Meta: “Demokracia në Shqipëri nuk mund të jetë dhe nuk do të jetë “One man show”, por do të jetë një shans për të gjithë”

Lëvizja Rinore për Integrim organizoi sot “Takimin me rininë”. Në aktivitetin e zhvilluar në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në Tiranë morën pjesë Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta si edhe personalitetet kryesore të kësaj force politike.

Në fjalën e mbajtur gjatë këtij aktiviteti z. Ilir Meta u shpreh se të rinjtë janë forca më frymëzuese, transformuese dhe motivimi i përditshëm për një Shqipëri më të sigurt e më të drejtë që u jep shanse të gjithëve dhe në radhë të parë të rinjve dhe të rejave tona.

“Çdo politikan mund të jetë peng i të kaluarës së tij, por kjo asnjëherë nuk mundet të jetë një fatkeqësi për vendin. Pra, e ardhmja e atij vendi nuk mund të merret peng nga askush që mendon më shumë për karrigen dhe pushtetin e tij se sa për paqen sociale, për stabilitetin dhe përmirësimin e vendit të tij dhe të qytetarëve të tij. Ndaj nuk kemi asnjë minutë për të humbur, as me arrogancën e njërës palë, as me ultimatumet e palës tjetër për t’i dhënë Shqipërisë zgjedhje të lira dhe të ndershme, të gjithëpranuara nga të gjithë”, – tha z. Meta, teksa u shpreh se LSI-ja nuk do të kursejë energjitë e saj për t’i dhënë një zgjidhe të ndershme politike Shqipërisë dhe shqiptarëve.

“Ne duam të bëjmë dhe kemi detyrim të bëjmë çdo gjë për të rinjtë tanë. Për fëmijët tanë. Duhet t’i japim një shans të gjithë të rinjve dhe të rejave të këtij vendi që nuk e kanë njohur diktaturën. Që e ardhmja e tyre të mos shqetësohet nga hijet e së kaluarës. Që e ardhmja e tyre të mos pengohet nga arroganca dhe njëkohësisht nga kokëfortësia, që vetëm e vonon Shqipërinë dhe shqiptarët të jenë një vendin normal, një vend në paqe, një vend i stabilizuar dhe një vend funksional”, – shtoi Kryetari i LSI-së.

Ndërkaq, z. Meta theksoi se LSI-ja është krenare, sepse është forca politike që ka investuar dhe promovuar më shumë te të rinjtë për përfaqësimin e tyre në Parlament dhe në pushtetin vendor.

“Mjafton të kujtojmë grupin e këshilltarëve të LSI-së në Bashkinë e Tiranës për të kuptuar besimin që LSI u jep të rinjve, por edhe modelin shembullor që përfaqësojnë të rinjtë e LRI-së dhe LSI-së kudo ku ata janë. Unë kam besuar gjithmonë te të rinjtë, te forca dhe energjia e tyre transformuese dhe i kam nxitur gjithmonë që të marrin përgjegjësi. Ishte fuqia e të rinjve dhe studentëve që ndryshoi regjimin më të izoluar dhe më të ashpër të Evropës në vitin 1990 dhe jam i bindur se është fuqia e të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë, që nuk do të lejojë askënd që të marrë peng demokracinë dhe zgjedhjet e lira në këtë vend”, – deklaroi z. Ilir Meta.

Duke u ndalur te çështjet më të rëndësishme që shqetësojnë të rinjtë, Kryetari i LSI-së vlerësoi projektin për arsimin që kanë hartuar të rinjtë e LRI-së për një Maturë Shtetërore që u jep shansin të rinjve të shkojnë në universitetet që ata duan.

“Ju keni hartuar një manifest vizionar për arsimin dhe punësimin e të rinjve dhe ne e mbështesim atë plotësisht. Ju keni qenë dhe do të jeni gjithmonë zëri i gjimnazistëve për një Maturë Shtetërore, që i jep shansin çdo të riu dhe të reje që të shkojë në universitet sipas meritës dhe dëshirës pas një procesi të drejtë dhe transparent provimesh dhe testesh pranimi. Ekonominë e dijes që duhet të përqafojmë dhe të zhvillojmë vendin tonë nuk mund ta realizojmë nëse vrasim edhe ëndrrën e një maturanti të vetëm për të patur shansin të studiojë në profilin që dëshiron dhe meriton. Ashtu sikurse asnjë maturanti të talentuar nuk mund të t’ia mohojmë të drejtën e studimit vetëm për faktin se familja e tij apo e saj nuk ka të ardhura të mjaftueshme për të vazhduar studimet dhe t’i detyrojmë të shkojnë në universitete private. Jo!”, – nënvizoi z. Meta, duke shtuar se LRI dhe LSI janë të bindur se reforma në arsim nuk është thjesht një set ligjesh dhe rregullash në letër, por mbi të gjitha duhet të jetë një reformë e zhvillimit dhe emancipimit të shoqërisë sonë për 20-30 vitet e ardhshme.

