Luan Rama: Tërheqja e maxhorancës nga Vettingu i Policisë, pabesi ndaj partnerëve strategjikë

Deklarata për media e Zëvendëskryetarit të LSI-së, Luan Rama
Mirëdita të gjithëve dhe me lejoni t’iu falënderoj për vëmendjen në këtë moment, në këtë konferencë shtypi nga Lëvizja Socialiste për Integrim.
Në fakt arsyeja se pse sot jam këtu ka të bëjë me një çështje që në tërësinë e problemeve dhe të majisjes së tyre në shoqërinë shqiptare duket si çështje periferike në fakt, por nuk është e tillë.
Jam këtu për të folur për dyfytyrësinë apo pafytyrësinë e radhës të qeverisë dhe të mazhorancës, e cila në mënyrë hipokrite dhe me demagogjinë e saj karakteristike hoqi dorë nga procesi i Vettingut në Policinë e Shtetit duke dëshmuar që e gjithë përpjekja dhe e gjithë tirada, me të cilën ajo e parapriu këtë proces nuk ka qenë gjë tjetër vetëm se demagogji dhe spekulim, siç është në fakt demagogji dhe spekulim gjithçka që thotë dhe mazhoranca e rilindjes për Vettingun si proces ligjor i domosdoshëm për institucionet e zbatimit të ligjit.
Hipokrizi dhe shpërdorim e keqpërdorim është qëndrimi i mazhorancës ndaj Vettingu në Drejtësi, i tillë shfaqet në Vettingun në polici.
Tërheqja nga procesi i Vettingut, deformimi i tij dhe më konkretisht deformimi i ligjit për Vettingun e policisë shpreh më së miri gjithçka çfarë ka të bëjë me hipokrizinë, me dyfytyrësinë apo me dy standardet që aplikon për fat të keq mazhoranca e Rilindjes. Si njëri nga autorët dhe koordinatori i bashkëveprimit dhe i bashkërendimit të punëve midis grupit parlamentar të LSI dhe grupit Parlamentar të Rilindjes, unë kam qenë pjesë e integruar dhe LSI-ja ka qenë një kontributore e rëndësishme në miratimin me konsensusin e të dyja partive të këtij ligji të rëndësishëm për ta pastruar Policinë e Shtetit nga të inkriminuarit dhe lidhjet apo karriera e një pjese të drejtueseve të saj, e sponsorizuar dhe e motivuar nga lidhjet kriminale. Në atë kohë bashkë me kolegun Fatmir Xhafaj si Ministër i Brendshëm, kemi punuar për ta sjellë ligjin në standardet e një ligji funksional dhe që ta realizonte procesin e Vetting-ut si një proces tërësisht ligjor dhe të shkëputur nga politika. Me orë të tëra debatesh, diskutimesh dhe punësh të përbashkëta, në grupin e punës ku ka qenë në mënyrë më të drejtpërdrejtë i involvuar Zëvendësministri i Hodaj, arritëm që edhe mbi 45 amendamente të paraqitura nga Lëvizja Socialiste për Integrim t’i bënim pjesë të ligjit. Duke shkuar tek votimi i ligjit siç e thashë, me konsensusin e të dyja palëve dhe çfarë është më e rëndësishmja, me dakordësinë dhe miratimin edhe të dy organizmave të rëndësishëm që asistojnë dhe ndihmojnë policinë e shtetit dhe organet e zbatimit të ligjit siç është ICITAP dhe PAMECA. E përkundër kësaj kur nuk janë bërë as dy muaj nga miratimi i këtij ligji, qeveria shkon në hapa prapaktheu. Tërhiqet nga procesi i Vettingut të Policisë, e deformon atë në thelbin e vet dhe ia cakton këtë përgjegjësi Shërbimit të Çështjeve të Brendshme që është një strukturë në varësi të drejtpërdrejt të Ministrit të Brendshëm. Çka e jep të kuptuar dhe jo të nënkuptuar që i gjithë procesi do të jetë një proces politik i  kontrolluat për fat të keq nga politika. E meqenëse jemi aktualisht në një situatë të rëndë kriminale në vend, meqenëse jemi dhe në këtë çast me një konfrontim të policisë te Unaza e Re, ku qytetarët protestojnë në të drejtën e tyre, për të mbrojtur pronën e tyre, për të mbrojtur shtëpitë e tyre dhe ku policia është në tejkalim të ligjit, kuptohet qartë se cila është arsyeja e tërheqjes nga procesi i Vettingut, e cila lidhet me përpjekjen për ta instrumentalizuar këtë proces dhe për të kontaminuar në këtë qëllim të mbrapshtë të qeverisë edhe vetë strukturën e Policisë së Shtetit. Prandaj në shenjë reflektimi dhe përgjegjësie i kërkoj atij palo Parlamenti që ka mbetur që të mos i shtojë zullumeve dhe turpeve të veta edhe turpin e tërheqjes nga procesi i Vettingut në Policinë e Shtetit.
