LRI youth camping on the coast of Yale

imageikontabsTë dashur delegate dhe delegatë të kësaj konvente. Dua t’ju falënderoj për angazhimin tuaj përpara konventës dhe në përgatitjen e saj për mposhtjen që i bëtë dje atij rrebeshi të paparë për angazhimin tuaj mjaft aktiv gjatë gjithë punimeve dhe seancave, sidomos për kontributin që dhatë gjatë tryezave që u zhvilluan dje për punësimin, bujqësinë, për arsimin, për shëndetësinë, për rininë, për gruan dhe njëkohësisht edhe sot për këtë debat për të modernizuar më tej programin e LSI-së por edhe statutin e saj. Sepse duam të ecim më shpejt me një ritëm më të lartë, me ritmin e Shqipërisë së vërtetë evropiane, me ritmin e atyre që ndiejnë përgjegjësi në radhë të parë për të ardhmen. Dua të përgëzoj grupin e punës për programin sidomos për çështjet ekonomike dhe dua të theksoj se për LSI-në punësimi mbetet prioriteti më i rëndësishëm, më i madh. Natyrisht krahas garantimit të rritjes së mëtejshmes ekonomike, por ajo që është thelbësore për LSI-në, edhe në raport me Partinë Demokratike, është se kjo rritje ekonomike duhet të shkojë në radhë të parë në interes të rritjes së punësimit në vend. Sepse kjo krizë e jashtëzakonshme që ka përfshirë Europën, që ka përfshirë vendet tona fqinje dhe partneret tona kryesore ekonomike dhe tregtare.

Absolutisht që kërkon vazhdimin e projekteve në infrastrukturë, pasi edhe infrastruktura është e rëndësishme në një plan afatgjatë. Por sidomos në muajt që vijnë dhe në vitet që vijnë po duket qartë se kjo krizë do të vazhdojë dhe presioni i saj do të jetë edhe më i madh, është e domosdoshme që kjo rritje ekonomike që do të sigurojmë, që do të jetë e qëndrueshme të shkojë në radhë të parë në interes të hapjes së vendeve të reja të punës. Ndaj përgëzoj të gjitha propozimet e bëra nga z. Haxhinasto në emër të këtij grupi. Dhe duhet të luftojmë më shumë Edmond edhe në qeveri për këto çështje, jo vetëm në forumet e LSI-së. Së dyti, ne sot kemi një LSI më të re falë edhe ndryshimit statutor që e zbriti moshën për tu anëtarësuar në LSI nga 18 në 16 vjeç. Dhe unë mendoj se kjo është tërësisht e drejtë. Është tërësisht e motivuar për një forcë si LSI, një forcë e së ardhmes, një forcë që bazën kryesore dhe të gjithë frymëzimin e saj por edhe të mbështetjes së saj e ka tek rinia, e ka te shpresat, te ëndrrat e saj për të ardhmen. Dhe ata do të jenë edhe më pjesëmarrës në të gjitha vendimet e rëndësishme që LSI do të marrë në të ardhmen. Një arritje shumë e rëndësishme mendoj, një hap maksimal, sepse më tej nuk mund të shkojnë, sepse duhet të marrim masa në statut për të mbrojtur të drejtat e përfaqësimit të burrave, është vendimi për të garantuar një barazi të plotë gjinore në forumet e LSI-së. Sigurisht, që ky është një hap i rëndësishëm, është një hap madhor, është një hap i cili do të jetë i plotë përgjatë këtyre tre-katër viteve deri në konventën e ardhshme zgjedhore. Por ne duhet ta fillojmë me forumet më të larta të LSI-së, me Komitetin Drejtues Kombëtar, me kryesinë e ardhshme. Duhet ta vazhdojmë më tej me Tiranën sikurse ka qenë traditë gjithnjë e LSI-së së Tiranës.