“Për ne si LSI dhe LRI, deviza jonë ka qenë dhe mbetet arsim cilësor për një punësim të mirëpaguar dhe për një familje të shëndetshme. Prandaj të dashur të rinj dhe të reja të LRI-së, kjo është koha juaj, është koha e të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë. E atyre që dinë të ndezin dhe të mbajnë gjallë shpresën, e atyre që plot guxim u thonë jo arrogancës dhe arbitraritetit”, – tha Kryetari i LSI-së.

Sa i përket aktualitetit politik, z. Ilir Meta theksoi se është koha për të goditur një herë e mirë apatinë dhe mosbesimin për t’i dhënë një shans të gjithë shqiptarëve për të folur me votën e tyre se si duan të qeverisen.

“Është koha e të rinjve dhe të rejave që nuk e kanë njohur diktaturën, sepse kanë lindur në pluralizëm dhe që nuk mund të pranojnë të jetojnë në një demokraci farsë, ku kanë të drejtë vetëm të votojnë formalisht, por jo të zgjedhin. Ndërsa politikanët zihen, shahen e harxhojnë energji të pashtershme me retorikat e tyre boshe, njerëzit e thjeshtë, prindërit tuaj, por edhe ju vetë kërkoni një shans për një edukim më të mirë dhe për punësimin tuaj për të mundur varfërinë dhe kostot e jetesës. Më 18 qershor qytetarët shqiptar kërkojnë një shans që pas 4 vitesh politikanët të heshtin dhe ata të dëgjohen dhe ata të vendosin, – shtoi z. Meta. – Ndaj kjo është koha juaj, e të rinjve dhe të rejave. Lum kush e dëgjon zërin e tyre dhe reflekton se ne kurrë nuk mund të lejojmë që zgjedhjet e lira dhe demokracia të bëhen kurban në këtë vend. Në mënyrë që drejtësia e pavarur të mos kapet nga askush. Ndaj jemi sot më të vendosur se kurrë që vendin ta çojmë drejt zgjedhjeve të lira e të gjithëpranuara dhe kurrsesi drejt një zgjedhjeje arrogante dhe arbitrare. Sepse demokracia në Shqipëri nuk mund të jetë dhe nuk do të jetë “One man show”, por do të jetë një shans për të gjithë”, – deklaroi ndër të tjera z. Ilir Meta.

Ndërsa Kryetarja e Lëvizjes Rinore për Integrim, Floida Kërpaçi, në fjalën e saj e vuri theksin te programi i LRI-së për arsimin , që do të përmirësojë cilësinë e mësimdhënies duke u dhënë shanse të gjithë nxënësve dhe studentëve në vend.

“Ne kemi një alternative: zgjidhjen që do të krijojë një shans për të gjithë dhe kjo është Lëvizja Rinore për Integrim. Plani ynë i arsimit do të ngrejë në themel sistemin tonë arsimor, nisur nga çerdhet, nga kopshtet, nga shkollat, nga gjimnazet, nga universitetet, do të rrisë cilësinë e mësimdhënies, duke i ndihmuar mësuesit me trajnime dhe kualifikime të nevojshme dhe të vendosim tekste dhe kurrikula bashkëkohore dhe të certifikuara. LRI-ja do ta bëjë rininë shqiptare më të fortë, për arsimin që nuk është sa duhet, për tarifat e larta të arsimit që nuk lejojnë të rinjtë të shkollohen. Alternativa dhe programi ynë politik është shumë i qartë, është shumë i thjeshtë, është pranë çdo të riu, pranë çdo familjeje, pranë çdo qytetari për të krijuar një shans për të gjithë”, u shpreh kryetarja e LRI-së.

Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Kejdi Mehmetaj, në fjalën e saj përpara theksoi se LSI dhe LRI punon për të rinjtë dhe të rejat e vendit.

“Secili prej jush sot duhet të ndihet krenar për veten e tij, për atë çka përfaqëson, sepse ne të LRI nuk e kemi hallin kush do të dalë të flasë e të marrë vëmendjen e publikut, por kemi hallin që gjithsecilit prej jush tu ofrohet më shumë shanse në jetën e tij. Secili prej jush këtu është i jashtëzakonshëm. Secili prej jush këtu ka thyer një mentalitet. Secili prej jush ka ndryshuar diçka për komunitetin e tij. Secili prej jush këtu sot duhet të ndjehet krenar, sepse ne në LSI punojmë që të rinjtë të jenë të mirë në sjellje, punojmë që të rinjtë të kenë mundësi të zhvillojnë talentet e tyre, punojmë që të rinjtë të kenë mundësi të përfaqësohen realisht. Për ne të rinjtë janë të parët”, – u shpreh deputetja e LSI-së Kejdi Mehmetaj.

/ In News / By Hajdi Lamce / Comments Off on Meta: “Demokracia në Shqipëri nuk mund të jetë dhe nuk do të jetë “One man show”, por do të jetë një shans për të gjithë”