MARRËVESHJE BASHKËPUNIMI ME PDS/ PETRIT VASILI: “BASHKËPUNIMI ME PDS KA NË THEMEL INTEGRITETIN POLITIK TË KËSAJ PARTIE DHE RAPORTIN E SAJ SHUMË TË QARTË ME ZGJEDHJET E LIRA DHE TË NDERSHME”

Partia Demokracia Sociale, e drejtuar nga Profesor Paskal Milo, ka nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Nga kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim kjo marrëveshje është një moment politik i rëndësishëm.

“Ishte sigurisht një moment politik i rëndësishëm dhe sinjifikativ, pasi në marrëvsehjen tonë ne ndërtuam një bashkëpunim politik, që ka në themel të tij integritetin politik të Partisë Demokracia Sociale, raportin e saj shumë të qartë me zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, është shprehur Vasili.

Fjala e z. Petrit Vasili:

Sot patëm mundësi të nënshkruanim një marrëveshje bashkëpunimi me Partinë Demokracia Sociale drejtuar nga Profesor Paskal Milo. Ishte sigurisht një moment politik i rëndësishëm dhe sinjifikativ, pasi në marrëveshjen tonë ne ndërtuam një bashkëpunim politik, që ka në themel të tij integritetin politik të Partisë Demokracia Sociale, raportin e saj shumë të qartë me zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Programin e saj, që është i orientuar nga integrimi evropian, nga konstruktiviteti në bashkëpunimin politik dhe nga prioriteti për realizimin e objektivave që vendi ka për një qeverisje më të mirë, për një etikë politike më të shëndetshme dhe besoj ndoshta nga më të rëndësishmet, është për pjesëmarrjen në procesin zgjedhor dhe për administrimin korrekt të këtij procesi në përputhje me ligjin në çdo pikë të tij dhe ku LSI krahas këtij bashkëpunimi, i cili është një bashkëpunim në vizionin tonë, por edhe në vizionin e PDS, një vizion bashkëpunimi kohëgjatë, i cili shtrihet edhe përtej zgjedhjeve. Bazuar mbi këtë kohezion të përbashkët politik që ne kemi, do të ketë edhe administrimin e zgjedhjeve dhe njëkohësisht mbështetjen e plotë që çdo element i rezultatit zgjedhor që do të realizohet nga PDS, do të ketë si një garant në të gjithë nivelet e administrimit dhe deri në komisionet e numërimit Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Besoj që është një moment politik shumë pozitiv, ku ne ecim në hullinë e një bashkëpunimi politik, por edhe në mënyrë të veçantë dhe etik dhe qytetar, në këtë moment ku politika shqiptare ka nevojë më shumë se çdo gjë tjetër për këtë komunikim të këtij dimensioni dhe me këto përmasa edhe të karakterit etik, por edhe të karakterit politik.

 

Fjala e z. Paskal Milo:

Marrëveshja që sapo u nënshkrua me Kryetarin e LSI është një marrëveshje e natyrshme e dy partive tona, të cilat ndajnë vlera të përbashkëta dhe të gjithanshme.

Është një marrëveshje që institucionalizon një bashkëpunim, që do të materializohet gjatë fushatës zgjedhore, gjatë procesit të administrimit të votave si edhe në perspektivë gjatë qeverisjes së ardhshme të vendit. Është një marrëveshje, e cila nuk drejtohet kundër asnjë partie të tretë, por niset gjithmonë nga interesat për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme, për të maksimalizuar rezultatin e partive tona dhe është para së gjithash në interes të të gjithë shqiptarëve.

Është një marrëveshje që Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokracia Sociale e bëjnë me synimin e vetëm për të patur një rezultat maksimal të dy partive tona, me qëllim që roli dhe rëndësia në radhë të parë e Lëvizjes Socialiste për Integrim të manifestohet gjatë fushatës dhe në mënyrë të veçantë pas fushatës, me qëllim që ne të shohim një bashkëpunim të mbështetur në vlera, një bashkëpunim të mbështetur në ideale, një bashkëpunim të mbështetur në vlerat e integrimit evropian të Shqipërisë.

