Lëvizja Rinore për Integrim organizoi një bashkëbisedim me maturantët,ku u diskutua dhe u dhanë sugjerime apo propozime mbi Maturën Shtetërore

Lëvizja Rinore për Integrim organizoi një bashkëbisedim të hapur me maturantët me temë “Një shans për maturantët”, ku u diskutua dhe u dhanë sugjerime apo propozime mbi Maturën Shtetërore.

Në këtë takim ishin të pranishëm Kryetarja e LRI-së, Floida Kërpaçi, deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj, Zëvendësrektori i Universitetit të Tiranës, Shezai Rrokaj dhe Dekani i Veterinarisë në Universitetin Bujqësor të Tiranës, Luigj Turmalaj.

Gjatë diskutimeve me të pranishmit, Kryetarja e LRI-së, Floida Kërpaçi, bëri me dije se do të hartohet një rezolutë për t’iu dorëzuar Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për të këmbëngulur që Matura Shtetërore këtë vit të realizohet me standarde më të larta.

“Dua të shpreh vullnetin e plotë të LRI-së dhe LSI-së për të ndjekur së bashku adresimin e këtyre temave që diskutuam. Ne do të hartojmë një rezolutë që do ta dorëzojmë në Ministrinë e Arsimit e Sportit dhe do të këmbëngulim që Matura Shtetërore këtë vit të realizohet me standarde më të mira sa më të larta dhe të ofrojë një shans për të gjithë ne që jemi këtu, por edhe për maturantët anembanë Shqipërisë. Dua ta mbyll fjalën me garancinë time të plotë që ne do të luftojmë për një sistem arsimor që ofron shanse të barabarta për të gjithë maturantët. Në këtë rrugëtim ne do të vazhdojmë me bindje të plotë dhe do të luftojmë akoma më shumë për të rritur përgjegjshmërinë tonë por edhe për të kërkuar më shumë që të gjithë maturantët të gjithë nxënësit të kenë më shumë shanse dhe më shumë mundësi”, – deklaroi znj. Kërpaçi.

Ndërsa, deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, vlerësoi angazhimin e të rinjve në politikë si një mënyrë për të ndryshuar diçka të mirë për komunitetin dhe për të gjithë bashkëmoshatarët e tyre. Znj. Mehmetaj premtoi që çështjet e ngritura nga maturantët do të ngrihen në të gjitha nivelet institucionale.

“Të gjithë gjimnazistët e LSI-së dhe LRI-së nuk kërkojnë që të kenë një angazhim publik për të përfituar në interesin e tyre të vogël e personal, por e bëjnë këtë për të ndryshuar diçka të mirë për komunitetin dhe për të gjithë bashkëmoshatarët e tyre. Kjo tregon që çdo ditë e më shumë nevoja e angazhimit të të rinjve në politikë është e padiskutuar dhe shumë e nevojshme. Çështjet e ngritura nga ju sot t’i ngremë në të gjitha nivelet, edhe në Parlament, qoftë nëpërmjet interpelance, apo qoftë edhe nëpërmjet një komunikimi të drejtpërdrejtë si institucion i Parlamentit me Ministrinë. Për ne është e rëndësishme që maturantët të mos kalojnë kalvare vuajtjesh apo ankthi, por që jeta e tyre të jetë e sigurt dhe e zgjidhur atje ku ju dëshironi, por edhe ku e meritoni të shkoni e që i gjithë ky proces të jetë transparent”, – tha znj. Kejdi Mehmetaj në fjalën e saj.

Zv.Rektori i Universitetit të Tiranës, Shezai Rrokaj, theksoi se maturantët janë përballur me një kalvar të vërtetë vitin e shkuar për shkak të një ligji defektoz dhe se ky është një problem jashtëzakonisht i madh.

“Nxënësit tanë janë kthyer në kavje eksperimentale të paditurisë së atyre që qeverisin për të gjetur sisteme të thjeshta. Jam shumë i prekur nga një kalvar që fillon që në janar dhe që mezi përfundon në dhjetor e për çfarë? Për t’u futur në shkollë. Ky është një problem jashtëzakonisht i madh. Filloi Matura Shtetërore dhe në të u përfshi edhe pranimi në universitet, që nuk kishte pse të ngatërrohej. LSI ka qenë kritike ndaj ligjit dhe thamë se do të ishim shumë të vëmendshëm gjatë zbatimit të tij. Ajo që ne dyshonim dhe që e kishim thënë, rezultoi defektoze vitin që shkoi”, – deklaroi z. Shezai Rrokaj.

Në takim, fjalën e mori edhe Zv. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj, e cila tha se të gjitha kërkesat dhe propozimet e maturantëve do t’i përcillen autoriteteve përkatëse në mënyrë që përfshihen në udhëzimin e ministrisë.

“Të gjithë kërkesat që ju keni sjellë ashtu si edhe kërkesat e tjera të maturantëve që kanë ardhur nëpërmjet tryezave që ne kemi bërë me të gjitha grupet e interesit gjatë gjithë kësaj kohe, do t’i paraqes Komitetit të Maturës Shtetërore për t’ia bërë me dije dhe për ta vënë në udhëzim. Dhe jo vetëm në udhëzim, por për të bërë rast pas rasti zgjidhjen e çdo problemi në mënyrë që çdo maturant të ketë një shans, çdo shans të jetë i merituar, çdo meritë të ketë meritokraci dhe çdo vlerësim të shkojë në dijen e kapitaleve tona”, – u shpreh Zv.Ministrja e Arsimit e Sportit.

/ In News / By LSI / Comments Off on Lëvizja Rinore për Integrim organizoi një bashkëbisedim me maturantët,ku u diskutua dhe u dhanë sugjerime apo propozime mbi Maturën Shtetërore