Kryemadhi të rinjve: Ky është momenti juaj. Ju do të skaliteni në memorien e historisë shqiptare si të rinjtë që shpëtuan Shqipërinë

Fjala e Kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi me Strukturat Drejtuese të LRI Tiranë.

 

 

Në fakt sot me Floidën sot kemi pasur një ditë mjaft të gjatë dhe intensive, e nuk mund ta përmbyllnim pa përfaqësuesit e LRI-së dhe LSI-së nëpër universitetet e Tiranës dhe gjimnazet.

Ditën e premte ne patëm një takim dhe e filluam të gjithë axhendën e Lëvizjes Socialiste për Integrim me gjimnazistët për problemet e maturës shtetërore,  dhe më pas për të diskutuar dhe për të vazhduar më tej me angazhimin e maturantëve  dhe të gjimnazeve, por edhe ditët e tjera, pra të shtunë dhe të dielë, kemi qenë në takime me studentët në qytetet universitare.

Duke qenë se ju sot jeni të gjithë në krye të detyrës dhe duke qenë një pjesë e asaj proteste madhështore të studentëve, sigurisht që edhe ju do të bëni pjesën tuaj, detyrën tuaj, jo si anëtarë partie, jo si militantë partie, por do të bëni detyrën tuaj si studentë dhe si të rinj.

E thamë edhe në rrethet e tjera, e kemi thënë dhe do vazhdojmë ta themi përsëri, është shumë i rëndësishëm angazhimi i të rinjve sot në ndërgjegjësimin e opinionit publik, në ndërgjegjësimin e popullsisë shqiptare, në ndërgjegjësimin e administratës, në ndërgjegjësimin e pedagogëve tanë nëpër universitete. Nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës ky lloj realiteti monstruoz, ku një kryeministër i pashkollë, ku një kryeministër që në jetën e vet nuk e di se sa bëjnë dy edhe dy, por i ka bërë llogaritë gjithmonë duke vjedhur paratë dhe nuk i ka bërë sic bëhen në matematikë, ky kryeministër merr argumentin dhe merr kërbaçin në dorë për të goditur pedagogët të mirë apo të këqinj ata që janë aty.  Ky njeri që nuk ka bërë asgjë në jetën e vet, ky njeri që s’ka arritur asgjë. Të vetmin sukses që ka pasur në jetën e tij ka pasur se si i ka përdorur dhe se si ia ka futur shokëve të vet, se si ka tradhtuar miqtë e tij më të ngushtë, se si ka tradhtuar bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë.

Këto janë realizimet dhe arritjet e tij më të mëdha. Tashmë ky njeri po kërkon të shkatërrojë edhe universitetin , po kërkon të shkatërrojë dhe shpresën dhe të ardhmen e të rinjve shqiptarë. Prandaj dhe takimi ynë i sotëm ka qëllimin që që nga ky moment të mos ndaleni. Filloni njoftoni shokët tuaj të gjithë kudo që i keni. Kolegët tuaj të forumeve të tjera rinore, të Forumit Eurosocialist shqiptar, të FRPD-së, kudo që janë, që të harrojnë bindjet e tyre politike. Por nesër të bashkohen të gjithë pranë fakulteteve të tyre dhe më pas marshimin drejt Kryeministrisë. Sepse forumet rinore janë shumë të rëndësishme, sepse kanë eksperiencën, kanë angazhimet e tyre, kanë eksperiencën në organizim. Por nga ana tjetër, duhen ndërgjegjësuar që kjo protestë studentore nuk është një protestë politike e partive politike, por është një protestë politike me kërkesa ekonomike e të gjithë të rinjve shqiptarë, e të gjithë studentëve shqiptarë.

Është e domosdoshme për t’u ndërgjegjësuar. Është e domosdoshme të ndërgjegjësojmë prindërit. Është e domosdoshme të ndërgjegjësojmë mësuesit nëpër gjimnaze, që të mos jenë më viktimat e radhës siç bëjnë presione drejtoreshat për t’i hequr nga puna apo presionet ndaj nxënësve dhe ndaj gjimnazistëve. Të ndërgjegjësohen dhe ata, që të kthehen dhe ata në një vorbull që mbledh çdo njeri të pakënaqur, çdo njeri që paguan më shuam taksa, çdo njeri që kërkon që të ketë një vend pune, çdo njeri që kërkon që të ketë një pagë më të lartë. Çdo njeri që kërkon të ketë një jetë më të mirë, çdo njeri që kërkon garancinë e fëmijëve të vet, çdo njeri që kërkon mundësi më shumë, çdo njeri që kërkon të jetojë i lirë në vendin e tij.

 

