Luan Rama: “Zgjedhjet të parat, dialog për të gjetur zgjidhje”

Më lejoni t’ju bëj të ditur që në përgjigje të ftesës së Kryetarit të Kuvendit, i cili ka thirrur sot në një seancë të jashtëzakonshme punimet e Kuvendit për të votuar, miratuar, ngritjen e dy komisioneve të radhës që detyron ligji, pra të komisioneve ad-hoc për anëtarët të përzgjedhjes së kandidaturave për institucionet e rivlerësimit, sipas ligjit për Rivlerësimin Kalimtar të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Lëvizja Socialiste për Integrim ka propozuar dhe do t’i propozojë seancës së Kuvendit, për Komisionin e parë, i cili është një komision që përbëhet nga 12 anëtarë, 6 nga shumica dhe 6 nga pakica, dy deputetët Luan Rama dhe Silva Caka.

Ndërsa për komisionin tjetër prej 6 anëtarësh, tre që i përkasin shumicës dhe tre të pakicës, ne kemi propozuar deputetin Vangjel Tavo.

Natyrisht kjo nuk është thjeshtë përmbushje e një detyrimi formal që ligji e detyron Kuvendin të miratoi këto komisione, por edhe një herë dëshiroj të apeloj për rëndësinë që merr pjesëmarrja e të gjithë aktorëve dhe faktorëve politikë parlamentar në këtë proces, pasi siç e dini, për shkak të bojkotit të opozitës, është bërë e mundur të bllokohet. Nuk është bërë e mundur të funksionojnë këto institucione, çka në thelb pastaj ka sjellë të gjithë atë problematikë që ju e dini dhe e ndiqni në vijimësi.

Prandaj edhe një herë dëshiroj të theksoj rëndësinë e madhe që merr dialogu politik për zgjidhjen dhe kapërcimin e kësaj situate dhe për të realizuar atë çfarë është e rëndësishme, pikë së pari reforma zgjedhore e cila gjithashtu është e bllokuar, dhe natyrisht reformën në drejtësi që gjithashtu është e bllokuar.

 

Pyetje nga gazetarët:

Rama, a do ta nënshkruani marrëveshjen e re me Partinë Socialiste meqenëse po skadon afati i regjistrimit në KQZ?

Problemi i madh në këtë vend janë zgjedhjet. Dhe detyrimi i madh që ka padyshim e gjithë klasa politike, por veçanërisht detyrimi i madh që ka mazhoranca, për shkak të përgjegjësive që ka si mazhorancë e votuar nga sovrani për të qeverisur dhe për të realizuar zgjedhje sipas standardeve është dialogu me opozitën, përfshirja e opozitës në zgjedhje, si një domosdoshmëri, si një kusht jetik i rëndësishëm, si një vlerë e një shoqërie të matur dhe të pjekur demokratike, pra për pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje.

Për të realizuar më në fund Shqipëria pas 27 vitesh një sagë problematike dhe shqetësuese me zgjedhje gjithnjë të kontestuara, zgjedhje sipas standardeve, zgjedhje të lira e të barabarta, transparente dhe ku secili aktor politik në garë të ketë mundësi të konkurroi dhe të shpalosë alternativën e vet.

Ajo çfarë duhet të bëjë politika në këto raste është t’i largohemi marrëzisë dhe t’i thërrasim arsyes dhe përgjegjësisë. Përgjegjësisë për të realizuar zgjedhje, edhe një herë e përsëris, sipas standardeve, zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barabarta, zgjedhje ku qytetarët të kenë mundësi të zgjedhin dhe jo vetëm të votojnë.

Ky është problemi i madh dhe Lëvizja Socialiste për Integrim gjithnjë ka apeluar, do ta vazhdoj ta apelojë dhe të ushtrojë të gjithë presionin e vet pozitiv dhe të jap të gjithë kontributin e vet për të realizuar dialogun e munguar dhe për tu sjell zgjidhjen që të gjithë e presin. Pra, zgjidhjen që vjen pas krijimit të bindjes dhe të besimit që zgjedhjet do të jenë të ndershme, të lira dhe të barabarta.

Pikërisht për këtë dialog Ministri i jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, tha se opozita duhet të kthehet në Parlament për ta kryer aty dialogun siç bëhet në çdo vend evropian. Cili është komenti juaj për thirrjen e ministrit gjerman për ta lënë bojkotin dhe njëkohësisht për të hyrë në zgjedhje?

