Luan Rama: Këshilli i Lartë Gjyqësor, monument i pa amnistueshëm i injorancës në krye të drejtësisë

Zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama duke marrë shkas nga vendimi i sotëm për Ardian Dvoranin deklaron se Këshilli i Lartë Gjyqësor u shndërrua në monument të pa amnistueshëm të injorancës në krye të drejtësisë.

Përmes rrjeteve sociale, Luan Rama shprehet se anëtarët e KLGJ-së nuk e njohin Kushtëtutën e Shqipërisë, ndaj edhe nuk e zbatojnë atë.

Reagimi i Luan Ramës

Këshilli i Lartë Gjyqësor: MONUMENT I PAAMNISTUESHËM I INJORANCËS NË KRYE TË DREJTËSISË

Ndryshe prej shumë të tjerëve; juristë, publicistë, politologë apo edhe të vetëshpallurve opinionistë, mua nuk më çuditi dhe as më surprizoi vendimi i sotëm i Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili, një çështje që duhej ta zgjidhte vetë, vendosi t’ia delegojë për mendim, praktikisht për vendim, dy shoqatave me statusin e asistentit; EURALIUS-it dhe OPTAD-it.

Me këtë akt të shëmtuar perversiteti profesional e në kundërshtim me atë që urdhëron Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe tërësia e korpusit ligjor të reformës në drejtësi, kjo tufë, politikisht e imunizuar për t’u përdorur deri në neveri prej pushtetit me interesa krejtësisht të kundërta prej parimeve mbi të cilat u ideua reforma në drejtësi, vetëm sa na dëshmoi e na dha edhe sot një provë tjetër të mjerimit e vet intelektual dhe të bjerrjes alarmante të skrupujve etikë dhe moralë, në raport me përmbushjen e përgjegjesive kushtetuese!

Nuk ka se përse habitemi!

Mediokriteti intelektual dhe perversiteti profesional janë kriteret që ata kanë zgjedhur të përveçohen!

Dhe janë të vetëmjaftushëm për të na bindur se cilët janë, pa na shtyrë në ngasjen gjithësesi interesante, të analizës atropologjike të kafkave që ju rëndojnë mbi supe, pasi edhe pa qenë specialistë të fushës, mund të marrim edhe vetëm vizualisht informacione të bollshme të cilësisë së tyre intelektuale!

Ata jo se nuk duan, por realisht nuk e njohin Kushtetutën.
Dhe nuk kanë se si ta njohin, për sa kohë nuk dinë të lexojnë, nuk dinë të shikojnë, nuk dinë të flasin!

Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) nuk u bë sot, ai është që prej krijimit, monument i paamnistueshëm i injorancës në krye të drejtësisë.

/ In News / By Admin / Comments Off on Luan Rama: Këshilli i Lartë Gjyqësor, monument i pa amnistueshëm i injorancës në krye të drejtësisë