Mehmetaj: Tallja e ministrave me gjëmën e vajzës në Kavajë

Fjala e deputetes së LSI-së, Kejdi Mehmetaj në Kuvend

Ngjarja në fakt shumë e dhimbshme që ka ndodhur në Kavajë do duhej që t’i shërbente të gjithë shoqërisë për të reflektuar. Për të reflektuar se ku kemi gabuar me fëmijët tanë. A jemi sjellë siç duhet me ta? A kemi ndihmuar që t’i edukojmë ata drejtë? Duhet të shërbente për të reflektuar se çfarë ndodh me sistemin tonë arsimor. Si reagojnë instancat kundrejt ngjarjeve të kësaj natyre? Dhe mbi të gjitha se çfarë duhet të bëjmë ne të gjithë që të sigurojmë jetën dhe shëndetin e të gjithë fëmijëve të Shqipërisë.

Por në fakt gjatë kësaj jave dhimbja më është dyfishuar. Dhe më është dyfishuar sepse përballë një reagimi normal që do duhej të kishte një shoqëri normale me një qeverisje të shëndetshme, dëgjojmë absurditete që na bën të gjithëve të vëmë duart në kokë dhe të themi ku po jetojmë vallë. Përkundrazi se të kishim një reagim, një mbështetje ndaj familjes, një reagim të institucioneve të edukimit, një reagim të Policisë së Shtetit dhe e gjithë shoqëria të ngrihej në këmbë, kemi disa ministra që realisht nuk e kuptoj se nga u buron dhe vonë besoj do ta kuptojnë që në përgjegjësinë dhe në peshën e ndërgjegjes së tyre do të mbajnë edhe fjalët që kanë thënë gjatë këtyre ditëve. Dëgjojmë një ministër që publikisht, nuk dua ta përdor këtë fjalën dhe më vjen keq që do ta përdor, publikisht gënjen. Gënjen sepse tashmë u bë më e qartë për të gjithë shqiptarët që Policia e Shtetit nuk e kreu siç duhet detyrën e saj, duke mos e trajtuar ngjarjen si një rast serioz.

Kemi nga ana tjetër një ministre që nuk e di sesi mund t’i dalin fjalët nga goja e të thotë që ngjarje të tilla na qenkan normale dhe se u bëkan edhe filma hollivudi. Nuk e di se ku i ka parë këto filma se ne jemi rritur të gjithë me filmat e hollivudit, por që këto ngjarje të bëheshin filma hollivudi e në njëfarë forme të krenoheshim që e paskemi edhe ne një ngjarje të tillë, s’do ma kishte marrë mendja kurrë që do të thuhej nga kushdo. Dhe më e rënda nga të gjitha këto, jo më larg se dje, një drejtoreshë gjimnazi në qendër të Tiranës, që ka mbi 1200 gjimnazistë, publikisht në një emision që transmetohet në  të gjithë Shqipërinë, thoshte se vajza na paska gabuar dhe se fajin e k patur nëna. Por çfarë po ndodh me këtë vend unë nuk arrij dot ta kuptoj. Pse nuk ka një reagim për këtë rast unë nuk arrij dot ta kuptoj. Ku janë psikologët e shkollave, ku janë mësuesit? Pse nuk ri formatohet i gjithë sistemi arsimor në mënyrë që të ndihmojë fëmijët në mënyrë të shëndetshme? Sepse të gjithë ata fëmijë në fakt janë viktima të rastit që ka ndodhur. Pse nuk është trajtuar rasti siç duhet? Pse nuk është ndjekur edhe nuk është zbatuar ligji që ne të gjithë kemi miratuar në këtë sallë? Për këtë në fakt do të duhet të mbajnë përgjegjësi më shumë se çdo gjë tjetër këta ministra që janë përballë. E përpara se të vijnë të flasin me krenari këtu e të mos dinë se çfarë lëshojnë nga goja, të ulin kokën dhe t’i përgjigjen qytetarëve. T’i përgjigjen interesit dhe sigurisë së fëmijëve të shqiptarëve.

Kështu që nga kjo foltore dua edhe njëherë t’i bëj thirrje institucioneve të arsimit, drejtorisë arsimore, Ministrisë së Arsimit, nëse ka ndopak  brejtje ndërgjegje tek ta, nëse ka ndopak përgjegjësi qytetare ndër ta së pari duhet të marrin masa ndaj asaj drejtoreshe që lëshon fjalë të papërgjegjshme dhe pastaj kundrejt të gjithë sistemit arsimor. Nuk dua të zgjatem më shumë për këtë rast përveç se të bëj një thirrje publike, që të gjithë si shoqëri të marrim masa dhe të reagojmë. Kjo është një kambanë e rëndë alarmi për të cilën ne duhet të përgjigjemi me shumë vendosmëri.