Qëndrimet e ndërkombëtarëve janë të dobishme për aq sa janë të balancuara dhe konstruktive. Çdo njëanshmëri nuk ndihmon në zgjidhjen e situatës. Problemi është krijuar këtu, problemi është krijuar për shkak të papërgjegjshmërisë politike të shqiptarëve dhe zgjidhja duhet të vijë nga dominimi i arsyes dhe i vetëdijes që interesat e vendit janë prioritare dhe për t’u shmangur edhe një herë e theksoj marrëzisë.

Boll kosto kanë krijuar në këtë vend për qytetarët shqiptarë por edhe për tërë procesin e integrimit të Shqipërisë, marrëzitë politike. Ka ardhur koha e përgjegjësisë politike dhe e arsyetimit mbi bazën e prioritetit që merr interesi i vendit dhe interesi i qytetarëve shqiptarë. LSI e ka bërë të qartë dhe ju mos prisni që unë të them sot, sepse nuk do ta dëgjoni asnjëherë, që interesi i LSI-së apo interesi i koalicionit është më i rëndësishëm se sa interesi i Shqipërisë. Është imperativ, është urgjent, është e rëndësishme ulja në tryezën e dialogut dhe gjetja e zgjidhjes për të realizuar zgjedhje në të mirë të interesit të qytetarëve shqiptarë.

A do të regjistroheni nesër për koalicionin me Partinë Socialiste për ët shkuar në zgjedhje së bashku?

Duke mirëkuptuar të gjithë kërshërinë tuaj këmbëngulëse për të vënë në rend të parë një çështje që nuk mund të jetë parësore në raport me zgjedhjet e lira, të ndershme, transparente, demokratike dhe sipas standardeve, më lejoni t’ju them edhe një herë, zgjedhjet janë të parat dhe ne jemi të angazhuar e ftojmë të gjitha partitë politike, në mënyrë të veçantë ato parlamentare, të ngrihen në nivelin e përgjegjësive që kërkon ky moment i rëndësishëm për fatet e vendit. Të gjitha të tjerat pastaj në kohën e duhur, do t’ua bëjmë të njohura me shumë seriozitet dhe më shumë transparencë gjithashtu.

Kjo çështje bëhet parësore për sa kohë që ka nisur numërimi mbrapsht i orëve për mbarimin e afatit ligjor. A do të ketë një takim midis z. Rama dhe z. Meta sot?

Ju i numëroni orët mbrapsht, unë i numëroj siç i ka bërë natyra të numërohen dhe në kohën e duhur dhe në momentin e duhur do t’ua bëjmë të ditura të gjitha qëndrimet tona publike dhe me shumë transparencë.

A ka LSI-ja ndonjë emër për të propozuar për postin e Presidentit të Republikës në bashkëpunim edhe me koalicionin qeverisës?

Nuk kam çfarë të shtoj për çështjen e Presidentit të Republikës asnjë fjalë më shumë nga sa ka mbajtur qëndrimin e njohur publik Kryetari i Kuvendit, njëherësh edhe Kryetar i LSI-së pas takimit që ne zhvilluam me lidershipin e Partisë Socialiste.

Përse nuk keni paraqitur emra kandidatësh bashkë me PS-në për raundin e parë dhe ekziston mundësia që ju t’i digjni të pesta seancat?

Kryetari i Kuvendit, njëherësh Kryetar i LSI-së, e bëri të qartë publikisht pas takimit me lidershipin e PS-së qëndrimin e tryezës së asaj dite, pra të takimit PS-LSI apo LSI-PS, në lidhje me çështjen e Presidentit, duke nënvizuar domosdoshmërinë e pjesëmarrjes me kontributin e vetë në këtë proces të rëndësishëm edhe të opozitës.

Kështu që për sa kohë jemi ende me shpresën dhe besimin që ekzistojnë mundësitë që opozita të ehët pjesë e procesit pasi të jepen garancitë dhe besimi që zgjedhjet do të jenë sipas standardeve, nuk ka arsye të nxitohemi dhe ta paragjykojmë këtë proces që në kohën e duhur dhe sipas afateve kushtetuese do të trajtohet me shumë përgjegjshmëri, me shumë seriozitet ashtu siç e meriton çdo vendimmarrje që ka të bëjë me kryetarin e shtetit.

/ In News / By Hajdi Lamce / Comments Off on Luan Rama: “Zgjedhjet të parat, dialog për të gjetur zgjidhje”