‘Marrëveshje me PS’, Kryemadhi: Intrigë e Ramës dhe thashethemaxhinjve të tij, njëlloj si me Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore

Pjesë nga Intervista e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi  për emisionin ‘Fokus’ të gazetarit Nertil Agalliu në TvT

-Pra përjashtoni çdolloj thashethemi që diskutohet qoftë në tryeza mediatike apo edhe në tryeza të ndryshme për një marrëveshje me PS, me Edi Ramën në zgjedhjet e ardhshme?
Mos harroni që z. Rama apo thashethemaxhinjtë, laboratori i tij i propagandës kthehen me mesazhe të tilla gjithmonë për të bërë ndonjë skemë apo puç politik. Ju besoj që dëgjoni që filloi të lavdërojë zotin Meta dhe jo më larg se pardje ju vetë e dëgjuat ambasadorin e BE, z. Soreca kur tha që do të mblidhet Këshilli Politik, kur ndërkohë ky nuk është mbledhur që në shkurt dhe nuk ka pasur në plan për t’u mbledhur për shkak se prisnim reagimin nga Partia Socialiste. Opozita, zoti Vasili dhe zoti Bylykbashi bashkë me gjithë pjesën e opozitës kishte paraqitur 5 drafte për sa i përket reformës zgjedhore dhe prisnim të kishim një përgjigje se kë nga këto 5 drafte do pranonin ose të thonin një përgjigje zyrtare se cila nga këto 5 drafte pranonin ose të thonin një përgjigje zyrtare që në nuk jemi dakort me asnjë nga draftet tuaja. Dhe ndërkohë që ne të gjithë u çuditëm kur dje a pardje dëgjuam z. Soreka që tha do të mblidhet nesër këshilli politik ku të gjithë pyetën zotin Vasili, zotin Bylykbashi. Edhe dje kur ishim në tryezën me partitë opozitare ishim të gjithë, ‘ore çfarë është ky Këshill Politik që do të mblidhet nesër’ dhe ndërkohë nuk kishte asnjë lloj informacioni. Pra ishte një mashtrim ku po luanin me Këshillin Politik në mënyrë të tillë për të ecur me planet e tyre dhe për të zvarritur. Të jeni të bindur që Partia Socialiste gjithmonë ka luajtur me mesazhe të tilla ose me intriga të tilla dhe ajo që më bën përshtypje është që shumë ndërkombëtarë, ambasadorë, ndihen peng i thashethemeve apo edhe manipulimeve të informacioneve. Duhet të detyroheshim ne që të reagonim duke filluar që nga unë e para dje menjëherë pas takimit me opozitën, ku bëmë të qartë që nuk ka asnjë mbledhje të Këshillit Politik, biles po presim që Partia Socialiste të na kthejë një përgjigje menjëherë a është dakort apo jo me 5 draftet që i ka nisur opozita. Dhe ishte pikërisht zoti Bylykbashi dhe zoti Vasili që i dërguan një letër zoti Gjiknuri për të mbledhur sa më shpejt këshillin politik. Zoti Gjiknuri ka thënë që ne nuk donim që të mblidhnim Këshillin Politik.

Por e kanë një nga kushtet kryesore që për hapjen e negociatave duhet miratimi i reformës zgjedhore dhe implementimi i saj.

Pra ju nuk do pranoni si opozitë, në rast se do të bëhen zgjedhje si të parakohshme apo edhe në 2021, pa një reformë zgjedhore?

E ke të detyrueshme nga Bashkimi Europian, e ke kusht miratimin e reformës zgjedhore me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe implementimin e saj. Hidhu përpjetë, bëj çfarë të duash, nuk i thua dot derrit dajë, kjo është e vërtetë.

Ajo që bie në sy, pavarësisht akuzave ndaj kryeministrit Rama, si ka mundësi që duket sikur ka një mbështetje në arenën ndërkombëtare, pse ndodh kjo sipas jush?

