Mehmetaj: 6 pyetjet që duhet t’u përgjigjet ministrja Gjonaj

Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Kejdi Mehmetaj, në një deklaratë për mediat kërkoi shpengime nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, lidhur me aktivitetin e saj si ministre, por dhe disa vendime gjykatash që janë dhënë muajt e fundit në favor të bashkëshortit të saj.

Në kuadër të transparencës për t’i ardhur në ndihmë reformës në drejtësi, nga sot dhe në vazhdim do të nisim një seri pyetjesh dhe denoncimesh publike dhe të dokumentuar ndaj ministres Gjonaj dhe enturazhit të saj për të kuptuar se kush është Etilda. Pyetja e parë. Etilda Gjonaj është ministrja e Drejtësisë apo e Etilda e Gjykatave? Ku punonte bashkëshorti juaj dhe çfarë pune bënte deri në vitin 2016? Çfarë problemesh ligjore ka pasur bashkëshorti juaj në përudhën që është pushuar nga puna? Po në organet e drejtësisë, çfarë raporti ka pasur bashkëshorti juaj? Ku është sot bashkëshorti juaj dhe çfarë pozicioni pune mban? Shpresojmë që ministrja Gjonaj të ketë kurajën për t’ju përgjigjur këtyre pyetjeve që sot ishin vetëm për të filluar”, tha ndër të tjera deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Kejdi Mehmetaj.

Deklarata e plotë

“Në kuadër të transparencës dhe ligjshmërisë për t’i ardhur në ndihmë reformës në drejtësi nga sot e në vijim do të nisim një seri pyetjesh dhe denoncimesh publike dhe te dokumentuara ndaj ministres Etilda Gjonaj dhe enturazhit të saj. Me qëllim që qytetarët shqiptarë jo vetëm të njohin se cila është Etilda e qeverisë, por edhe të kuptojnë arsyet dhe motivet e vërteta se përse Kryeministri nuk e shkarkoi dhe atë njësoj si pjesën më të madhe të qeverisë së tij.

-Pyetja e parë, Etilda Gjonaj, është Etilda ministre e qeverisë, apo është Etilda e Gjykatave. Ku punonte bashkëshorti juaj znj.Gjonaj dhe çfarë pune bënte deri në vitin 2016?

-Çfarë problemesh ligjore ka pasur bashkëshorti juaj në periudhën që është pushuar nga puna?

-Po me organet e drejtësisë, çfarë problemesh ka pasur, dhe çfarë raportesh ka pasur bashkëshorti juaj?

-Sa ishte kohëzgjatja e procesit gjyqësor deri në marrjen e vendimit të formës së prerë ndaj bashkëshortit tuaj?

-Dhe pyetja e fundit për sot zonja ministre, ku është sot bashkëshorti juaj? Ku punon sot bashkëshorti juaj dhe çfarë pozicioni mban ai në atë vend pune?

-Shpresojmë që zonja ministre të ketë kurajën, ndoshta dhe argumentin për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve që sot ishin vetëm për të filluar”.