Luan Rama: Absurdi i një feste dhe negociatat e paçelura

Deputeti Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama anë të një postimi ka treguar se Shqipëria po feston para kohe për hapjen e negociatave me BE-në, teksa shton se të gjitha këto ‘festime’ janë absurde.

Rama ka shkuar se të gjitha këto dalje publike janë pa lidhje për sa kohë që nuk e kemi të sigurtë nëse do të marrim dritën jeshile, ndërsa ka thënë se qytetarët shqiptarë duhet të informohen se ende nuk jemi në BE.

REAGIMI I PLOTË:

Absurdi i një feste dhe negociatat e paçelura!

Delir, ekstazë, fjalime me tone festive, patetizëm naiv e krekosje idiote, konferenca shtypi, blice aparatesh, kamera gjithkund e kameramanë që shtyhen, sekush për të mos humbur shansin për të fiksuar çdo detaj apo grimasë, njerëz të gëzuar që nuk e dinë se përse, raporte që dorëzohen zyrë më zyrë prej të njejtës dërgatë si një vit më parë e sipas një rituali të rëndomtë e grotesk, fjalime në parlament, e përsëri shterngime duarsh, konferenca shtypi, deklarata, pozime fallco para kamerave, grimasa, buzeqeshje, nënqeshje, ngërdheshje, përqeshje!…
Kjo është atmosfera e Tiranës zyrtare këto ditë, kinse prej një raporti dhe rekomandimit të Komisionit Europian për Këshillin Europian, ku më 28 qershor, ministrat e punëve të jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Europian do të duhet të marrin vendim, për t’i çelur ose jo negociatat me Shqipërinë!
Dhe që kjo të bëhet e mundur, pra që negociatat të çelen, duhet që në Këshillin Europian të mos ketë asnjë votë kundër!
Atëherë përse gjithë kjo festë? Përse kaq shumë zhurmë mburrjesh naive e idiote po aq, aq sa edhe zyrtarë të shtetit e deputetë flasin për çelje apo hapje të negociatave, për ditë historike, për ngjarje të madhe e të tjera si këto, kur vendimi nuk është marrë ende, e madje nuk dihet a do të merret më 28 qershor?!
Sepse, për dreq edhe një vit më parë kështu ndodhi; Komisioni Europian i rekomandoi Këshillit çeljen e negociatava me Shqipërinë, raporti u dergua me dërgatën njësoj si këtë herë zyrë më zyrë prej Kryeministrit, Presidentit e me rradhë tek të tjerët, por Këshilli nuk e miratoi rekomandimin!
Festë absurde e qesharake për një vendim që ende nuk është marrë!
Shqiptarët duhet ta dinë: nuk janë çelur ende negociatat e BE-së me Shqipërinë! Ka vetëm një rekomandim, rutinë e punës së Komisionit, vendimi për të cilin merret me 28 qershor!
Ndaj, me shpresën që Këshilli Europian t’a miratojë rekomandimin e Komisionit Europian për çeljen e negociatave me Shqipërinë, na e kurseni festën, na e kurseni zhurmën mburramane dhe idiotësinë e deklaratave të denja vetëm për frekuencat e paligjshme të ERTV!
E, për ta kuptuar më mirë absurdin e kësaj feste idiote e zhurme të pakuptimtë, ia vlen t’ju sjell në vëmendje disa vargje nga poema e Ismail Kadaresë “Tirana në dimër”:

“Mesdita ia beh, si grua e dehur tapë.
Temperatura e dollari zbresin prap.
Po shqyhen celularët: okej, shkërdhatë,
Rrofsh, je yll bote, e tung, e top, e trap.

A shqip është kjo llahtarë apo dreqnisht?
Për gjithçka flitet, heshtet për gjithçka.
Ja të dy palët, xhelatë, viktima e ish,
Kujtime shkruajnë netëve me mllefe të mëdha.

Po ç’është ky popull që në gropë i shtrirë
Kujton aq krenarisht se është në majë?”