Lefter Koka: Përballimi i përmbytjeve të vazhdueshme në vend, kërkohen vendime të rëndësishme për investime

Fjala në Kuvend e deputetit të LSI-së

Lefter Koka

E nderuar drejtuese e seancës. Të nderuar kolegë deputetë. Ligji për Menaxhimin e Integruar të Ujërave sigurisht është një ligj shumë i rëndësishëm për një nga asetet, do të thosha, më të çmuara të natyrës shqiptare. Nuk do doja ta politizoja, sikurse edhe ministri i Bujqësisë e tha që, domosdoshmërish kërkohet mirëkuptimi i deputetëve për ta votuar, por do të thosha që në tre vite, kur Sekretariati Teknik i Ujërave u krijua, e vetmja punë që paska bërë, ka sjellë ndryshimet ligjore të vitit 2012. Sigurisht është i rëndësishëm edhe ky ligj, por ajo që do të mendoja përse është kompleks menaxhimi i ujërave në Shqipëri, është sepse përmbytja dhe thatësira janë të dyja të barasvlershme për dëmin që i japin bujqësisë. Dhe në rastin në fjalë, ajo që shohim është që, kjo agjenci e transformuar tashmë nga Sekretariat në Agjenci, ku për habi ministri, i cili premton që në të gjithë territorin shqiptar do t’i mundësojë vaditjen fermerëve, tashmë do t’i drejtohet agjencisë që t’i mundësojmë fermerëve vaditjen.

Ndaj shoh rëndom që kjo agjenci do të caktojë apo do të vjelë të mirat e burimeve ujore, ku do të shohë cili quhet bregdet apo breglumi, sipas rastit do të caktojë edhe gjerësinë e bregut. Do të japë leje dhe sigurisht koncesione për shfrytëzimin e burimeve ujore. Pra, në vetvete, mendoj që ligji nuk është se do të rregullojë situatën e ujërave në territorin shqiptar. Z. Beqja me të drejtë e tha, që është një ligj i vonuar. Absolutisht që është i tillë, dhe unë mendoj që vetë agjencisë tashmë do t’i duhen edhe katër vite të tjera për të grumbulluar arshivën nëpër ministritë e hallakatura. Por, nga ana tjetër, gjërat janë shumë më të thjeshta dhe në fakt po t’i lexonim këto shifra në këtë vit, do të quhej një super sukses. Por, më lini t’ju rikujtoj që janë rezultate të bëra nga 1950-a në 1960-n. Pra, sot për 25 vite, ne vazhdojmë të gëzojmë këto asete të atij sistemi dhe nuk kemi qenë dhe nuk jemi të zotë për t’i menaxhuar ato asete. Nuk ka kush inventar, nuk ka kush gjendjen e tyre. Dhe do t’ju thosha që janë bërë rreth 300 km argjinatura lumore, flasim në vitet ’50-’60 kur edhe u bë bonifikimi. Janë bërë mbrojtjet gjatësore, tërthore të lumenjve. Janë bonifikuar përreth 280 mijë hektarë tokë bujqësore, kjo fushore, nga të cilat 50 mijë të tjera janë përftuar. Janë ndërtuar 28 stacione pompimi, hidrovore. Janë ndërtuar përreth 640 ujëmbledhës, rezervuarët e sotëm. Dhe kjo është në fakt pasuria që ne kemi, që vazhdojmë ta keqadministrojmë, që vazhdojmë të mos e kuptojmë. Këtu nuk ka rëndësi se cili është ministri i radhës, sepse nuk dua të më keqkuptojë ministri aktual i Bujqësisë. Ky është një fenomen përvjetor i politikës dhe i Parlamentit shqiptar. Po të kthehemi pak ndër vite, por edhe në këtë vit, apo edhe në ditën që po flasim, nuk e di, do të ketë mbërritur ndonjë deputet besoj në Shkodër, ka vetëm një koreografi, një ministër që sigurisht del nga makina, laget pak që të shkojë te kamera dhe të dalë të thotë që, ja unë jam shpëtimtari i këtyre përmbytjeve. Në fakt, ne duhet ta shohim të vërtetën në sy dhe kjo e vërtetë mund të shihet në sy vetëm duke marrë masat e nevojshme. Si do mundemi që argjinaturat e dëmtuara t’i kthejmë në një cilësi që mund të përballojnë prurjet e shirave. Dhe sigurisht që argjinaturat mund të dëmtohen nga dora e njeriut, nga agjentët atmosferikë, por edhe ndryshimi i rrjedhës së lumenjve mund të ndodhë nga impiantet e përpunimit të inerteve në këto lumenj. Kam dëgjuar shpesh nga specialistë të fushës dhe mendoj që një nga defektet kryesore të qeverive të ndryshme ka qenë kur menaxhimi i ujërave i është lënë thjesht dhe vetëm administratave publike dhe jo garantoj që qoftë nga pamundësia financiare apo edhe paaftësia profesionale nuk e kanë pasur të mundur për ta rikthyer situatën në normalitet.

