrat më të mëdha ekonomike në Kinë dhe qendër e disa prej kompanive më të njohura në fushën e inovacionit dhe teknologjisë.

Znj. Kryemadhi u njoh nga afër me mënyrën e organizimit të strukturave bazë të PKK-së dhe me disa prej qendrave sociale të qytetit të vendosura pranë tyre, të cilat janë një model i mirë i shërbimit ndaj qytetarëve

Kryetarja e LSI u prit në Guangzhou nga ZëvendësKryetari Z. Chen Zhiying.

Znj. Kryemadhi falënderoi Zëvendës Kryetarin Chen për mikpritjen dhe vlerësoi punën e bashkisë në menaxhimin e qytetit dhe nxitjen e shkëmbimeve tregtare. Ajo u shpreh se shumë biznese shqiptare bashkëpunojnë me kompani kineze të vendosura ne Guangzhou. Ndërkohë që shprehu mbështetjen e saj për hapjen e konsullatës shqiptare në Guangzhou tregoi edhe interesin e madh të shqiptarëve për ngritjen e saj.

Ajo theksoi se ka ende shumë hapësira për bashkëpunim ndërmjet dy palëve dhe se Shqipëria ka mjaft mundësi të pashfrytëzuara për sipërmarrjet kineze dhe mbi të gjitha në fushën e turizmit.

Chen njohu delegacionin e LSI me qytetin dhe mundësitë për bashkëpunim. Ai shprehu vlerësimet për punën e LSI dhe interesin e shtuar të Kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi për të intensifikuar marrëdhëniet me bizneset e Kinës dhe për të rritur investimet në Shqipëri. Duke ju referuar marrëveshjes së bashkëpunimit me Bashkinë e Tiranës, Zëvëndëskryetari Chen shprehu angazhimin e tyre për të rritur shkëmbimet ndërmjet palëve. Ai foli për mundësitë e shumta në fushën e biznesit dhe turizmit, por njëkohësisht edhe për mbështetur sipërmarrësit e rinj në Shqipëri, sipas modelit të suksesshëm që ndjekin në Guangzhou. Në përfundim të vizitës Znj. Kryemadhi u drejtoi mikpritësve ftesën për të vizituar dhe njohur nga afër Shqipërinë.

/ In News / By Elisa Piperi / Comments Off on Kryemadhi takon Zëvendëskryetarin e Bashkisë së Guangzhou: Rritje të investimeve kineze në Shqipëri