Në këtë protestë duhen përfshirë të gjithë. Në këtë protestë duhen përfshirë të gjithë ata që dëshirojnë që të kenë një Shqipëri dinjitoze dhe me integritet. Në këtë protestë duhen përfshirë të gjithë ata që ju mendoni se e quajnë veten shqiptarë dhe që janë krenarë për të qenë shqiptarë. E themi këtë sepse është shumë e domosdoshme. Është e domosdoshme për të ardhmen e Shqipërisë. Ne kemi nevojë ta ndërtojmë vendin tonë dhe ta bëjmë si shtëpinë tonë. Duhet t’i kthejmë shqiptarët në Shqipëri. Duhet t’i kthejmë shqiptarët që kanë marrë rrugët e botës për një jetë më të mirë, të kthehen në Shqipëri sepse jeta më e mirë ndërtohet në Shqipëri. Jeta më e mirë dhe ekonomia ndërtohet në Shqipëri. Ndërtohet në Shqipëri, por pa Edi Ramën kryeministër. Sepse Edi Rama kryeministër shkatërroi të ardhmen e vendit, shkatërroi të ardhmen e rinisë shqiptare, shkatërroi shëndetësinë, arsimin, infrastrukturën, shkatërroi ekonominë shqiptare, shkatërroi bujqësinë shqiptare, ku bujqësia më me vlerë doli kanabisi dhe droga. Shkatërroi çdo gjë që ishte e vetmja mundësi për të krijuar shqiptarëve një shans dhe mundësi të barabarta për të gjithë. Prandaj kemi vetëm një zgjidhje. Zgjidhja është të mos ndalojmë asnjë sekondë. Nxirrni telefonat nga xhepi, merrini në telefon të gjithë miqtë tuaj, çojini mesazhe, çojini Notification, çojini lajmërime, merrini në telefon, ftojini për të qenë me ju për të qenë me ju nesër nëpër universitetet, fakultetet dhe gjimnazet tuaja. Bëjini gardh të gjithë së bashku të gjithë atyre që kërkojnë të përçajnë protestën, sepse kush përçan protestën e studentëve nesër, është tradhtar. Nuk do të thotë të tradhtosh, sikurse jemi mësuar të shohin r në filmat e Kinostudios ‘Shqipëria Sot’. Sot të tradhtosh idealet e studentëve është tradhtia më e madhe, e cila do t’i ketë pasojat edhe 100 vjet të tjera. Sot është shansi dhe mundësia që ju ta ndryshoni këtë realitet. Sot është shansi dhe mundësia që studentët shqiptarë të marrin fatet e tyre në dorë, të marrin fatet e Shqipërisë. Harroni politikat, harrojini flamurët, harroni kryetarët, harroni çdo lider tuajin politik e shpirtëror. Sot keni lider shpirtëror Shqipërinë, keni lider shpirtëror Atdheun edhe Zotin. Me besimin në Zot, do t’u japë forcën e kurajën për të ecur përpara, për të mos u tërhequr në rrugën tuaj. Prandaj, forca. Mos ndaloni! Mos keni frikë! Qëndroni të gjithë bashkë! Sepse të bashkuar keni për të fituar, keni për të triumfuar dhe të bashkuar keni për të ecur përpara, sepse vetëm të bashkuar i bëhet ballë kësaj të keqeje kaq të madhe që ka vetëm një emër. Emri i tij do të skalitet në mendjet e shqiptarëve si njeriu që shkatërroi Shqipërinë, si njeriu që e shiti Shqipërinë, si njeriu që e dëmtoi më shumë se kushdo tjetër Shqipërinë.

Prandaj ne do të luftojmë të gjithë së bashku dhe do t’u japim përkrahjen tonë maksimale si LSI, që ju të skaliteni në memorien e historisë shqiptare si të rinjtë që e shpëtuat Shqipërinë. Në vitin 1990, studentët, rrëzuan diktaturën komuniste, ju do të rrëzoni diktaturën e drogës dhe të krimit të organizuar. Kjo është sfidë shumë më e madhe, kjo është sfidë shumë më e fortë, sepse krimi i organizuar është një netëork i cili ka përfshirë të gjithë rajonin, i cili ka përfshirë dhe qeveri dhe institucione të tjera ndërkombëtare, por vetëm ju të cilët nuk jeni të kapur, vetëm ju të cilët nuk jeni të korruptuar, nuk jeni të bërë pis, mund ta shpëtoni këtë vend. Mos prisni që kjo klasë politike, e cila është shkaktare e këtij realiteti të nxjerrë mbi ujë fatet e vendit, fatet e popullit shqiptar. Ju jeni i vetmi shans që kanë sot shqiptarët. Prandaj mos ndaloni, bashkohuni të gjithë me miqtë tuaj, me shokët tuaj, me kolegët tuaj, pa dallim feje krahine dhe ideje. Pa dallime bindjesh politike, pa dallime besimesh religjioze. Bashkohu i krishteri me myslimanin, demokrati me socialistin, LSI-sti me komunistin, me ballistin me legalistin. Të gjithë bashkë kundër kësaj të keqe më të madhe. Suksese për nesër, ju e dini më mirë se unë, studentët sot kanë ardhur nga shtëpitë e tyre, për të filluar vitin akademik, por pjesa më e madhe e tyre kanë ardhur për protestë. Ju e dini sesi do të funksionojë dhe sesi do të shpërndaheni nëpër godinat e qytetit të studentit. Ju e dini sesi gjimnazistët do të funksionojnë nesër. Ata e kanë nesër betejën më të fortë. Sepse presioni që ushtroi ndaj gjimnazistëve është shumë më i madh. Por sikur edhe një gjimnazist i vetëm i Tiranës, nesër tu bashkohet studentëve në protestë është fitore e madhe. Sepse nesër është një, pasnesër janë dy e kështu me radhë. Prandaj mos ndaloni. Mos kini frikë nga mësueset mediokre dhe kamikazët e Edi Ramës. Sepse deri dje ishin kamikazë të pushtetit të PD, sot janë bërë kamikazë të pushtetit të Edi Ramës. Nesër do bëhen kamikazë të pushtetit tuaj. Por ju mos pranoni që të shërbeheni nga këto lloj kamikazësh, të cilët janë mungesa e dinjitetit dhe integritetit të arsimit shqiptar. Mësues të tillë, që nuk lejnë të rinjtë shqiptarë, të protestojnë nuk janë mësues, por janë armiq të dijes dhe janë armiq të zhvillimit të ecjes përpara të demokracisë dhe të një vendi. Suksese për nesër. Zoti ju ruajt të gjithëve. Ju bekoftë ju dhe familjet tuaja.

/ In News / By Elisa Piperi / Comments Off on Kryemadhi të rinjve: Ky është momenti juaj. Ju do të skaliteni në memorien e historisë shqiptare si të rinjtë që shpëtuan Shqipërinë