Kudo në botë lumenjtë do të gërryhen dhe do të kenë prurje dhe në rastin tonë absolutisht që do të ketë. Më e thjeshta për një qeveri është që të nxjerrë një vendim dhe të pezullojë këto impiante. Por në mënyrë të padiskutueshme inertet do të merren në territorin shqiptar sepse ne jemi një vend në ndërtim. Ju garantoj që është një aset shumë i çmuar për vetë qeverinë nëse do të mundet të bashkëpunojë me këto impiante, nëse do të mund të vendosen në ato vende, ku i shërbejnë largimit të inerteve. Në çdo vend të botës, rrjedhimisht edhe në Shqipëri, çdo hektar tokë ka minimalisht 10-15 tonë gërryerje apo mbetje inerte. Nëse këto nuk do të largohen sigurisht ngritja e nivelit të shtretërve të lumenjve, ajo që ka ndodhur sot, do të bëjë pikërisht këto përmbytje. Ndaj ndodhemi përballë dy alternativave: të bashkëpunojmë me këto komani private, por sigurisht që të këtë një dirigjim nga specialistë të fushës, apo ta pastrojmë nëpërmjet bordeve të famshme të kullimit. Unë besoj se do të ishte më e udhës dhe më pak e kushtueshme që të kishte bashkëpunim. Të kthehemi te hidrovoret. Sigurisht që në shumë ultësira kërkohet sistem pompimi dhe falë investimeve të bëra në vitet ’60, dhe askush nuk e kishte menduar që ky sistem do të ishte edhe në vitin 2018. Dhe ajo që është më kryesorja çdo vit duhet të ketë analizë për t’iu përshtatur nevojave të vitit pasardhës. Shpesh na ka ndodhur në vitet e fundit edhe fenomeni që ka pasur dalje nga shtrati të lumenjve apo përrenjve që janë përreth këtyre sistemeve të pompimit. Ndaj, nisur nga këto kushte unë mendoj që agjencia e cila do të merret me menaxhimin e ujërave, në mënyrë të padiskutueshme është një koordinatore ndërveprues. I vetmi target që i jepet është vetëm ai për të pasur mundësi për të dhënë edhe një leje më shumë.

Vendime të rëndësishme

Unë besoj se do të kemi të njëjtën situatë problematike në vitin pasardhës, do të kemi të njëjtën ndërhyrje nga Ministria e Bujqësisë apo nga ndonjë ministri tjetër, duke bërë ndërhyrje të pjesshme, të cilat nuk japin zgjidhje përfundimtare. Dhe siç ndodh gjithmonë: dheu do të mbulojë gjithçka. Investimet në bujqësi kanë ndodhur dhe shpesh me krenari përmenden, siç është edhe rritja gjithmonë e sipërfaqes së vaditjes. Përkon kjo në fakt me vitin 1960, kur 280 mijë hektarë kishin sistem kullues për tokat bujqësore fushore. Dhe ne pretendojmë të shkojmë 300 mijë dhe kjo jo se po shohim gjë realisht. Unë dua të them që pranvera e përmbytur sjell një bujqësi të dështuar dhe sistemi i vaditjes do të jetë i pavlefshëm. Ndaj kjo kërkon një vendim të rëndësishëm. Unë nuk besoj që dikush do që të ketë përmbytje dhe e vetmja zgjidhje duhet të jetë vendimet të rëndësishme, qofte edhe me ligj.

/ In News / By Elisa Piperi / Comments Off on Lefter Koka: Përballimi i përmbytjeve të vazhdueshme në vend, kërkohen vendime të rëndësishme për investime