Nga ana tjetër ka ngelur pak për të thënë ndaj kësaj qeverie. Lexoja dje një shkrim të z. Plasari. Nuk po e citoj por po marr kontekstin e shkrimit të tij, ku flitej për rastet kur nga vetë qeveria ndodh një grusht shteti që dëmton institucionet me qëllim që i gjithë vendi të kthehet në dorën e një njeriu të vetëm. Dhe kjo është ajo që po ndodh aktualisht me Shqipërinë. Të gjithë institucionet e këtij vendi tashmë janë të dërrmuara, tashmë janë të gjitha në dorën  e një individi të vetëm i cili me çmendurinë e tij po e bën këtë vend që të mos jetë me i jetueshëm për shqiptarët. Po i detyron shqiptarët të largohen nga vendi sepse këtu nuk gjejnë më shpresë për të ardhmen e tyre. Këtë po e bën me ministrat e drejtësisë, këtë po  e bën me policinë e shtetit, këtë po e bën me çdo institucion shtetëror, ndaj të cilit shqiptarët presin  dhe presin shumë.

Dhe nuk kishte si të ndodhte  ndryshe sepse dikush që pushtetin e merr me dhunë, dikush që pushtetin e blen, dikush që pushtetin e merr duke përdorur kriminelë, trafikantë, duke përdorur pushtetin që kishte nga institucionet shtetërore, nuk mund të dijë ta trajtojë atë që ka në dorë ndryshe. Është thënë tashmë botërisht. Mirë të tjera se edhe Zërin e Amerikës, kryeministri na e bëri kazan po kazan global, po institucionet e certifikuara që flasin për këtë rast. Është fjala e ambasadorit të OSBE, janë raportet e OSBE, raportet e BE. Tashmë të vërtetuara me prova që ndodhen në Prokurorinë e Shtetit. Që votat e shqiptarëve nuk janë lexuar ashtu siç duhet, sepse vota e shqiptarëve është marrë falë presionit, falë të fortëve dhe falë parave. Kjo është një qeveri që tashmë ka rënë dhe unë jam shumë e sigurt që çdo ditë që kalon i shton fajet  do t’i bëjë të gjithë me në krye Edi Ramën, t’i vuajnë pasojat në ditët në vazhdim por edhe në të gjithë jetën e tyre. Dhe besoj që ndaj një qeverie, ku dy institucionet e saj kryesore, profesori, profesoratët dhe artistët, protestojnë dhe protestojnë seriozisht  është një qeveri që nuk duhet të vazhdojë më punën e saj. Është një qeveri e rënë.

Ndaj këtë besoj do të tregojnë dhe shqiptarët më datë 16 shkurt dhe ky besoj do të jetë dhe mësimi më i mirë që do të marrë kjo qeveri dhe për këdo që mbas tyre do tentojë të bëjë të njëjtat akte. Unë kam vetëm një fjalë të fundit për të shtuar se për ministrat që flasin këtu, të cilët mu dha rasti ta thoja dje në komision, do ta them prapë edhe sot, janë  thjesht ordinanca pa identitet të një kryeministri që nuk di më ç’bën  me veten e tij e jo me detyrën shtetërore që ka. Kam vetëm një fjalë për të thënë. Nëse në jetët tuaja keni pasur mundësi të arrini diku, nuk ka rëndësi se si, por keni marrë ca tituj për të cilët njerëzit ju nderojnë, kini kujdes kur ato që ju duken  si rritje në detyrë ju bëjnë qesharakë në sy të shqiptarëve. Se të jesh gjeneral e të përfundosh në kthetrat e Edi Ramës, e ti përgjigjesh Edi Ramës besoj që vetëm të ul. Të jesh gjeneral e të përfundosh në servil të Edi Ramës, kjo vetëm të ul. Të jesh gjeneral e të vish të merresh me studentët, të rrahësh studentët e ti ofendosh ata publikisht kjo vetëm të ul. Pastaj për pjesën tjetër nuk po merrem se kur gjenerali përfundon deri në këtë pikë, imagjinoni se ç’ndodh me ata që identitetin nuk e kishin as para se të bëheshin ministra.