Nuk është një bashkëpunim thjesht pragmatist, por dua ta nënvizoj që është një bashkëpunim vlerash të dy partive tona. Prandaj, nuk më mbetet gjë tjetër veçse ta çoj këtë mesazh edhe përmes këtij mikrofoni në të gjithë anëtarësinë e Partisë Demokracia Sociale, që të shikojë në këtë marrëveshje që ne sapo kemi nënshkruar, një garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe në të njëjtën kohë një garanci, që Partia Demokracia Sociale merr nga një parti mike dhe partnere se do të ketë mbështetje të plotë në fushatën e saj elektorale dhe do të ketë një mbështetje të plotë në procesin e administrimit të votave, si edhe një perspektivë të qartë në bashkëqeverisjen e ardhshme të vendit.

Për të gjithë këto vlera, kjo marrëveshje që ne sapo kemi nënshkruar është një marrëveshje shumë e dobishme dhe jo vetëm për dy partitë tona, por është e dobishme dhe model për mënyrën se si dy parti që ndajnë vlera të përbashkëta duhet të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën.

Ndonëse nuk na lejohet që të kemi një koalicion mbështetur në kodin zgjedhor për arsye tashmë të njohura, kjo është një formë dhe një mënyrë bashkëpunimi që na lejohet, që është e dobishme dhe që do t’i shërbejë të njëjti qëllim sikur të kishim një koalicion zyrtar midis nesh.

Prandaj të gjithë duhet të shohin te kjo marrëveshje një model bashkëpunimi, një model që politika shqiptare duhet ta bëjë pjesë të kulturës së saj tani e në të ardhmen. Ju faleminderit!

 

Pyetje nga gazetarët:

Ju thoni se me këtë marrëveshje maksimalizohen votat e të dy partive. Si maksimalizohet kjo për sa kohë që nuk ka koalicione? E kuptoj përfitimin që do të ketë partia e z. Milo, sepse do të ketë garant në numërimin e votave LSI përsa kohë që ka komsionerë, por nuk e kuptoj se ku është përfitimi i LSI-së? Kjo marrëveshje erdhi e detyruar nga deklarata e aleatëve të PS-së, të cilët bënë me dije se të gjitha votat e tyre do të shkojnë për PS-në apo ishte një marrëveshje e parashikuar?

Paskal Milo: Maksimalizimi i votës për ne nënkupton që kemi tashmë një koalicion vlerash ku shqiptarë do të shohin në këtë bashkëpunim midis dy partive vlerën tonë. Ne ngjallim besim tek elektorati shqiptar, sepse jemi dy parti të cilat do të bashkëpunojnë për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme në një kohë kur të tjerët po sillen shumë më ndryshe, në një kohë kur të tjerët nuk respektojnë partitë, në një kohë kur të tjerët përpiqen që partitë të humbasin identitetin e tyre politik dhe integritetin e tyre në këto zgjedhje, kjo marrëveshje shënon një sjellje tjetër politike.

Është një marrëveshje që mbështetet në vlerat dhe si e tillë na paraqet neve para opinionit publik shqiptar si dy parti tek të cilat duhet të kihet besim, sepse nuk punojnë kundër të tjerëve, por bashkëpunojnë me të tjerët për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme.

Dhe këtu e kam fjalën unë kur flas për maksimalizimin e votave të partive tona. Sepse LSI në këtë moment po dëshmon që është një parti e hapur, është një parti që e kërkon bashkëpunimin dhe e respekton atë dhe është një parti që vlerëson aleatët e partnerët dhe nuk i hedh ato përtej ose në kosh në një kohë kur të tjerët kanë dëshmuar gjatë këtyre viteve dhe gjatë këtyre ditëve të fundit një sjellje tjetër. Unë e nënvizova që kjo marrëveshje është një marrëveshje vlerash, nuk është marrëveshje që drejtohet kundër të tretëve.

Unë iu përgjigja pjesës së parë ët pyetjes. Ne si PDS e kemi vlerësuar dhe e vlerësojmë këtë marrëveshje dhe si një garanci në kuptimin që PDS nuk është pa aleatë, PDS ka partnerë të besueshëm dhe kjo marrëveshje është projektuar minimalisht të paktën një muaj përpara, nuk është marrëveshje si rrjedhojë e deklaratave të djeshme të papërgjegjshme të të ashtuquajturve kryetarë të partive që nuk kanë parti dhe që nuk janë regjistruar në zgjedhje. Kjo marrëveshje është projektuar shumë kohë më parë dhe nëse u nënshkrua sot një ditë pasi janë bërë ato deklarata është rastësi dhe nuk ka asnjë lidhje.

 

Petrit Vasili: Nuk desha të shtoj asgjë më shumë nga ato që profesor Milo tha. Që ne themel janë edhe arsyeja politike, por edhe etike e nënshkrimit të marrëveshjes. Bindja jonë ka qenë vetëm një: çdo forcë politike bashkëndan me aleatët ato vlera programore dhe vlera morale. Këtu ne kemi afërsi të dukshme, që e bëjnë të natyrshme këtë marrëveshje.

Së dyti, është shumë e rëndësishme për ne të bashkëpunojmë me ato parti që ndajnë të njëjtën qasje ndaj votës së lirë dhe të ndershme.

Së treti, raporti ynë me votën e lirë dhe të ndershme është një raport i patjetërsueshëm. Kemi mbështetur zbatimin e ligjit dhe mosprekjen e asnjë vote kurrë dhe në asnjë rast duke u nisur nga vetëdija jonë politike por edhe nga eksperienca negative e provuar në kurrizin tonë në të shkuarën. Sigurisht kjo na ka bërë që të jemi luftëtarë të motivuar, që vetëm proceset e lira dhe të ndershme të mbrohen deri në fund sepse ato prodhojnë edhe demokracinë e qëndrueshme.

Së fundi, që nuk është më pak e rëndësishme, ne do të bëjmë në këtë mënyrë, është edhe një model bashkëpunimi i cili ecën drejt programeve, nuk ecën vetëm duke bërë kalkulim politik apo elektoral të radhës, pasi vizionet programore kërkojnë jetëgjatësi dhe koherencë.

Kjo shkon përtej çdo lloj kalkulimi të vogël politik, por jep dimensionin e bashkëpunimit dhe njëkohësisht maksimalizon vlerat intelektuale edhe vlerat e mendimit. Jo gjithmonë vlera intelektuale dhe e mendimit është e bashkëlidhur me dimensionet elektorale të forcave politike. Dhe maksimalizim do të thotë që çdo vlerë maksimale dhe e mirë në këtë vend të ketë mundësinë të akomodohet, të ketë mundësinë të reklamohet, të promovohet dhe të bëhet pronë e qytetarëve shqiptarë.

Vasili a ka LSI të parashikuar një marrëveshje me partitë e tjera dhe për Z. Milo, ju thatë se kjo marrëveshje është diskutuar që më parë. Mos vallë kjo është diskutuar në kafen që ju patët me ish-kryetarin e LSI, z. Ilir Meta ditën kur ai u propozua për President vetëm pak metra larg selisë së LSI-së?

Paskal Milo: Absolutisht, ajo kafe e vëzhguar prej kamerave tuaja atë ditë kur z. Meta u vendos që do të zgjidhej President i Republikës ka qenë një kafe shumë miqësore dhe nuk ka qenë objekt kjo marrëveshje të cilën ne sapo firmosëm.