Unë nuk mendoj se ka një mbështetje ndërkombëtare të zotit Rama. Sepse po të kishte mbështetje në arenën ndërkombëtare për zotin Rama dhe për politikat e tij, shqiptarët do të ishin shumë të lumtur, do të kishin një GDP shumë të lartë, një gjendje ekonomike shumë të mirë, do të kishim hapur negociatat. Por unë mendoj që zoti Rama lobon dhe paguan me paratë e drogës grupe lobiste, të cilat pas kanë qarqe anti shqiptare, që u shërbejnë për të ngadalësuar hyrjen e Shqipërisë në BE, si dhe për të distancuar e mbajtur sa më larg nga Perëndimi Shqipërinë dhe për ta çuar në drejtime të paditura, ato që i pëlqejnë zotit Rama.

Zonja Kryemadhi duket sikur aksioni politik i opozitës, qoftë dhe i LSI-së, është gjithmonë i bazuar në idenë se Edi Rama do të reflektojë dhe do të bashkëpunojë me opozitën. Por në fund Rama gjithmonë ka bërë të kundërtën në lidhje me propozimet tuaja…

Nuk ka asnjë lloj mendimi të tillë nga opozita, përkundrazi. Madje ne jemi shumë të qartë, ja kemi bërë të qartë edhe të gjithë ndërkombëtarëve. Zoti Rama është nga ata persona, i cili nuk reflekton. Një njeri i cili nuk reflekton për gjërat më elementare, mos prisni të reflektojë. A e dini ju se që nga 26 nëntori u bënë gati 6 muaj dhe akoma nuk kanë hyrë njerëzit në shtëpitë që u premtoi për rindërtim? Jo vetëm që nuk kanë hyrë, por edhe ata që kanë gjetur mundësinë e financimit për rindërtuar shtëpinë vetë, akoma nuk ju japin lejet sepse kërkojnë rryshfet për të marrë leje dhe për të rindërtuar shtëpitë e tyre. Edhe kujt u janë shembur shtëpitë, që kanë shkuar t’i rindërtojnë dhe t’i rimëkëmbin u ka shkuar policia ndërtimore, INUK-u i Edi Ramës, për tua shkatërruar. Ky është reflektimi i zotit Rama. Nga zoti Rama nuk ka asnjë lloj reflektimi. Edhe ju mos prisni që të ketë ndonjë reflektim. I vetmi reflektim i zotit Rama është që zoti Rama njeh vetëm procesin e votimit dhe kur të shkojë te kutia e votimit, kur të shikojë votat sesi do të votojnë shqiptarët atëherë do të kuptojë. Por edhe atëherë mos u shqetësoni se do të përulet dhe do të bëhet si një kameleon që nuk i ndahet dot.

Zonja Kryemadhi, ju keni akuzuar Edi Ramën se ka vjedhur vota. Përgjimet e Bild tregojnë se ka patur manipulime. Si mund t’i besohet atij se me këtë njeri do të ketë një reformë zgjedhore që të ketë zgjedhje të lira?

Nuk është problemi tek ai. Problemi është se në 2017 zoti Rama përfitoi nga mënyra se si u luajt politikisht. Pra, mungesa e koalicioneve, mënyra se si e ndërtoi fushatën, abuzimi që luajti dhe propaganda, po dhe sigurisht paratë e drogës që iu injektuan ekonomisë zgjedhore në atë kohë. Tashmë nuk ka më oksigjen për sa i përket kësaj, jo vetëm që i ka dalë boja dhe e gjithë situata jashtë kontrolli. Kishte një mundësi se atëherë ishte dhe LSI-ja pjesë e një historie që njerëzit nuk po e kuptonin se çfarë po ndodhte. Sot nuk ka asnjë parti politike që është në krah të Edi Ramës. Ai është vetëm një parti. Pra është vetëm Partia Socialiste. Të gjithë partitë politike janë kundër tij, kështu që e ka bërë shumë të qartë pozicionimin. Unë nuk mendoj që zoti Rama është i fuqishëm në një proces zgjedhor. Pavarësisht artikulimit politik që bëjmë të gjithë ne. Unë mendoj se revolta ndaj gjithë sistemit politik që ka ngritur Edi Rama është aq e madhe sa vetë socialistët do të jenë pjesa dërrmuese që do ta ndëshkojnë Ramën me votë.

/ In News / By Admin / Comments Off on ‘Marrëveshje me PS’, Kryemadhi: Intrigë e Ramës dhe thashethemaxhinjve të tij, njëlloj si me Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore