Luan Rama: Mungon dialogu politik, sepse qeveria bën dialog me krimin

Zëvendës Kryetari i LSI-së Luan Rama  pret delegacionin e Parlamentit Gjerman.

 Një delegacion i Parlamentit Gjerman me deputetë nga komisioni i ligjeve dhe i mbrojtjes së konsumatorit i kryesuar kryetari i komisionit Stephan Bradner zhvilloi një takim me zëvendëskryetarin e LSI-së Luan Rama, ku ishin të pranishëm edhe deputetë të kësaj partie.

Fillimisht, zëvendëskryetari i LSI-së pasi i falenderoi deputetet gjermanë për vizitën që po bëjnë në Shqipëri, shprehu kënaqësinë që takohet me ta dhe nënvizoi rëndësinë që merr bashkëpunimi mes deputetëve të të dy vendeve.

Nga ana e tyre deputetet gjermanë, pasi falenderuan për pritjen, u interesuan të dinin mbi situatën dhe zhvillimet politike në Shqipëri, mbi ecurinë e reformave dhe bashkëpunimin mes forcave politike parlamentare në Shqipëri.

Zëvendëskryetari i LSI-së iu bëri të qartë deputetëve gjermanë se situata politike në Shqipëri dominohet nga konflikti ndërpartiak, nga mungesa e konsensusit, mungesa e transparencës dhe e tolerancës, nga raportet alarmante të krimit me qeverisjen, nga korrupsioni dhe arroganca e qeverisë.

“- Për të qenë i sinqertë me ju, nënvizoi Luan Rama, situata në Shqipëri është problematike dhe në kaos, reforma në drejtësi është e dështuar dhe në kolaps!

Më tej zëvendëskryetari i LSI-së u shpreh se “është skandaloz fakti që Shqipëria është pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të lartë!

Zyrtarët dhe komisionerët e BE-së, e bashkë me ta edhe eurodeputetë gjermanë vijnë në Tiranë e na thonë se janë të kënaqur me reformën në drejtësi! Po se si mund të shprehesh i kënaqur me reformën në drejtësi, në një kohë që nuk janë krijuan institucionet e reja të drejtësisë dhe kur vendit i mungon Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë e kur i gjithë sistemi është në kolaps vetëm ata mund t’a dinë! Si mund te jesh i kënaqur me reformën, kur ende në krye të prokurorisë qëndron një prokurore e përkohshme e zgjedhur në kundërshtim me Kushtetutën vetëm Hahn e Mogerini mund ta thonë, e kur i pyet se kur do ta ketë Shqipëria në punë Gjykatën Kushtetuese dhe se pse janë shkelur të gjitha afatet ligjore të krijimit të institucioneve të drejtësisë, ata nuk dinë të thonë asnjë fjalë!

-Natyrisht, emisarëve të BE-së mund t’ju duket e suksesshme reforma në drejtësi, por qëndrimet e tyre janë hipokrizi që kërkon të mbulojë edhe dështimin e tyre, pasi është paradoksale që komisionerët e Europës na flasin për suksese të reformës në drejtësi e Shqipëria është pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë! A mund ta mendoni ju që në Gjermani të krijohej një situatë të tillë e të gjithë të ishit të qetë?!

Në vijim Luan Rama duke iu përgjigjur interesimit të deputetëve gjermanë për mungesën e dialogut politik mes qeverisë dhe opozitës theksoi se qeveria ka zgjedhur te bashkëpunojë me krimin dhe jo me opozitën, mungon dialogu politik sepse qeveria bën dialog me kriminelët, ndaj pa u ndare qeverisja me krimin dhe pa u vënë para ligjit të gjithë ata përfaqësues politikë me lidhje apo mbështetje kriminale, nuk rikthehet besimi qytetar  tek institucionet dhe demokracia dhe qeveria asnjëherë nuk do të punojë për integrimin europian të vendit!