Më vonë me z. Vasili ne kemi diskutuar për bashkëpunimin midis dy partive tona dhe për mënyrën se si ne do ta formësonim këtë bashkëpunim dhe pasi e kemi gjykuar gjerë e gjatë arritëm në këtë përfundim dhe në këtë dokument që ne sapo kemi nënshkruar.

 

Petrit Vasili: Mund t’u jap një detaj për kërshërinë tuaj gazetareske. Drafti që ne nënshkruam ka disa ditë dhe impenjimet elektorale të z. Milo, të miat ishin të tilla që mundësonin këtë paradite në kuptimin më të mirë të fjalës, pasi ishim në kulmin e fushatës. Mund të ndodhte dhe rastësia mund ta sillte që ta nënshkruanim edhe nesër, por kjo dakordësi dhe gjithçka që ne kemi nënshkruar është dakordësuar prej kohësh pa qenë të kushtëzuar nga çdo lloj deklarimi apo qëndrimi tjetër dhe do të nënshkruhej pavarësisht nga çdo lloj zhvillimi politik që do të kishte në Shqipëri.

Kjo marrëveshje është një mesazh i qartë se cili është raporti me programe të ngjashme dhe që bashkëndajnë të njëjtat sfida dhe të njëjtat objektiva programore së bashku me ne dhe e cila është sfida jonë në raport me votën e lirë.

Të gjithë ata që kanë qasje të tilla e kanë pasur dhe do ta kenë derën e LSI-së të hapur, mbështetjen dhe promovimin e fortë të saj, pasi në fund të fundit, jemi në një moment të rëndësishëm politik ku duhet të riformësojmë vlerat, kualitetet edhe morale edhe etike, pasi besoj se ka patur një tronditje të tyre, dhe ky është një mision po aq i rëndësishëm sa edhe misioni politik i zgjedhjeve të radhës.

Milo, a e konsumuat me z. Rama këtë marrëveshje që ju e kishit menduar me LSI dhe çfarë nuk ju ofroi z. Rama për të kaluar më tej në kampin e LSI-së?

Paskal Milo: Së pari, unë nuk kam pasur mundësinë që të takoj z. Rama. Mund të kem mbi një vit e tre muaj që nuk e kam takuar dhe jo për fajin tim, kështu që kjo nuk mund të shtrohet si pyetje.

E dyta, Partia Demokracia Sociale në marrëdhëniet me partitë e tjera cilado qofshin ato është një parti sovrane që vendimet e veta i merr në gjykimin e saj dhe brenda institucioneve të saj dhe nuk i merr leje askujt cilido qoftë ai, si individ apo si subjekt politik, që të kushtëzojë marrëdhëniet me një parti tjetër.

Aleancat nuk janë të përjetshme. Aleancat ndërtohen mbi bazën e parimeve, të objektivave të përbashkëta dhe në momentin që njëra palë as nuk respekton parimet e bashkëpunimit, as nuk respekton edhe marrëveshjet e nënshkruara, atëherë aleancat zhbëhen në mënyrë të natyrshme.

Jo për fajin tonë si Parti Demokracia Sociale, sepse ne kemi qenë vazhdimisht shumë korrektë në zbatimin e marrëveshjeve që kemi nënshkruar me partnerët tanë të djeshëm dhe po kështu do të jemi shumë korrektë me gjithçka tjetër që marrim përsipër si përgjegjësi politike në marrëdhëniet me partitë e tjera. E kemi dëshmuar me kohë këtë dhe do ta dëshmojmë akoma më me forcë edhe gjatë këtyre zgjedhjeve.

/ In News / By Hajdi Lamce / Comments Off on MARRËVESHJE BASHKËPUNIMI ME PDS/ PETRIT VASILI: “BASHKËPUNIMI ME PDS KA NË THEMEL INTEGRITETIN POLITIK TË KËSAJ PARTIE DHE RAPORTIN E SAJ SHUMË TË QARTË ME ZGJEDHJET E LIRA DHE TË NDERSHME”