Cili është qëndrimi juaj pas përgjigjes që i dha Kryeministri, shkrimtarit Agron Tufa për krimet e komunizmit gjatë luftës Nacional-Çlirimtare?
Çështja e të ashtuquajturës polemikë në fakt që ka nisur me herët, por mori trajtën e saj më të plotë pas qëndrimit që mbajti Kryeministri në sallën e supës me disa qytetarë në 5 maj ku ai gjeti kohën për të dëshmuar se është në anën e luftës dhe jo të Agron Tufës. Në fakt nuk ka të bëjë me Agron Tufës, por është dyfytyrësia dhe hipokrizia e tufës së horrave të Rilindjes të cilën nuk e lidh asgjë me luftën Nacional-Çlirimtare, me epopenë e lavdishme të partizanëve shqiptarë që e renditën Shqipërinë në Koalicionin Antifashist Botëror dhe  bënë Shqipërinë një shtet fitues në Luftën e Dytë Botërore. Në fakt ajo që po bën Agron Tufa nuk është asgjë, por zbatimi pikë për pikë dhe gërmë për gërmë i qëndrimit të artikuluar më herët nga ai që është sot Kryeministri i Shqipërisë pra nga Edi Rama që me botimin e librit të tij të famshëm “Refleksione”, ku ai në mënyrën më antishqiptare dua ta them, e konsideron gjakun e 28 mijë dëshmorëve partizanë të lirisë së Shqipërisë, si gjakun e rremë në themelet e kolltukëve që nisi tërmetin, thotë ai. Ndërkohë, dhe më lejoni të citoj drejtpërdrejtë se çfarë thotë ai në Refleksionet e veta, thotë shprehimisht: “Duhet pranuar më në fund hapur që lufta kundër okupatorit degjeneroi në një luftë të përgjakshme civile, shkaktare e së cilës ishte Partia Komuniste Shqiptare, e drejtuar nga emisarët jugosllavë. Histeria e luftës për pushtet që kishte projektuar gjeneral Enver Hoxha dhe marrja e pushtetit me dhunë, që ka qenë thelbi i çdo lëvizjeje komuniste është shkaku i vetëm që ajo luftë kundër okupatorit degjeneroi në luftë civile.” E të tjera e të tjera. Pra Agron Tufa nuk thotë asgjë më shumë se kaq. E nëse ka një fajtor përballë popullit shqiptar, përballë qytetarëve shqiptarë, përballë historisë së Shqipërisë, ky është Edi Rama.
E dyta që dua ta theksoj edhe njëherë, që përpjekja e cilitdo që kërkon t’i bëjë gjyqin partizanëve që fituan luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe e bënë Shqipërinë të jenë në koalicionin e madh antifashist botëror, nuk është asgjë tjetër, por përpjekje perverse e të gjithë atyre që janë përfshirë në këtë perversitet. Sepse askush nuk ka të drejtë dhe nuk mund të gjykojë shenjtërinë e luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ajo mbetet epoka dhe lufta më e lavdishme që populli shqiptar ka bërë gjatë gjithë historisë së vet. Prandaj të gjithë ata perversë që i janë bashkuar korit apo tufës së atyre që duan të gjykojnë dhe ta interpretojnë luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare si luftë civile, nuk bëjnë asgjë tjetër, por dëshmojnë se kanë zgjedhur edhe në 75 vjetorin e çlirimit të atdheut të bëhen me humbësit, me ata që u përpoq të revokonte dhe të nderonte kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili i kapur pas eshtrave të Mit’hat Frashërit dhe pas kufomave të bashkëpunëtorëve të fashizmit, kërkon të dëshmojë edhe në këtë çështje dyfytyrësinë e qeverisë së tij, dyfytyrësinë e mazhorancës së tij, dyfytyrësinë e rilindjes së tij, e cila nuk ka asgjë të përbashkët me qëndrimin konsekuent dhe të pa ndryshuar që ka mbajtur Partia Socialiste ndaj luftës Nacionalçlirimtare, në themelet e së cilës qëndron gjaku i vajzave dhe i djemve idealistë të një Shqipërie Antifashiste, dhe siç është në themelet e Luftës së Dytë Botërore dhe në themelet e Antifashizmit të asaj lufte edhe Europa e bashkuar ku Shqipëria kërkon të bëhet pjesë. Faleminderit!

/ In News / By Admin / Comments Off on Luan Rama: Tërheqja e maxhorancës nga Vettingu i Policisë, pabesi ndaj partnerëve strategjikë