Duhet ta vazhdojmë me Korçën ku shumica e këshilltareve tona në bashki janë zonja. Nga Durrësi  e kështu me radhë për ta zbatuar në mënyrë reale, jo formale edhe në komunat më të thella, edhe më të largëta të vendit. Atje ku ende për shkak të një tradite dhe psikologjie që vjen nga e kaluara, gratë dhe vajzat nuk janë dhe aq pjesëmarrëse sa duhet të jenë për të ndryshuar perspektivën e komunitetit ku jetojnë dhe njëkohësisht për të fuqizuar veten, për të fuqizuar familjet e tyre, komunitetet e tyre dhe të gjithë shoqërinë tonë. Është tashmë një përgjegjësi e LSI-së për të sjellë novitete, për të marrë përsipër iniciativa të reja. Çdo do të thotë LSI? LSI në radhë të parë do të thotë sfidë. Do të thotë sfidë për të guxuar, për të arritur atë që të tjerëve u duket e pamundur dhe ne kemi ndërmarrë përgjatë këtyre 8 viteve shumë sfida të cilat janë dukur të pamundura, të cilat janë konsideruar edhe si marrëzi por që më pas të gjitha janë vlerësuar, janë çmuar për ato novitete, për atë emancipim që kanë sjellë në politikën shqiptare, që kanë sjellë në shoqërinë tonë. Natyrisht që nuk jemi të kënaqur me arritjet e deritanishme. Nuk mendojmë se pjesëmarrja e LSI-së në qeveri është diçka që ka ndryshuar në mënyrë vërtet drastike gjendjen ekonomike e sociale për qytetarët shqiptarë përkundrazi jemi shumë të ndërgjegjshëm, jemi shumë të vetëdijshëm se një pjesë e madhe e tyre jetojnë dhe mbijetojnë me sakrifica shumë të mëdha dhe të panumërta. Prandaj edhe mesazhi ynë përgjatë gjithë kësaj kohe ka qenë tepër realist, ka qenë tepër i përgjegjshëm, ka qenë tepër social dhe njerëzor.

Kjo situatë nuk mund të përballohet as duke qëndruar mbi realitetin por kjo situatë as nuk mund të përmirësohet duke e nxirë këtë realitet dhe duke u përpjekur për të rritur dëshpërimin e shumë e shumë qytetarëve shqiptarë të cilët absolutisht që nuk kanë nevojë për këtë gjë por kanë nevojë për një alternativë që jep shpresë, që i ndihmon, që u jep dorën për të dalë nga kjo situatë e vështirë dhe për të ecur të sigurt drejt një të ardhme më të mirë. Kjo është filozofia e LSI-së, kjo është edhe rezultat i kësaj eksperiencë tre vjeçare në qeverisjen e vendit. Unë edhe një herë tjetër ju vlerësoj të gjithëve për angazhimin e jashtëzakonshëm që keni treguar. Dua t’ju vlerësoj dhe t’ju falënderoj në avancë për atë që do të tregoni në muajt e ardhshëm deri në qershor të vitit 2013. Jemi të ndërgjegjshëm se përfaqësuesit në të gjitha nivelet duhet të rrisin më teju rolin e tyre por ajo që të gjithë nxjerrim si konkluzion nga e gjithë përgatitja para konventës, por edhe dje edhe sot këtu, edhe nga mesazhet tuaja është që duhet të rrisim rolin e forumeve të LSI-së në mënyrë që të rrisim më tej përgjegjësinë dhe performancën e të gjithë përfaqësuesve dhe të të zgjedhurve tanë. Vetëm duke i bërë këto forume gjithnjë e më aktive, duke luftuar formalizmin dhe fiktivitetin, duke u hapur ndaj kritikave dhe ndaj debateve, ne do të arrijmë të përmirësojmë vetveten.

Kjo është sfida më e rëndësishme e atyre që duan të ecin përpara, të përmirësojnë vetveten, të mos vetëkënaqen, të ecin me ritmin e më të rinjve, të ecin me ritmin e 18-20 vjeçarëve, të atyre që kanë lindr pas vitit 1990, të atyre që shohin vetëm përpara, që kanë vetëm një ëndërr: Shqipërinë e vërtetë evropiane. Rroftë Lëvizja Socialiste për Integrim! Rroftë Shqipëria Europiane! Rroftë 100 vjetori i pavarësisë dhe le të bashkohen të gjithë shqiptarët kudo që janë në këtë 28 Nëntor për të punuar të gjithë së bashku për Shqipërinë europianë, për Kosovën europiane, për të punuar të gjithë së bashku në emër të së ardhmes të fëmijëve tanë, të cilët kanë nevojë për përkujdesje dhe për dashuri dhe jo për helm dhe për urrejtje. Ne jemi një komb me vlera të jashtëzakonshme. Ne jemi kombi i Gjergj Kastriot Skënderbeut që e nderon e gjithë Europa. Ne kemi kombi i Nënë Terezës që e nderon e gjithë bota. Ne jemi kombi i Ismail Qemalit dhe i gjithë atyre patriotëve që dhanë gjithçka për Shqipërinë. Le t’i japim më shumë dashuri njëri-tjetrit dhe Shqipërisë. Suksese dhe me kaq e deklaroj të mbyllur këtë konventë por njëkohësisht hapim rrugën për të zbatuar vendimet e kësaj konvente. Fitore!

/ In News / By LSI / Comments Off on LRI youth camping on the coast of Yale